Mësime të Presidentëve
Kapitulli 1: Ati Ynë në Qiell


Kapitulli 1

Ati Ynë në Qiell

“Është dëshira ime t’ju kujtoj lidhur me natyrën dhe llojin e qenies që Perëndia është, në mënyrë që ju të mund ta adhuroni atë në shpirt e të vërtetë dhe si rrjedhim të fitoni të gjitha bekimet e ungjillit të tij.”

Nga Jeta e Jozef Filding Smithit

Profeti Jozef Filding Smith u mahnit nga përparimet teknologjike të kohës së tij. “Përparim i madh është bërë në mekanikë, kimi, fizikë, operacionet mjekësore dhe gjëra të tjera”, tha ai. “Njerëzit kanë ndërtuar teleskopë të mëdhenj që kanë sjellë në pamje galaktikat e fshehura. Ata kanë zbuluar, me ndihmën e mikroskopit, botë të tëra mikroorganizmash. … Ata kanë zbuluar mënyra për të kontrolluar sëmundjet. … Ata kanë shpikur aparate më të ndjeshëm sesa prekja njerëzore, aparate që shohin shumë më larg se syri njerëzor. Ata i kanë kontrolluar elementët dhe kanë bërë makineri që mund të lëvizin malet, dhe shumë gjëra të tjera kanë bërë, tepër të shumta në numër për t’u përmendur. Po, kjo është një epokë e mrekullueshme.” Megjithatë, ai pati shqetësim rreth një prirjeje tjetër që pa në botë. Ai tha me keqardhje: “Të gjitha këto zbulime dhe shpikje nuk i kanë afruar njerëzit më pranë Perëndisë! As nuk krijuan në zemrat e tyre përulësi dhe shpirtin e pendimit, por përkundrazi, dënimin e tyre. … Besimi nuk është rritur në botë, as nuk është rritur drejtësia, as bindja ndaj Perëndisë.”1

Në dallim nga mospërfillja në rritje e botës ndaj Perëndisë, Presidenti Smith tregoi afërsi ndaj Atit të tij në Qiell. Një nga nipërit e tij kujtoi: “Nëna ime ishte kuzhiniere e shkëlqyer dhe gjyshi im hante shpesh në shtëpinë tonë. Mjaft shpesh ai do të ftohej nga babai im për të bërë një lutje për bekimin e ushqimin. Lutjet e tij ishin gjithmonë shumë personale – si të fliste me një mik.”2

Mësime të Jozef Filding Smithit

1

Duke filluar me Vegimin e Parë të Jozef Smithit, dituria e vërtetë për Perëndinë është rivendosur në kohën tonë.

Unë jam shumë mirënjohës për vegimin e parë, në të cilin Ati dhe Biri iu shfaqën një profeti djaloshar dhe përsëri i rivendosën njeriut diturinë e vërtetë për Perëndinë.3

Pamja
Joseph Smith in the Sacred Grove looking up at a light.

Nëpërmjet Vegimit të Parë të Jozef Smithit, u rivendos “dituria e vërtetë për Perëndinë”.

Duhet të sillet ndërmend që e tërë bota e krishterë në 1820-ën e kishte humbur doktrinën e vërtetë lidhur me Perëndinë. E vërteta e thjeshtë, që ishte kuptuar kaq qartë nga apostujt dhe shenjtorët e lashtë, kishte humbur në fshehtësitë e një bote që e kishte braktisur besimin. Të gjithë profetët e lashtë dhe apostujt e Jezu Krishtit kishin një të kuptuar të qartë se Ati dhe Biri ishin personazhe të veçuara, siç na mësojnë kaq qartë shkrimet tona të shenjta. Për shkak të braktisjes kjo dituri u humb. … Perëndia ishte bërë një mister dhe si Ati, ashtu dhe Biri u morën parasysh të jenë një personazh i vetëm, i panjohur shpirti, pa trup, pjesë trupore ose pasione. Ardhja e Atit dhe Birit vuri në tokë një dëshmi hyjnore, që ishte e mundur me anë të diturisë t’i rivendoste botës natyrën e vërtetë të Perëndisë.4

Vegimi i [parë] i Jozef Smithit e bëri të qartë se Ati dhe Biri janë personazhe të veçuara, që kanë trupa po aq të prekshëm sa dhe trupi i njeriut. Më tej iu zbulua atij se Fryma e Shenjtë është një personazh i Shpirtit, i veçantë dhe i veçuar nga personalitetet e Atit dhe Birit [shih DeB 130:22]. Kjo e vërtetë shumë e rëndësishme e shtangu botën; përsëri, kur marrim parasysh shprehjet e qarta të shkrimit të shenjtë, është një fakt shumë habitës dhe i mrekullueshëm që njeriu mund të kishte shkuar kaq larg në një rrugë të gabuar. Shpëtimtari tha: “Ati [im] është më i madh se unë” [Gjoni 14:28], dhe ai i ftoi dishepujt e tij, pas ringjalljes së tij, ta preknin dhe të shihnin se ishte ai, sepse, ai tha: “Një frymë nuk ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam”. [Lluka 24:39.] Apostujt qartësisht i kuptuan personazhet e dallueshme të Atit, Birit dhe Frymës së Shenjtë, të cilëve ata vazhdimisht u referohen në letrat e tyre; dhe Pali i njoftoi korintasit për faktin që, kur të gjitha gjërat i nënshtrohen Atit, “atëherë Biri vetë do t’i nënshtrohet Atij që i nënshtroi të gjitha, që Perëndia të jetë gjithçka në të gjithë”. [1 Korintasve 15:28.]

Jozef Smithi i pa Atin dhe Birin; si rrjedhim ai mundi të dëshmonte me dituri vetjake se ishin të vërteta shkrimet e shenjta, në të cilat ne lexojmë: “Kështu Perëndia krijoi njeriun simbas shëmbëlltyrës së vet, simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën”. [Zanafilla 1:27.] Kjo duhet të kuptohej fjalë për fjalë dhe jo si diçka e mistershme apo në kuptimin figurativ.5

2

Për të ushtruar besim në Perëndi dhe për ta adhuruar Atë, ne duhet të kemi një kuptueshmëri të karakteristikave të Tij.

Një nga zbulesat tona na tregon se, në qoftë se do të përlëvdohemi në Krishtin, si ai është në Atin, ne duhet të kuptojmë dhe të dimë se si të adhurojmë dhe çfarë adhurojmë. (Shih DeB 93:19–20.)

Është dëshira ime t’ju kujtoj lidhur me natyrën dhe llojin e qenies që Perëndia është, në mënyrë që ju të mund ta adhuroni atë në shpirt e të vërtetë dhe si rrjedhim të fitoni të gjitha bekimet e ungjillit të tij.

Ne e dimë se Perëndia njihet vetëm nëpërmjet zbulesës, se ai qëndron i zbuluar ose mbetet përgjithmonë i panjohur. Ne duhet t’i kërkojmë përgjigjet nga leximi i shkrimeve të shenjta – jo te shkencëtarët apo filozofët – nëse do të duam të mësojmë të vërtetën rreth Hyjnisë. Në të vërtetë, profecia e madhe e Gjonit rreth rivendosjes së ungjillit nga një engjëll, i cili duhet të fluturonte në mes të qiellit, thotë se kjo duhej të ndodhte me qëllim që njerëzit të mund të arrinin te një dituri për Perëndinë e vërtetë dhe t’u jepej mësim: “Druani Perëndinë dhe i jepni lavdi, … adhuroni atë që bëri qiellin, dheun, detin dhe burimet e ujërave”. (Zbulesa 14:7.) Me fjalë të tjera, duke filluar me rivendosjen e ungjillit në këtë periudhë ungjillore, njerëzit edhe njëherë do të thirreshin për ta adhuruar Krijuesin e tyre dhe për t’i shërbyer Atij dhe jo ideve të rreme për Hyjninë që mbizotërojnë në botë.

Në çdo epokë profetët e Zotit janë thirrur për ta luftuar adhurimin e rremë dhe për të shpallur të vërtetën rreth Perëndisë. Në Izraelin e lashtë gjendeshin ata që adhuruan figura e perëndi pagane dhe Isaia pyeti: “Kujt dëshironi [atëherë] t’i përngjajë Perëndia? dhe çfarë figure do t’i vinit përballë?

Nuk e di ti, vallë, nuk e ke dëgjuar? Perëndia i përjetësisë, Zoti, krijuesi i kufijve të tokës, nuk mundohet dhe nuk lodhet, zgjuarësia e tij është e panjohshme.” (Isaia 40:18, 28.)

Shumica e botës sot nuk e ka këtë dituri për Perëndinë dhe madje edhe në [Kishë] ka nga ata që nuk e kanë përsosur kuptueshmërinë e tyre për atë qenie të lavdishme, që është Ati ynë i Përjetshëm. Atyre pa këtë dituri ne fare mirë mund t’u themi: “Përse e kufizoni lavdinë e Perëndisë? Ose përse duhet të mendoni se ai është më pak nga ç’është? Nuk e dini ju? Nuk e keni dëgjuar, që Perëndia i përjetshëm, Zoti, Krijuesi i kufijve të tokës, është i pafundëm dhe i përjetshëm; që ai ka gjithë fuqinë, gjithë pushtetin dhe gjithë sundimin; që ai i di të gjitha gjërat dhe të gjitha gjërat janë të pranishme përpara fytyrës së tij?”

Në seksionin 20 të Doktrina e Besëlidhje, që e drejtoi Profetin Jozef Smith të organizonte Kishën përsëri në këtë periudhë ungjillore, ne kemi një përmbledhje të zbuluar të disa prej doktrinave bazë të shpëtimit. Sa për Hyjninë zbulesa thotë: “… ka një Perëndi në qiell, i cili është i pafundëm dhe i përjetshëm, nga përjetësia në përjetësi, i njëjti Perëndi i pandryshueshëm, formuesi i qiellit dhe i tokës dhe i gjithë gjërave që janë në to”. (DeB 20:17.) …

Perëndia është Ati ynë; ai është qenia sipas shëmbëlltyrës së të cilit u krijua njeriu. Ai ka një trup prej mishi e kockash, po aq të prekshëm sa edhe të një njeriu (DeB 130:22), dhe ai është ati i mirëfilltë dhe personal i shpirtrave të të gjithë njerëzve. Ai është i gjithëfuqishëm dhe i gjithëdijshëm; ai ka gjithë pushtetin dhe gjithë urtësinë; dhe përsosmëritë e tij përbëhen nga zotërimi i gjithë dijes, i gjithë besimit ose fuqisë, i gjithë drejtësisë, i gjithë gjykimit, i gjithë mëshirës, i gjithë së vërtetës dhe i plotësisë së të gjitha tipareve hyjnore. … Nëse ne do të kemi atë besim të përsosur, me anë të të cilit mund të fitojmë jetë të përjetshme, ne duhet ta besojmë Perëndinë si zotëruesin e plotësisë së të gjitha këtyre karakteristikave dhe tipareve. Unë them gjithashtu se ai është një qenie e pafundme dhe e përjetshme dhe si një qenie e pandryshueshme, ai zotëron këto fuqi dhe tipare të përsosura nga pafundësia në pafundësi, që do të thotë nga përjetësia në përjetësi.6

Ne e dimë se Ati ynë Qiellor është një personazh i përlëvduar, i ekzaltuar, i cili ka gjithë fuqinë, gjithë pushtetin e gjithë sundimin dhe se ai i di të gjitha gjërat. Ne dëshmojmë se ai, nëpërmjet Birit të tij të Vetëmlindur, është Krijuesi i kësaj toke dhe i botëve pa numër.7

3

Perëndia është një qenie e mëvetësishme dhe Ati i shpirtrave tanë.

Ne jemi fëmijët shpirtërorë të Perëndisë, Atit tonë Qiellor. … Ne jemi anëtarë të familjes së tij. … Ne jetuam me të për epoka të tëra në jetën tonë para lindjes. … Ai shuguroi një plan përparimi dhe shpëtimi, i cili do të na bënte në gjendje, nëse jemi besnikë dhe të vërtetë në të gjitha gjërat, të zhvillohemi dhe të përparojmë deri sa të bëhemi si ai.8

Ne na mësohet në Shkrimet e shenjta se Perëndia është fjalë për fjalë, dhe jo në një kuptim figurativ, vërtet Ati ynë i përjetshëm. Fjalët e Shëlbuesit tonë, të thëna Marisë pranë varrit nga i cili ai ishte ngritur dhe kishte arritur fitoren mbi vdekjen, janë më madhështoret dhe të mbushura me kuptimin e lavdishëm: “Mos më prek, sepse ende nuk u ngjita te Ati im; por shko te vëllezërit e mi dhe u thuaj atyre se unë po ngjitem tek Ati im dhe Ati juaj, te Perëndia im dhe Perëndia juaj”. [Gjoni 20:17.] Në këto fjalë, e vërteta e Atësisë së Perëndisë shqiptohet prerazi nga Biri i tij i vetëmlindur, i cili shpall se ai është Vëllai ynë dhe se ne kemi të njëjtin Atë të përjetshëm.9

Unë jam mirënjohës që dituria e Perëndisë dhe e ligjeve të tij është rivendosur në ditën tonë dhe që ne, të cilët jemi anëtarë të Kishës, e dimë se ai është një qenie e mëvetishme dhe jo, si disa anëtarë sektesh kanë thënë, “një grumbull, [një koleksion i çrregullt] i ligjeve që rrinë pezull si mjegull në univers”. Jam mirënjohës që ne e dimë se ai është Ati ynë në qiell, Ati i shpirtrave tanë, dhe se ai i shuguroi ligjet me anë të të cilave ne mund të zhvillohemi dhe të përparojmë, derisa të bëhemi si ai. Dhe jam mirënjohës që ne e dimë se ai është një qenie e pafundme dhe e përjetshme, i cili i di të gjitha gjërat e ka gjithë fuqinë, dhe përparimi i të cilit nuk qëndron në marrjen e më shumë diturie apo fuqie, jo në përsosjen e mëtejshme të tipareve të tij hyjnore, por në rritjen dhe shumëfishimin e mbretërive të tij.10

4

Ati Qiellor na do dhe interesohet për secilin prej nesh.

Më vjen në mendje një shprehje te Perla me Vlerë të Madhe, në vegimin e Moisiut, që u dha në një kohë kur Moisiu u çua në një mal tepër të lartë dhe e pa Perëndinë ballë për ballë e foli me të. Zoti i tregoi Moisiut “punën e duarve të tij” dhe Moisiu pa botën dhe gjithë fëmijët e njerëzve deri në brezat më të fundit. [Shih Moisiu 1:1–8, 27–29.]

Dhe Zoti i tha Moisiut:

“Sepse, vër re, ka shumë botë që janë shkatërruar me anë të fjalës së fuqisë sime. Dhe ka shumë që qëndrojnë tani, dhe të panumërueshme janë ato për njeriun; por të gjitha gjërat numërohen prej meje, sepse ato janë të miat dhe unë i njoh ato.

Dhe ndodhi që Moisiu i foli Zotit, duke thënë: Ji i mëshirshëm për shërbëtorin tënd, O Perëndi, dhe më trego lidhur me këtë tokë dhe banorët e saj, dhe gjithashtu qiejt, dhe atëherë shërbëtori yt do të jetë i kënaqur.

Dhe Zoti Perëndi i foli Moisiut, duke thënë: Qiejt, ata janë shumë dhe nuk mund të numërohen prej njeriut; por ata numërohen prej meje, sepse janë të mitë.” [Moisiu 1:35–37.]

… Në mendje të vjen mendimi që, pavarësisht nga numri i panumërueshëm i botëve dhe madhështia e madhe e shumë prej tyre, ato janë mjete për një qëllim dhe jo qëllimi vetë. Ati po krijon botë për qëllimin e popullimit të tyre – për të vendosur në to bijtë e tij dhe bijat e tij. Në seksionin 76 të Doktrina e Besëlidhje, ne vihemi në dijeni se nëpërmjet Birit të Perëndisë dhe përmes tij, “botët janë e u krijuan dhe banorët e tyre janë bij e bija të lindura të Perëndisë”. [DeB 76:24.]

Ne mësojmë nga këto shkrime të shenjta, prej të cilave kam lexuar, dhe nga zbulesa të tjera prej Zotit, se njeriu është më i rëndësishmi i të gjitha krijimeve të Atit tonë. Në të njëjtin vegim dhënë Moisiut, Ati tha: “Dhe ndërsa një tokë do të shkatërrohet dhe qiejt e saj, madje kështu do të vijë një tjetër; dhe nuk ka fund për veprat e mia, as për fjalët e mia. Sepse, vër re, kjo është vepra ime dhe lavdia ime – të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut”. [Moisiu 1:38–39.]

Nga ky varg, dhe vargje të tjera të shkrimeve të shenjta, them unë, ne mësojmë se puna e madhërishme e Atit është të bëjë të ndodhë shpëtimi i fëmijëve të tij, duke i dhënë secilit atë shpërblim që e meriton secili sipas veprave të tij. E ndiej me sigurinë më të madhe se Ati ynë në qiell është shumë më i interesuar për një frymë – një nga fëmijët e tij – sesa është e mundur që një atë tokësor mund të jetë për një nga fëmijët e tij. Dashuria e tij për ne është më e madhe se ç’mund të jetë dashuria e një prindi tokësor për pasardhësit e tij.11

Pamja
One oil painting depicting Moses late in his life with a white beard, holding a staff, and shielding his eyes, as he stands on a peet on Mr. Nebo looking at the promised land provided for the children of Israel. Signed on the lowere right corner. Signed and dated on the back along with the title.

Moisiu, këtu i paraqitur duke parë drejt tokës së premtuar, mori një vegim në të cilin mësoi për veprën dhe lavdinë e Perëndisë.

5

Ati Qiellor vajton për fëmijët e Tij të pabindur.

Ne mësojmë se kur Zoti i foli Enokut dhe i tregoi atij kombet e tokës e i shpjegoi natyrën e ndëshkimit, që duhet të bjerë mbi ta për shkeljen e tyre ndaj urdhërimeve të tij, se Zoti vajtoi dhe e tregoi hidhërimin e tij me lotë për mosbindjen e tyre. Për shkak të kësaj, Enoku u habit dhe mendoi se ishte e çuditshme që Zoti mund të vajtonte.

Ja ku është pjesa:

“Dhe ndodhi që Perëndia i qiellit hodhi vështrimin mbi pjesën e mbetur të popullit dhe vajtoi; dhe Enoku dha dëshmi për të, duke thënë: Si është e mundur që qiejt vajtojnë dhe i derdhin lotët e tyre si shi mbi malet?

Dhe Enoku i tha Zotit: Si është e mundur që ti mund të vajtosh, duke e parë që je i shenjtë dhe nga gjithë përjetësia në gjithë përjetësi?

Dhe po të ishte e mundur që njeriu të mund të numëronte pjesëzat e tokës, po, miliona tokë si kjo, nuk do të kishte fillim në morinë e krijimeve të tua; dhe perdet e tua ende janë të hapura; dhe përsëri ti je atje dhe kraharori yt është atje; dhe gjithashtu ti je i drejtë, je i mëshirshëm dhe i mirë përgjithmonë.” [Shih Moisiu 7:28–30.]

Dhe Zoti iu përgjigj: “… Vër re këta vëllezërit e tu; ata janë vepra e duarve të mia dhe unë ua dhashë atyre diturinë e tyre, në ditën që i krijova ata; dhe në Kopshtin e Edenit, i dhashë njeriut lirinë e tij për të zgjedhur;

Dhe vëllezërve të tu u kam thënë dhe gjithashtu u kam dhënë urdhërim që duhet të më zgjedhin mua, Atin e tyre; por, vër re, ata janë pa dhembshuri dhe e urrejnë vetë gjakun e tyre.” [Moisiu 7:32–33.]

Këto janë arsyet përse Zoti vajtoi dhe përse qiejt vajtuan.

U pyeta nga një vëlla një herë nëse një njeri mund të ishte i lumtur në mënyrë të përsosur në mbretërinë çelestiale, në qoftë se një nga fëmijët e tij nuk lejohej të hynte atje. I thashë atij se mendoja që çdo njeri, i cili ishte aq i pafat sa ta kishte një prej fëmijëve të tij të përjashtuar nga mbretëria çelestiale, sigurisht, do të kishte ndjenja hidhërimi për shkak të asaj gjendjeje; dhe ajo është pikërisht gjendja në të cilën është Ati ynë në qiell. Jo të gjithë fëmijët e tij janë të denjë për lavdinë çelestiale dhe shumë detyrohen të vuajnë zemërimin e tij për shkak të shkeljeve të tyre dhe kjo i shkakton Atit dhe tërë qiejve të pikëllohen dhe të vajtojnë. Zoti punon në përputhje me ligjin natyror. Njeriu duhet të shëlbehet në përputhje me ligjin dhe shpërblimi i tij duhet të bazohet në ligjin e drejtësisë. Për shkak të kësaj Zoti nuk do t’iu japë njerëzve atë që nuk e meritojnë, por do t’i shpërblejë të gjithë njerëzit sipas veprave të tyre.

… Unë kënaqem që Ati ynë në qiell, po të ishte e mundur, do t’i shpëtonte të gjithë njerëzit dhe do t’u jepte atyre lavdi çelestiale, që është plotësia e ekzaltimit. Por, ai i ka dhënë njeriut lirinë e tij të zgjedhjes dhe njeriu ka të njëjtën domosdoshmëri për t’iu bindur së vërtetës, sipas asaj që zbulohet me qëllim që të fitojë ekzaltimin e të drejtëve.12

6

Ati Qiellor e ka siguruar udhën e shëlbimit, në mënyrë që ne të mund të kthehemi sërish në praninë e Tij.

Kur Adami ishte në Kopshtin e Edenit, ai ishte në praninë e Perëndisë, Atit tonë. … Pasi u nxor jashtë nga Kopshti i Edenit, skena ndryshoi. Adami u dëbua nga prania e Atit për shkak të shkeljes së tij. Shkrimet e shenjta thonë se ai u bë i vdekur shpirtërisht – që do të thotë se, ai u la jashtë nga prania e Perëndisë.13

E di se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe se ai mori nga Ati i tij fuqinë për t’i shpëtuar njerëzit nga vdekja shpirtërore dhe fizike, të sjella në botë prej rënies së Adamit.14

Kishte vetëm një mënyrë për shëlbim, një mënyrë në të cilën zhdëmtimi mund të bëhej dhe trupi t’i rivendosej përsëri shpirtit; ajo ishte me anë të një shlyerje të pafundme dhe duhej të bëhej nga një qenie e përjetshme, dikush që nuk i nënshtrohej vdekjes dhe përsëri dikush që kishte fuqi të vdiste dhe që gjithashtu kishte fuqi mbi vdekjen. Dhe kështu, Ati ynë në qiell na dërgoi në botë Birin e tij, Jezu Krishtin, me jetë brenda vetes. Dhe ngaqë ai [Jezu Krishti] pati një nënë që kishte gjak në venat e saj, ai pati fuqinë për të vdekur. Ai mund t’ia dorëzonte trupin e tij vdekjes dhe më pas ta merrte atë përsëri. Më lejoni të lexoj vetë fjalët e tij: “Prandaj Ati [im] më do, sepse unë e lë jetën time që ta marr përsëri.

Askush nuk mund të ma heqë, por e lë nga vetja; unë kam pushtet ta lë e pushtet ta marr përsëri; ky është urdhri që kam marrë nga Ati im”. (Gjoni 10:17–18.)15

Nuk ishte kurrë qëllimi i Atit tonë në qiell që t’i linte njerëzit të kërkonin me të prekur dhe të ndienin rrugën e tyre në errësirë e pa ndonjë dritë për t’i udhëhequr ata dhe të priste që nën kushte të tilla, ta gjenin rrugën e tyre për t’u kthyer në mbretërinë e tij dhe në praninë e tij të shenjtë. Kjo nuk është mënyra e Zotit. Gjatë gjithë epokave që nga fillimi, Ati ynë në qiell ka treguar mirësinë e tij për fëmijët e tij dhe ka qenë i gatshëm për t’u dhënë atyre drejtim. Që nga kohët më të hershme qiejt janë hapur, Zoti u ka dërguar lajmëtarë nga prania e tij shërbëtorëve të caktuar në mënyrë hyjnore, burra që mbajnë autoritetin e priftërisë, të cilët janë porositur t’u mësojnë njerëzve parimet e Ungjillit, t’i paralajmërojnë njerëzit dhe t’u mësojnë atyre drejtësi; dhe këta burra e kanë marrë këtë dituri, këtë frymëzim dhe udhërrëfim nga këta lajmëtarë nga prania e Perëndisë. Kjo është e vërtetë për vetë periudhën tonë ungjillore. Nuk ka nevojë për njerëzit që t’i mbyllin sytë dhe të ndiejnë se nuk ka dritë vetëm kur ata mund të mbështeten tek arsyeja e tyre, sepse Zoti gjithmonë ka qenë i gatshëm për të udhëhequr, drejtuar dhe treguar udhën. Ai ka dërguar, siç kam thënë, lajmëtarë nga prania e tij. Ai ka dërguar zbulesë. Ai ka urdhëruar që fjala e tij të shkruhet, që ajo të botohet, në mënyrë që të gjithë njerëzit të mund ta dinë atë.16

Ju them juve dhe gjithë Kishës, dhe, për këtë arsye, të gjithë botës, që një Atë i hirshëm dhe i dashur u ka folur përsëri në këto ditë të fundit nga qielli shërbëtorëve të tij, profetëve.

Zëri i tij ka qenë një zë që i fton të gjithë njerëzit për të ardhur te Biri i tij i Dashur, për të mësuar për të, për të marrë pjesë në mirësinë e tij, për të marrë mbi vete zgjedhën e tij dhe për të punuar për shpëtimin e tyre me anë të bindjes ndaj ligjeve të ungjillit të tij. Zëri i tij ka qenë një zë i lavdisë dhe nderit, i paqes në këtë jetë dhe i jetës së përjetshme në botën që vjen.17

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Çfarë mendoni ju se e shtyn një njeri të jetë në gjendje që t’i lutet Perëndisë “si të fliste me një mik”? (“Nga Jeta e Jozef Filding Smithit”). Merrni parasysh mënyra se si mund ta forconi marrëdhënien tuaj me Atin tuaj Qiellor.

  • Presidenti Smith shprehu mirënjohjen e tij për Vegimin e Parë të Jozef Smithit, i cili rivendosi “diturinë e vërtetë për Perëndinë” (pjesa 1). Cilat janë disa të vërteta që i njihni rreth Perëndisë, Atit dhe Jezu Krishtit për shkak të Vegimit të Parë?

  • Nga karakteristikat e Perëndisë që Presidenti Smith përmend në pjesën 2, cilat janë më domethënëset për ju? Përse? Kur ushtroni besim në Atin tuaj Qiellor, si ju ndihmon njohja e karakteristikave të Tij?

  • Presidenti Smith dëshmoi: “Ne jemi fëmijët shpirtërorë të Perëndisë, Atit tonë Qiellor. … Ne jemi anëtarë të familjes së tij” (pjesa 3). Si ka ndikuar kjo e vërtetë te ju?

  • Në pjesët 4 dhe 5, çfarë shprehjesh ju ndihmojnë të ndieni dashurinë e Atit tuaj Qiellor për ju? Përse është e rëndësishme të kuptojmë se Perëndia na do dhe interesohet për ne individualisht? Si mund t’i ndihmojmë anëtarët e familjes dhe miqtë për ta ndier dashurinë e Tij?

  • Mendoni se çfarë ka bërë Ati Qiellor për t’ju ndihmuar të ktheheni në praninë e Tij (shih pjesën 6). Cilat janë ndjenjat tuaja kur mendoni rreth Atit Qiellor që dërgoi Birin e Tij të Dashur? Në çfarë mënyrash ju ka dërguar Ati Qiellor “dritë për t’ju udhëhequr”?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Gjoni 3:16; 17:3; 1 Nefi 11:17; Alma 30:44

Ndihmë për Mësimdhënien

“Ca si shumë prej mësimdhënies që zhvillohet në Kishë, bëhet në mënyrë kaq të ngurtë, është leksion. Ne nuk reagojmë fort mirë ndaj leksioneve në klasa. Ne reagojmë mirë në mbledhjen e sakramentit dhe në konferenca, por mësimdhënia mund të jetë dykahëshe në mënyrë që të mund të bëni pyetje. Mund të nxisni lehtë pyetje në klasë” (Boyd K. Packer, “Principles of Teaching and Learning”, Ensign, qershor 2007, f. 87).

Shënime

  1. Në Conference Report, prill 1943, f. 15–16.

  2. Dorëshkrim i pabotuar nga Hoyt W. Brewster Jr.

  3. Në Conference Report, prill 1930, f. 90.

  4. Answers to Gospel Questions, përmb. Joseph Fielding Smith Jr., 5 vëll. (1957–1966), 3:117.

  5. “Origin of the First Vision”, Improvement Era, prill 1920, f. 496–497; shih edhe Doctrines of Salvation, përsht. Bruce R. McConkie, 3 vëll. (1954–1956), 1:2–3.

  6. “The Most Important Knowledge”, Ensign, maj 1971, f. 2–3.

  7. “Out of the Darkness”, Ensign, qershor 1971, f. 2.

  8. Sealing Power and Salvation, Fjalimet e Vitit në Universitetin “Brigam Jang” (12 janar 1971), f. 2.

  9. “Purpose and Value of Mortal Probation”, Deseret News, seksioni i Kishës, 12 qershor 1949, f. 21; shih edhe Doctrines of Salvation, 1:1.

  10. “The Most Important Knowledge”, f. 3.

  11. Në Conference Report, prill 1923, f. 135–136. Vini në dukje se vegimi i Moisiut, i shënuar në Moisiu 1 është një shembull i Shpëtimtarit duke folur fjalët e Atit me anë të veshjes hyjnore të autoritetit (shih “The Father and the Son: A Doctrinal Exposition by the First Presidency and the Twelve”, Improvement Era, gusht 1916, f. 939; ribotuar në Ensign, prill 2002, f. 17). Teksti nga shkrimet e shenjta dhe komentet nga Jozef Filding Smith në këtë kapitull tregojnë se fjalët në Moisiu 1 përfaqësojnë mendjen dhe vullnetin e Perëndisë Atit.

  12. Në Conference Report, prill 1923, f. 136–137, 139. Shih gjithashtu shënimin 11 në këtë kapitull, i cili zbatohet gjithashtu për vegimin e Enokut të regjistruar te Moisiu 7.

  13. Në Conference Report, tetor 1953, f. 58.

  14. “A Witness and a Blessing”, Ensign, qershor 1971, f. 109.

  15. Në Conference Report, prill 1967, f. 122.

  16. Në Conference Report, tetor 1931, f. 15.

  17. “A Witness and a Blessing”, f. 109.