Mësime të Presidentëve
Hyrje


Hyrje

Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve kanë krijuar serinë Mësime të Presidentëve të Kishës për t’ju ndihmuar t’i afroheni Atit tuaj Qiellor dhe të thelloni kuptueshmërinë tuaj për ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit. Ndërkohë që Kisha i shton vëllime të reja kësaj serie, ju do të krijoni një koleksion librash me referime të ungjillit për shtëpinë tuaj. Vëllimet në këtë seri janë hartuar që të përdoren si për studim vetjak, ashtu edhe për udhëzim të dielave. Ato mund t’ju ndihmojnë gjithashtu për të përgatitur mësime ose biseda të tjera dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve mbi doktrinën e Kishës.

Ky libër paraqet mësime të Presidentit Jozef Filding Smith, që shërbeu si President i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme që nga 23 janari 1970 deri më 2 korrik 1972.

Studim Vetjak

Kur të studioni mësimet e Presidentit Jozef Filding Smith, kërkoni plot lutje frymëzimin e Frymës së Shenjtë. Pyetjet në fund të çdo kapitulli do t’ju ndihmojnë t’i kuptoni mësimet e Presidentit Smith dhe t’i zbatoni ato në jetën tuaj. Ndërsa i studioni këto mësime, mund të dëshironi të mendoni mënyra se si mund t’i ndani ato me pjesëtarë të familjes dhe miq. Kjo do ta forcojë kuptueshmërinë tuaj të asaj që lexoni.

Mësimdhënia nga Ky Libër

Ky libër është hartuar për përdorim në shtëpi dhe në mbledhjet e Kishës. Çdo muaj, në grupet e priftërinjve të lartë, në kuorumet e pleqve dhe Shoqatat e Ndihmës, dy mësime të së dielës, normalisht, do të jepen mësim nga kapitujt në këtë libër. Ngaqë libri përmban më shumë kapituj sesa mund të mbulohen në 12 muaj, udhëheqësit e lagjes dhe të kunjit mund të përcaktojnë se cilët kapituj do të plotësojnë më së miri nevojat e anëtarëve të cilëve u shërbejnë.

Orientimet e mëposhtme mund t’ju ndihmojnë të jepni mësim nga ky libër:

Përgatituni të Jepni Mësim

Kërkoni udhëheqjen e Frymës së Shenjtë ndërsa përgatiteni për të dhënë mësim. Studiojeni plot lutje kapitullin që ju është caktuar, që të jeni i sigurt se i keni kuptuar mësimet e Presidentit Smith. Ju do të jepni mësim me sinqeritet dhe fuqi më të madhe kur fjalët e tij t’ju kenë ndikuar personalisht (shih DeB 11:21).

Nëse po jepni një mësim për Priftërinë Melkizedeke ose Shoqatën e Ndihmës, ju nuk duhet ta lini mënjanë këtë libër apo të përgatisni mësime nga materiale të tjera. Përzgjidhni me lutje nga kapitulli ato mësime që ju ndieni se do të jenë më të dobishme për ata të u cilëve u jepni mësim. Disa kapituj përmbajnë më shumë material sesa do të jeni në gjendje të diskutoni gjatë orës së mësimit.

Nxitini pjesëmarrësit ta studiojnë kapitullin përpara mësimit dhe ta marrin librin me vete. Kur e bëjnë këtë, ata do të përgatiten më mirë për të marrë pjesë në diskutime dhe për të lartësuar njëri-tjetrin.

Gjatë përgatitjes tuaj për të dhënë mësim, kushtojini vëmendje të veçantë pjesës “Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie” në fund të çdo kapitulli. Nën këtë titull, do të gjeni pyetje, shkrimet e shenjta përkatëse dhe ndihmë për mësimdhënien. Pyetjet dhe shkrimet e shenjta përkatëse lidhen veçanërisht me kapitullin në të cilin gjenden. Ndihmat për mësimdhënien mund t’ju udhëheqin në të gjitha përpjekjet tuaja për të ndihmuar të tjerët të gjejnë gëzim në të mësuarin dhe të jetuarin e ungjillit.

Paraqitni Kapitullin

Ndërsa paraqitni kapitullin dhe gjatë gjithë mësimit, përpiquni të krijoni një atmosferë ku Shpirti të mund t’i prekë zemrat dhe mendjet e atyre që u jepni mësim. Për ta nisur mësimin, ndihmoni ata të cilëve u jepni mësim që të përqendrohen te mësimet e kapitullit. Shqyrtoni idetë që vijojnë:

  • Lexojeni e diskutoni për pjesën me titull “Nga Jeta e Jozef Filding Smithit” në fillim të kapitullit.

  • Diskutoni një figurë ose shkrim të shenjtë nga kapitulli.

  • Këndoni një himn që lidhet me kapitullin.

  • Ndani shkurt një përvojë personale mbi temën.

Udhëheqja e një Diskutimi mbi Mësimet e Presidentit Smith

Ndërsa jepni mësim nga ky libër, ftojini të tjerët të shprehin mendimet e tyre, të bëjnë pyetje dhe të mësojnë njëri-tjetrin. Kur marrin pjesë aktivisht, ata do të jenë më të përgatitur të mësojnë dhe të marrin zbulesë personale. Lejoni të vazhdojnë diskutime të mira në vend që të përpiqeni t’i trajtoni të gjitha mësimet. Për të nxitur diskutimin, përdorni pyetjet në fund të çdo kapitulli. Ju gjithashtu mund të hartoni vetë pyetjet tuaja posaçërisht për ata që po u jepni mësim.

Alternativat vijuese mund t’ju japin ide të tjera:

  • Kërkojuni pjesëmarrësve të ndajnë çfarë kanë mësuar nga studimi i tyre personal i kapitullit. Mund të jetë e dobishme të kontaktoni disa pjesëmarrës gjatë javës dhe t’u kërkoni të vijnë të përgatitur për të treguar se çfarë kanë mësuar.

  • Caktoni pjesëmarrës të lexojnë pyetje të përzgjedhura nga fundi i kapitullit (qoftë individualisht ose në grupe të vogla). Kërkojuni atyre të kërkojnë mësime në kapitull që lidhen me pyetjet. Pastaj ftojini ata t’ia tregojnë mendimet dhe pikëpamjet e tyre pjesës tjetër të grupit.

  • Lexoni së bashku një përzgjedhje të deklarimeve të Presidentit Smith nga kapitulli. Kërkojuni pjesëmarrësve të ndajnë shembuj nga shkrimet e shenjta ose nga përvoja e tyre që ilustrojnë atë që dha mësim Presidenti Smith.

  • Kërkojuni pjesëmarrësve të zgjedhin një pjesë dhe ta lexojnë në heshtje. Ftojini ata të mblidhen në grupe prej dy ose tre vetash, që zgjedhin të njëjtën pjesë, dhe të diskutojnë se çfarë kanë mësuar.

Nxitni Tregimin dhe Zbatimin

Mësimet e Presidentit Smith do të jenë shumë kuptimplote për pjesëmarrësit që ua tregojnë ato të tjerëve dhe i zbatojnë në jetën e tyre. Shqyrtojini idetë që vijojnë:

  • Pyetini pjesëmarrësit si mund t’i zbatojnë mësimet e Presidentit Smith në përgjegjësitë e tyre në shtëpi dhe në kishë. Për shembull, ju mund t’i ndihmoni që të meditojnë dhe të diskutojnë rreth mënyrës se si mund t’i zbatojnë mësimet e tij si bashkëshortë, bashkëshorte, prindër, bij, bija, mësues shtëpie ose mësuese vizitore.

  • Nxitini pjesëmarrësit t’ua tregojnë disa nga mësimet e Presidentit Smith anëtarëve të familjes dhe miqve.

  • Ftojini pjesëmarrësit të zbatojnë atë që kanë mësuar, dhe të ndajnë përvojat e tyre në fillimin e orës tjetër mësimore.

Përfundimi i Diskutimit

Përmblidhni shkurtimisht mësimin ose kërkojuni një apo dy pjesëmarrësve ta bëjnë këtë. Jepni dëshmi për mësimet që keni diskutuar. Gjithashtu mund të dëshironi të ftoni të tjerë të ndajnë dëshmitë e tyre.

Informacion mbi Burimet e Cituara në Këtë Libër

Mësimet në këtë libër janë citime të drejtpërdrejta nga predikime, artikuj, libra të botuar, letra dhe ditarë të Presidentit Jozef Filding Smith. Citimet nga burime të botuara kanë ruajtur shenjat e pikësimit, drejtshkrimin, përdorimin e germës së madhe dhe ndarjen në paragrafë të burimeve origjinale përveç nëse kanë qenë të nevojshme ndryshime redaktuese ose tipografike për të përmirësuar lexueshmërinë. Për këto arsye, mund të vini re mospërputhje të vogla në tekst. Për shembull, fjala ungjill është me germë të vogël në disa citime dhe me të madhe në të tjera.

Gjithashtu, Presidenti Smith përdori shpesh terma të tilla si burra, burrë, ose njerëzimi për t’iu drejtuar të gjithë njerëzve, si meshkujve edhe femrave. Ai shpesh përdori përemrat ai, i tij dhe atë për t’iu drejtuar të dyja gjinive. Kjo qe e zakonshme në gjuhën e kohës së tij. Me gjithë ndryshimet mes këtyre shprehjeve gjuhësore dhe përdorimit të tanishëm, mësimet e Presidentit Smith zbatohen si për gratë edhe për burrat.