Për Forcën e Rinisë
Në Lëvizje, por me Shpirtin
Mars 2025


Në Lëvizje, por me Shpirtin

Ati Qiellor dëshiron të të flasë ty. Ja mënyrat se si mund ta vazhdosh atë komunikim.

i ri duke u lutur

Ati yt Qiellor të njeh dhe të do. Ai të dëgjon kur lutesh dhe dëshiron të të flasë ty. Të zbuluarit se si Ai të flet ty është i rëndësishëm dhe është i ndryshëm për të gjithë ne. Mirëpo shpesh, mund të vëresh që Ati Qiellor të flet në mendje dhe zemër kur je në lëvizje, duke jetuar jetën dhe duke vepruar me besim.

Qëndro i/e Lidhur

Mund ta mbash të hapur lidhjen tënde me Atin Qiellor ndërsa i lutesh Atij rregullisht dhe sinqerisht. Studioji fjalët e Tij në shkrimet e shenjta. Dëgjoji dhe ndiqi shërbëtorët e Tij të zgjedhur, profetët dhe apostujt. Bëj çmos për t’i zbatuar urdhërimet e Tij.

Të qëndrosh i/e lidhur me Atin Qiellor i sjell lumturi dhe kuptim jetës sate. Na ndihmon ta kuptojmë më mirë planin e Tij e ta ndiejmë dashurinë e Tij. E dallojmë kur Ai na flet teksa përpiqemi të mbajmë formën më të mirë shpirtërore të mundshme.

i ri duke vështruar drejt horizontit

Rri i/e Qetë

Në shkrimet e shenjta, Zoti na kujton: “Rrini të qetë dhe dijeni se unë jam Perëndi” (Doktrina e Besëlidhje 101:16; shih edhe te Psalmeve 46:10). Bota është plot e përplot me zhurmë e shpërqendrime, por Ati Qiellor nuk është as i zhurmshëm e as i potershëm. Ai flet me një zë “si një shushuritje e ëmbël” (1 Mbretërve 19:12). Mund ta dallojmë ndikimin e Tij kur rrimë të qetë.

Për shembull, gjej një vend të qetë për t’u lutur, shpenzo kohë duke u rrethuar me bukuritë e krijimeve të Perëndisë në natyrë, ose shijo muzikë dhe art frymëzues. Këto gjëra ndihmojnë që ta mbajmë zemrën e mendjen të hapura ndaj përvojave të veçanta me Atin Qiellor.

e re

Ndiqi Nxitjet

Ati Qiellor shpesh na flet nëpërmjet nxitjeve. Por nga mund ta dimë me siguri a vjen prej Tij një nxitje? Profeti Mormoni jep një udhëzim të mirë: “Çdo gjë që fton dhe nxit për të bërë mirë dhe për të dashur Perëndinë dhe për t’i shërbyer atij, është frymëzuar nga Perëndia” (Moroni 7:13). Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008) tha dikur: “Kjo është prova, pasi gjithçka tjetër ka përfunduar. A e shtyn ajo dikë të bëjë mirë, të ngrihet shpirtërisht, të qëndrojë lart, të bëjë atë që është e drejtë, të jetë dashamirës, të jetë bujar? Atëherë ajo vjen nga Shpirti i Perëndisë.”

Shpesh, një nxitje do të jetë të “shkoj[më] dhe … të bëj[më]” (shih te 1 Nefi 3:7) ose të themi diçka. Ndërsa veprojmë sipas atyre nxitjeve, veçanërisht që herën e parë që e ndiejmë atë, më shumë përvoja do të vijnë. Ndaj, nëse e ndien se duhet të thuash apo bësh diçka të mirë e pozitive, bëje! Pohimi që ti je në shtegun e duhur, vjen kur bën një lëvizje.

të rinj e të reja

Shko Përpara me Besim dhe Mirëbesim

Të dallosh se kur po flet Perëndia është një proces. Duhet besim dhe mirëbesim që Ati Qiellor do të të flasë dhe do të të ndihmojë të bësh shumë më tepër nga sa mund të bësh vetë. Është gjithashtu e rëndësishme të kujtosh se Ati Qiellor të mirëbeson ty, jo vetëm që të kërkosh udhëzimin e Tij në jetë, por edhe që të bekosh e ngresh shpirtërisht njerëzit rreth teje.

Nuk do t’i kesh gjithmonë të gjitha përgjigjet. Nuk pritet nga ty kjo gjë. Por ama nxitesh të veprosh me besim. Ndërsa vepron kështu, do të zbulosh se Perëndia mund të flasë në më shumë mënyra nga sa mund ta imagjinosh. Me kalimin e kohës, zëri i Tij do të bëhet më i qartë, udhërrëfimi i Tij më i shquar dhe prania e Tij më e dukshme për të të ndihmuar të bëhesh ai njeri që Ai e di se mund të bëhesh.