Kapitulli 5
Perënditë e përfundojnë planifikimin e tyre për krijimin e të gjitha gjërave—Ata bëjnë të ndodhë Krijimi sipas planeve të tyre—Adami i vë emër çdo krijese të gjallë.
1 Dhe kështu ne do të përfundojmë qiejt dhe tokën dhe të gjithë banorët e tyre.
2 Dhe Perënditë thanë mes tyre: Në periudhën e shtatë ne do ta mbarojmë veprën tonë, për të cilën jemi këshilluar; dhe ne do të pushojmë në periudhën e shtatë nga gjithë puna jonë, për të cilën jemi këshilluar.
3 Dhe Perënditë përfunduan në periudhën e shtatë, ngaqë në periudhën e shtatë ata do të pushonin nga të gjitha punët e tyre, të cilat ata (Perënditë) u këshilluan midis tyre t’i kryenin; dhe e shenjtëruan atë. Dhe kështu ishin vendimet e tyre në kohën që ata u këshilluan me njëri-tjetrin, për të formuar qiejt dhe tokën.
4 Dhe Perënditë zbritën dhe formuan këto, brezat e qiejve dhe të tokës, kur ata u formuan në ditën që Perënditë formuan tokën dhe qiejt,
5 Në përputhje me gjithë atë që kishin thënë lidhur me çdo bimë të fushës përpara se të ishte në tokë dhe me çdo barishte të fushës përpara se të rritej; sepse Perënditë nuk kishin bërë të binte shi mbi tokë, kur u këshilluan t’i bënin ato, dhe nuk kishin formuar njeri për të lëruar tokën.
6 Por u ngrit një avull nga toka dhe e ujiti tërë faqen e dheut.
7 Dhe Perënditë e formuan njeriun nga pluhuri i dheut dhe e morën shpirtin e tij (domethënë, shpirtin e njeriut) dhe e vendosën në të; dhe i frynë në vrimat e hundës së tij frymën e jetës dhe njeriu u bë një shpirt i gjallë.
8 Dhe Perënditë mbollën një kopsht, në lindje të Edenit, dhe atje e vunë njeriun, shpirtin e të cilit e kishin vënë në trupin që kishin formuar.
9 Dhe nga toka Perënditë bënë të rritej çdo pemë që është e kënaqshme për pamjen dhe e mirë për ushqim; pemën e jetës, gjithashtu, në mes të kopshtit dhe pemën e dijes të së mirës dhe të së keqes.
10 Kishte një lumë që dilte nga Edeni, për të ujitur kopshtin, dhe prej andej fillonte dhe ndahej në katër pjesë.
11 Dhe Perënditë e morën njeriun dhe e vunë në kopshtin e Edenit, për ta veshur dhe për ta ruajtur atë.
12 Dhe Perënditë e urdhëruan njeriun, duke thënë: Nga çdo pemë e kopshtit mund të hash lirisht.
13 Por nga pema e dijes të së mirës dhe të së keqes, nuk do të hash; sepse në kohën që ha prej saj, ti me siguri do të vdesësh. Tani unë, Abrahami, e pashë se ajo ishte sipas kohës së Zotit, që ishte sipas kohës së Kolobit; sepse deri në atë kohë Perënditë nuk ia kishin caktuar Adamit llogaritjen e tij.
14 Dhe Perënditë thanë: Le të bëjmë një ndihmëse të përshtatshme për burrin, sepse nuk është mirë që burri të jetë i vetëm, si rrjedhim ne do të formojmë një ndihmëse të përshtatshme për të.
15 Dhe Perënditë shkaktuan një gjumë të thellë të binte mbi Adamin; dhe ai fjeti dhe ata morën një prej brinjëve të tij dhe e mbyllën mishin në vendin e saj;
16 Dhe nga brinja që Perënditë kishin marrë nga burri, formuan një grua dhe ia sollën atë burrit.
17 Dhe Adami tha: Kjo ishte kockë prej kockave të mia dhe mish prej mishit tim; tani ajo do të quhet Grua, sepse u nxor prej njeriut;
18 Prandaj do ta lërë një burrë atin dhe nënën e tij e do të kapet pas gruas së tij dhe ata do të jenë një mish.
19 Dhe ata të dy ishin lakuriq, burri dhe gruaja e tij, dhe nuk kishin turp.
20 Dhe nga dheu Perënditë formuan çdo bishë të fushës e çdo shpend të ajrit dhe i sollën tek Adami për të parë se si do t’i quante ato; dhe çfarëdo që Adami e quante çdo krijesë të gjallë, ai do të ishte emri i saj.
21 Dhe Adami u vuri emër të gjitha kafshëve, shpendëve të ajrit, çdo bishe të fushës; dhe për Adamin, u gjet një ndihmëse e përshtatshme për të.