Mësime të Presidentëve
Kapitulli 23: Përgjegjësia Individuale


Kapitulli 23

Përgjegjësia Individuale

“Ne presim që anëtarët tanë kudo të mësojnë parime të sakta dhe ta qeverisin vetveten.”

Nga Jeta e Jozef Filding Smithit

Vëllai D. Artur Hejkok po ecte një ditë drejt Ndërtesës së Administratës së Kishës, kur pa se Presidenti Jozef Filding Smith po hapte derën anësore. Duke pasur nevojë të hynte në godinën ku punonte si sekretari i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, Vëllai Hejkok “nxitoi duke iu ngjitur shkallëve, dy ose tre njëherazi, për ta vendosur këmbën te dera përpara se të mbyllej. Ai mezi ia doli. Kur u fut brenda godinës, ai nxitoi përsëri që ta arrinte Presidentin Smith për të ecur me të drejt ashensorit. Ai i tha atij: ‘Shpresoj të mund të jem aq me fat sa të futem në qiell nëpërmjet derës që hapni ju’.” Në fillim Presidenti Smith nuk u përgjigj dhe Vëllai Hejkok u shqetësua se, në përpjekjen e tij për të bërë humor, ai kishte thënë diçka të gabuar. Por “kur iu afruan ashensorit, Presidenti Smith, me një ndriçim të shpejtë të syve, tha: ‘Tani, vëlla, mos i var asnjëherë shpresat tek ajo’!”1

Nëpërmjet predikimeve dhe veprimeve, Presidenti Smith në mënyrë të vazhdueshme na mësoi parimin që ai ndau me Vëllain Hejkok: Ai theksoi se, edhe pse shenjtorët e ditëve të mëvonshme me zellshmëri duhet t’i ndihmojnë të tjerët të marrin bekimet e ungjillit, shpëtimi është një përgjegjësi individuale. Ai gjithashtu i nxiti shenjtorët të bëheshin të mbështetur te vetja dhe të punonin pa përtuar në aktivitete materiale. “Ky është i gjithë qëllimi përse është jeta”, tha ai, “për ta zhvilluar aftësinë tonë dhe veçanërisht për të fituar vetëkontroll.”2

Jozef Filding Smithi mësoi të punonte kur ishte djalë i vogël. Babai i tij shpesh ishte larg shtëpisë, kështu që “ai e kaloi shumicën e fëmijërisë së tij duke bërë punën e një të rrituri”. Në fakt, ai ishte një punëtor kaq i zellshëm sa “padashur ai trashëgoi një punë më përpara se t’i duhej, kur në krenarinë djaloshare ai në fshehtësi moli një nga lopët e familjes për të vërtetuar se ishte në gjendje ta bënte atë dhe kështu puna iu caktua në mënyrë të përhershme”3.

Gatishmëria e tij për të punuar vazhdoi kur shërbeu një mision me kohë të plotë në Angli. E shoqja Luia i shkroi atij sa vijon, ndërkohë që ai ishte atje: “E di se ti e do detyrën shumë më tepër sesa e do kënaqësinë dhe kështu unë kam kaq shumë dashuri dhe besim sa e ndiej se ti je pothuaj aq pranë të qenit një i ri i përsosur sa është e mundur”4. Përveç plotësimit të detyrës së tij për t’u mësuar ungjillin të tjerëve, ai punoi shumë për ta mësuar vetë ungjillin. Në një letër që dërgoi në shtëpi, ai tregoi për përpjekjet e tij për të mësuar përmendësh një pjesë nga shkrimi i shenjtë: “Jam përpjekur gjithë ditën të mësoj një pjesë nga shkrimi i shenjtë dhe ende nuk e kam mësuar atë. Por jam i vendosur që ta mësoj atë përpara se të mbaroj së përpjekuri.”5

Presidenti Smith ua kaloi etikën e tij të punës fëmijëve të tij. Ai u tha atyre: “Njerëzit vdesin në shtrat. Dhe po ashtu vdes ambicia.” Me këtë parim në mendje, ai dhe bashkëshortja e tij siguruan që fëmijët të ngriheshin herët çdo mëngjes dhe të bënin pjesën e tyre për ta mbajtur shtëpinë të pastër dhe të rregullt. “Në një farë mënyre babit i dukej e pamoralshme të qëndronte shtrirë në shtrat pas orës gjashtë”, kujtoi njëri nga bijtë e tij. “Sigurisht unë e provova vetëm një herë. Babai u kujdes që të ishte vetëm një herë.”6 Presidenti Smith ndihmoi nëpër shtëpi gjithashtu. Kur ai dhe Luia sapo ishin martuar, ai bëri po aq shumë punë sa mundi për ndërtimin e shtëpisë së tyre të parë. Gjatë viteve, ai bëri shumicën e riparimeve të shtëpisë vetë, ndihmoi me gatimin dhe ndihmoi për të mbledhur frutat e stinës dhe për t’i konservuar ato në kavanozë.7

Vëllai Hejkok, i njëjti burrë që njëherë nxitoi ta ndiqte Presidentin Smith në Godinën e Administratës së Kishës, më vonë u bë sekretari personal i pesë presidentëve të Kishës, duke përfshirë Presidentin Smith. Në këtë bashkëpunim të ngushtë, ai pa përpjekjet e vazhdueshme të Presidentit Smith për ta përmirësuar veten shpirtërisht. Ai tha se shpesh, hynte në zyrën e Presidentit Smith dhe e gjente profetin duke studiuar shkrimet e shenjta ose duke lexuar një libër tjetër.8

Mësime të Jozef Filding Smithit

1

Zoti pret që ne të jemi të papërtuar në kërkimin e bekimeve materiale dhe shpirtërore.

Zoti i tha [Adamit]: “Do të hash bukën me djersën e ballit” [Zanafilla 3:19; shih edhe Moisiu 4:25] dhe gjatë gjithë epokave Zoti i ka bërë thirrje popullit të tij të jetë i zellshëm, t’i shërbejë atij me besnikëri, të punojë. …

Në ditët e hershme të Kishës në këto lugina [në Juta], theksim i madh u vu mbi zellin për punë nga Presidenti Brigam Jang dhe vëllezërit e tjerë dhe ishte i nevojshëm pasi kur paraardhësit tanë erdhën këtu nuk kishin asgjë. Ata duhej të punonin. Duhej të ishin të papërtuar. Ishte e nevojshme që t’i prodhonin gjërat që u nevojiteshin dhe, si rrjedhim, këshillë lidhur me të dhe në atë drejtim iu dha atyre vazhdimisht, që ata duhej të ishin të papërtuar. Ata u mësuan të mos ishin krenarë në zemrat e tyre. Ata u vendosën këtu ku mund të adhuronin Zotin, Perëndinë e tyre, dhe të zbatonin urdhërimet e tij. Atyre iu tha të ishin të përulur, po ashtu edhe të zellshëm. … O, do të doja të mund ta kujtonim atë. Më vjen keq që e kemi harruar. …

… Zoti tha: “Mos ji dembel, sepse ai që është dembel nuk duhet të hajë bukën, as duhet të veshë rrobat e punëtorit”. [DeB 42:42.] Ajo është një ide e mirë, e arsyeshme, apo jo? Përse duhet që një njeri dembel të marrë nga puna e punëtorit – kur dihet se ky njeri që është dembel, është në gjendje fizike që të punojë? Unë nuk kam asnjë lloj mirëkuptimi me ndonjë lloj lëvizjeje që ka si prirje të shkatërrojë njerëzillëkun duke i nxitur njerëzit të jenë dembelë dhe nuk shqetësohem se ç’moshë kanë ata. S’ka rëndësi se sa i moshuar është ai, nëse një njeri është i fortë fizikisht dhe i aftë për të kryer shërbime, ai duhet të kujdeset për veten e tij; atë që Zoti pret që ai të bëjë.

Zoti tha në një zbulesë tjetër:

“Dhe përsëri, në të vërtetë unë ju them se çdo burrë që është i detyruar të sigurojë për familjen e tij, duhet të sigurojë dhe në asnjë mënyrë nuk do ta humbasë kurorën e tij; dhe ai duhet të punojë në kishë. Çdo njeri duhet të jetë i zellshëm në gjithçka. Dhe dembeli nuk do të ketë vend në kishë, në qoftë se nuk pendohet dhe nuk i korrigjon mënyrat e tij.” [DeB 75:28–29.]

Kështu ajo është këshilla që Zoti i ka dhënë Kishës sot. Dhe kjo nuk duhet zbatuar vetëm në plugimin e fushave apo në korrjen dhe mbledhjen e të vjelave dhe në përfshirjen me zell në punë, por do të thotë që në të njëjtën mënyrë një njeri duhet të jetë i papërtuar në gjëra shpirtërore, si edhe në gjërat materiale me anë të të cilave ai siguron jetesën e tij.9

Ne ndodhemi këtu për një qëllim të madhërishëm. Ai qëllim nuk është të jetojmë 100 vjet, ose më pak, dhe t’i mbjellim fushat tona, të korrim të vjelat tona, të mbledhim fruta, të jetojmë në shtëpi dhe ta rrethojmë veten me gjërat e nevojshme të jetës së vdekshme. Nuk është ai qëllimi i jetës. Këto gjëra janë të nevojshme për ekzistencën tonë këtu dhe ajo është arsyeja pse duhet të jemi të papërtuar. Por sa vetë e harxhojnë kohën e tyre duke menduar se gjithçka ka në jetë, është që të grumbullojmë gjërat e kësaj bote, të jetojmë në rehati dhe ta rrethojmë veten me të gjitha lukset e privilegjet dhe kënaqësitë që jeta e vdekshme ka mundësi për të dhuruar dhe kurrë të mos mendojnë për ndonjë gjë më tej?

Shih, gjithë këto gjëra janë veçse bekime materiale. Ne hamë që të jetojmë. Ne vishemi për të qëndruar të ngrohtë dhe të mbuluar. Ne kemi shtëpi ku jetojmë për rehati dhe lehtësi, por duhet t’i shohim gjithë këto bekime si bekime materiale, të nevojshme ndërkohë që udhëtojmë përmes kësaj jete. Dhe kaq është vlera e tyre për ne. Ne nuk mund të marrim asnjë prej tyre me vete kur largohemi. Ari, argjendi dhe metalet e çmuara, që quhen pasuri, nuk kanë ndonjë dobi për njeriun, përveçse ato bëjnë të mundur që ai të kujdeset për veten dhe t’i plotësojë nevojat e tij këtu.10

Zoti … pret që të kemi dije për gjëra materiale, që ne të mund të kujdesemi për veten tonë materialisht; kështu ne mund të vihemi në shërbim të bashkënjerëzve tanë; dhe kështu ne mund ta çojmë mesazhin e ungjillit te fëmijët e tij të tjerë kudo nëpër botë.11

Pamja
A father and teenaged son are working together on a small motor in a home workshop

“Zoti … pret që të kemi dije për gjëra materiale.”

Qëllimi i të qenit tonë këtu është të bëjmë vullnetin e Atit, sikurse bëhet në qiell, të veprojmë me drejtësi në tokë, ta mposhtim ligësinë dhe ta nënshtrojmë atë nën këmbët tona, të fitojmë mbi mëkatin dhe mbi kundërshtarin e shpirtrave tanë, të ngrihemi mbi papërsosmëritë dhe dobësitë e njerëzimit të mjerë, të rënë, me anë të frymëzimit të Zotit dhe fuqisë së tij të shfaqur, dhe kështu të bëhemi shenjtorë dhe shërbëtorë të Zotit në tokë.12

2

Në fund të fundit ne jemi përgjegjës ndaj Zotit për zbatimin e detyrës sonë.

Ne po veprojmë sipas besimit dhe ndërgjegjes sonë; ju nuk jeni duke vepruar me mua, as me Presidencën e Kishës, por me Zotin. Unë nuk po veproj me njerëz që e respektojnë të dhjetën time – marrëdhëniet e mia janë me Zotin; ajo është, në lidhje me vetë sjelljen time në Kishë dhe në lidhje me vëzhgimin tim të ligjeve dhe rregullave të tjera të Kishës. Nëse dështoj në zbatimin e ligjeve të Kishës, unë jam përgjegjës ndaj Zotit dhe nuk do të kem përgjigje për të, së shpejti, për lënien time pas dore të detyrës dhe mund të më duhet t’i përgjigjem Kishës për shoqërimin tim. Nëse e bëj detyrën time, sipas kuptueshmërisë sime për kërkesat që Zoti më ka bërë mua, atëherë unë duhet të kem një ndërgjegje të paqortueshme. Duhet të kem kënaqësi në shpirtin tim se thjesht kam bërë detyrën time, siç e kuptoj atë, dhe sigurisht do t’i pranoj pasojat. Për mua, është një çështje midis meje dhe Zotit; kështu është me secilin prej nesh.

Ai, i cili dërgoi Birin e tij të Vetëmlindur në botë, për të plotësuar misionin që ai plotësoi, gjithashtu dërgoi çdo shpirt që po e dëgjon tingullin e zërit tim dhe me të vërtetë çdo burrë dhe grua në botë, për të plotësuar një mision, dhe ai mision nuk mund të plotësohet me anë të lënies pas dore, as me anë të mospërfilljes, as nuk mund të plotësohet me anë të paditurisë.

Ne duhet të mësojmë detyrimin nën të cilin jemi ndaj Zotit dhe ndaj njëri-tjetrit; këto gjëra janë thelbësore dhe ne nuk mund të përparojmë në gjëra shpirtërore, ne nuk mund të rritemi në dijen e Zotit ose në urtësi, pa i përkushtuar mendimet tona dhe përpjekjet tona ndaj vetë përmirësimit tonë, ndaj rritjes së vetë urtësisë dhe dijes sonë në gjërat e Zotit.13

Është kaq e lehtë për njerëzit t’ia hedhin fajin dikujt tjetër për vetë gabimet e tyre dhe kaq e lehtë për ne, për shkak të natyrës tonë njerëzore, të marrim merita kur gjëja që u plotësua është diçka që sjell kënaqësi dhe përfitim. Por ne kurrë nuk duam të pranojmë përgjegjësi për gabimet tona që nuk na kënaqin dhe kështu ne përpiqemi ta vendosim atë lloj përgjegjësie diku tjetër dhe mbi të tjerë. … Le t’i mbartim vetë përgjegjësitë tona dhe të mos përpiqemi t’i vendosim ato diku tjetër.14

3

Perëndia na ka dhënë liri zgjedhjeje dhe pret që ne të bëjmë gjithçka mundemi për veten tonë.

Liria e zgjedhjes [është] dhurata e madhërishme që Zoti ka dhuruar mbi çdo shpirt për të vepruar për veten, për të bërë vetë zgjedhjen e tij, për të qenë veprues me fuqi për të besuar dhe për ta pranuar të vërtetën dhe për të marrë jetë të përjetshme ose për ta hedhur poshtë të vërtetën dhe për të marrë brejtje të ndërgjegjes. Kjo është një nga dhuratat më të mëdha të Perëndisë. Çfarë do të ishim pa të, nëse do të ishim të detyruar ashtu si disa njerëz do të dëshironin t’i detyronin bashkënjerëzit e tyre për të bërë vullnetin e tyre? Nuk do të kishte shpëtim; nuk do të kishte shpërblime të drejtësisë; askush nuk mund të ndëshkohej për mungesën e besnikërisë, sepse njerëzit nuk do të ishin përgjegjës përpara Krijuesit të tyre.15

Jozef Smithi u pyet se si e qeverisi një popull kaq të madh dhe të ndryshëm sa shenjtorët e ditëve të mëvonshme. Ai u përgjigj: “Unë u mësoj atyre parime të drejta dhe ata qeverisin veten”.

Ky është parimi mbi bazën e të cilit ne veprojmë në Kishë. Ne presim që anëtarët tanë kudo të mësojnë parime të sakta dhe ta qeverisin vetveten.16

Pamja
Participants in a Mormon Helping Hands project in Brazil.

“Askush, me anë të ndonjë vendimi nga Ati, nuk është shtrënguar të bëjë mirë. … Secili mund të veprojë për vete.”

Kjo dhuratë e madhërishme e lirisë së zgjedhjes, që është privilegji i dhënë njeriut për ta bërë vetë zgjedhjen e tij, nuk është hequr kurrë dhe nuk do të hiqet kurrë. Është një parim i përjetshëm që i jep liri mendimi dhe veprimi çdo shpirti. Askush, me anë të ndonjë vendimi nga Ati, nuk është shtrënguar ndonjëherë të bëjë mirë; asnjë njeri nuk është detyruar ndonjëherë të bëjë keq. Secili mund të veprojë për vete. Ishte plani i Satanit që ta shkatërronte këtë liri të zgjedhjes dhe t’i detyronte njerëzit të bënin vullnetin e tij. Nuk do të kishte asnjë përvojë të kënaqshme pa këtë dhuratë të madhërishme. Njerëzit duhet të kenë privilegjin për të zgjedhur madje edhe nëse ata mund të ngrenë krye kundër dekretit hyjnor. Sigurisht shpëtimi dhe ekzaltimi duhet të vijnë nëpërmjet vullnetit të lirë, pa detyrim dhe nëpërmjet meritës individuale, me qëllim që të mund të dhurohen shpërblime të ndershme dhe shkelësit të mund t’i jepet dënimi i duhur.17

Ne besojmë se është me anë të hirit që shpëtohemi pas gjithçkaje që mund të bëjmë dhe se duke ndërtuar mbi themelin e shlyerjes së Krishtit, gjithë njerëzit duhet të punojnë për shpëtimin e tyre me frikë dhe duke u dridhur para Zotit [shih 2 Nefi 25:23; Mormoni 9:27].18

Është fakt i rëndësishëm, i treguar nëpërmjet veprimeve të drejtpërdrejta dhe në mënyrë të tërthortë në gjithë shkrimet e shenjta, se Perëndia ka bërë për njerëzit gjithçka që njerëzit nuk mund të bëjnë për veten për të siguruar shpëtim, por ai pret që njerëzit të bëjnë për veten gjithçka që kanë fuqi.

Me anë të këtij parimi, është në kundërshtim me urdhrin e qiellit, të krijuar përpara themelimit të tokës, për lajmëtarë të shenjtë, që kanë kaluar përmes ringjalljes ose lajmëtarë që i përkasin sferës qiellore, të vijnë në tokë dhe të kryejnë punë për njerëzit të cilën ata mund ta bëjnë për vetveten. …

Është gabim tepër i rëndë të besojmë se Jezusi bëri gjithçka për njerëzit, nëse ata veç do ta rrëfenin atë me gojën e tyre, dhe nuk ka asgjë tjetër për t’u bërë prej tyre. Njerëzit kanë punë për të bërë, në qoftë se duan të fitojnë shpëtim. Është në përputhje me këtë ligj të përjetshëm që engjëlli e drejtoi Kornelin te Pjetri [shih Veprat e Apostujve 10] dhe që Anania iu dërgua Palit [shih Veprat e Apostujve 9:1–22]. Ishte po ashtu në bindje ndaj këtij ligji që Moroni, i cili i kuptoi shkrimet në fletët e nefitëve, nuk e bëri përkthimin, por nën drejtimin e Zotit, i dha Jozef Smithit Urimin dhe Thumimin me anë të të cilëve ai ishte në gjendje ta plotësonte atë punë të rëndësishme me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë.19

4

Dy përgjegjësitë tona të mëdha janë të kërkojmë vetë shpëtimin tonë dhe të punojmë me zell për shpëtimin e të tjerëve.

Ne i kemi këto dy përgjegjësi të mëdha. … Së pari, të kërkojmë vetë shpëtimin tonë; dhe së dyti, detyra jonë për bashkëqeniet tona. Tani unë besoj se detyra ime e parë është, për aq sa shqetësohem në mënyrë individuale, të kërkoj vetë shpëtimin tim. Ajo është detyra juaj individuale fillimisht dhe kështu është me çdo anëtar të kësaj Kishe.20

Shqetësimi ynë i parë duhet të jetë vetë shpëtimi ynë. Ne duhet të kërkojmë çdo bekim të ungjillit për veten tonë. Ne duhet të pagëzohemi dhe të hyjmë në urdhrin e martesës çelestiale, me qëllim që të mund të bëhemi trashëgues të plotësisë së mbretërisë së Atit tonë. Më pas ne duhet të shqetësohemi për familjet tona, fëmijët tanë dhe paraardhësit tanë.21

Është … detyra jonë ta shpëtojmë botën, të vdekurit si edhe të gjallët. Ne po i shpëtojmë të gjallët që do të pendohen, duke predikuar ungjillin midis kombeve dhe duke mbledhur prej fëmijëve të Izraelit të ndershmit në zemër. Ne po i shpëtojmë të vdekurit duke shkuar në shtëpinë e Zotit dhe duke i kryer këto ceremoni – pagëzimin, vënien e duarve, konfirmimin dhe gjëra të tilla të tjera, sikurse kërkon Zoti prej nesh – në emër të tyre.22

Është detyra ime, sikurse është detyra juaj, vëllezërit dhe motrat e mia po ashtu – sepse përgjegjësia vendoset mbi ju gjithashtu – të bëjmë më të mirën që ndodhet brenda fuqisë sonë, dhe të mos shmangemi, por të përpiqemi me gjithë shpirtin tonë për t’i lartësuar thirrjet që na ka dhënë Zoti, për të punuar me zell për shpëtimin e vetë shtëpisë sonë, secilit prej nesh, dhe për shpëtimin e fqinjëve tanë, për shpëtimin e atyre që ndodhen larg. 23

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Çfarë ju lë mbresa rreth përpjekjeve të Presidentit Smith për t’i mësuar fëmijët e tij të punojnë? (Shih “Nga Jeta e Jozef Filding Smithit”.) Çfarë mund të bëjmë për t’i ndihmuar fëmijët të jenë më të përgjegjshëm?

  • Si e rrisin mësimet në pjesën 1 kuptimin tuaj për mbështetjen te vetja? Mendoni rreth asaj që mund të bëni për të qenë më të mbështetur te vetja.

  • Rishikoni këshillën në pjesën 2. Çfarë do të thotë për ju të jeni “përgjegjës ndaj Zotit”?

  • Presidenti Smith na mësoi: “Ne presim që anëtarët tanë kudo të mësojnë parime të sakta dhe ta qeverisin vetveten” (pjesa 3). Si mund të kenë familjet përfitim nga ky mësim? Si mund t’i udhëzojë ai kuorumet e priftërisë dhe Shoqatat e Ndihmës?

  • Në përpjekjet tona për t’u shërbyer të tjerëve, përse mendoni ju “shqetësimi ynë i parë duhet të jetë vetë shpëtimi ynë”? (Shih pjesën 4.)

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Filipianëve 2:12; 2 Nefi 2:14–16, 25–30; DeB 58:26–28

Ndihmë për Mësimdhënien

“Ndërsa jepni mësim nga ky libër, i ftoni të tjerët të shprehin mendimet e tyre, të bëjnë pyetje dhe ta mësojnë njëri-tjetrin. Kur marrin pjesë aktivisht, ata do të jenë më të përgatitur të mësojnë dhe të marrin zbulesë personale” (nga faqet VII në këtë libër).

Shënime

  1. Joseph Fielding Smith Jr. dhe John J. Stewart, The Life of Joseph Fielding Smith (1972), f. 358–359.

  2. Joseph Fielding Smith, në The Life of Joseph Fielding Smith, f. 10.

  3. Joseph Fielding Smith Jr. dhe John J. Stewart, The Life of Joseph Fielding Smith f. 51–52.

  4. Louie Shurtliff Smith, në The Life of Joseph Fielding Smith, f. 113.

  5. Joseph Fielding Smith, në The Life of Joseph Fielding Smith, f. 116.

  6. Në Joseph Fielding McConkie, “Joseph Fielding Smith”, në Leonard J. Arrington, red. The Presidents of the Church (1986), f. 336–337; shih edhe The Life of Joseph Fielding Smith, f. 217–221.

  7. Shih The Life of Joseph Fielding Smith, f. 12–13, 155–157; Francis M. Gibbons, Joseph Fielding Smith: Gospel Scholar, Prophet of God (1992), f. 202.

  8. Shih Jay M. Todd, “A Day in the Life of President Joseph Fielding Smith”, Ensign, korrik 1972, f. 5.

  9. Në Conference Report, prill 1945, f. 48–49.

  10. “Salvation for the Dead”, Utah Genealogical and Historical Magazine, prill 1926, f. 154–155; shih edhe Doctrines of Salvation, red. Bruce R. McConkie, 3 vëll. (1954–1956), 1:68–69.

  11. Fjalim tek Instituti i Fesë në Logan, Juta, 10 janar 1971, f. 2, Biblioteka Historike e Kishës; dorëshkrim i pabotuar.

  12. Në Conference Report, tetor 1969, f. 108.

  13. Në Conference Report, tetor 1969, f. 108.

  14. Në Conference Report, tetor 1932, f. 88.

  15. Në Conference Report, tetor 1949, f. 88.

  16. Në Conference Report, Konferencë e Përgjithshme e Zonës Britanike 1971, f. 6; shih edhe Teachings of Presidents of the Church: Joseph Smith (2007), f. 302.

  17. Answers to Gospel Questions, përmb. Joseph Fielding Smith Jr., 5 vëll. (1957–1966), 2:20.

  18. “Out of the Darkness”, Ensign, qershor 1971, f. 4.

  19. “Priesthood—Restoration of Divine Authority”, Deseret News, 2 shtator 1933, seksioni i Kishës, f. 4; shih edhe Doctrines of Salvation, 3:90–91.

  20. “The Duties of the Priesthood in Temple Work”, Utah Genealogical and Historical Magazine, janar 1939, f. 3; shih edhe Doctrines of Salvation, 2:145.

  21. Sealing Power and Salvation, Ligjëratat e Vitit të UBJ-së (12 janar 1971), f. 2.

  22. Në Conference Report, tetor 1911, f. 120; shih edhe Doctrines of Salvation, 2:192–193.

  23. Në Conference Report, prill 1921, f. 41.