Mësime të Presidentëve
Kapitulli 2: Shpëtimtari Ynë, Jezu Krishti


Kapitulli 2

Shpëtimtari Ynë, Jezu Krishti

“Le të jetë mbizotëruese në mendjen tuaj, tani dhe përgjithmonë, se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë, i cili erdhi në botë për të dhënë jetën e tij që ne të mund të jetojmë. Kjo është e vërteta dhe është thelbësore. Mbi atë ngrihet besimi ynë.”

Nga Jeta e Jozef Filding Smithit

Si apostull, Presidenti Jozef Filding Smith ishte i vërtetë ndaj thirrjes së tij për të qenë një nga “dëshmitarët e veçantë të emrit të Krishtit në gjithë botën” (DeB 107:23). Ai tha: “Unë përpiqem ta dua Atë, Shpëtimtarin tonë, mbi gjithçka tjetër. Është detyra ime ta dua. Unë udhëtoj lart e poshtë këtij vendi si një nga dëshmitarët e Tij të veçantë. Nuk mund të isha dëshmitar i veçantë i Jezu Krishtit, në qoftë se nuk do të kisha diturinë e përsosur dhe të padyshimtë se Ai është Biri i Perëndisë dhe Shëlbuesi i botës.”1

Si atë, Presidenti Smith ishte po aq i përkushtuar ndaj përgjegjësisë të tij për të dëshmuar për Shpëtimtarin. Më 18 korrik 1948, ai u dërgoi një letër bijve të tij Daglasit dhe Miltonit, të cilët po shërbenin si misionarë kohëplotë. Ai shkroi:

“Ulem dhe reflektoj herë pas here dhe, gjatë leximit tim të shkrimeve të shenjta, mendoj për misionin e Zotit tonë, për atë që ai bëri për mua dhe kur më vijnë këto ndjenja, i them vetes, unë nuk mund të mos jem i vërtetë ndaj tij. Ai më deshi me dashuri të përsosur, ashtu siç ka bërë për të gjithë njerëzit, veçanërisht për ata që i shërbejnë atij, dhe unë duhet ta dua atë me të gjithë dashurinë që mundem, edhe nëse nuk është e përsosur, dashuri e cila nuk do të jetë e tillë. Është e mrekullueshme. Unë nuk jetova në ditët e Shpëtimtarit tonë; ai nuk ka ardhur tek unë si njeri. Nuk e kam parë atë fizikisht. Ati i tij dhe ai nuk e kanë ndier të nevojshme të ma japin një bekim të tillë të madh si ky. Por nuk është e nevojshme. Unë e kam ndier praninë e tij. Unë e di se Shpirti i Shenjtë ma ka ndriçuar mendjen dhe ma ka zbuluar atë mua, në mënyrë të tillë që unë vërtet e dua Shëlbuesin tim, shpresoj, dhe e ndiej se është e vërtetë, më shumë se çdo gjë tjetër në këtë jetë. Nuk do të doja të ishte ndryshe. Dua të jem i vërtetë ndaj tij. E di se ai vdiq për mua, për ju dhe për gjithë njerëzimin, që ne të mund të jetojmë përsëri nëpërmjet ringjalljes. E di se ai vdiq që unë të mund të falem për marrëzitë e mia, për mëkatet e mia dhe të pastrohem prej tyre. Sa e mrekullueshme është kjo dashuri! Si mund të bëj unë, duke e ditur këtë, diçka tjetër veçse ta dua atë, Shëlbuesin tim. Unë dua që bijtë e mi në fushat e misionit të ndihen në po këtë mënyrë. Dua që fëmijët e mi dhe nipërit e mbesat e mia të ndihen në atë mënyrë dhe kurrë të mos largohen nga shtegu i së vërtetës dhe i drejtësisë.”2

Një nga bijtë e Presidentit Smith tregoi:

“Si fëmijë, shumë shpesh do ta dëgjonim të thoshte: ‘Sikur vetëm njerëzit në botë të kuptonin sprovat, shqetësimet, mëkatet që Zoti ynë mori mbi vete për të mirën tonë’. Sa herë që do ta përmendte këtë, lotët do t’ia mbushnin sytë.

[Njëherë] ndërsa u ula i vetëm me babanë tim në studion e tij, vura re se kishte qenë në meditim të thellë. Ngurrova t’ia prishja heshtjen, por së fundi ai foli. ‘O, biri im, do të doja që të mund të kishe qenë me mua të enjten që shkoi, kur u takova me Vëllezërit e mi në tempull. O, sikur të mund t’i kishe dëgjuar ata të dëshmonin për dashurinë e tyre për Zotin dhe Shpëtimtarin e tyre, Jezu Krishtin!’ Dhe më pas ai uli kokën dhe lot i rrodhën nga fytyra e i ranë mbi këmishë. Atëherë, pas shumë çastesh, pa e ngritur aspak kokën, por duke e lëvizur kokën para mbrapa, ai tha: ‘O, sa e dua Zotin dhe Shpëtimtarin tim, Jezu Krishtin!’”3

Mësime të Jozef Filding Smithit

1

Jezu Krishti është Biri i Vetëmlindur i Perëndisë dhe Shpëtimtari i botës.

Më lejoni t’ju them, me aq qartësi dhe me aq forcë sa mundem, se ne besojmë te Krishti. Ne e pranojmë atë pa dyshim si Birin e Perëndisë dhe Shpëtimtarin e botës.4

Pamja
Christ, dressed in white, is portrayed as a shepherd. He is holding a dark colored lamb while many light colored sheep follow behind him. Illustrating the parable of the lost lamb, this canvas giclée depicts a flock of white sheep grazing on a grassy hill beside a stream. Clothed in a white robe with a crown of light on his head, Christ stands as the good shepherd, compassionately caring for the black lamb cradled in his arms. (Matthew 18:11-14).

“Të gjitha gjërat përqendrohen te Zoti Jezu Krisht, Shëlbuesi i botës, dhe përreth Tij.”

Ne e dimë se shpëtimi është në Krishtin; se ai ishte Biri i Parëlindur i Atit të Përjetshëm; se ai u zgjodh dhe u parashugurua në këshillat e qiellit për të punuar për shlyerjen e pafundme dhe të përjetshme; se u lind në botë si Biri i Perëndisë; dhe se ai ka sjellë në dritë jetë dhe pavdekësi nëpërmjet ungjillit.

Ne besojmë me siguri të përsosur se Krishti erdhi për t’i çliruar njerëzit nga vdekja fizike dhe shpirtërore, të sjella në botë nëpërmjet rënies së Adamit, dhe se ai mori mbi vete mëkatet e gjithë njerëzve me kushtin e pendimit. …

Ne besojmë se shpëtohemi nëpërmjet hirit, pas gjithçkaje që mund të bëjmë [shih 2 Nefi 25:23] dhe se duke ngritur mbi themelin e shlyerjes së Krishtit, gjithë njerëzit duhet të punojnë për shpëtimin e tyre me frikë e me dridhje para Zotit [shih Filipianëve 2:12; Mormoni 9:27].5

Ndryshimi midis Shpëtimtarit tonë dhe ne të tjerëve është se ne kemi pasur etër që ishin të vdekshëm dhe si rrjedhim i nënshtrohemi vdekjes. Shpëtimtari ynë nuk pati një Atë të vdekshëm dhe si rrjedhim vdekja iu nënshtrua atij. Ai pati fuqi ta jepte jetën e tij dhe ta merrte atë përsëri [shih Gjoni 10:17–18], por ne nuk kemi fuqi ta japim jetën tonë dhe ta marrim atë përsëri. Është nëpërmjet shlyerjes së Jezu Krishtit që ne marrim jetë të përjetshme, përmes ringjalljes së vdekuri dhe bindjes ndaj parimeve të ungjillit.6

Ai është me të vërtetë Biri i vetëmlindur i Perëndisë dhe, nëpërmjet hirit të Tij dhe hirit të Atit të Tij, na ka shëlbuar nga mëkati me kushtin e pendimit tonë. E dimë se Ai është ngritur së vdekuri, se Ai është ngjitur lart, duke burgosur robërinë [shih Psalmet 68:18], dhe është bërë autori i shpëtimit për gjithë ata që do të besojnë, që do të pendohen për mëkatet e tyre dhe do ta pranojnë Atë si Shëlbuesin e botës [shih Hebrenjve 5:9]. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme nuk lihen në dyshim lidhur me këto gjëra.7

Ndërsa njerëzit mund të krijojnë plane, të pranojnë teori, të paraqesin vepra të çuditshme dhe të mbledhin e japin mësim për shumë doktrina të pazakonta, një mësim është thelbësor dhe prej tij nuk mund të largohemi: të gjitha gjërat përqendrohen te Zoti Jezu Krisht, Shëlbuesi i botës, dhe përreth Tij. Ne e pranojmë atë si të Vetëmlindurin e Atit në mish, i vetmi që ka banuar në mish, i cili pati një Atë që ishte i pavdekshëm. Për shkak të së drejtës së tij të trashëgimisë dhe të kushteve që rrethuan ardhjen e tij në tokë, ai u bë Shëlbuesi i njerëzve; dhe nëpërmjet derdhjes së gjakut të tij, ne kemi privilegjin të kthehemi në praninë e Atit tonë, me kushtet e pendimit tonë dhe të pranimit të planit të madh të shëlbimit, i të cilit ai është autori.8

Ne dëshmojmë se ungjilli i Jezu Krishtit është plani i shpëtimit; dhe se nëpërmjet flijimit shlyes të Zotit tonë gjithë njerëzit do të ngrihen në pavdekshmëri, për t’u gjykuar prej tij sipas veprave të bëra në mish; dhe se ata që besojnë dhe i binden plotësisë së ligjit të ungjillit, do të ngrihen gjithashtu në jetë të përjetshme në mbretërinë e Atit tonë.9

2

Ne bëhemi bij dhe bija të Jezu Krishtit nëpërmjet Shlyerjes së Tij dhe nëpërmjet besëlidhjeve tona të bindjes ndaj Tij.

Ati ynë në qiell është Ati i Jezu Krishtit, si në shpirt ashtu dhe në mish. Shpëtimtari ynë është i Parëlinduri në shpirt, i Vetëmlinduri në mish.10

Ai, [Jezu Krishti], është Vëllai ynë më i Madh dhe u nderua nga Ati me plotësinë e autoritetit dhe të fuqisë si anëtar i Presidencës së madhe, të Atit, Birit dhe Frymës së Shenjtë.11

Shkrimet tona të shenjta na mësojnë se Jezu Krishti është si Ati ashtu edhe Biri. E vërteta e thjeshtë është se ai është Biri i Perëndisë me anë të lindjes, si në shpirt ashtu dhe në mish. Ai është Ati për shkak të veprës që ka kryer.12

Shpëtimtari bëhet Ati ynë, në kuptimin në të cilin ky term përdoret në shkrimet e shenjta, sepse ai na ofron jetë, jetë të përjetshme, nëpërmjet shlyerjes që bëri për ne. Në udhëzimin e mrekullueshëm të dhënë nga mbreti Beniamin, ne gjejmë këtë: “Dhe tani, për shkak të besëlidhjes që keni bërë, ju do të quheni fëmijët e Krishtit, bijtë e tij dhe bijat e tij; pasi vini re, në këtë ditë ai ju ka lindur juve shpirtërisht; meqë ju thoni se zemrat tuaja janë ndryshuar nëpërmjet besimit në emrin e tij; prandaj, ju keni lindur prej tij dhe jeni bërë bijtë e tij dhe bijat e tij”. [Mosia 5:7; shih edhe vargjet 8–11.]

Kështu, ne bëhemi fëmijët, bijtë dhe bijat e Jezu Krishtit, nëpërmjet besëlidhjeve tona të bindjes ndaj tij. Për shkak të autoritetit të tij hyjnor dhe flijimit të tij në kryq, ne bëhemi bij dhe bija të lindura shpirtërisht dhe ai është Ati ynë.13

Pamja
Jesus Christ depicted preparing the sacrament for the Last Supper.

“Ne bëhemi fëmijët, bijtë dhe bijat e Jezu Krishtit, nëpërmjet besëlidhjeve tona të bindjes ndaj tij.”

Si nefitët në kohën e mbretit Beniamin, ne, shenjtorët e ditëve të mëvonshme, në të njëjtën mënyrë kemi marrë mbi vete emrin e Krishtit [shih Mosia 5:1–9; 6:1–2]. Çdo javë në shërbesën e sakramentit, siç urdhërohemi të bëjmë, ne marrim mbi vete emrin e tij gjithmonë për ta kujtuar atë dhe kjo është ajo që nefitët lidhën besë të bënin.14

3

Shpëtimtari e ka zbuluar Vetveten në këtë periudhë ungjillore dhe secili prej nesh mund të ketë një dëshmi të qëndrueshme për Të.

Ne e pranojmë Jezusin si Shëlbuesin e botës. Ne e dimë … se Ai e zbuloi Vetveten në këtë periudhë ungjillore. Ne nuk jemi nën varësinë e dëshmive të … njerëzve të denjë të lashtësisë, që jetuan në kohën e Tij dhe biseduan me Të gjatë shërbesës së Tij, dhe të cilëve Ai iu shfaq pas ringjalljes së Tij. Ne kemi dëshmitarë që kanë jetuar në vetë kohën tonë, të cilët e kanë parë Atë, të cilët e dinin se Ai jeton dhe na kanë dëshmuar ne dhe botës për këtë të vërtetë. Ne e dimë se dëshmitë e tyre janë të vërteta. Jozef Smithi nuk u la i vetëm për të dhënë dëshmi në këtë periudhë ungjillore për misionin e Jezu Krishtit, sepse Zoti ngriti dëshmitarë të tjerë të cilët, me Profetin Jozef Smith, e panë Shëlbuesin, morën udhëzim prej Tij dhe e panë Atë në qiej, të ulur në anën e djathtë të Atit, të rrethuar nga engjëj të shenjtë. Ata na e kanë dhënë dëshminë e tyre, e cila do të qëndrojë përkundrejt botës për t’i dënuar të gjithë ata që nuk ia vënë veshin.

Por ne, si anëtarë të Kishës, nuk jemi as nën varësinë e dëshmive të Jozef Smithit, Oliver Kaudrit, Sidni Rigdonit ose ndonjë prej të tjerëve tashmë të vdekur, të cilët në këtë periudhë ungjillore morën nga Zoti zbulesa dhe vegime të mrekullueshme, me anë të të cilëve ata e dinin se Jezusi jeton dhe është Shëlbuesi i botës. Ne kemi dëshmi vetjake të dhënë nëpërmjet Shpirtit të Zotit, të gjithë atyre që kanë jetuar në përputhje me Ungjillin. Nëse kemi qenë në pajtim me të vërtetën, pasi jemi pagëzuar për heqjen e mëkateve tona dhe jemi konfirmuar me anë të vënies së duarve për dhuratën e Shpirtit të Shenjtë, Zoti na ka zbuluar në mënyrë individuale se këto gjëra janë të vërteta. Ne nuk jemi nën varësinë e dëshmisë së dikujt tjetër për këtë dituri, sepse e dimë nëpërmjet Shpirtit se Jezusi është Krishti, Shëlbuesi i botës.15

Nëse ka ndonjë gjë që i sjell gëzim e paqe dhe kënaqësi zemrës së njeriut, përtej ndonjë gjëje tjetër që njoh, është dëshmia e qëndrueshme që unë kam dhe që ju keni, se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë. Ajo është një e vërtetë që nuk mund të ndryshohet. Njerëzit mund ta sulmojnë atë; mund ta përqeshin atë; mund të shpallin se ai nuk është Shëlbuesi i botës, se misioni i tij nuk ishte i vërtetë, apo se qëllimi i misionit të tij, nëpërmjet derdhjes së gjakut të tij, nuk ishte që t’iu jepte gjithë njerëzve heqjen e mëkateve me kushtin e pendimit të tyre. Ata mund të mos pranojnë të besojnë në ringjalljen prej së vdekuri, apo madje se Krishti vetë erdhi, sikurse shpallin Shkrimet e shenjta, pasi i ishte nënshtruar vdekjes nga armiqtë e tij; megjithatë, e vërteta qëndron. Ai vërtet vdiq për mëkatet e botës, ai vërtet bëri të vinte shëlbimi nga vdekja, ai vërtet u dha njerëzve mundësinë për pendim dhe heqje të mëkateve nëpërmjet besimit të tyre dhe pranimit të parimeve të ungjillit dhe të misionit të tij. Këto të vërteta janë thelbësore, ato do të durojnë; ato nuk mund të shkatërrohen, pavarësisht se çfarë mund të thonë ose mendojnë njerëzit.16

Le të jetë mbizotëruese në mendjen tuaj, tani dhe përgjithmonë, se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë, i cili erdhi në botë për të dhënë jetën e tij që ne të mund të jetojmë. Kjo është e vërteta dhe është thelbësore. Mbi atë bazohet besimi ynë.17

4

Ne të gjithë duhet ta ndërtojmë jetën tonë sipas jetës së Jezu Krishtit.

Shembulli më i madh, i dhënë ndonjëherë për njerëzit, ishte ai i vetë Birit të Perëndisë. Jeta e tij ishte e përkryer. Ai i bëri të gjitha gjërat mirë dhe ishte në gjendje t’u thoshte tërë njerëzve: “Më ndiqni mua”, [2 Nefi 31:10] dhe ne të gjithë duhet ta ndërtojmë jetën tonë sipas jetës së tij.

Do t’ju jap një ilustrim nga jeta e tij. Ai i mësoi njerëzit se si të luteshin dhe më pas tha: “Në të vërtetë, në të vërtetë, unë ju them juve, ju duhet të mbani sytë hapur dhe të luteni gjithnjë, që të mos tundoheni nga djalli dhe të mos çoheni në robëri nga ai. Dhe sikurse jam lutur mes jush, ashtu madje ju do të luteni në kishën time, mes njerëzve të mi të cilët pendohen dhe pagëzohen në emrin tim. Vini re, unë jam drita; unë kam vendosur një shembull për ju. … Prandaj, mbani lart dritën tuaj që të ndriçojë tërë botën. Vini re, unë jam drita që ju duhet të mbani lart – atë që më keni parë duke bërë. …” [3 Nefi 18:15–16, 24.]

Ndoshta këshilla e tij më e përsosur nga ky këndvështrim iu dha dishepujve nefitë. “Çfarë lloj njerëzish duhet të jeni?” pyeti ai dhe më pas dha këtë përgjigje: “Në të vërtetë, unë ju them juve, madje siç jam unë”. [3 Nefi 27:27.]18

Ne duhet të besojmë në Krishtin dhe ta ndërtojmë jetën tonë sipas tij. Ne duhet të pagëzohemi, siç u pagëzua ai. Ne duhet ta adhurojmë Atin, siç bëri ai. Ne duhet të bëjmë vullnetin e Atit, siç bëri ai. Ne duhet të kërkojmë të bëjmë mirë dhe të veprojmë me drejtësi, siç bëri ai. Ai është Shembulli ynë, Prototipi i madhërishëm i shpëtimit.19

Kur keni një problem dhe keni nevojë të bëni një zgjedhje, bëjeni duke e pyetur veten: “Çfarë do të bënte Jezusi?” Pastaj veproni siç do të vepronte ai.

Ju mund ta ndieni gëzimin e pranisë së tij dhe ta keni frymëzimin e tij për t’ju drejtuar çdo ditë të jetës suaj, nëse do ta kërkoni atë dhe do të jetoni të denjë për të. Dashuria e Jezusit dhe forca ngushëlluese e Shpirtit të tij të Shenjtë mund të jenë po aq të vërteta për ju, sikurse ishin për fëmijët që ai i afroi pranë vetes kur jetoi në tokë.20

Më lejoni të them se ata që e ndjekin shembullin e tij, do të bëhen si ai dhe do të përlëvdohen me të në mbretërinë e Atit të tij; për të fituar nder, fuqi dhe autoritet. Disa dishepujve nefitë, që e kishin ndjekur atë me qëllim të plotë të zemrës, ai u tha: “… ju do të jeni madje, ashtu sikurse jam unë dhe unë jam madje si Ati; dhe Ati dhe unë jemi një”. [3 Nefi 28:10.] …

Lutem që ne të gjithë të mund të ecim në gjurmët e tij dhe t’i mbajmë urdhërimet e tij, që të mund të jemi si ai. Kjo është dëshira ime. Shpresoj se është e juaja.21

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Si mendoni se u ndikuan fëmijët e Presidentit Smith nga dëshmia e tij dhe shprehjet e tij të dashurisë për Shpëtimtarin? (Shih “Nga Jeta e Jozef Filding Smithit”.) Merrni parasysh se çfarë mund të bëni për ta shtuar dashurinë tuaj për Shpëtimtarin dhe për ta ndarë dëshminë tuaj për Të.

  • Presidenti Smith shpalli se “të gjitha gjërat përqendrohen te Zoti Jezu Krisht dhe përreth tij” (pjesa 1). Në çfarë mënyrash kjo e vërtetë mund të ndikojë në jetën tonë vetjake? Në çfarë mënyrash mund t’i ndikojë shtëpitë tona?

  • Në çfarë mënyrash mësimet në pjesën 2 ju ndihmojnë ta kuptoni marrëdhënien tuaj me Shpëtimtarin? Çfarë do të thotë për ju të merrni mbi vete emrin e Krishtit?

  • Presidenti Smith paralajmëroi se disa njerëz do t’i sulmojnë dhe do t’i përqeshin të vërtetat rreth Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij (shih pjesën 3). Si mund t’i forcojmë dëshmitë tona që të mund t’iu bëjmë ballë sfidave të tilla? Si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët për t’i forcuar dëshmitë e tyre?

  • Mendoni thellë këshillën e Presidentit Smith për të pyetur “Çfarë do të bënte Jezusi?” (pjesa 4). Cilat janë disa mënyra të caktuara që ne mund ta ndërtojmë jetën tonë sipas jetës së Jezu Krishtit? Kur ndjekim shembullin e Tij, si mund të ndikojmë në jetën e të tjerëve?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Gjoni 14:6; 1 Nefi 10:6; Mosia 3:5–7; Helamani 5:12; 3 Nefi 11:3–7; DeB 34:1–3; 76:22–24; Joseph Smith – Historia 1:17

Ndihmë për Mësimdhënien

“[Shmangeni] tundimin për të përfshirë tepër përmbajtje mësimore. … Po mësojmë njerëzit, jo lëndën e temës në vetvete; dhe … çdo skemë mësimore që kam parë ndonjëherë, në mënyrë të pashmangshme do të ketë brenda më shumë sesa ndoshta ne mund të përfshijmë në kohën që është caktuar” (Jeffrey R. Holland, “Teaching and Learning in the Church”, Ensign, qershor 2007, f. 91).

Shënime

  1. “Message of President Joseph Fielding Smith” (bisedë e mbajtur më 22 maj 1955, Koleksioni i Jozef Filding Smithit, Biblioteka Historike e Kishës), f. 2.

  2. Në Joseph Fielding Smith Jr. dhe John J. Stewart, The Life of Joseph Fielding Smith (1972), f. 387–388; shkrimi kursiv në origjinal.

  3. Në Leon R. Hartshorn, “President Joseph Fielding Smith: Student of the Gospel”, New Era, janar 1972, f. 63.

  4. “The First Prophet of the Last Dispensation”, Ensign, gusht 1971, f. 6.

  5. “Out of the Darkness”, Ensign, qershor 1971, f. 2, 4.

  6. Letërkëmbim vetjak, i cituar në Doctrines of Salvation, redakt. Bruce R. McConkie, 3 vëll. (1954–1956), 1:28–29.

  7. Në Conference Report, prill 1912, f. 67.

  8. “The One Fundamental Teaching”, Improvement Era, maj 1970, f. 3; shkrimi kursiv në origjinal.

  9. “Out of the Darkness”, f. 2, 4.

  10. Letërkëmbim vetjak, i cituar në Doctrines of Salvation, 1:18.

  11. “The Spirit of Reverence and Worship”, Improvement Era, shtator 1941, f. 573; shih edhe Doctrines of Salvation, 1:15.

  12. Letërkëmbim vetjak, i cituar në Doctrines of Salvation, 1:28.

  13. Letërkëmbim vetjak, i cituar në Doctrines of Salvation, 1:29.

  14. Man: His Origin and Destiny (1954), f. 117.

  15. Në Conference Report, tetor 1914, f. 98.

  16. Në Conference Report, tetor 1924, f. 100–101.

  17. Në Conference Report, prill 1921, f. 186; shih edhe Doctrines of Salvation, 2:302.

  18. “Follow His Example”, New Era, gusht 1972, f. 4.

  19. “The Plan of Salvation”, Ensign, nëntor 1971, f. 5.

  20. “Christmas Message to Children of the Church in Every Land”, Friend, dhjetor 1971, f. 3.

  21. “Follow His Example”, f. 4.