Për Forcën e Rinisë
Sekreti për të Mos Dështuar më Kurrë
Mars 2025


Sekreti për të Mos Dështuar më Kurrë

Është më e thjeshtë se ç’mendon.

burrë duke mbajtur një llambë në majë të shkallëve

Ilustrimet nga Eric Chow

“Më pëlqen shumë dështimi!”

Këtë ndoshta nuk e keni dëgjuar të thuhet nga shumë njerëz. Shumicën prej nesh nuk e entuziazmon dështimi. Mund të na lëndojë, të na prishë planet dhe nganjëherë të na turpërojë shumë.

Por po sikur të ketë një sekret për të mos dështuar më kurrë?

“Prit pak!”, – mund të mendosh. “Askush nuk është i përsosur. Ne të gjithë bëjmë gabime. Si mundet që dikush të mos dështojë kurrë?”

Tomas Edisoni zbuloi një sekret teksa përpiqej shumë herë të shpikte llambën. “Nuk kam dështuar 1 000 herë”, – raportoi ai. “Llamba ishte një shpikje me 1 000 hapa.”

Edisoni dështoi herë pas here, mirëpo ai nuk zgjodhi ta shihte në atë mënyrë. Ky është sekreti! Ndryshoje këndvështrimin! Kur e ndryshon këndvështrimin, “dështimet” e tua mund të bëhen diçka e re dhe pozitive.

Ja katër mënyra për ta ndryshuar këndvështrimin tënd mbi dështimin:

i ri duke u përpjekur të mbajë fort shigjetën e një peshoreje të stërmadhe
  1. Zbulo se çfarë mund të kontrollosh dhe çfarë jo. Nganjëherë gjërat për të cilat shqetësohemi më së shumti, nuk janë nën kontrollin tonë. Për shembull, le të marrim rastin e bërjes së kërkesës për një vend pune. Mund ta kontrollosh përpjekjen që i kushton bërjes së kërkesës, por nuk mund ta kontrollosh rezultatin. Në vend që të harxhosh energji duke u shqetësuar se do të “dështosh”, përpiqu të bësh përpjekje për atë që e ke nën kontroll dhe t’i mirëbesosh Zotit. Ai ka premtuar se “të gjitha gjëra[t] bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë” (Romakëve 8:28). Po sikur të mos e fitosh atë vend pune? Ti nuk je dështak/e! Edhe nëse nuk merr rezultatin që shpresove, ti dhe më të mirën tënde dhe ky është sukses!

    e re duke vizatuar në një hartë të madhe mbi të cilën është ulur
  2. Merr të mirën dhe vazhdo përpara. Kur të duket sikur po dështon, provo të shohësh më thellë në përvojën tënde. Nuk ia dole dot të hyje në ekipin e sportit? More një notë zhgënjyese në një provim? Të parit se ku e kishe vështirësinë do të të japë një hartë të madhe për atë që të nevojitet të bësh në të ardhmen. Nëse një përvojë nuk të kënaq, pranoji ndjenjat e tua dhe pastaj zgjidh të vazhdosh përpara me të mirën. Dështimi në fakt mund të të ndihmojë të vazhdosh përpara në një drejtim të ri e më të mirë.

    i ri duke parë shtegun gjarpërues që vjen në ngjitje
  3. Kujto që ky nuk është fundi. Ka një thënie tipike: “Çdo gjë do të shkojë mirë në fund. Nëse nuk shkon mirë, atëherë nuk është fundi.” Moroni na mëson diçka të ngjashme. Ai tha: “A ka ardhur ende mbarimi? Vini re, unë ju them juve: Jo; dhe Perëndia nuk ka pushuar së qeni një Perëndi mrekullish” (Mormoni 9:15). Teksa mirëbesojmë te Perëndia, ecim përpara me besim dhe kujtojmë që historitë tona nuk mbarojnë kur diçka shkon keq, mrekullitë mund të ndodhin dhe çfarëdo “dështimesh” që mund të hasim, mund të kthehen si përfundim në suksese të mrekullueshme.

  4. Qëndro me Krishtin. Për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit, asnjë dështim nuk është i përhershëm. Ne kemi gjithmonë zgjedhjen për t’u penduar, për ta kthyer zemrën te Perëndia dhe për të kërkuar ndihmën e Tij. Presidenti Xhefri R. Holland, President Veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim: “Pavarësisht gabimeve të shumta që ndieni se keni bërë … , ju dëshmoj se nuk keni shkuar përtej shtrirjes së dashurisë hyjnore. Nuk është e mundur që ju të zhyteni më poshtë se[sa ku shkëlqen] drita e pafundme e Shlyerjes së Krishtit.” Pra, në njëfarë mënyre, kur qëndron me Krishtin, ti nuk mund të dështosh!

Teksa i sheh dështimet e tua si hapa drejt suksesit, ti zbërthen sekretin për të mos dështuar më kurrë në të vërtetë.

Kështu pra, provoje njëherë! Por po dështove? Thjesht kujto, se në të vërtetë nuk po dështon. Po bën përparim, hap pas hapi.

Shënime

  1. Thomas Edison, në Zorian Rotenberg, “To Succeed, You Must Fail, and Fail More”, 13 nëntor 2013, insightsquared.com.

  2. Xhefri R. Holland, Konferenca e përgjithshme e prillit 2012 (Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 33).