Mësime të Presidentëve
Kapitulli 26: Përgatitja për Ardhjen e Zotit Tonë


Kapitulli 26

Përgatitja për Ardhjen e Zotit Tonë

“Përgatisni ju udhën e Zotit dhe bëjini të drejta shtigjet e tij, sepse ora e ardhjes së tij është pranë” (DeB 133:17).

Nga Jeta e Jozef Filding Smithit

Presidenti Jozef Filding Smith i tregoi një herë një grupi shenjtorësh të ditëve të mëvonshme se ai po “lutej për fundin e botës”. Ai tha: “Nëse do të vinte nesër, unë do të isha i gëzuar”. Në përgjigje ndaj kësaj deklarate një grua foli hapur mjaft fort që ta dëgjonin të tjerët. “O, unë shpresoj se jo”, tha ajo.

Duke e treguar këtë përvojë dikur më vonë, Presidenti Smith na mësoi:

“A nuk doni që fundi i botës të vijë?

Shumë njerëz kanë idenë e gabuar mbi atë se çfarë kuptohet me fund të botës. …

… Kur Krishti vjen do të ketë një fund të botës. … Nuk do të ketë ndonjë luftë, ndonjë trazirë, zili, gënjeshtër; nuk do të ketë ligësi. Njerëzit do të mësojnë atëherë ta duan Zotin dhe të mbajnë urdhërimet e Tij, dhe nëse jo, ata nuk do të qëndrojnë këtu. Ai është fundi i botës, dhe ajo është arsyeja për të cilin u lut Shpëtimtari kur dishepujt e Tij erdhën tek Ai dhe i thanë: ‘Na mëso të lutemi’. Çfarë bëri ai? Ai u mësoi atyre: ‘Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt, ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullneti yt si në qiell edhe në tokë’. [Shih Lluka 11:1–2.]

Kjo është ajo për të cilën unë lutem. Zoti lutej për fundin e botës, dhe po kështu edhe unë.”1

Në predikime dhe shkrime, Presidenti Smith shpesh citonte profeci nga shkrimet e shenjta rreth ditëve të fundit, rolin e Jozef Smithit në përgatitjen e udhës së Zotit dhe ardhjen e Shpëtimtarit në tokë në lavdi. Ai i shprehu ndjenjat e tij të thella rreth këtyre profecive në lutjen përkushtuese të Tempullit të Ogdenit në Juta:

“Siç e dini, o Perëndia ynë, ne po jetojmë ditët e fundit kur shenjat e kohëve po duken; kur ti po e përshpejton punën tënde në kohën e saj; dhe kur ne tashmë kemi dëgjuar një zë që bërtet në shkretëtirë: Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij [shih Mateu 3:3]. …

O, Ati ynë, ne digjemi për ditën kur Princi i Paqes do të vijë, kur toka do të pushojë dhe drejtësia do të gjendet përsëri mbi faqen e saj; dhe është lutja jonë, e shprehur nga përulësia dhe zemra të penduara, që ne do t’i qëndrojmë ditës dhe do të gjendemi të denjë për të jetuar me atë që ti ke caktuar të qëndrojë si Mbret i mbretërve dhe Zot i zotërve, tek i cili qoftë lavdia dhe nderi dhe forca e fuqia për tani dhe përgjithmonë.”2

Pamja
Frontal head and shoulders portrait of Jesus Christ. Christ is depicted wearing a pale red robe with a white and blue shawl over one shoulder. Light emanates from His face.

“Ne mezi e presim ditën kur Princi i Paqes do të vijë.”

Mësime të Jozef Filding Smithit

1

Ardhja e Zotit është afër.

Ne po i afrohemi me shpejtësi ditës së madhe të Zotit, asaj kohe të “ripërtëritjes”, kur ai do të vijë në retë e qiellit për t’u shpaguar ndaj të paperëndishmëve dhe të përgatisë tokën për mbretërinë e paqes për të gjithë ata që janë të gatshëm të jenë në përputhje me ligjin e Tij [shih Veprat e Apostujve 3:19–20].3

Shumë gjëra kanë ndodhur … që t’u lënë mbresa anëtarëve besnikë të Kishës për faktin që ardhja e Zotit është afër. Ungjilli është rivendosur. Kisha është organizuar plotësisht. Priftëria i është dhënë njeriut. Epokat e ndryshme ungjillore nga fillimi janë zbuluar dhe çelësat dhe autoritetet e tyre u janë dhënë Kishës. Izraeli është mbledhur dhe po mblidhet te toka e Sionit. Judenjtë po kthehen në Jerusalem. Ungjilli po predikohet kudo në botë si një dëshmi për çdo komb. Tempuj po ndërtohen, dhe punë ordinancash për të vdekurit, si dhe për të gjallët, po kryhet në to. Zemrat e fëmijëve janë drejtuar nga etërit e tyre, dhe fëmijët po i kërkojnë të vdekurit e tyre. Besëlidhjet që Zoti i premtoi t’i bënte Izraelit në ditët e mëvonshme janë zbuluar dhe mijëra nga Izraeli i mbledhur janë përfshirë në to. Kështu puna e Zotit po përparon dhe të gjitha këto gjëra janë shenja të ardhjes së afërt të Zotit tonë. …

Fjalët e profetëve po përmbushen me shpejtësi, por kjo bëhet mbi parime të tilla të natyrshme që shumë prej nesh nuk arrijnë ta shohin.

Joeli premtoi se Zoti do të derdhte shpirtin e tij mbi gjithkënd: bijtë dhe bijat duhet të profetizojnë, të vjetrit duhet të ëndërrojnë, dhe të rinjtë duhet të marrin vegime [shih Joel 2:28–29]. …

Midis shenjave të ditëve të mëvonshme pati një rritje të të mësuarit. Danieli ishte urdhëruar të “… [mbajë] të fshehura këto fjalë dhe vulosë librin [e profecisë së tij], deri në kohën e mbarimit; [dhe në atë ditë] shumë do ta shfletojnë”, tha ai “dhe dituria do të shtohet”. (Daniel 12:4.) A nuk po e “shfletojnë” njerëzit sot siç nuk e kanë bërë kurrë më parë në historinë e botës? …

… A nuk është rritur dituria? A pati ndonjëherë një kohë në historinë e botës kur u derdh mbi njerëzit kaq shumë dituri? Por e trishtueshme të thuhet, fjalët e Palit janë të vërteta – njerëzit “mësojnë gjithnjë dhe kurrë nuk mund të arrijnë në njohjen e plotë të së vërtetës”. (2 Timoteut 3:7.) …

A nuk ka pasur zhurma të shumta luftërash? [Shih DeB 45:26.] A nuk kemi pasur luftëra, luftëra të tilla që bota nuk i pa kurrë më parë? A nuk ka sot trazira midis kombeve, dhe a nuk janë shqetësuar sunduesit e tyre? A janë përmbysur mbretëritë dhe janë bërë ndryshime të mëdha midis kombeve? I gjithë dheu është në rrëmujë. Tërmete në vende të ndryshme po njoftohen çdo ditë [shih DeB 45:33]. …

Përsëri bota e vjetër vazhdon me punën e vet duke i kushtuar pak vëmendje gjithçkaje që Zoti ka thënë dhe të gjitha shenjave dhe treguesve që janë dhënë. Njerëzit i ngurtësojnë zemrat dhe thonë “… që Krishti e vonon ardhjen e tij deri në mbarim të tokës”. (DeB 45:26.)4

Mua më kërkuan, jo shumë përpara, nëse mund të tregoja kur do të vinte Zoti. Unë u përgjigja: “Po”, dhe unë përgjigjem “Po” tani. Unë e di kur Ai do të vijë. Ai do të vijë nesër. Ne kemi fjalën e Tij për këtë. Më lejoni ta lexoj:

“Vini re, e tanishmja quhet e sotme deri në ardhjen e Birit të Njeriut dhe në të vërtetë është një ditë sakrifice dhe një ditë për të dhjetën e popullit tim; sepse ai që do të paguajë të dhjetën, nuk do të digjet në ardhjen e tij”.

Këtu kemi një ligjëratë të mjafteshme mbi të dhjetën.

“Sepse pas së sotmes vjen djegia – kjo është duke folur sipas mënyrës së Zotit – sepse në të vërtetë unë them, nesër gjithë krenarët dhe ata që veprojnë ligësisht, do të jenë si kashta; dhe do t’i djeg ata, sepse unë jam Zoti i Ushtrive; dhe unë nuk do të kursej asnjë që mbetet në Babiloni.” [DeB 64:23–24.]

Ndaj Zoti do të vijë, them unë, nesër. Atëherë le të jemi të përgatitur.5

Pamja
The resurrected Jesus Christ (wearing white robes with a magenta sash) standing above a large gathering of clouds. Christ has His arms partially extended. The wounds in the hands of Christ are visible. Numerous angels (each blowing a trumpet) are gathered on both sides of Christ. A desert landscape is visible below the clouds. The painting depicts the Second coming of Christ. (Acts 1:11)

“Ne po i afrohemi me shpejtësi ditës së madhe të Zotit, asaj kohe të ‘ripërtëritjes’ kur ai do të vijë në retë e qiellit.”

2

Do të ketë një gjykim kur Krishti të vijë.

Shëmbëlltyra që Zoti dha mësim për Grurin dhe Egjrën u referohej ditëve të fundit. Sipas tregimit, një mbjellës mbolli farë të mirë në arën e tij, por ndërsa flinte armiku erdhi dhe mbolli egjër në arë. Kur bisqet filluan të duken, shërbëtorët donin të shkonin dhe t’i shkulnin egjrat por Zoti i urdhëroi t’i linin edhe grurin edhe egjrën të rriteshin së bashku gjersa të korrat të piqeshin, që të mos e shkulnin grurin delikat gjatë asgjësimit të egjrës. Atëherë në mbarim të korrjes, ata duhej të vazhdonin dhe të mblidhnin grurin dhe ta lidhnin egjrën për ta djegur. Duke e shpjeguar këtë shëmbëlltyrë, Zoti u tha dishepujve të Tij se “korrja është fundi i botës; dhe korrësit janë engjëjt”. [Shih Mateu 13:24–30, 36–43; DeB 86.]6

Egjra dhe gruri rriten së bashku dhe kanë qenë rritur në të njëjtën arë për gjithë këto vite, por dita është afër kur gruri do të futet në hambar dhe egjrat po ashtu do të mblidhen dhe do të digjen, dhe do të vijë një veçim, të drejtët nga të ligjtë, dhe duhet secili prej nesh të mbajmë urdhërimet e Zotit, të pendohemi për mëkatet tona, të kthehemi nga drejtësia, nëse ka nevojë për pendesë në zemrën tonë.7

Ngrijini dhe forcojini anëtarët e Kishës në besim te Perëndia; e dimë mirë se kemi nevojë për të. Ka aq shumë ndikime që janë në punë për të na përçarë, pikërisht midis anëtarëve të Kishës, dhe ka për të ardhur, në një nga këto ditë në të ardhmen e afërt një ndarje e grurit nga egjrat, dhe ne jemi ose grurë ose egjër. Ne do të jemi në njërën apo në tjetrën anë.8

Dita do të vijë kur ne nuk do ta kemi këtë botë. Ajo do të ndryshohet. Ne do të kemi një botë më të mirë. Ne do të kemi një botë që është e drejtë, sepse kur Krishti të vijë, Ai do ta pastrojë tokën.

Lexojeni atë që është shkruar në shkrimet tona të shenjta. Lexojeni atë që ka thënë Ai vetë. Kur Ai vjen, Ai do ta pastrojë këtë tokë nga të gjitha ligësitë e saj, dhe, duke folur për Kishën, Ai ka thënë se do t’i dërgonte engjëjt e vet dhe ata do të mbledhin nga mbretëria e tij, që është Kisha, të gjithë skandalet [shih Mateu 13:41].9

Dita e madhe dhe e llahtarshme nuk mund të jetë tjetër kohë veçse ardhja e Jezu Krishtit për të vendosur mbretërinë e tij në fuqi midis të drejtëve mbi tokë e ta pastrojë tokën nga çdo paudhësi. Nuk do të jetë një ditë frike dhe që të shkaktojë tmerr në zemrat e të drejtëve, por do të jetë ditë e madhe frike e terrori për të paperëndishmit. Këtë e kemi mësuar nga fjalët e vetë Shpëtimtarit tonë, ndërsa ai u jepte mësim dishepujve të tij [shih Matthew 24; Jozef Smith—Mateu 1].10

Do të ketë një gjykim kur Krishti të vijë. Ne jemi vënë në dijeni se librat do të hapen, të vdekurit do të gjykohen sipas gjërave që janë shkruar në librat dhe midis librave do të jetë libri i jetës [shih Zbulesa 20:12]. Ne do t’i shohim faqet e tij. Ne do ta shohim veten pikërisht ashtu siç jemi, dhe ne duhet të kuptojmë me një kuptim të drejtë se gjykimet që janë caktuar për ne janë të drejta dhe të vërteta, qoftë nëse vijmë në Mbretërinë e Perëndisë, … për t’i marrë këto bekime të lavdishme qoftë edhe nëse dëbohemi.11

Unë u lutem shenjtorëve të ditëve të mëvonshme të qëndrojnë të fortë dhe besnikë në përmbushjen e çdo detyre, duke i mbajtur urdhërimet e Zotit, duke e nderuar priftërinë, që ne të mund të ngrihemi kur Zoti të vijë – qofshim të gjallë apo të vdekur, kjo nuk ka rëndësi, – për të qenë pjesëmarrës të kësaj lavdie.12

3

Për t’u përgatitur për ardhjen e Zotit, ne duhet të kemi kujdes dhe të lutemi dhe t’i kemi shtëpitë tona në rregull.

Ka shumë ngjarje në botë sot që tregojnë se dita e madhe e Zotit po afron kur Shëlbuesi do të shfaqet përsëri për ta ngritur mbretërinë e Tij në drejtësi përgatitore për mbretërimin mijëvjeçar. Ndërkohë, është detyra e anëtarëve të Kishës që të kërkojnë për njohuri dhe të përgatisin veten nëpërmjet studimit dhe besimit për ardhjen e asaj dite të madhe dhe të lavdishme.13

Ne nuk kemi nevojë të shqetësohemi rreth kohës dhe stinës kur Krishti do të vijë, por ne kemi nevojë të kemi kujdes dhe të lutemi dhe të jemi gati.14

Unë ndiej bezdi ndonjëherë nga disa prej pleqve tanë që kur flasin, thonë se Zoti do të vijë kur ne të gjithë do të bëhemi mjaft të drejtë për ta pritur Atë. Zoti nuk do të presë derisa ne të bëhemi të drejtë. Kur të bëhet gati për të ardhur, Ai do të vijë – kur kupa e paudhësisë të jetë plot – dhe nëse ne nuk do të jemi të drejtë atëherë, do të jetë thjesht shumë keq për ne sepse do të klasifikohemi ndër të paperëndishmit, dhe ne do të jemi si kashta për t’u fshirë nga faqja e tokës, sepse Zoti thotë ligësia nuk do të qëndrojë.15

A do të vazhdojmë të dremisim në harresë apo moskokëçarje të plotë ndaj gjithçkaje që Zoti na ka dhënë si paralajmërim? Unë ju them: “Rrini zgjuar, pra, sepse nuk e dini në cilën orë do të vijë Zoti juaj.

Por dijeni këtë, se ta dinte i zoti i shtëpisë në çfarë orë të natës do të vijë vjedhësi, do të rrinte zgjuar dhe nuk do të lejonte t’i shpërthehej shtëpia.

Prandaj edhe ju jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju nuk mendoni.” (Mateu 24:42–44.)

I kushtofshim vëmendje këtij paralajmërimi të dhënë nga Zoti dhe i vënshim shtëpitë tona në rregull dhe qofshim të përgatitur për ardhjen e Zotit.16

4

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme mund të jenë mjete në duart e Perëndisë për ta përgatitur popullin për ardhjen e Zotit.

A nuk do të ishte një gjë jashtëzakonisht e çuditshme nëse Zoti do të vinte dhe do ta fillonte mbretërinë e Tij të paqes, të merrte hak mbi të ligjtë, ta pastronte tokën nga mëkati dhe të mos dërgonte lajmëtarë për të përgatitur udhën përpara Tij? A duhet të presim që Zoti të vijë për ta gjykuar botën pa i dhënë së pari një paralajmërim dhe pa përgatitur mjetet për shpëtim për të gjithë ata që do të pendohen?

Noeu u dërgua në botë për ta paralajmëruar për përmbytjen. Nëse njerëzit do të kishin dëgjuar, ata do të kishin shpëtuar. Moisiu u dërgua për të udhëhequr Izraelin në tokën e premtuar, për t’i përmbushur premtimet e bëra Abrahamit. Gjon Pagëzori u dërgua që të përgatiste udhën për ardhjen e Krishtit. Në secilin rast thirrja erdhi nëpërmjet hapjes së qiejve. Isaia, Jeremia dhe profetë të tjerë, u dërguan për ta paralajmëruar Izraelin dhe Judenë përpara se shpërndarja dhe robëria të vinte mbi ta. Po t’ua kishin vënë veshin, do të qe shkruar një faqe historie e ndryshme. Ata e patën shansin e vet që të dëgjonin; ata qenë paralajmëruar dhe i patën mjetet për të shpëtuar të cilat nuk i pranuan.

Zoti premtoi të kishte të njëjtin interes për njerëzimin përpara ardhjes së Tij të dytë.17

Jozef Smithi qe dërguar për ta përgatitur udhën për këtë ardhje të dytë, duke shpallur plotësinë e ungjillit dhe duke u dhënë të gjithë njerëzve mjetet e shpëtimit nga paudhësia dhe shkelja.18

Pamja
The Prophet Joseph Smith sitting on his bed in the Smith farm house. Joseph has a patchwork quilt over his knees. He is looking up at the angel Moroni who has appeared before him. Moroni is depicted wearing a white robe. The painting depicts the event wherein the angel Moroni appeared to the Prophet Joseph Smith three times in the Prophet's bedroom during the night of September 21, 1823 to inform him of the existence and location of the gold plates, and to instruct him as to his responsibility concerning the plates.

Kur engjëlli Moroni vizitoi të riun Jozef Smith, ai profetizoi për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit (shih Joseph Smith—Historia 1:36–41).

Gjoni në Patmos pa në vegim në ditët e fundit “një engjëll … që fluturonte në mes të qiellit dhe që kishte ungjillin e përjetshëm, që t’ua predikojë banorëve të dheut dhe çdo kombi, dhe fisi, dhe gjuhe, dhe populli”. [Zbulesa 14:6.]

Në përmbushje të këtij premtimi, Jozef Smithi deklaroi se Moroni, një profet i lashtë në këtë kontinent, dhe tani i ringjallur, ia mësoi atij ungjillin, duke i dhënë udhëzim në lidhje me rivendosjen e të gjitha gjërave që i paraprijnë ardhjes së Krishtit. Dhe tha Zoti: “Sepse, vini re, Zoti Perëndi ka dërguar engjëllin që të thërrasë mespërmes qiellit, duke thënë: Përgatisni ju udhën e Zotit dhe bëjini të drejta shtigjet e tij, sepse ora e ardhjes së tij është pranë”. [DeB 133:17.]

Duke e pranuar këtë si të vërtetë, shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë që komunikimi është vendosur me qiejt në kohët moderne, dhe tani “Ungjilli i Mbretërisë” është dërguar si një dëshmi te bota përpara se Krishti të vijë [shih Mateu 24:14].19

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme mund të shihen si të çuditshëm dhe të veçantë në të besuarit se janë thirrur për ta përmbushur këtë shkrim të shenjtë [Mateu 24:14], por është plotësisht e sigurt që Zoti ka thënë se ata po dërgojnë me zell misionarë në të gjitha pjesët e tokës. Për më tepër, kur të gjitha kombet ta kenë dëgjuar këtë mesazh siç është zbuluar në këto ditë të fundit, atëherë pafshim përpara për ardhjen e Zotit tonë dhe Shpëtuesit Jezu Krisht, sepse atë ditë të gjitha kombet do të jenë paralajmëruar nga lajmëtarë që u qenë dërguar sipas premtimit të Zotit.20

Ungjilli është për të gjithë njerëzit, dhe Kisha do të vendoset kudo, në të gjitha kombet, madje në fundet e tokës, përpara ardhjes së dytë të Birit të Njeriut. …

… Ai e ka vendosur dorën e tij për herë të dytë për të mbledhur Izraelin në Kishë, dhe kësaj here, ai do të ngrejë bashkësi të shenjtorëve të Tij në të gjitha kombet.21

Nga lutja përkushtuese për Tempullin e Ogdenit në Juta:

O Atë, shpejtoje ditën kur drejtësia do të mbizotërojë; kur sundimtarët e kombeve do t’i hapin kufijtë e tyre për predikimin e ungjillit; kur dera e shpëtimit do të hapet plotësisht për të ndershmin, të drejtin dhe të mirin midis çdo populli.

Ne lutemi për përhapjen e së vërtetës; ne lutemi për kauzën misionare; ne kërkojmë forcë dhe numra dhe mjete për t’i shpallur të vërtetat e tua të përjetshme te më shumë nga fëmijët e tu të tjerë në çdo komb, midis çdo farefisi dhe që flasin çfarëdo gjuhe. …

… Është dëshira jonë që të jemi mjete në duart e tua për të përgatitur një popull për ardhjen e Birit tënd.22

5

Mijëvjeçari do të jetë një kohë paqeje dhe një kohë pune në punën e Zotit.

Të drejtët do të gëzohen kur ai të vijë, sepse atëherë paqja do të vijë në tokë, drejtësia do të vijë te njerëzit, dhe po ai shpirt paqeje dhe gëzimi dhe lumturie që ngadhënjeu mbi këtë kontinent për dyqind vjet [shih 4 Nefi 1:1–22] do të vendoset përsëri midis njerëzve dhe përfundimisht do të bëhet gjithëbotëror dhe Krishti do të mbretërojë si Zot i zotërve dhe Mbret i mbretërve për njëmijë vjet. Ne mezi po e presim atë kohë.23

Për njëmijë vjet, kjo periudhë e lumtur do të mbizotërojë dhe, në kohën e duhur, të gjithë banorët e tokës do të sillen në vathën e Kishës.24

Ungjilli do të jepet mësim shumë më me gjallëri dhe me fuqi më të madhe gjatë mijëvjeçarit, gjersa të gjithë banorët e tokës ta përqafojnë atë.25

Në vend që të jetë një kohë pushimi, mijëvjeçari duhet të jetë për të gjithë një kohë për të punuar. Papunësia nuk do të ekzistojë, metoda më të mira do të përdoren, nuk do të shpenzohet aq shumë kohë në veprimtaritë ditore dhe më shumë kohë do t’i jepet gjërave të Mbretërisë. Shenjtorët do të zihen me punë në tempuj që do të ndërtohen në të gjitha pjesët e tokës. Në fakt, ata do të jenë aq të zënë saqë tempujt do të jenë plot shumicën e kohës.26

Do të ketë njerëzim mbi faqen e tokës gjatë njëmijë vjetëve për shkak të punës së madhe që duhet të përmbushet, për shpëtimin e të vdekurve. Gjatë atyre njëmijë vjetëve të paqes puna e madhe e Zotit do të jetë në tempujt, dhe në ato tempuj njerëzit do të shkojnë të punojnë për ata që kanë kaluar përtej dhe që po presin të kenë këto ordinanca që lidhen me shpëtimin e tyre të kryera për ta nga ata që jetojnë ende në vdekshmëri mbi tokë.27

Është detyra jonë t’i shpëtojmë të vdekurit dhe ajo punë do të vazhdojë gjatë mijëvjeçarit gjersa të kenë marrë indaumentin dhe të jenë vulosur të gjithë ata të cilëve u takon ky bekim.28

Të gjithë ata që kanë vdekur në Krisht do të ngrihen së vdekuri, me ardhjen e Tij, dhe do të banojnë mbi tokë ndërsa Krishti do të jetë mbi tokë gjatë mijëvjeçarit. Ata nuk do të qëndrojnë këtu gjatë gjithë kohës për njëmijë vjet, por do të shoqërohen me ata që janë ende këtu në jetë të vdekshme. Këta shenjtorë të ringjallur, dhe Vetë Shpëtimtari, do të vijnë për të na dhënë udhëzim dhe drejtim; për të na zbuluar gjërat që duhet të dimë; për të na dhënë informacion lidhur me punën në tempujt e Zotit që të mund të bëjmë punën që është thelbësore për shpëtimin e njerëzve të denjë.29

Zoti ka thënë nëpërmjet shërbëtorëve të Tij se gjatë mijëvjeçarit, ata që kanë kaluar përtej dhe kanë arritur ringjalljen do të zbulojnë personalisht tek ata, që janë ende në vdekshmëri, të gjithë informacionin që kërkohet për të përmbushur punën për ata që janë larguar nga kjo jetë. Atëherë të vdekurit do të kenë privilegjin e shpalosjes së gjërave që dëshirojnë dhe që kanë të drejtën t’i marrin. Në këtë mënyrë, asnjë shpirt nuk do të shpërfillet dhe puna e Zotit do të përsoset.30

Unë lutem çdo ditë të jetës sime që Zoti ta përshpejtojë punën e Tij. … Unë lutem për fundin e botës sepse unë dua një botë më të mirë. Unë e dua ardhjen e Krishtit. Unë e dua mbretërimin e paqes. Unë dua që të vijë koha kur çdo njeri të mund të jetojë në paqe dhe në shpirtin e besimit, përuljes dhe lutjes.31

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Si ndikon rrëfimi në pjesën “Nga Jeta e Jozef Filding Smithit” te ndjenjat tuaja rreth fundit të botës?

  • Si mundet të na ndihmojnë profecitë e përmendura në pjesën 1 që të përgatitemi për ardhjen e Zotit?

  • Në pjesën 2, rishikojini mësimet e Presidentit Smith rreth shëmbëlltyrës së grurit dhe egjrës. Çfarë mund të bëjmë që të jemi pjesë e “grurit”? Çfarë mund të bëjmë që t’i ndihmojmë familjet tona dhe të tjerët?

  • Ndërsa përgatitemi për ardhjen e Zotit, çfarë mendoni se do të thotë të “kesh kujdes dhe të lutesh”? Çfarë mendoni se do të thotë t’i “vëmë shtëpitë tona në rregull”? (Shih pjesën 3.)

  • Presidenti Smith u lut: “Është dëshira jonë të jemi mjete në duart e tua për të përgatitur një popull për ardhjen e Birit tënd” (pjesa 4). Në çfarë mënyrash mund t’i ndihmojmë të tjerët për ardhjen e Zotit?

  • Rishikoni pjesën 5. Në çfarë mënyrash mund të përfitojmë tani nga dija rreth asaj që do të ndodhë në mijëvjeçar?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Psalmeve 102:16; Isaia 40:3–5; Jakobi 5:7–8; DeB 1:12; 39:20–21; 45:39, 56–59

Ndihmë për Mësimdhënien

“Fuqia kurorëzuese, bindëse, kthyese në besim e mësimdhënies së ungjillit duket kur një mësues i frymëzuar thotë: ‘Unë e di nga fuqia e Frymës së Shenjtë, nga zbulesat e Shpirtit të Shenjtë në shpirtin tim, se doktrinat që kam dhënë mësim janë të vërteta’” (Bruce R. McConkie, në Teaching, No Greater Call [1999], f. 43).

Shënime

  1. The Signs of the Times (1943), f. 103–105.

  2. “Ogden Temple Dedicatory Prayer,” Ensign, mars 1972, f. 10–11.

  3. The Restoration of All Things (1945), f. 302.

  4. Në Conference Report, prill 1966, f. 12–14.

  5. Në Conference Report, prill 1935, f. 98; shih edhe Doctrines of Salvation, botim i Bruce R. McConkie, 3 vëllime. (1954–1956), 3:1.

  6. “Watch Therefore,” Deseret News, 2 gusht 1941, Church section, f. 2; shih edhe Doctrines of Salvation, 3:15.

  7. Në Conference Report, prill 1918, f. 156–157; shih edhe Doctrines of Salvation, 3:15–16.

  8. “How to Teach the Gospel at Home”, Relief Society Magazine, dhjetor 1931, f. 688; shih edhe Doctrines of Salvation, 3:16.

  9. Në Conference Report, prill 1952, f. 28; kursivet në origjinal.

  10. “The Coming of Elijah,” Ensign, janar 1972, f. 5.

  11. “The Reign of Righteousness,” Deseret News, 7 janar 1933, f. 7; shih edhe Doctrines of Salvation, 3:60.

  12. Në Conference Report, prill 1935, f. 99; shih edhe Doctrines of Salvation, 3:38.

  13. Answers to Gospel Questions, përmbledhje Joseph Fielding Smith Jr., 5 vëllime. (1957–1966), 5:xii.

  14. “A Warning Cry for Repentance,” Deseret News, 4 maj 1935, Church section, f. 6.

  15. “A Warning Cry for Repentance,” f. 8.

  16. Në Conference Report, prill 1966, f. 15.

  17. “A Peculiar People: Modern Revelation—The Coming of Moroni,” Deseret News, 6 qershor 1931, Church section, f. 8; shih edhe Doctrines of Salvation, 3:3–4.

  18. “A Peculiar People: Prophecy Being Fulfilled,” Deseret News, 19 shtator 1931, Church section, f. 6.

  19. “A Peculiar People: Modern Revelation—The Coming of Moroni,” f. 8; shih edhe Doctrines of Salvation, 3:4–5.

  20. “A Peculiar People: Prophecy Being Fulfilled,” Deseret News, 7 shtator 1931, Church section, f. 6; shih edhe Doctrines of Salvation, 3:6.

  21. Në Conference Report, British Area General Conference 1971, f. 176.

  22. “Ogden Temple Dedicatory Prayer,” f. 9, 11.

  23. “The Right to Rule,” Deseret News, 6 shkurt 1932, Church section, f. 8.

  24. “Priesthood—Dispensation of the Fulness of Times,” Deseret News, 19 gusht 1933, f. 4; shih edhe Doctrines of Salvation, 3:66.

  25. “Churches on Earth During the Millennium,” Improvement Era, mars 1955, f. 176; shih edhe Doctrines of Salvation, 3:64.

  26. The Way to Perfection, (1931), f. 323–324.

  27. “The Reign of Righteousness,” f. 7; shih edhe Doctrines of Salvation, 3:58.

  28. In “Question Answered,” Deseret News, 13 janar 1934, Church section, f. 8; shih edhe Doctrines of Salvation, 2:166.

  29. “The Reign of Righteousness,” f. 7; shih edhe Doctrines of Salvation, 3:59.

  30. “Faith Leads to a Fulness of Truth and Righteousness,” Utah Genealogical and Historical Magazine, tetor 1930, f. 154; shih edhe Doctrines of Salvation, 3:65.

  31. The Signs of the Times, f. 149.