Mësime të Presidentëve
Kapitulli 18: Të Jetojmë me çdo Fjalë që Del nga Goja e Perëndisë


Kapitulli 18

Të Jetojmë me çdo Fjalë që Del nga Goja e Perëndisë

“Akti më i lartë i adhurimit është të zbatosh urdhërimet, të ecësh në gjurmët e Birit të Perëndisë, të bësh gjithnjë ato gjëra që i pëlqejnë atij.”

Nga Jeta e Jozef Filding Smithit

“Po e kërkoj shpëtimin tim”, u shpreh Presidenti Jozef Filding Smith, “dhe e di se mund ta gjej vetëm në bindjen ndaj ligjeve të Zotit duke zbatuar urdhërimet, duke kryer vepra drejtësie, duke ecur në gjurmët e prijësit të kolonës tonë, Jezusit, shembullit dhe kreut të të gjithëve.”1

Përveç që të kërkonte shpëtimin e vet, Presidenti Smith punoi me zell që t’i ndihmonte të tjerët të vepronin po ashtu. Plaku Frensis M. Gibons, i cili shërbeu si sekretar për Presidencën e Parë, vërente se Presidenti Smith “e shihte si detyrën e vet të ngrinte zërin paralajmërues kur njerëzit filluan të shmangeshin nga shtegu që shënonin shkrimet e shenjta. Dhe nuk kishte ndërmend ta linte atë detyrë, pavarësisht se ç’thoshte ndokush. Që kjo mënyrë të foluri e bëri jopopullor në disa qarqe, nuk duket të ketë pasur ndonjë ndikim frenues mbi të; qëllimi i tij nuk ishte të fitonte popullaritet ose famë në sytë e njerëzve. Ndryshe nga këto, ai e shihte rolin e tij si të një rojtari mbi kullë, detyra e të cilit ishte t’u jepte thirrjen paralajmëruese atyre që ishin poshtë, të cilët nuk mund ta shihnin rrezikun që afrohej.”2

Presidenti Smith tregoi njëherë një përvojë që ilustronte ndryshimin e zemrës i cili mund t’i vijë një personi që ia vë veshin kësaj thirrjeje paralajmëruese:

“Mora pjesë në një konferencë kunji, disa vite më parë, dhe fola mbi Fjalën e Urtësisë. … Kur shkova në pjesën e prapme të ndërtesës [në përfundim të konferencës], thuajse gjithkush ishte larguar, por një burrë zgjati dorën e tha:

‘Vëllai Smith, kjo është biseda e parë mbi Fjalën e Urtësisë që më ka pëlqyer ndonjëherë’.

Unë i thashë: ‘Nuk keni dëgjuar biseda të tjera mbi Fjalën e Urtësisë?’

Ai tha: ‘Po, por kjo është e para që më pëlqeu vërtet’.

I thashë: ‘E si kështu?’

Ai tha: ‘Po ja, ju e shihni, po e mbaj Fjalën e Urtësisë që tani’.”3

Mësime të Jozef Filding Smithit

1

Perëndia e qeveris gjithësinë nëpërmjet ligjit dhe ne i nënshtrohemi atij ligji.

Duhet të pranohet nga të gjithë njerëzit se, përderisa I Plotfuqishmi qeveris tërë gjithësinë me anë të ligjit të pandërrueshëm, njeriu, që është më i madhi i të gjitha krijimeve të tij, duhet që vetë ai t’i nënshtrohet një ligji të tillë. Zoti e ka bërë të ditur këtë të vërtetë shkurt dhe bindshëm në një zbulesë drejtuar Kishës:

“Të gjitha mbretëritë e kanë një ligj të dhënë;

Dhe ka shumë mbretëri; sepse nuk ka hapësirë në të cilën nuk ka mbretëri; dhe nuk ka mbretëri në të cilën nuk ka hapësirë, as një mbretëri më të madhe apo më të vogël.

Dhe çdo mbretërie i jepet një ligj; dhe në çdo ligj ka kufizime dhe gjithashtu kushte të caktuara.

Të gjitha qeniet që nuk iu binden dot atyre kushteve, nuk shfajësohen.” (DeB 88:36–39.)

Kjo e vërtetë është e vetëkuptueshme. Prandaj, është mjaft e arsyeshme që ne të presim që mbretëria e Perëndisë të qeveriset nëpërmjet ligjit dhe gjithkush që dëshiron të hyjë atje, t’i nënshtrohet ligjit. “Vini re, shtëpia ime është një shtëpi rregulli, thotë Zoti Perëndi, dhe jo një shtëpi rrëmuje.” (DeB 132:8.)

Zoti i ka dhënë njeriut një përmbledhje ligjesh që e quajmë ungjilli i Jezu Krishtit. Në saje të mungesës së frymëzimit dhe të udhëheqjes shpirtërore, njerëzit mund të ndahen në mendim lidhur me këto ligje dhe zbatimin e tyre, por vështirë se mund të ketë debat lidhur me faktin që ligje të tilla vërtet ekzistojnë dhe se të gjithë ata që kërkojnë të hyjnë në atë mbretëri, iu nënshtrohen atyre.4

Ne kemi çdo të vërtetë, çdo doktrinë, çdo ligj dhe kërkesë, çdo veprim dhe ordinancë që nevojiten për të na shpëtuar dhe ekzaltuar në qiellin më të lartë të botës çelestiale.5

2

Zbatimi i urdhërimeve është shprehje e dashurisë sonë për Zotin.

Përgjegjësia jonë në Kishë është që ta adhurojmë Zotin në shpirt e në të vërtetë dhe ne këtë po kërkojmë ta bëjmë me gjithë zemër, fuqi e mendje. Jezusi tha: “Adhuro Zotin, Perëndinë tënd, dhe shërbeji vetëm atij”. (Mateu 4:10.)

Ne besojmë se adhurimi është shumë më tepër se lutje, predikim dhe ndjekje e ungjillit. Akti më i lartë i adhurimit është të zbatosh urdhërimet, të ecësh në gjurmët e Birit të Perëndisë, të bësh gjithnjë ato gjëra që i pëlqejnë atij. Tjetër gjë është t’i japësh Zotit shërbesë me fjalë; krejt tjetër është ta respektosh e ta nderosh vullnetin e tij duke ndjekur shembullin që ai na ka treguar. … Unë gëzohem me privilegjin që të ndjek gjurmët e tij. Jam mirënjohës për fjalët e jetës së përjetshme të cilat, jam shumë i kënaqur ta them, i kam marrë në këtë botë dhe për shpresën për jetë të përjetshme që është e imja në botën që vjen, nëse do të mbetem besnik e i vërtetë deri në fund.6

Pamja
Jesus Christ standing on a mountainside. A group of men are seated in a circle around Him. Christ is offering the Lord's Prayer. Jerusalem is visible in the background.

“Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia” (Gjoni 14:15).

Ky është ligji për anëtarët e Kishës, me fjalët e Shpëtimtarit: “Kush ka urdhërimet e mia dhe i zbaton, është ai që më do. …” (Gjoni 14:21.) E përsëri, Shpëtimtari tha: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia”. (Gjoni 14:15.) …

Shpëtimtari nuk kreu kurrë ndonjë mëkat, as nuk pati një ndërgjegje të shqetësuar. Ai nuk pati nevojë për pendim sikurse ju dhe unë kemi; por në ndonjë mënyrë që nuk arrij ta kuptoj, ai mbajti peshën e shkeljeve të mia dhe tuajat. … Ai erdhi dhe e ofroi veten si sakrificë për të paguar borxhin për secilin nga ne që është i gatshëm të pendohet për mëkatet e tij dhe të kthehet drejt tij e t’i zbatojë urdhërimet e tij. Mendoni për këtë, nëse mundeni. Shpëtimtari e mbajti atë barrë në një mënyrë që është përtej të kuptuarit tonë. Unë e di këtë, sepse e pranoj fjalën e tij. Ai na tregon për torturën që kaloi; tortura ishte aq e madhe, saqë ai iu përgjërua të Atit që, nëse ishte e mundur, të mos e pinte kupën e hidhur e të tërhiqej: “… megjithatë, mos u bëftë vullneti im, por yti”. (Lluka 22:42.) Përgjigjja që mori nga i Ati, ishte: “Ti duhet ta pish”.

A mund të rri pa e dashur atë? Jo, nuk mundem. A e doni ju atë? Atëherë, zbatojini urdhërimet e tij.7

3

Nëse heqim dorë nga urdhërimet e Zotit, nuk mund të presim të marrim bekimet e Tij.

Kur heqim dorë nga urdhërimet që Zoti na ka dhënë për udhëheqje, atëherë nuk mund të shpresojmë për bekimet e tij.8

Çfarë të mirë na sjell, që t’i kërkojmë Zotit, nëse nuk kemi ndërmend t’i zbatojmë urdhërimet e Tij? Lutja e tillë është një imitim i pakuptimtë dhe një fyerje përpara fronit të hirit. Me çfarë guximi provojmë të presim një përgjigje të favorshme në një rast të tillë? “Kërkoni Zotin ndërsa mund të gjendet, e thirrni ndërsa është afër. I pabesi le ta lërë rrugën e tij dhe njeriu i padrejtë mendimet e tij, dhe le të kthehet tek Zoti që të ketë dhembshuri për të, tek Perëndia ynë që fal bujarisht.” Kështu tha Isaia (Isaia 55:6–7). Por a nuk është Zoti gjithmonë pranë kur ne i kërkojmë Atij? Në të vërtetë, jo! Ai ka thënë: “Ata ishin të ngadalshëm për t’iu bindur zërit të Zotit, Perëndisë së tyre; si rrjedhim, Zoti, Perëndia i tyre, është i ngadalshëm për t’i dëgjuar lutjet e tyre, për t’iu përgjigjur atyre në ditën e shqetësimit të tyre. Në ditën e paqes së tyre ata e morën me lehtësi këshillën time; por, në ditën e shqetësimit të tyre, për shkak të nevojës ndihen afër meje” [DeB 101:7–8]. Nëse i shkojmë pranë, Ai do të na vijë pranë dhe ne nuk do të braktisemi; por, nëse nuk i shkojmë pranë, nuk kemi asnjë premtim se Ai do të na përgjigjet në rebelimin tonë.9

Nuk mund t’i lutemi Zotit e të themi: “Dëgjoje çështjen tonë, sillna fitoren, bëj atë që ne duam nga ty, por mos na kërko të bëjmë atë që ti do prej nesh”10.

Është e domosdoshme që të ecim në dritën e plotë të së vërtetës, jo vetëm në një pjesë të së vërtetës. Nuk e kam privilegjin që disa parime të ungjillit t’i hedh e të tjerat t’i besoj dhe pastaj të mendoj se kam të drejtë për bekimet e plota të shpëtimit e të ekzaltimit në mbretërinë e Perëndisë. Nëse duam ekzaltimin, nëse duam vendin që Zoti ka përgatitur për ata që janë të drejtë e të vërtetë, atëherë duhet të jemi të gatshëm që të ecim në dritën e plotë të ungjillit të Jezu Krishtit dhe t’i zbatojmë të gjitha urdhërimet. Nuk mund të themi që disa prej tyre janë të vogla e të parëndësishme dhe, si rrjedhojë, Zoti nuk do të shqetësohet nëse i shkelim. Jemi urdhëruar të jetojmë me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë [shih Ligji i Përtërirë 8:3; DeB 98:11]. “Përse më thirrni, ‘Zot, Zot’”, thotë ai, “dhe nuk bëni atë që ju them?” [Shih Lluka 6:46.]11

Pamja
A father sitting on a sofa as he reads from the scriptures to two young boys and an infant held on his lap.

Prindërit mund t’i ndihmojnë fëmijët që “të [ecin] në dritën e plotë të së vërtetës”.

4

Kur ne po i zbatojmë urdhërimet e Zotit, jemi në rrugën drejt përsosjes.

Zoti pret nga ne që të besojmë tek ai, ta pranojmë ungjillin e tij të përjetshëm e të jetojmë në harmoni me kërkesat e tij. Nuk është në kompetencën tonë t’i përzgjedhim e t’u bindemi atyre parimeve të ungjillit që na tërheqin dhe t’i harrojmë të tjerat. Nuk është e drejta jonë të vendosim se disa parime nuk gjejnë më zbatim në rrethanat tona shoqërore e kulturore.

Ligjet e Zotit janë të përjetshme dhe ne kemi plotësinë e ungjillit të tij të përjetshëm dhe e kemi për detyrë që t’i besojmë të gjitha ligjet e të vërtetat dhe më pas të ecim në pajtim me to. Për cilindo individ nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa zbatimi i urdhërimeve të Zotit. Ai pret nga ne që të kapemi pas çdo parimi të vërtetë, të vëmë së pari në jetën tonë gjërat e mbretërisë së tij, të shkojmë përpara me një vendosmëri në Krisht dhe t’i shërbejmë atij me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën tonë. E thënë me gjuhën e shkrimeve të shenjta, të dëgjojmë, pra, përfundimin e gjithë ligjëratës: “Ki frikë nga Perëndia dhe respekto urdhërimet e tij, sepse kjo është tërësia e [detyrës së] njeriut”. (Predikuesit 12:13.)12

Shpeshherë unë mendoj, dhe supozoj se mendoni edhe ju, për atë bisedë të famshme e të mrekullueshme – më e shkëlqyera që u predikua ndonjëherë, për aq sa ne dimë – të cilën e quajmë Predikimi në Mal. … Sikur vetëm t’ua vëmë veshin atyre mësimeve, ne mund të kthehemi përsëri në praninë e Perëndisë, Atit, dhe Birit të Tij Jezu Krishti.

Shpesh mendoj për atë që është me të vërtetë një përmbledhje:

“Jini, pra, të përkryer, ashtu siç është i përsosur Ati juaj, që është në qiej”. [Mateu 5:48.]

… Unë besoj se Zoti donte të thoshte pikërisht atë që tha, se duhet të jemi të përsosur, sikurse Ati ynë qiellor është i përsosur. Kjo nuk do të vijë e gjitha menjëherë, por rresht pas rreshti e parim pas parimi, shembull pas shembulli, e madje dhe atëherë jo për aq sa jetojmë në këtë jetë të vdekshme, sepse do të na duhet të vazhdojmë edhe përtej varrit përpara se ta arrijmë atë përsosje e të jemi si Perëndia.

Por këtu ne shtrojmë themelin. Këtu është vendi ku na mësohen këto të vërteta të thjeshta të Ungjillit të Jezu Krishtit, në këtë gjendje prove, që të na përgatisin për atë përsosje. Është detyra ime, është e juaja, që të jem më i mirë sot se ç’isha dje dhe që ju të jeni më të mirë sot se ç’ishit dje, dhe më të mirë nesër se ç’ishit sot. Përse? Sepse ne jemi në atë rrugë, nëse po i zbatojmë urdhërimet e Zotit, jemi në atë rrugë drejt përsosjes dhe ajo mund të vijë vetëm nëpërmjet bindjes dhe dëshirës së zemrës sonë për të mposhtur botën. …

… Në qoftë se kemi një të metë, nëse kemi një dobësi, aty duhet të përqendrohemi, me dëshirën për ta kapërcyer, derisa të arrijmë të zotërojmë e të mposhtim. Nëse një njeri e ndien se e ka të vështirë ta paguajë të dhjetën e tij, atëherë ajo është gjëja që duhet të bëjë, derisa të mësojë ta paguajë të dhjetën. Nëse është Fjala e Urtësisë, është ajo që ai duhet të bëjë, derisa të mësojë ta dojë atë urdhërim.13

5

Kur i zbatojmë urdhërimet, Zoti na ngushëllon, na bekon e na fuqizon që të bëhemi burra dhe gra të denja për ekzaltim.

Që t’i pëlqejmë [Zotit], duhet jo vetëm që ta adhurojmë me falënderim e me lavdërim, por të tregojmë bindje të vullnetshme ndaj urdhërimeve të tij. Duke vepruar kështu, ai detyrohet t’i japë bekimet e tij; sepse pikërisht mbi këtë parim (bindje ndaj ligjit) bazohen të gjitha gjërat [shih DeB 130:20–21].14

Perëndia na i ka dhënë [urdhërimet] që të mund të bëhemi sa më të ngjashëm me Të dhe të ngrihemi në besim e të fuqizohemi. Nuk na ka dhënë asnjë urdhërim, në çfarëdo kohe, që të mos ishte për të na ngushëlluar dhe bekuar. Ato nuk jepen thjesht që ne t’i pëlqejmë Zotit, por që të na bëjnë burra e gra më të mira dhe të denjë për shpëtim dhe ekzaltim në mbretërinë e Tij.15

Në qoftë se shkojmë në tempull, ne ngremë dorën dhe besëlidhim se do t’i shërbejmë Zotit e do t’i zbatojmë urdhërimet e tij dhe do ta ruajmë veten të pastër nga bota. Nëse jemi të vetëdijshëm se ç’po bëjmë, atëherë indaumenti do të jetë për ne një mbrojtje për gjithë jetën – një mbrojtje të cilën njeriu që nuk shkon në tempull, nuk e ka.

E kam dëgjuar babanë të thoshte se në kohën e sprovës, në kohën e tundimit, ai do të mendonte premtimet, besëlidhjet që bëri në Shtëpinë e Zotit, dhe ato qenë një mbrojtje për të. … Kjo mbrojtje është arsyeja pse ekzistojnë këto rite, pjesërisht. Ato na shpëtojnë neve tani dhe paskëtaj ato na ekzaltojnë, nëse ne do t’i nderojmë. E di se kjo mbrojtje jepet, sepse unë, gjithashtu, e kam përjetuar, sikurse mijëra të tjerë të cilët i kanë mbajtur mend detyrimet e tyre.16

Pamja
Daytime exterior photo of the Tampico Mexico Temple.

Në tempull ne besëlidhim se “do t’i shërbejmë Zotit e do t’i zbatojmë urdhërimet e tij dhe do ta ruajmë veten të pastër nga bota”.

Zoti do të na japë dhurata. Ai do të na e ndriçojë mendjen. Do të na japë dije e cila do të na i qartësojë të gjitha vështirësitë e do të na vërë në harmoni me urdhërimet që ai na ka dhënë; do të na japë një njohuri që do të jetë e rrënjosur kaq thellë në shpirtin tonë, sa kurrë nuk mund të çrrënjoset, në rast se ne do të kërkojmë pikërisht dritën, të vërtetën dhe kuptimin që na premtohen e që mund t’i marrin veç nëse do të jemi të vërtetë e besnikë ndaj çdo besëlidhjeje dhe detyrimi që i përkasin ungjillit të Jezu Krishtit.17

Premtimi i madh që u bëhet anëtarëve të kësaj Kishe që janë të gatshëm t’i përmbahen ligjit e t’i zbatojnë urdhërimet e Zotit, është se jo vetëm që do të marrin një vend në mbretërinë e Perëndisë, por që do të kenë gjithashtu praninë e Atit dhe të Birit; dhe kjo nuk është e gjitha, sepse Zoti ka premtuar se gjithçka që ai ka, do t’ua japë [shih DeB 84:33–39].18

Përmes bindjes ndaj atyre urdhërimeve të cilat parashtrohen në Ungjillin e Jezu Krishtit dhe vazhdimësisë në to, ne do të marrim pavdekësi, lavdi, jetë të përjetshme dhe do të banojmë në praninë e Perëndisë Atë dhe Birit të tij Jezu Krishti, ku me të vërtetë do t’i njohim ata.19

Në qoftë se do të ecim në shtigjet e virtytit dhe shenjtërisë, Zoti do të derdhë mbi ne bekimet e tij në atë masë që kurrë nuk e mendonim të mundur. Në veprimet tona ne do të jemi, sikurse e shprehu Pjetri, një “fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, një komb i shenjtë, një popull i fituar”. (1 Pjetrit 2:9.) Dhe do të jemi të veçantë ngaqë nuk do të jemi si njerëzit e tjerë të cilët nuk jetojnë në nivelin e këtyre standardeve. …

Si shërbëtorë të Zotit, qëllimi ynë është që të ecim në shtegun që ai ka hartuar për ne. Ne jo vetëm që dëshirojmë të bëjmë e të themi ato që do t’i pëlqejnë atij, por dhe përpiqemi të jetojmë në atë mënyrë që jeta jonë do të jetë si e tija.

Vetë ai dha shembullin e përkryer për ne në gjithçka e na tha: “Ti ndiqmë!” Dishepujt e tij nefitë ai i pyeti: “… Çfarë lloj njerëzish duhet të jeni?” dhe pastaj dha përgjigjen: “Në të vërtetë, unë ju them juve, madje siç jam unë”. (3 Nefi 27:27.)

Ne tani jemi përfshirë në punën më të madhe në botë. Kjo priftëri që ne zotërojmë është fuqia dhe autoriteti i vetë Zotit; dhe ai na ka premtuar se, nëse i lartësojmë thirrjet tona dhe ecim në dritë, siç është ai në dritë, do të kemi lavdi dhe nder me të përgjithmonë në mbretërinë e Atit të tij.

Duke pasur një shpresë të tillë të lavdishme përpara, a mundemi ne të bëjmë më pak se braktisjen e udhëve të liga të botës? A nuk do të vëmë së pari në jetën tonë gjërat e mbretërisë së Perëndisë? A nuk do të përpiqemi të jetojmë me çdo fjalë që del nga goja e tij?20

Unë dëshmoj se Zoti ka folur në kohën tonë; se mesazhi i tij është ai i shpresës, gëzimit dhe shpëtimit; dhe ju premtoj që, nëse do të ecni në dritën e qiellit, të jini të vërtetë ndaj gjërave që ju janë besuar dhe t’i zbatoni urdhërimet, ju do të keni paqe dhe gëzim në këtë jetë dhe jetë të përjetshme në botën që vjen.21

Zbatoni urdhërimet. Ecni në dritë. Duroni deri në fund. Jini të vërtetë ndaj çdo besëlidhjeje dhe detyrimi dhe Zoti do t’ju bekojë përtej ëndërrimeve tuaja më të bukura.22

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Shqyrtoni ngjarjen e përshkruar në fund të pjesës “Nga Jeta e Jozef Filding Smithit”. Përse ndryshojnë ndjenjat tona për ungjillin kur po përpiqemi t’i zbatojmë urdhërimet?

  • Çfarë mësoni nga fragmentet e shkrimit të shenjtë që citohen në pjesën 1?

  • Në ç’mënyrë është bindja ndaj urdhërimeve një shprehje e dashurisë për Jezu Krishtin? Në ç’mënyrë është shprehje e mirënjohjes për sakrificën e Tij shlyese? Në ç’mënyrë është shprehje e adhurimit? (Shih pjesën 2.)

  • Mendohuni për mësimet në pjesën 3. Përse është e gabuar të presim që Zoti të na bekojë, nëse nuk po përpiqemi të jemi të bindur?

  • Në ç’mënyrë është e dobishme për ju dijenia se nuk duhet të pritet që të përsoseni menjëherë apo edhe në këtë jetë? (Shih pjesën 4.) Mendoni se çfarë mund të bëni çdo ditë, me ndihmën e Zotit, që të qëndroni “në atë rrugë drejt përsosjes”.

  • Në pjesën 5, Presidenti Smith rendit të paktën 10 mënyra se si do të na bekojë Zoti kur i zbatojmë urdhërimet. Çfarë përvojash mund të tregoni, në të cilat ju keni marrë disa prej këtyre bekimeve?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Mateu 4:4; 2 Nefi 31:19–20; Omni 1:26; DeB 11:20; 82:8–10; 93:1; 130:20–21; 138:1–4

Ndihmë për Mësimdhënien

“Kërkojuni pjesëmarrësve të tregojnë çfarë kanë mësuar nga studimi vetjak i kapitullit. Mund të jetë e dobishme të kontaktoni gjatë javës disa pjesëmarrës dhe t’u kërkoni që të vijnë të përgatitur për të treguar atë që kanë mësuar” (nga faqja VII e këtij libri).

Shënime

  1. Në Conference Report, tetor 1969, f. 110.

  2. Francis M. Gibbons, Joseph Fielding Smith: Gospel Scholar, Prophet of God (1992), f. 313.

  3. Në Conference Report, tetor 1935, f. 12.

  4. “Justice for the Dead”, Ensign, mars 1972, f. 2.

  5. Në “President Smith’s Last Two Addresses”, Ensign, gusht 1972, f. 46.

  6. “I Know That My Redeemer Liveth”, Ensign, dhjetor 1971, f. 27.

  7. Në Conference Report, prill 1967, f. 121–122.

  8. Në Conference Report, tetor 1935, f. 15.

  9. Në Conference Report, prill 1943, f. 14.

  10. Në Conference Report, tetor 1944, f. 144–145.

  11. Në Conference Report, prill 1927, f. 111–112.

  12. “President Joseph Fielding Smith Speaks on the New MIA Theme”, New Era, shtator 1971, f. 40.

  13. Në Conference Report, tetor 1941, f. 95.

  14. “The Virtue of Obedience”, Relief Society Magazine, janar 1968, f. 5.

  15. Në Conference Report, prill 1911, f. 86.

  16. “The Pearl of Great Price”, Utah Genealogical and Historical Magazine, korrik 1930, f. 103.

  17. “Seek Ye Earnestly the Best Gifts”, Ensign, qershor 1972, f. 3.

  18. “Keep the Commandments”, Improvement Era, gusht 1970, f. 3.

  19. Në Conference Report, tetor 1925, f. 116.

  20. “Our Responsibilities as Priesthood Holders”, Ensign, qershor 1971, f. 50.

  21. Në Conference Report, Konferenca e Përgjithshme e Zonës Britanike 1971, f. 7.

  22. “Counsel to the Saints and to the World”, Ensign, korrik 1972, f. 27.