Mësime të Presidentëve
Kapitulli 13: Pagëzimi


Kapitulli 13

Pagëzimi

“Pagëzimi është vërtet … një shpërngulje ose ringjallje nga një jetë në tjetrën – nga jeta mëkatare në jetën e jetës shpirtërore.”

Nga Jeta e Jozef Filding Smithit

Në konferencën e përgjithshme të prillit të 1951-shit, Presidenti Jozef Filding Smith foli për përvojën e tij 67 vite më parë, kur ai u pagëzua në moshën 8 vjeçare. Në ditën e pagëzimit të tij, tha ai, ndjeu se “qëndroi i kulluar, i pastër përpara Zotit”. Por mësoi se do t’i duhej të bënte përpjekje gjatë gjithë jetës së tij për ta mbajtur veten e tij në atë gjendje. Ai kujtoi: “Kisha një motër që ishte shumë e mirë, siç ishin të gjitha motrat e mia, e cila nguliti në mendjen time nevojën për ta ruajtur veten të pastër nga bota. Mësimet e saj për mua ditën që u pagëzova më kanë shoqëruar gjatë gjithë ditëve të jetës sime.”1

I vërtetë ndaj mësimeve të motrës së tij, Presidenti Smith i inkurajoi anëtarët e Kishës t’i mbanin besëlidhjet e tyre të pagëzimit – për të qëndruar “brenda jetës shpirtërore” që e morën kur u pagëzuan.2 Ai shpalli:

“Nuk ka këshillë më të rëndësishme që mund t’i jepet çdo anëtari të Kishës sesa të mbash urdhërimet pas pagëzimit. Zoti na ofron shpëtim me kushtin e pendimit dhe besnikëri ndaj ligjeve të tij.”3

Mësime të Jozef Filding Smithit

1

Pagëzimi me anë të zhytjes është në ngjashmëri me lindjen, vdekjen dhe ringjalljen.

Pagëzimi, parimi i tretë dhe ordinanca e parë e Ungjillit, është thelbësor për shpëtimin dhe ekzaltimin në mbretërinë e Perëndisë. Pagëzimi është së pari, mjeti me anë të të cilit personi i penduar merr heqje të mëkateve. Së dyti, është porta për në mbretërinë e Perëndisë. Zoti, duke folur me Nikodemin, na tregon këtë te Gjoni 3:1–11. …

… Pagëzimi bëhet me anë të zhytjes në ujë. … Pagëzimi nuk mund të jetë në asnjë mënyrë tjetër sesa zhytja e të gjithë trupit në ujë, për arsyet e mëposhtme:

1) Ai është në ngjashmëri me vdekjen, varrosjen dhe ringjalljen e Jezu Krishtit dhe të të gjithë të tjerëve që morën ringjalljen.

2) Pagëzimi është gjithashtu një lindje dhe në ngjashmëri me lindjen e një fëmije në këtë botë.

3) Pagëzimi është vërtet, edhe simbol i ringjalljes, një shpërngulje ose ringjallje nga një jetë në tjetrën – nga jeta mëkare në jetën e jetës shpirtërore.

Dua të flas për arsyen e dytë: Pagëzimi është gjithashtu një lindje dhe në ngjashmëri me lindjen e një fëmije në këtë botë. … Te Moisiu 6:58–60 lexojmë:

“Si rrjedhim, unë të jap një urdhërim, t’ua mësosh këto gjëra lirisht fëmijëve të tu, duke thënë:

Se për arsye të shkeljes vjen rënia, rënie e cila sjell vdekje, dhe për aq sa ju u lindët në botë me anë të ujit dhe gjakut, dhe shpirtit, që unë e kam bërë, dhe kështu u bëtë nga pluhuri një shpirt i gjallë, po kështu ju do të lindeni përsëri në mbretërinë e qiellit, prej ujit dhe prej Shpirit, dhe të pastroheni me anë të gjakut, madje gjakut të të Vetëmlindurit tim; që ju të mund të shenjtëroheni nga gjithë mëkati dhe të gëzoni fjalët e jetës së përjetshme në botën që vjen, madje lavdi të pavdekshme;

Sepse me anë të ujit e zbatoni urdhërimin; me anë të Shpirtit shfajësoheni dhe me anë të gjakut shenjtëroheni.” …

… Çdo fëmijë që vjen në këtë botë mbahet në ujë, lindet në ujë, dhe nga gjaku e nga shpirti. Pra, kur lindemi në mbretërinë e Perëndisë ne duhet të lindemi në të njëjtën mënyrë: me anë të pagëzimit të lindur nga uji; të pastruar dhe të shenjtëruar përmes derdhjes së gjakut të Krishtit; dhe të shfajësuar përmes Shpirtit të Perëndisë, sepse pagëzimi nuk është i plotë pa pagëzimin e Frymës së Shenjtë. Ju shihni ngjashmërinë midis lindjes në botë dhe lindjes në mbretërinë e Perëndisë. …

Duke ardhur te arsyeja e tretë: Pagëzimi është vërtet, edhe simbol i ringjalljes, një shpërngulje ose ringjallje nga një jetë në tjetrën – jeta mëkatare në jetën e jetës shpirtërore. …

… Të gjithë burrat dhe gratë … kanë nevojë për pendim. … Ata janë në vdekjen shpirtërore. Si do të kthehen prapa? Duke u zhytur në ujë. Ata janë të vdekur dhe janë varrosur në ujë, dhe ngrihen në ringjalljen e shpirtit sërish në jetën shpirtërore. Ja çfarë është pagëzimi.4

Pamja
Oil painting in browns, blues and greens of the artist being baptized in the Dhiepper River. Two men in white at center with large trees in foreground and hazy city across the river in the background under a cloudy sky. Signed lower right. N. Krisochenko 1998.

Kjo pikturë tregon një njeri duke u pagëzuar në Lumin Dniepër afër Kievit në Ukrainë.

2

Fëmijët e vegjël, që nuk i kanë arritur vitet e përgjegjshmërisë, nuk kanë nevojë të pagëzohen, sepse ata janë shëlbuar nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.

E di se fëmijët e vegjël që nuk i kanë arritur vitet e përgjegjshmërisë dhe si rrjedhojë nuk janë fajtorë të mëkatit, janë … shëlbuar nëpërmjet gjakut të Krishtit, dhe është tallje e rëndë të pretendosh se ata kanë nevojë për pagëzim, duke mohuar drejtësinë dhe mëshirën e Perëndisë [shih Moroni 8:20–23].5

Në Seksionin e 29-të të Doktrinës e Besëlidhjeve, Zoti thotë këtë (vargjet 46–47):

“Por vini re, unë ju them se fëmijët e vegjël shëlbehen që nga krijimi i botës, nëpërmjet të Vetëmlindurit tim;

Si rrjedhim, ata nuk mund të mëkatojnë, sepse fuqi nuk i është dhënë Satanit për t’i tunduar fëmijët e vegjël, derisa ata fillojnë të bëhen të përgjegjshëm para meje.”

Tani, kjo tingëllon mirë. “Fëmijët e vegjël janë shëlbuar që nga krijimi i botës.” Çfarë do të thotë Ai me këtë? Do të thotë që përpara se të hidhej themeli i kësaj toke, ky plan i shëlbimit, plani i shpëtimit të cilin ne duhet ta ndjekim në këtë jetë të vdekshme, ishte i gjithi i përgatitur, dhe Perëndia, duke e njohur fundin që nga fillimi, mori masa për shëlbimin e fëmijëve të vegjël nëpërmjet shlyerjes së Jezu Krishtit. …

… Kur ju shihni fytyrën e një foshnjëje të vogël dhe ajo ju shikon e buzëqesh, a mund ta besoni se ajo foshnjë e vogël është e njollosur me çfarëdo lloj mëkati që do ta privonte nga prania e Perëndisë nëse do të vdiste? …

Më kujtohet se kur isha në fushën e misionit në Angli, atje ishte një familje amerikane. … Kur [bashkëshorti] i dëgjoi pleqtë [misionarët] të predikonin nëpër rrugë, ai i ftoi ata në shtëpinë e tij sepse ishin bashkatdhetarët e tij. Ai nuk ishte i interesuar për ungjillin; ai ishte i interesuar për ta sepse edhe ata vinin nga Shtetet e Bashkuara. Pra, më qëlloi të shërbeja atje. Unë nuk isha i pari që ai dëgjoi të predikonte, por më vonë u ftova në shtëpinë e tij. …

Menduam se do të shkonim në shtëpinë e tij dhe do të flisnim për bejsboll e futboll dhe gjëra të tjera, dhe do të krahasonim gjërat në Shtetet e Bashkuara me gjërat në Britaninë e Madhe – gjëra në të cilat ai ishte i interesuar. Kjo ishte ajo që bëmë dhe në fillim nuk thamë asnjë fjalë për fenë. Ne u kthyem disa herë dhe ai mendonte se ne ishim djem shumë të mirë sepse nuk po e detyronim të pranonte fenë tonë. Por, pas njëfarë kohe ata filluan të bënin pyetje – ne e dinim se ata do t’i bënin – dhe një mbrëmje kur u ulëm në shtëpinë e tyre, bashkëshortja e burrit u kthye nga unë dhe tha: “Plaku Smith, dua të të bëj një pyetje”. Përpara se të mund të bënte pyetjen ajo filloi të qante. Nuk e dija se cili ishte shkaku. Ajo qau me dënesë dhe kur e mblodhi veten mjaftueshëm për të bërë pyetjen, më tregoi këtë histori:

Kur kishin shkuar në Angli, ata patën fatin e keq të humbisnin një foshnjë të vogël. … Ata shkuan te shërbestari [i kishës ku merrnin pjesë] dhe donin ta varrosnin atë foshnjë me një varrim të krishterë. … Shërbestari i tha asaj: “Ne nuk mund të bëjmë një varrim të krishterë për foshnjën tuaj sepse nuk ishte pagëzuar. Fëmija juaj ka humbur”. Kjo ishte një mënyrë e vrazhdë për ta thënë, por kjo ishte mënyra se si ajo e tregoi historinë, dhe zemra e asaj gruaje kishte vuajtur vazhdimisht për dy ose tre vjet. Kështu që ajo më bëri pyetjen: “A ka humbur foshnja ime? A do ta shoh atë sërish?” U ktheva dhe i lexova nga Libri i Mormonit, fjalët e Mormonit drejtuar birit të tij Moronit [shih Moroni 8]. I thashë: “Foshnja juaj nuk ka humbur. Asnjë foshnjë nuk ka humbur. Çdo foshnjë është e shpëtuar në mbretërinë e Perëndisë kur largohet nga kjo jetë.”

… “Dhe unë gjithashtu vura re se të gjithë fëmijët që vdesin përpara se të arrinin vitet e përgjegjshmërisë së tyre, shpëtohen në Mbretërinë Çelestiale të qiellit.” [DeB 137:10.] Kjo është ajo çfarë Zoti i tha Profetit Jozef Smith në një zbulesë apo vegim që ai pati në tempullin e Kirtlandit. A nuk tingëllon mirë? A nuk është e saktë? A nuk është e drejtë? … [Një foshnjë] nuk është përgjegjëse për mëkatin e parë, nuk është përgjegjëse për asnjë mëkat dhe mëshira e Perëndisë e pohon dhe e shëlben.

Por si është situata me mua dhe ju? Ja ku jemi, të aftë për të kuptuar dhe Zoti thotë: “Kushdo që ka njohuri, a nuk e kam urdhëruar të pendohet?” [DeB 29:49.] Ne urdhërohemi të pendohemi, ne urdhërohemi të pagëzohemi, ne urdhërohemi t’i kemi larë mëkatet tona në ujërat e pagëzimit, sepse ne jemi të aftë të kuptojmë dhe të gjithë kemi mëkatuar. Por unë nuk jam pagëzuar dhe ju nuk jeni pagëzuar për ndonjë gjë që bëri Adami. Unë jam pagëzuar që të mund të pastrohesha nga ajo që e kam bërë vetë dhe kështu ndodh me ju, dhe që unë të mund të hyj mbretërinë e Perëndisë.

… Zoti ka marrë masa për ata që janë pa ligj dhe fëmijët e vegjël nuk i nënshtrohen ligjit të pendimit. Si mund ta mësosh një foshnjë të vogël të pendohet? Ajo nuk ka asgjë për të cilën të pendohet.

Zoti e ka vendosur — dhe këtë sipas gjykimit të Tij vetjak – moshën e përgjegjshmërisë në moshën 8 vjeçare. Pasi ne bëhemi tetë vjeç supozohet që të kemi një kuptueshmëri të mjaftueshme që duhet të pagëzohemi. Zoti kujdeset për ata që janë nën këtë moshë.6

3

Çdo njeri i pagëzuar në Kishë ka bërë një besëlidhje me Zotin.

Çdo njeri, ndërsa hyn në ujërat e pagëzimit, merr mbi vete një besëlidhje.

“Dhe përsëri, me mënyrën e urdhërimit për kishën lidhur me mënyrën e pagëzimit – Gjithë ata që përulen para Perëndisë e dëshirojnë të pagëzohen, dhe vijnë me zemra të thyer e shpirtra të penduar, dhe dëshmojnë përpara kishës se janë penduar me të vërtetë për gjithë mëkatet e tyre, dhe janë të gatshëm të marrim mbi vete emrin e Jezu Krishtit, duke patur vendosmëri për t’i shërbyer atij deri në fund, dhe me të vërtetë manifestojnë me anë të veprave të tyre, se ata i kanë marrë prej Shpirtit të Krishtit për heqjen e mëkateve të tyre, do të merren me anë të pagëzimit në kishën e tij.” (DeB 20:37.)7

Pamja
A man baptizing a young girl. They are standing in the font.

“Çdo njeri i pagëzuar në këtë Kishë ka bërë një besëlidhje me Zotin për t’i mbajtur urdhërimet e Tij.”

Do të lexoj nga seksioni i 59-të i Doktrinës dhe Besëlidhjeve:

“Si rrjedhim, unë u jap atyre [që do të thotë anëtarëve të Kishës] një urdhërim, duke thënë kështu: Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën tënde; dhe në emër të Jezu Krishtit duhet t’i shërbesh atij.

Duaje të afërmin tënd porsi veten. Mos vidh; as mos bëj shkelje kurore, mos vrit, as mos bëj diçka të ngjashme.

Falënderoje Zotin, Perëndinë tënd, në gjithçka.” [DeB 59:5–7.]

Çdo njeri i pagëzuar në këtë Kishë ka bërë një besëlidhje me Zotin për të mbajtur urdhërimet e Tij, dhe në këtë urdhërim, të përsëritur në periudhën ungjillore në të cilën jetojmë, na është thënë se duhet t’i shërbejmë Zotit me të gjithë zemrën e me gjithë mendjen dhe me të gjithë forcën që kemi, dhe që gjithashtu duhet të bëhet në emër të Jezu Krishtit. Çdo gjë që bëjmë duhet të bëhet në emrin e Jezu Krishtit.

Në ujërat e pagëzimit ne besëlidhëm se do t’i mbanim këto urdhërime; se do t’i shërbenim Zotit; se do ta mbanim këtë urdhërim të parë dhe më të madhin e të gjitha urdhërimeve, dhe do ta donim Zotin Perëndinë tonë; se do të mbanim urdhërimin tjetër të madh, se do ta donim fqinjin tonë porsi vetveten; dhe se me të gjithë fuqinë që kemi, me të gjithë forcën, me të gjithë zemrën ne do t’i provonim Atij që ne do të “jetoni[m] me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë”; [DeB 84:44] që do të ishim të bindur e të përulur, të zellshëm në shërbimin e Tij, të gatshëm për t’u bindur, për t’iu bindur këshillave të atyre që kryesojnë mbi ne dhe për t’i bërë të gjitha gjërat me syrin drejtuar te lavdia e Perëndisë.

Ne nuk duhet t’i harrojmë këto gjëra, sepse ky urdhërim është detyrues për ne si anëtarë të Kishës.8

4

Për të fituar bekimet e plota të ungjillit, ne duhet të vazhdojmë të jemi të përulur, të penduar dhe të bindur pasi të jemi pagëzuar.

Një nga qëllimet e mëdha të kishës së vërtetë është t’u mësojë njerëzve se çfarë duhet të bëjnë ata pas pagëzimit, për të fituar bekimet e plota të ungjillit.9

Çdo shpirt i pagëzuar, me të vërtetë i pagëzuar, e ka përulur veten; zemra e tij është e thyer; shpirti i tij është i penduar; ai ka bërë një besëlidhje para Perëndisë se do të mbajë urdhërimet e tij dhe se i ka braktisur të gjitha mëkatet e tij. Atëherë pasi ai hyn në Kishë, a është privilegji i tij të mëkatojë pasi është bërë anëtar? A mund të jetë ai më pak vigjilent? A mund të përfshihet në disa nga gjërat që Zoti ka thënë se duhet t’i shmangë? Jo. Është po aq e nevojshme që ai të ketë atë shpirt të penduar, atë zemër të thyer pasi është pagëzuar, siç ishte më parë.10

Kam dëgjuar disa nga të rinjtë tanë dhe disa jo kaq të rinj, që kanë folur për pagëzimin. Ata thonë se nuk e dinë arsyen përse ndodh, meqenëse pagëzimi është për heqjen e mëkateve, që një njeri nuk ka pse të pagëzohet sa herë që kryen një mëkat. A e kuptoni arsyen? Për sa kohë që një njeri mëkaton dhe qëndron brenda jetës shpirtërore ai është i gjallë, ai mund të pendohet dhe të falet. Ai nuk ka nevojë të pagëzohet për t’u kthyer atje ku ai tashmë është.11

Kush, midis shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, është duke kërkuar një vend në mbretërinë telestiale? Kush, midis shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, është duke kërkuar një vend në mbretërinë terrestiale? Me ato mbretëri ne nuk duam të kemi të bëjmë fare; nuk është qëllimi i njeriut që është pagëzuar në Kishë, ose nuk duhet të jetë [qëllimi], të jetojë në atë mënyrë sa nuk do të gjejë një vend në mbretërinë çelestiale të Perëndisë; sepse vetë pagëzimi është udha për në atë mbretëri. Pagëzimi ka një natyrë të dyfishtë; së pari, për heqjen e mëkateve dhe pastaj për hyrjen në mbretërinë e Perëndisë, jo në mbretërinë telestiale, jo në mbretërinë terrestiale, por hyrjen në mbretërinë çelestiale, ku banon Perëndia. Kjo është arsyeja përse është pagëzimi; kjo është arsyeja përse është dhurata e Frymës së Shenjtë, me anë të vënies së duarve – për të na përgatitur që ne nëpërmjet bindjes, të mund të vazhdojmë më tej, duke mbajtur urdhërimet e Zotit, derisa të marrim plotësinë e mbretërisë çelestiale.12

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Ndërsa lexoni kujtimet e Presidentit Smith në pjesën “Nga Jeta e Jozef Filding Smithit”, reflektoni mbi pagëzimin tuaj. Si është rritur të kuptuarit juaj për pagëzimin që atëherë? Si mund t’i ndihmojmë anëtarët e familjes ose miqtë që po përgatiten për t’u pagëzuar?

  • Çfarë pikëpamjesh për pagëzimin fitoni nga mësimet e Presidentit Smith në pjesën 1? Si mund ta rrisin të kuptuarin tonë për besëlidhjen e pagëzimit mësimet e tij për simbolizmin e pagëzimit?

  • Çfarë na mëson historia në pjesën 2 rreth dashurisë së Atit Qiellor për fëmijët e Tij? Mendoni për njerëz që njihni, që mund të përfitojnë nga të mësuarit e doktrinës të dhënë mësim në këtë histori.

  • Meditoni mbi përpjekjet tuaja për ta mbajtur besëlidhjen e pagëzimit (shih pjesën 3). Si mund të ndikojë kjo besëlidhje në bashkëveprimin tuaj me anëtarët e familjes dhe të tjerët?

  • Mendoni rreth deklaratës së Presidentit Smith në fillim të pjesës 4. Si mendoni, çfarë duhet t’u mësohet njerëzve pasi të jenë pagëzuar? Si mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin për të mbajtur besëlidhjen e pagëzimit?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Mateu 3:13–17; 2 Nefi 31:5–13; Mosia 18:8–13; 3 Nefi 11:31–39; DeB 68:25–27; Nenet e Besimit 1:4

Ndihmë për Mësimdhënien

“Nëse i përgjigjeni pozitivisht çdo komenti të sinqertë, ju mund t’i ndihmoni ata të cilëve u jepni mësim të ndihen më të sigurt për aftësinë e tyre për të marrë pjesë në një diskutim. Për shembull, ju mund të thoni: ‘Faleminderit për përgjigjen tuaj. Kjo ishte shumë e goditur’ … ose ‘Ky është një shembull i mirë’ ose ‘E vlerësoj gjithçka që keni thënë sot’” (Teaching, No Greater Call [1999], f. 64).

Shënime

  1. Në Conference Report, prill 1951, f. 57–58.

  2. “Repentance and Baptism”, Deseret News, 30 mars 1935, seksioni i Kishës, f. 8; shih edhe Doctrines of Salvation, bot. Bruce R. McConkie, 3 vëll. (1954–1956), 2:326.

  3. Në Conference Report, tetor 1970, f. 7.

  4. “Repentance and Baptism”, f. 6, 8 shih edhe Doctrines of Salvation, 2:323–326.

  5. “Testimony of Elder Joseph F. Smith Jr.”, Liahona: The Elder’s Journal, mars 1915, f. 629.

  6. “Redemption of Little Children”, Deseret News, 29 prill 1939, seksioni i Kishës, f. 7.

  7. “Seek Ye Earnestly the Best Gifts”, Ensign, qershor 1972, f. 2.

  8. Në Conference Report, prill 1940, f. 95; shih edhe Doctrines of Salvation, 2:328.

  9. “The Plan of Salvation”, Ensign, nëntor 1971, f. 5.

  10. Në Conference Report, tetor 1950, f. 12; shih edhe Doctrines of Salvation, 2:329.

  11. “Repentance and Baptism”, f. 8; shih edhe Doctrines of Salvation, 2:326.

  12. Në Conference Report, prill 1922, f. 60–61.