Mësime të Presidentëve
Kapitulli 19: Në Botë, por jo të Botës


Kapitulli 19

Në Botë, por jo të Botës

“Ndërsa jemi në botë, ne nuk jemi të botës. Ne pritet ta mposhtim botën dhe të jetojmë për t’u bërë shenjtorë.”

Nga Jeta e Jozef Filding Smithit

Më 29 dhjetor 1944, biri i Presidentit Jozef Filding Smith Ljuis vdiq, ndërsa po shërbente në Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara. Pavarësisht nga hidhërimi që përjetoi Presidenti Smith, ai gjeti ngushëllim në kujtimin e jetës së mirë të Ljuisit. “Nëse Ljuisi ndonjëherë bëri ose tha një gjë të keqe, unë kurrë nuk dëgjova për të”, shkroi Presidenti Smith në ditarin e tij. “Mendimet e tij ishin të pastra, sikurse ishin veprimet e tij. … Edhe pse goditja është e rëndë, ne kemi paqen dhe lumturinë e të diturit se ai ishte i pastër dhe i lirë nga veset kaq mbizotëruese në botë dhe që gjendeshin në ushtri. Ai ishte i vërtetë ndaj besimit të tij dhe është i denjë për një ringjallje të lavdishme, kur ne do të ribashkohemi përsëri.”1

Rreth 11 vjet më vonë, Presidenti Jozef Filding Smith dhe gruaja e tij Xhesi panë karakteristika të ngjashme te personeli tjetër ushtarak. Ata udhëtuan nëpër misionet e Kishës në Azinë Lindore dhe gjithashtu vizituan shenjtorë të ditëve të mëvonshme nga Shtetet e Bashkuara që po shërbenin në ushtri. Presidentit dhe Motrës Smith iu lanë mbresa këta të rinj, të cilët, pavarësisht nga tundimet e botës, jetonin jetë të mirë, të pastër. Në konferencën e përgjithshme të tetorit 1955, Presidenti Smith raportoi:

“Ju etër dhe nëna që keni bij duke shërbyer në forcat ushtarake, të jini krenarë për bijtë tuaj. Ata janë të rinj të mirë. Disa nga ushtarët tanë në shërbim janë të kthyer në besim, të cilët janë sjellë në Kishë nëpërmjet mësimeve, nëpërmjet porosive morale dhe nëpërmjet shembullit – kryesisht nëpërmjet shembullit të anëtarëve të Kishës që gjithashtu po shërbejnë me ta në forcat ushtarake.

Takova një numër të rinjsh që thanë: ‘Ne u bashkuam me Kishën për shkak të jetës së këtyre të rinjve dhe sepse ata na mësuan parimet e ungjillit’.

Ata po bëjnë një punë të mirë. Mund të ketë ndonjë ose dy që mund të jenë të pakujdesshëm, por ata të rinj me të cilët pata privilegjin të takohesha, të flisja, do të ndanin dëshminë e tyre për të vërtetën dhe po vepronin me përulësi.

Dhe ndërsa u takova me oficerët dhe kapelanët … , në mënyrë mbizotëruese ata thanë: ‘Ne i pëlqejmë të rinjtë tuaj. Janë të pastër. Janë të besueshëm’.”2

Presidenti Smith i këshilloi anëtarët e Kishës të jenë – si këta ushtarë të rinj – “të ndryshëm nga pjesa tjetër e botës”3. Në predikime të tilla, ai shpesh foli rreth mbajtjes së ditës së Shabatit të shenjtë, bindjes ndaj Fjalës së Urtësisë, nderimit të emrave të Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit, veshjes me thjeshtësi dhe mbajtjes së ligjit të dëlirësisë. Ai i siguroi shenjtorët e ditëve të mëvonshme se bekimet që do të merrnin, në qoftë se ata do t’i braktisnin ligësitë e botës dhe do t’i zbatonin urdhërimet, do ta “kapërcenin çdo gjë që mund të kuptojmë tani”4.

Pamja
A soldier sitting in a Humvee reading a serviceman's edition of the Book of Mormon

Edhe në kohë lufte, ne mund të jetojmë në botë, por të mos jemi të botës.

Mësime të Jozef Filding Smithit

1

Zoti pret që ne t’i braktisim ligësitë e botës dhe të jetojmë që të bëhemi shenjtorë.

Ne po jetojmë në një botë të keqe dhe të ligë. Por ndërsa jemi në botë, ne nuk jemi të botës. Ne pritet ta kapërcejmë botën dhe të jetojmë që të bëhemi shenjtorë. … Ne kemi më shumë dritë se sa ka bota dhe Zoti pret më shumë nga ne sesa ai pret prej tyre.5

Në kapitullin e shtatëmbëdhjetë të Gjonit – unë mezi ia dal ta lexoj këtë kapitull pa m’u mbushur sytë me lot – … Zoti ynë, duke iu lutur Atit të tij me dhembshurinë e tërë shpirtit të tij, ngaqë e dinte se kishte ardhur për të ora që ta ofronte vetveten si flijim, u lut për dishepujt e tij. Në atë lutje ai tha:

“Unë nuk kërkoj që ti t’i heqësh nga bota, por që ti t’i mbrosh nga i ligu.

Ata nuk janë nga bota, sikurse unë nuk jam nga bota.

Shenjtëroji në të vërtetën tënde; fjala jote është e vërteta.” (Gjoni 17:15–17.)

Nëse e jetojmë fenë që Zoti ka zbuluar dhe që e kemi pranuar, ne nuk i përkasim botës. Ne nuk duhet të kemi asnjë pjesë në gjithë marrëzinë e saj. Ne nuk duhet të marrim pjesë në mëkatet e saj dhe në gabimet e saj – gabime të filozofisë dhe gabime të doktrinës, gabime lidhur me qeverinë apo cilatdo mund të jenë ato gabime – ne nuk kemi pjesë në të.

E vetmja pjesë që kemi, është zbatimi i urdhërimeve të Perëndisë. Ajo është e gjitha, të qenit të vërtetë ndaj çdo besëlidhjeje dhe çdo detyrimi në të cilin kemi hyrë dhe të cilin e kemi marrë mbi vete.6

Mos krijoni përshtypjen nga çfarë kam thënë, se unë ndiej që ne duhet të qëndrojmë larg nga kushdo jashtë Kishës dhe të mos shoqërohemi me ta. Nuk e kam thënë atë, por vërtet dëshiroj që ne të jemi shenjtorë të qëndrueshëm të ditëve të mëvonshme dhe nëse njerëzit e botës ecin në terr e mëkat dhe në kundërshtim me vullnetin e Zotit, atje është vendi për ne që ta vemë kufirin.7

Kur bashkohemi me Kishën … , ne pritet të braktisim shumë nga mënyrat e botës dhe të jetojmë që të bëhemi shenjtorë. Ne nuk duhet më të vishemi ose flasim apo veprojmë ose madje mendojmë ashtu si bëjnë shumë shpesh të tjerët. Shumë vetë në botë përdorin çaj, kafe, duhan e pije alkoolike dhe përfshihen në përdorimin e drogave. Shumë vetë flasin fjalë përdhosëse dhe janë vulgarë dhe të pahijshëm, imoralë dhe të papastër në jetën e tyre, por të gjitha këto gjëra duhet të jenë të huaja për ne. Ne jemi shenjtorët e Më të Lartit. …

Unë i bëj thirrje Kishës dhe të gjithë anëtarëve të saj për t’i braktisur ligësitë e botës. Ne duhet t’i shmangemi mungesës së dëlirësisë dhe çdo forme të imoralitetit sikurse do t’i shmangeshim murtajës …

Si shërbëtorë të Zotit, qëllimi ynë është të ecim në shtegun që ai ka skicuar për ne. Ne jo vetëm që dëshirojmë të bëjmë dhe të themi çfarë do ta kënaqë atë, por kërkojmë të jetojmë në mënyrë të tillë që jeta jonë do të jetë si e tija.8

Mbajtja e ditës së Shabatit të shenjtë

Dua të them pak fjalë lidhur me vëzhgimin e ditës së Shabatit dhe mbajtjen e saj të shenjtë. Ky urdhërim u dha që nga fillimi dhe Perëndia i urdhëroi shenjtorët dhe gjithë njerëzit e tokës, se ata duhej ta vëzhgonin ditën e Shabatit dhe ta mbanin atë të shenjtë – një ditë çdo shtatë ditë. Në atë ditë ne duhet të pushojmë nga punët tona, duhet të shkojmë në shtëpinë e Zotit dhe t’i ofrojmë sakramentet tona në ditën e Tij të shenjtë. Sepse kjo është një ditë e caktuar për ne në të cilën duhet të prehemi nga punët tona dhe t’i drejtohemi në lutje Më të Lartit. [Shih DeB 59:9–10.] Në këtë ditë ne duhet t’i ofrojmë Atij falënderimet tona dhe ta nderojmë Atë në lutje, në agjërim, në të kënduar e në lartësimin dhe udhëzimin e njëri-tjetrit.9

Dita e Shabatit është bërë një ditë kënaqësie, dëfrimi, çdo gjë përveçse një ditë adhurimi … dhe ndiej keqardhje të them se shumë – edhe një do të ishte shumë – anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme janë bashkuar me atë vargan dhe dita e Shabatit nga disa anëtarë të Kishës shihet si ditë dëfrimi, kënaqësie, më shumë sesa një ditë në të cilën ne mund t’i shërbejmë Zotit, Perëndisë sonë, me gjithë zemrën tonë, me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën tonë. …

Tani, ky është ligji për Kishën sot, pikërisht siç ishte ligji për Izraelin e lashtë, dhe disa nga njerëzit tanë më tepër shqetësohen ngaqë ndiejnë se vëzhgimi i ditës së Shabatit i pakëson aktivitetet e tyre.10

Ne nuk kemi asnjë të drejtë ta shkelim ditën e Shabatit. … Më vjen shumë keq që, edhe në komunitetet e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, kjo doktrinë nuk shihet nga disa siç duhet të jetë; se ne kemi njerëz mes nesh që duket se ndiejnë që është tërësisht në rregull ta ndjekin zakonin e botës përsa i përket kësaj. Ata janë pjesëmarrës të ideve dhe mendimeve të botës në kundërshtim me urdhërimet e Zotit. Por nëse e bëjmë këtë, Zoti do të na mbajë përgjegjës dhe ne nuk mund ta shkelim fjalën e tij dhe të marrim bekimet e besnikëve.11

Bindja ndaj Fjalës së Urtësisë

Fjala e Urtësisë është një ligj bazë. Ajo tregon udhën dhe na jep udhëzim të mjaftueshëm lidhur si me ushqimet ashtu edhe pijet, të mira për trupin dhe gjithashtu të dëmshme. Nëse e ndjekim me sinqeritet atë që shkruhet me ndihmën e Shpirtit të Zotit, ne nuk kemi nevojë për këshillë të mëtejshme. Ky udhëzim i mrekullueshëm përmban premtimin e mëposhtëm:

“Dhe gjithë shenjtorët të cilët kujtohen t’i zbatojnë dhe t’i bëjnë këto thënie, duke ecur me bindje ndaj urdhërimeve, do të marrin shëndet në kërthizën e tyre dhe palcë në kockat e tyre;

Dhe do të gjejnë urtësi dhe thesare të mëdha diturie, madje thesare të fshehura;

Dhe do të vrapojnë e nuk do të lodhen, dhe do të ecin e nuk do të këputen.” [DeB 89:18–20.]12

Miliarda dollarë harxhohen çdo vit për të blerë pije dehëse dhe duhan. Dehja dhe fëlliqësia që këto të liga i sjellin familjes njerëzore, po shkatërrojnë, jo vetëm shëndetin, por edhe strukturat mbrojtëse, morale dhe shpirtërore të njerëzimit.13

Familjet po shkatërrohen nga përdorimi në rritje i drogave të paligjshme dhe abuzimi i drogave të ligjshme.14

Ne nuk duhet t’ua vëmë veshin joshjeve dhe reklamimit keqdashës të gjërave që janë të dëmshme për trupin dhe të shpallura të papërdorshme nga Ati ynë në qiell dhe Biri i tij, Jezu Krishti, në kundërshtim me ungjillin që ata na kanë dhënë. …

Trupat tanë duhet të jenë të pastër. Të menduarit tonë duhet të jetë i pastër. Ne duhet të kemi në zemrat tona dëshirën për t’i shërbyer Zotit dhe për t’i zbatuar udhërimet e tij; për t’i kujtuar lutjet tona dhe për t’i kërkuar me përulësi këshillat që vijnë nëpërmjet udhëzimit të Shpirtit të Zotit.15

Pamja
Joseph Smith with a paper in his hand talking with men at the School of the Prophets about the Word of Wisdom. Some of the men are smoking or chewing tobacco. Emma Smith is holding a broom or mop.

Zoti ia zbuloi Fjalën e Urtësisë Profetit Jozef Smith për t’i ndihmuar shenjtorët të marrin forcë fizike dhe shpirtërore.

Respektimi i emrit të Hyjnisë

Ne duhet ta përdorim emrin e Hyjnisë me respektimin më të shenjtë dhe më solemn. Asgjë nuk është më shqetësuese apo nuk i trondit ndjenjat e një njeriu të kulturuar më shumë sesa të dëgjojë një farë krijese të pagdhendur, të paditur dhe të fëlliqur të hedhë e të presë emrin e Hyjnisë. Disa individë janë bërë kaq të përdhosur sa duket pothuajse e pamundur për ta që të thonë dy ose tri fjali pa theksimin – siç mendojnë ata – e një sharjeje vulgare apo blasfemuese. Ka disa individë gjithashtu të cilët duket që mendojnë … se ajo është një arritje burrërore dhe i ngre ata mbi rrjedhën e zakonshme të njerëzimit, nëse mund të përdorin gjuhë blasfemuese. … Fëlliqësia në çfarëdo lloj forme është prishëse dhe shkatërruese për shpirtin e duhet të shmanget si një helm vdekjeprurës nga të gjithë anëtarët e Kishës.

Tregime të mira shpesh janë rrënuar thjesht ngaqë autorët nuk e kanë kuptuar normën e përdorimit të emrave të shenjtë. Kur shprehje blasfemuese vendosen në gojën e personazheve që në të kundërt do të ishin të respektueshëm, në vend që ta lartësojnë tregimin, ato e pakësojnë vlerën dhe interesin e tij. … Sa e çuditshme është që disa njerëz, dhe njerëz të mirë madje, mendojnë se përdorimi i disa shprehjeve që përfshijnë emrin e Zotit, i shton interes, mençuri apo fuqi tregimeve të tyre! …

Më shumë se të gjithë popujt e tjerë në tokë, shenjtorët e ditëve të mëvonshme duhet t’i mbajnë me shenjtërinë dhe nderimin më të madh të gjitha gjërat që janë të shenjta. Njerëzit e botës nuk janë trajnuar siç jemi trajnuar ne në çështje të tilla, edhe pse ka shumë njerëz të ndershëm, të devotshëm ndaj fesë dhe të kulturuar në botë. Por ne kemi udhërrëfimin e Shpirtit të Shenjtë dhe zbulesën e Zotit dhe Ai na ka mësuar me solemnitet në vetë kohën tonë detyrën tonë në lidhje me të gjitha këto gjëra.16

Veshja me thjeshtësi dhe mbajtja e ligjit të dëlirësisë

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme nuk duhet t’i ndjekin modat dhe mungesën e thjeshtësisë së botës. Ne jemi njerëzit e Zotit. Ai pret që ne të jetojmë jetë të pastër, të virtytshme, t’i mbajmë mendimet tona të pastra dhe mendjen tonë të dëlirë dhe besnike në zbatimin e të gjitha urdhërimeve të tjera të tij. Përse duhet ta ndjekim botën, përse nuk mund të jemi të thjeshtë, përse nuk mund t’i bëjmë gjërat që Zoti do të na donte të bënim?17

Ndërsa eci përmes rrugëve për te Ndërtesa e Zyrave të Kishës dhe duke u kthyer prej saj, shoh si vajza të reja, ashtu edhe gra më të mëdha në moshë, shumë prej tyre “bija të Sionit”, që vishen pa thjeshtësi [shih Isaia 3:16–24]. E kuptoj se kohët dhe moda vërtet ndryshojnë. … [Por] parimi i thjeshtësisë dhe i hijeshisë është ende i njëjtë. … Standardet e shprehura nga Autoritetet e Përgjithshme të Kishës janë që gratë, po ashtu edhe burrat, duhet të vishen me thjeshtësi. Atyre u mësohet sjellje e duhur dhe thjeshtësi në të gjitha kohët.

Është, në gjykimin tim, një pasqyrim i trishtueshëm i “bijave të Sionit” kur ato vishen në mënyrë të pahijshme. Për më tepër, kjo vërejtje u përket si burrave ashtu edhe grave. Zoti i dha urdhërime Izraelit të lashtë që si burrat dhe gratë duhej t’i mbulonin trupat e tyre dhe ta zbatonin ligjin e dëlirësisë gjatë gjithë kohës.

Unë po bëj një kërkesë për thjeshtësi e dëlirësi dhe për të gjithë anëtarët e Kishës, meshkuj dhe femra njësoj, të jenë të dëlirë, të pastër në jetën e tyre dhe të bindur ndaj besëlidhjeve dhe urdhërimeve që Zoti na ka dhënë. …

… Veshja e rrobave të pahijshme, që mund të duket si çështje e vogël, u heq diçka të rejave ose të rinjve tanë në Kishë. Ajo thjesht e bën më të vështirë t’i mbajmë ato parime të përjetshme, sipas të cilave ne të gjithë duhet të jetojmë, në qoftë se duam të kthehemi në praninë e Atit tonë në qiell.18

2

Bekimet që u premtohen besnikëve janë shumë më të mëdha sesa kënaqësitë e përkohshme të botës.

[Një anëtar i Kishës njëherë tha se ai] nuk mund ta kuptonte krejtësisht kur pagonte të dhjetën e tij dhe zbatonte Fjalën e Urtësisë, bënte lutjet dhe përpiqej të ishte i bindur ndaj gjithë urdhërimeve që i kishte dhënë Zoti atij dhe përsëri i duhej të mundohej shumë për të siguruar një jetesë; ndërsa fqinji i tij e shkelte ditën e Shabatit, mendoj se pinte duhan dhe alkool; ai ia kalonte mirë siç do ta quante bota, ai nuk u kushtonte vëmendje mësimeve të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht dhe përsëri përparonte.

E dini, ne kemi një numër të madh anëtarësh të Kishës që e mendojnë atë herë pas here në zemrat e tyre dhe pyesin veten përse. Përse duket se ky njeri bekohet me të gjitha gjërat e mira të tokës – meqë ra fjala, shumë prej gjërave të këqija që ai mendon se janë të mira – dhe prapë kaq shumë anëtarë të Kishës janë duke u munduar, duke punuar me zell për ta çarë udhën e tyre nëpër botë.

Përgjigjja është një gjë e thjeshtë. Nëse unë ndonjëherë, dhe në të rrallë e bëj, shkoj në një ndeshje futbolli ose në një ndeshje bejsbolli apo ndonjë vend tjetër argëtimi, në mënyrë të pandryshueshme do të rrethohem nga burra dhe gra që po pijnë cigare ose puro apo llulla me erë të keqe. Bëhet shumë e mërzitshme dhe unë bezdisem pak. Unë do të kthehem nga Motra Smith dhe do t’i them diçka asaj dhe ajo do të thotë: “Pra, tani, ti e di se çfarë më ke mësuar. Ti je në botën e tyre. Kjo është bota e tyre.” Dhe kjo disi më sjell përsëri në vete. Po, ne jemi në botën e tyre, por nuk kemi pse të jemi të saj.

Kështu, përderisa kjo ku po jetojmë është bota e tyre, ata përparojnë, por, vëllezërit dhe motrat e mia të mira, botës së tyre po i vjen fundi. …

Dita do të vijë kur ne vërtet nuk do ta kemi këtë botë. Ajo do të ndryshohet. Ne vërtet do të marrim një botë më të mirë. Ne do të marrim një botë që është e drejtë, sepse kur të vijë Krishti, ai do ta pastrojë tokën.19

Nëse kërkojmë me zell, lutemi gjithmonë e jemi besimtarë dhe ecim me drejtësi, ne kemi premtimin e Zotit se të gjitha gjërat do të punojnë së bashku për të mirën tonë [shih DeB 90:24]. Ky nuk është një premtim se do të jemi të lirë nga shqetësimet dhe problemet e jetës, sepse kjo gjendje prove krijohet për të na dhënë përvojë dhe situata të vështira dhe ngatërruese.

Jeta kurrë nuk kishte për qëllim të ishte e lehtë, por Zoti na ka premtuar se ai do t’i bëjë të gjitha sprovat dhe vështirësitë të përfundojnë në të mirën tonë. Ai do të na japë forcë dhe aftësi për ta kapërcyer botën dhe për të qëndruar të vendosur në besim pavarësisht nga gjithë kundërshtimi. Është një premtim që ne do të kemi paqe në zemrat tona, pavarësisht nga trazirat dhe shqetësimet e botës. Dhe mbi të gjitha, është një premtim që kur të mbarojë kjo jetë, ne do të cilësohemi për paqe të përjetshme në praninë e Tij, fytyrën e të cilit e kemi kërkuar, ligjet e të cilit i kemi mbajtur zbatuar dhe të cilit kemi zgjedhur t’i shërbejmë.20

3

Ndërsa e vendosim mbretërinë e Perëndisë të parën në jetën tonë, ne veprojmë si drita në botë dhe japim një shembull që të ndiqet prej të tjerëve.

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme janë si një qytet i vendosur mbi një mal që nuk mund të fshihet dhe si qiriri që u bën dritë të gjithë atyre që janë në shtëpi. Është detyra jonë ta lejojmë dritën tonë të ndriçojë si një shembull në drejtësi, jo vetëm për njerëzit mes të cilëve jetojmë, por për njerëzit e të gjithë tokës. [Shih Mateu 5:14–16.]21

Ne dëshirojmë t’i shohim shenjtorët në çdo komb të marrin bekimet e plota të ungjillit dhe të qëndrojnë si udhëheqës shpirtërorë në kombet e tyre.22

Vëllezër dhe motra, le t’i zbatojmë urdhërimet e Perëndisë sikurse janë zbuluar. Le të japim shembullin për njerëzit e tokës, se ata, duke i parë punët tona të mira, mund të ndiejnë të pendohen dhe ta marrin të vërtetën e ta pranojnë planin e shpëtimit, që ata të mund të marrin shpëtim në mbretërinë çelestiale të Perëndisë.23

Lutem që shenjtorët vërtet do të qëndrojnë të vendosur ndaj trysnive dhe joshjeve të botës; që ata vërtet do të vendosin të parat në jetën e tyre gjërat e mbretërisë së Perëndisë; që ata sigurisht do të jenë të vërtetë ndaj çdo besimi dhe do të mbajnë çdo besëlidhje.

Lutem për brezin e ri dhe brezin që po rritet, që ata vërtet do t’i mbajnë mendjen dhe trupat e tyre të pastër – të lirë nga imoraliteti, nga abuzimi i drogës dhe nga shpirti i kryengritjes dhe i kundërshtimit të hapur ndaj mirësjelljes, që po e përfshin tokën.

Ati ynë, derdhe Shpirtin tënd mbi këta fëmijë të tu, që ata të mund të ruhen nga rreziqet e botës dhe të mbahen të pastër e të dëlirë, kandidatë të aftë për t’u kthyer në praninë tënde dhe për të jetuar me ty.

Dhe le të jetë kujdesi yt ruajtës me të gjithë ata që kërkojnë fytyrën tënde dhe që ecin përpara teje me integritetin moral të shpirtrave të tyre, që ata të mund të jenë drita për botën, mjete në duart e tua për të bërë të ndodhin qëllimet e tua në tokë.24

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Ndërsa lexoni “Nga Jeta e Jozef Filding Smithit”, mendoni rreth sfidave që të rinjtë hasin sot kur prindërit ose udhëheqësit e tyre të rritur nuk janë me ta. Çfarë mund të bëjmë për ta ndihmuar rininë që të qëndrojë besnike në situata të tilla?

  • Cilat janë disa bekime që na vijnë kur i zbatojmë urdhërimet e përmendura në pjesën 1?

  • Si mund t’i përdorni mësimet në pjesën 2 për ta ndihmuar dikë që është tërhequr nga gjërat e botës? Si mund të gjemë “paqe në zemrat tona, pavarësisht nga trazirat dhe shqetësimet e botës”?

  • Si mund t’i ndihmojnë shembujt tanë të tjerët që t’i braktisin udhët e botës? (Shih pjesën 3.) Kur e keni parë fuqinë e shembullit të drejtë? Mendoni për atë që mund të bëni për të dhënë një shembull të drejtë për familjen tuaj dhe për të tjerët.

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Mateu 6:24; Marku 8:34–36; Gjoni 14:27; Filipianëve 2:14–15; Moroni 10:30, 32

Ndihmë për Mësimdhënien

“Ju mund të shprehni dashuri për ata që u jepni mësim duke i dëgjuar me vëmendje dhe duke qenë sinqerisht të interesuar mbi jetën e tyre. Dashuria si e Krishtit ka forcën të zbusë zemra dhe t’i ndihmojë njerëzit të jenë pranues ndaj pëshpërimave të Shpirtit” (Teaching, No Greater Call, [1999], f. 46).

Shënime

  1. Joseph Fielding Smith Jr. dhe John J. Stewart, The Life of Joseph Fielding Smith (1972), f. 287–288.

  2. Në Conference Report, tetor 1955, f. 43–44.

  3. Në Conference Report, prill 1947, f. 60–61.

  4. “Our Responsibilities as Priesthood Holders”, Ensign, qershor 1971, f. 50.

  5. “President Joseph Fielding Smith Speaks to 14,000 Youth at Long Beach, California”, New Era, korrik 1971, f. 8.

  6. Në Conference Report, prill 1952, f. 27–28.

  7. “The Pearl of Great Price”, Utah Genealogical and Historical Magazine, korrik 1930, f. 104.

  8. “Our Responsibilities as Priesthood Holders”, f. 49–50.

  9. Në Conference Report, prill 1911, f. 86.

  10. Në Conference Report, prill 1957, f. 60–61.

  11. Në Conference Report, prill 1927, f. 111.

  12. Answers to Gospel Questions, përmb. Joseph Fielding Smith Jr., 5 vëll. (1957–1966), 1:199.

  13. “Be Ye Clean!” Church News, 2 tetor 1943, f. 4; shih edhe Doctrines of Salvation, red. Bruce R. McConkie, 3 vëll (1954–1956), 3:276.

  14. Në “Message from the First Presidency”, Ensign, janar 1971, f. 1.

  15. Në Conference Report, tetor 1960, f. 51.

  16. “The Spirit of Reverence and Worship”, Improvement Era, shtator 1941, f. 525, 572; shih edhe Doctrines of Salvation, 1:12–14.

  17. “Teach Virtue and Modesty”, Relief Society Magazine, janar 1963, f. 6.

  18. “My Dear Young Fellow Workers”, New Era, janar 1971, f. 5.

  19. Në Conference Report, prill 1952, f. 28.

  20. “President Joseph Fielding Smith Speaks on the New MIA Theme”, New Era, shtator 1971, f. 40.

  21. Në Conference Report, tetor 1930, f. 23.

  22. Në Conference Report, Konferenca e Përgjithshme e Zonës Britanike 1971, f. 6.

  23. Në Conference Report, prill 1954, f. 28.

  24. “A Witness and a Blessing”, Ensign, qershor 1971, f. 110.