Mësime të Presidentëve
Kapitulli 3: Plani i Shpëtimit


Kapitulli 3

Plani i Shpëtimit

“Ati ynë në qiell krijoi një plan të shpëtimit për fëmijët e tij shpirtërorë … për t’u dhënë atyre mundësi të zhvillohen dhe të përparojnë derisa ata të fitojnë jetë të përjetshme.”

Nga Jeta e Jozef Filding Smithit

Më 29 prill 1901, Elisa, motra 18-vjeçare e Jozef Filding Smithit, vdiq pas një sëmundjeje të gjatë. Jozefi sa po mbaronte një mision me kohë të plotë në Angli. Përgjigjja e tij ndaj lajmit të vdekjes së Elisës shfaqi dashurinë e tij për familjen e tij dhe dëshminë e tij për planin e shpëtimit. “Është një goditje e tmerrshme për të gjithë ne”, shënoi ai në ditarin e tij. “Nuk e kuptova sa e rëndë qe sëmundja e saj, edhe pse e dija se ajo ishte e sëmurë. Unë prisja vërtet ta takoja atë përsëri me pjesën tjetër të familjes në pak javë, por u bëftë vullneti i Perëndisë. Është në kohë të tilla që shpresat, të cilat na i paraqet ungjilli, janë më të mirëpriturat. Ne të gjithë do të takohemi përsëri në anën tjetër për të gëzuar kënaqësitë dhe bekimet e pranisë së njëri-tjetrit, atje ku lidhjet familjare nuk do të thyhen më, por ku ne të gjithë do të jetojmë për të marrë bekimet dhe për të kuptuar mëshirat e dhembshura të Atit tonë në qiell. Uroj që unë të eci gjithmonë në shtegun e së vërtetës dhe të nderoj emrin që mbaj, që takimet me të afërmit e mi të mund të jenë për mua me të vërtetë më të ëmblat dhe të përjetshme, është lutja ime e përulur.”1

Duke shërbyer si apostull dhe më vonë si President i Kishës, Presidenti Jozef Filding Smith në mënyrë të përsëritur dëshmoi për shpresën që vjen nëpërmjet të kuptuarit të ungjillit. Ai na mësoi: “Ne kemi planin e shpëtimit; ne administrojmë ungjillin; dhe ungjilli është shpresa e vetme e botës, udha e vetme që do të sjellë paqe në tokë dhe do të rregullojë padrejtësitë që gjenden në tërë kombet”.2

Mësime të Jozef Filding Smithit

1

Në botën e shpirtrave para lindjes, ne u gëzuam kur mësuam për planin e shpëtimit të Atit Qiellor.

Ne jemi të gjithë pjesëtarë të familjes së Atit tonë në Qiell. Ne jetuam dhe banuam me Të përpara se të hidheshin themelet e kësaj toke. E pamë fytyrën e Tij, e ndiem dashurinë e Tij dhe i dëgjuam mësimet e Tij, dhe Ai shuguroi ligjet me anë të të cilëve ne jemi në gjendje të zhvillohemi e të përparojmë dhe të fitojmë për veten tonë njësi të përjetshme familjare.3

Pamja
A galaxy in space.

“Ne jetuam dhe banuam me [Atin tonë në Qiell] përpara se të hidheshin themelet e kësaj toke.”

Ati ynë në qiell krijoi një plan të shpëtimit për fëmijët e tij shpirtërorë. Ky plan u hartua për t’i mundësuar ata të zhvillohen dhe të përparojnë, deri sa të fitojnë jetë të përjetshme, që është emri i llojit të jetës që jeton Ati ynë në Qiell. Ky plan është që të bëjë të mundur që fëmijët e Perëndisë të bëhen si ai dhe të kenë fuqinë e urtësinë dhe diturinë që ai zotëron.4

Ne mësojmë nga Perla me Vlerë të Madhe se pati një këshill të mbajtur në qiell, kur Zoti i thirri shpirtrat e fëmijëve të tij të dilnin përpara dhe u paraqiti atyre një plan, me anë të të cilit ata do të zbrisnin në këtë tokë, do të merrnin jetën e vdekshme dhe trupa fizikë, do të kalonin përmes një prove të vdekshmërisë dhe më pas do të shkonin në një ekzaltim më të lartë nëpërmjet ringjalljes, e cila do të sillej përmes shlyerjes së Birit të tij të Vetëmlindur, Jezu Krishtit [shih Moisiu 4:1–2; Abraham 3:22–28]. Mendimi i kalimit përmes vdekshmërisë dhe i pjesëmarrjes në të gjitha peripecitë e jetës tokësore, në të cilën ata do të fitonin përvoja përmes vuajtjes, dhembjes, hidhërimit, tundimit dhe fatkeqësisë, si edhe kënaqësitë e jetës në këtë ekzistencë të përditshme dhe më pas, nëse do të ishin besnikë, do të kalonin përmes ringjalljes në jetë të përjetshme në mbretërinë e Perëndisë, për t’u bërë si ai [shih 1 Gjonit 3:2], i mbushi ata me shpirtin e haresë dhe ata “lësh[uan] britma gëzimi”. [Shih Jobi 38:4–7.] Përvojën dhe diturinë e fituar në këtë jetë të vdekshme, ata nuk mund t’i gjenin në ndonjë mënyrë tjetër dhe marrja e një trupi fizik ishte thelbësore për ekzaltimin e tyre.5

2

Rënia e Adamit dhe Evës ishte pjesë e planit të Atit Qiellor.

Plani i shpëtimit, ose kodi i ligjeve, i cili njihet si ungjilli i Jezu Krishtit, u përshtat në qiejt, përpara se të hidhej themeli i botës. Atje u caktua që Adami, ati ynë, duhej të vinte në këtë tokë dhe të qëndronte në krye të të gjithë familjes njerëzore. Ishte pjesë e këtij plani të madh, që ai duhej të hante frutin e ndaluar dhe të binte, duke sjellë kështu vuajtje dhe vdekje në botë, madje për të mirën përfundimtare të fëmijëve të tij.6

Rënia ishte pjesë thelbësore e gjendjes së provës së vdekshme të njeriut. … Po të mos e kishin ngrënë frutin Adami dhe Eva, dhurata e madhërishme e vdekshmërisë nuk do të kishte ardhur tek ata. Për më tepër, ata nuk do të kishin pasur pasardhës dhe urdhërimi i madh, i dhënë atyre nga Zoti, nuk do të ishte përmbushur.7

Pamja
Adam and Eve walking together after leaving the Garden of Eden. There are storm clouds in the sky, and plant growth along the path they are walking. There is a waterfall in the background.

Rënia e Adamit dhe Evës “solli dhembje, solli hidhërim, solli vdekje; por … ajo solli bekime gjithashtu”.

Rënia e Adamit bëri të ndodhnin të gjitha peripecitë e vdekshmërisë. Ajo solli dhembje, solli hidhërim, solli vdekje; por nuk duhet ta heqim nga mendja faktin që ajo solli bekime gjithashtu. … Solli bekimin e diturisë e të kuptuarit dhe të jetës së vdekshme.8

3

Jezu Krishti e ofroi veten e Tij si një flijim për të na shpëtuar nga Rënia dhe nga mëkatet tona.

Shkelja e Adamit solli këto dy vdekje, shpirtëroren dhe fiziken – njeriu i dëbuar nga prania e Perëndisë dhe i bërë i vdekshëm dhe i nënshtruar ndaj të gjitha ligësive të mishit. Me qëllim që ai të kthehej përsëri, duhej të kishte një dëmshpërblim të ligjit të thyer. Drejtësia e kërkonte.9

Është më e natyrshmja dhe më e drejta që ai, i cili e bën të keqen, duhet të paguajë gjobën – të shlyejë për gabimet e tij. Si rrjedhim, kur Adami ishte shkelësi i ligjit, drejtësia kërkoi që ai, dhe askush tjetër, duhej të përgjigjej për mëkatin dhe ta paguante gjobën me jetën e tij. Por Adami, duke e thyer ligjin, u bë vetë i nënshtruar ndaj mëkatit dhe, duke qenë nën mallkim, nuk mund ta shlyente ose ta zhbënte atë që kishte bërë. As fëmijët e tij nuk mundeshin, sepse ata ishin gjithashtu nën mallkimin, dhe kërkohej një, i cili nuk i ishte nënshtruar mallkimit, për të shlyer për atë mëkat fillimtar. Për më tepër, meqë ne ishim të gjithë nën mallkim, ne ishim gjithashtu të pafuqishëm për të shlyer për mëkatet tona individuale. Si rrjedhim, u bë e nevojshme për Atin që të dërgonte Birin e tij të Vetëmlindur, i cili ishte i çliruar nga mëkati, për të shlyer për mëkatet tona, si edhe për shkeljen e Adamit, të cilën drejtësia e kërkonte të bëhej. Sipas kësaj, Ai e ofroi veten si flijim për mëkatet dhe, nëpërmjet vdekjes së tij në kryq, mori mbi vete si shkeljen e Adamit, ashtu dhe mëkatet tona individuale, në këtë mënyrë duke na shëlbuar nga rënia dhe nga mëkatet tona, me kushtin e pendimit.10

Është detyra jonë që të japim mësim për misionin e Jezu Krishtit. Përse erdhi ai? Çfarë bëri për ne? Si kemi pasur dobi ne? Çfarë i kushtoi atij që ta bënte atë? Përse i kushtoi jetën, po, më shumë se jetën e tij! Çfarë bëri ai përveç të gozhduarit në kryq? Përse u gozhdua atje? Ai u gozhdua atje që gjaku i tij të mund të derdhej për të na shëlbuar nga kjo gjobë, më e tmerrshmja që mund të vinte ndonjëherë, dëbimi nga prania e Perëndisë. Ai vdiq në kryq për të na kthyer përsëri, për t’i pasur trupat dhe shpirtrat tanë të ribashkuar. Ai na e dha atë privilegj. Në qoftë se ne vetëm do të besojmë në të dhe do t’i mbajmë urdhërimet e tij, ai vdiq për ne që të mund të merrnim heqje të mëkateve tona dhe të mos na kërkohej të paguanim gjobë. Ai pagoi çmimin. …

… Askush nuk mund të bënte atë që bëri ai për ne. Ai s’kishte pse të vdiste, ai mund të mos kishte pranuar. Ai e bëri vullnetarisht. E bëri, sepse ishte një urdhërim nga Ati i tij. Ai e dinte se cila do të ishte vuajtja; dhe përsëri, për shkak të dashurisë së tij për ne, ai ishte i gatshëm ta bënte atë. …

Ngulja e gozhdëve në duart e tij dhe në këmbët e Shpëtimtarit, ishte pjesa më e vogël e vuajtjes së tij. Ne e kemi zakon, mendoj unë, të ndiejmë, ose të mendojmë se vuajtja e tij e madhe ishte të gozhduarit në kryq dhe lënia i varur atje. Por, ajo ishte një periudhë në historinë e botës kur mijëra njerëz vuanin në atë mënyrë. Kështu vuajtja e tij, përsa i përket kryqit, nuk ishte më shumë se vuajtja e njerëzve të tjerë që ishin kryqëzuar po ashtu. Cila, atëherë, ishte vuajtja e tij e madhe? Dëshiroj që ne të mund ta ngulisim këtë fakt në mendjen e çdo anëtari të kësaj Kishe: Vuajtja e tij e madhe ndodhi madje përpara se ai të shkonte në kryq. Ishte në Kopshtin e Gjetsemanit, kështu na tregojnë shkrimet e shenjta, që gjaku pikoi nga çdo por i trupit të tij; dhe në agoninë e skajshme të shpirtit të vet, ai i thirri Atit të tij. Nuk ishin gozhdët që u ngulën në duart dhe këmbët e tij. Tani mos më pyesni se si u bë ajo, sepse nuk e di. Askush nuk e di. Ajo që dimë, është se në një farë mënyre ai mori mbi vete atë gjobë të skajshme. Ai mori mbi vete të gjitha shkeljet tona dhe pagoi një çmim, një çmim të mundimit.

Mendoni për Shpëtimtarin duke mbajtur barrën e bashkuar të çdo – mundimi – vetjak në një farë mënyre, të cilën ju them, unë nuk mund ta kuptoj; thjesht e pranoj – që i shkaktoi atij të vuante një agoni dhembjeje, e krahasuar me të cilën, ngulja e gozhdëve në duart dhe këmbët e tij ishte shumë e vogël. Ai i thirri në vuajtjen e Tij, Atit të Tij: “Në qoftë se është e mundur, largoje këtë kupë!” dhe ajo nuk do të largohej [shih Mateu 26:42; Marku 14:36; Lluka 22:42]. Më lini t’ju lexoj një ose dy fjalë këtu për çka thotë Zoti lidhur me atë:

“Pasi vër re, unë, Perëndia, i kam vuajtur këto gjëra për të gjithë, që ata të mos vuajnë nëse do të pendohen;

Por nëse nuk do të pendohen, ata duhet të vuajnë po aq sa unë;

Vuajtje që më bëri mua, madje Perëndi, më i madhi i të gjithëve, të dridhem për shkak të dhembjes e të më dalë gjak nga çdo por dhe të vuaj si në trup e në shpirt – dhe të dëshiroj që të mos e pi kupën e hidhur e të mpakem –

Megjithatë, lavdi i qoftë Atit dhe unë mora pjesë e i mbarova përgatitjet e mia për fëmijët e njerëzve”. [DeB 19:16–19.]

Kur e lexoj atë, ajo më bën të përulur. Dashuria e tij për njerëzimin, për botën, ishte kaq e madhe sa ai ishte i gatshëm të mbante një barrë që asnjë njeri i vdekshëm nuk mund ta mbante dhe të paguante një çmim të tmerrshëm që asnjë njeri tjetër nuk mund ta kishte paguar ndonjëherë, që ne të mund të shpëtonim.11

Pamja
Jesus Christ kneeling as He prays and atones in the Garden of Gethsemane. Christ is depicted wearing red and blue robes. He has His hands clasped and is resting them on a large rock. A small stream of light coming through the darkened and cloudy background shines on the face of Christ. Light emanates around Christ's head.

“Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, është figura qendrore në këtë plan të madhërishëm për përparim dhe shpëtim.”

Biri i Perëndisë [tha]: “Do të shkoj poshtë dhe do të paguaj çmimin. Do të jem Shëlbuesi dhe do t’i shëlbej njerëzit nga shkelja e Adamit. Do të marr mbi vete mëkatet e botës dhe do ta shëlbej ose shpëtoj çdo shpirt nga vetë mëkatet e tij, atë që do të pendohet.”12

Le ta ilustrojmë: Një burrë duke ecur përgjatë rrugës, ndodh të bjerë në një gropë kaq të thellë dhe të errët sa nuk mund të ngjitet në sipërfaqe dhe të rifitojë lirinë e tij. Si mund ta shpëtojë ai vetveten nga gjendja e tij e vështirë? Jo nëpërmjet ndonjë përpjekje nga ana e tij, sepse nuk ka ndonjë rrugë shpëtimi brenda në gropë. Ai thërret për ndihmë dhe një njeri shpirtmirë, duke i dëgjuar thirrjet e tij për ndihmë, nxiton që ta ndihmojë dhe duke zbritur një shkallë, i jep atij mënyrën me anë të së cilës mund të ngjitet përsëri në sipërfaqen e tokës. Kjo ishte pikërisht gjendja në të cilën Adami e vuri vetveten dhe pasardhësit e tij, kur hëngri frutin e ndaluar. Përderisa të gjithë njerëzit ishin së bashku në gropë, askush nuk mund ta arrinte sipërfaqen dhe t’i ndihmonte të tjerët. Gropa ishte dëbimi nga prania e Zotit dhe vdekja fizike, shpërbërja e trupit. Dhe ngaqë të gjithë njerëzit ishin të nënshtruar ndaj vdekjes, askush nuk mund ta siguronte mënyrën e shpëtimit.13

Shpëtimtari afrohet, duke mos qenë i nënshtruar ndaj gropës, dhe ul shkallën. Ai zbret në gropë dhe e bën të mundur që ne ta përdorim shkallën për të shpëtuar.14

Në mëshirën e tij të përjetshme, Ati i dëgjoi thirrjet e fëmijëve të tij dhe dërgoi Birin e tij të Vetëmlindur, i cili nuk ishte i nënshtruar ndaj vdekjes, as mëkatit, për të siguruar mënyrën e shpëtimit. Këtë ai e bëri nëpërmjet shlyerjes së tij të pafundme dhe ungjillit të përjetshëm.15

Mirënjohja e zemrave tona duhet të mbushet jashtë mase me dashuri dhe bindje për mëshirën e madhe dhe të dhembshur [të Shpëtimtarit]. Për atë që ai ka bërë, ne nuk duhet të dështojmë në bërjen e asaj që ai pret prej nesh. Ai na bleu me një çmim, çmimin e vuajtjes së tij të madhe dhe të derdhjes së gjakut të tij kur u flijua në kryq.16

4

Duke ndërtuar mbi themelin e Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne punojmë për shpëtimin tonë gjatë vdekshmërisë.

Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, është figura qendrore në këtë plan të madhërishëm për përparim dhe shpëtim.17

Duke ndërtuar mbi themelin e shlyerjes, plani i shpëtimit përbëhet nga pikat e mëposhtme:

Së pari, ne duhet të kemi besim në Zotin Jezu Krisht; ne duhet ta pranojmë atë si Birin e Perëndisë; ne duhet ta vendosim besimin tonë tek ai, të mbështetemi tek fjala e tij dhe të dëshirojmë të marrim bekimet që vijnë nga bindja ndaj ligjeve të tij.

Së dyti, ne duhet të pendohemi për mëkatet tona; ne duhet ta braktisim botën; ne duhet të marrim vendim në zemrat tona, pa dyshim, se do të jetojmë jetë hyjnore dhe të drejtë.

Së treti, ne duhet të pagëzohemi në ujë, nën duart e një administratori të ligjshëm, i cili ka fuqi të lidhë në tokë dhe të vulosë në qiell; ne duhet, nëpërmjet kësaj ordinance të shenjtë, të hyjmë në një besëlidhje për t’i shërbyer Zotit dhe për t’i mbajtur urdhërimet e tij.

Së katërti, ne duhet të marrim dhuratën e Frymës së Shenjtë; ne duhet të lindemi përsëri; ne duhet t’i kemi flakur mëkatin dhe paudhësinë nga shpirtrat tanë, si të ishte nga zjarri; ne duhet të fitojmë një krijim të ri me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë.

Së katërti, ne duhet të durojmë deri në fund; ne duhet t’i mbajmë urdhërimet pas pagëzimit; ne duhet të punojmë për shpëtimin tonë me frikë dhe duke u dridhur përpara Zotit; ne duhet të jetojmë në mënyrë të tillë që të fitojmë tiparet e perëndishmërisë dhe të bëhemi lloji i njeriut që mund të gëzojë lavdinë dhe mrekullitë e mbretërisë çelestiale.18

Tani unë dëshmoj se këto ligje, të cilave duhet t’u binden njerëzit që të fitojnë shpëtim, dhe të cilat përbëjnë ungjillin e Jezu Krishtit, u janë zbuluar në këtë kohë profetëve dhe apostujve dhe se ata tani administrohen nga kisha e tij, që ai e ka krijuar përsëri në tokë.19

Ne jemi, të gjithë ne këtu në këtë botë të vdekshme, në provë. Ne u dërguam këtu në radhë të parë për të fituar tabernakuj [trupa] për shpirtrat tanë të përjetshëm; së dyti, për t’u provuar me anë të sprovës, për të pasur shqetësim, si dhe gëzimin e lumturinë e shumtë që mund të fitohen nëpërmjet një besëlidhjeje të shenjtë të bindjes ndaj parimeve të përjetshme të ungjillit. Vdekshmëria, siç i njoftoi Lehi fëmijët e tij, është një “gjendje prove”. (2 Nefi 2:21.) Është këtu ku do të vihemi në provë dhe testohemi për të parë nëse ne, kur të largohemi nga prania e Atit tonë të Përjetshëm, por akoma të udhëzuar në udhën drejt jetës së përjetshme, do ta duam dhe nderojmë atë dhe do të jemi të vërtetë ndaj Birit të tij të Dashur, Jezu Krishtit.20

Ne erdhëm këtu për t’u testuar dhe për të përjetuar sprova, nëpërmjet ardhjes në kontakt me të ligën, ashtu edhe me të mirën. … Ati i ka lejuar Satanin dhe ushtritë e tij për të na tunduar, por nëpërmjet udhërrëfimit të Shpirtit të Zotit dhe urdhërimeve të dhëna nëpërmjet zbulesës, ne përgatitemi për të bërë zgjedhjen tonë. Nëse bëjmë të këqija, ne na është premtuar se vërtet do të ndëshkohemi; nëse bëjmë të mira, ne do të marrim vërtet shpërblimin e përjetshëm të drejtësisë.21

Kjo gjendje prove e vdekshme [është] një periudhë e shkurtër, thjesht një hapësirë e shkurtër që lidh përjetësinë e shkuar me përjetësinë e ardhshme. Përsëri ajo [është] një periudhë me rëndësi të pamasë. … Kjo jetë është periudha më jetike në ekzistencën tonë të përjetshme.22

5

Të gjithë njerëzit do ta marrin bekimin e ringjalljes nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.

Ne erdhëm në këtë botë për të vdekur. Ajo u kuptua përpara se ne të vinim këtu. Ajo është pjesë e planit, i tëri i diskutuar dhe i përshtatur përpara se njerëzit të vendoseshin në tokë. … Ne ishim të gatshëm dhe të përgatitur bënim atë udhëtim nga prania e Perëndisë në botën e shpirtrave për në botën e vdekshme, këtu për të vuajtur gjithçka që i përket kësaj jete, kënaqësitë e saj dhe hidhërimet e saj, dhe për të vdekur; dhe vdekja është po aq thelbësore sa dhe lindja.23

Vdekja fizike, ose vdekja e njeriut të vdekshëm, nuk është një ndarje e përhershme e shpirtit dhe e tabernakullit të mishit, pavarësisht nga fakti që trupi kthehet përsëri tek elementet, por është vetëm një ndarje e përkohshme që do të pushojë në ditën e ringjalljes, kur trupi do të thirret të dalë nga pluhuri për të jetuar përsëri, i kontrolluar prej shpirtit. Ky bekim u vjen të gjithë njerëzve nëpërmjet shlyerjes së Krishtit, pavarësisht nga mirësia ose ligësia e tyre ndërkohë që ishin në vdekshmëri. Pali tha se do të kishte një ringjallje si të të drejtëve edhe të të padrejtëve (Veprat e Apostujve 24:15) dhe Shpëtimtari tha se të gjithë ata që ishin në varret e tyre, duhet ta dëgjonin zërin e tij dhe duhet të vinin “ata që kanë bërë të mira, në ringjallje të jetës, dhe ata që kanë bërë të liga, në ringjalljen e dënimit” (Gjoni 5:29).24

Çdo pjesë thelbësore e çdo trupi do të rivendoset në vendin e saj të duhur përsëri në ringjallje, pavarësisht se ç’mund të bëhet me trupin në vdekje. Nëse digjet nga zjarri, e hanë peshkaqenët, pavarësisht se ç’mund të bëhet. Çdo pjesë thelbësore e tij do të rivendoset në vendin e duhur.25

Shpirtrat nuk mund të bëhen të përsosur pa trupin prej mishi dhe kockash. Ky trup dhe shpirti i tij sillen në pavdekshmëri dhe në bekimet e shpëtimit nëpërmjet ringjalljes. Pas ringjalljes nuk do të ketë më ndarje përsëri, trupi dhe shpirti bëhen të lidhur në mënyrë të pandarë, që njeriu të mund të marrë një plotësi të gëzimit. Në asnjë mënyrë tjetër, përveç nga lindja në këtë jetë dhe ringjallja, mund të bëhen shpirtrat të ngjashëm me Atin tonë të përjetshëm.26

6

Besnikët do të trashëgojnë jetë të përjetshme me familjet e tyre në praninë e Atit Qiellor.

Disa njerëz trashëgojnë pasuri nëpërmjet punës së etërve të tyre. Disa njerëz nëpërmjet trashëgimisë ngrihen në frone, në fuqi dhe pozitë në botë, mes bashkëqenieve të tyre. Disa kërkojnë si trashëgimi dituri dhe famë të botës, nëpërmjet zbatimit të punës dhe këmbënguljes së tyre vetjake; por ka një trashëgimi që është më e vlefshme se të gjitha, ajo është trashëgimia e ekzaltimit të përjetshëm.

Shkrimet e shenjta thonë se jeta e përjetshme – që është jeta që zotërohet nga Ati ynë i Përjetshëm dhe Biri i tij, Jezu Krishti, – është dhurata më e madhe e Perëndisë [shih DeB 14:7]. Atë do ta marrin vetëm ata, të cilët janë të pastruar nga i gjithë mëkati. Ajo u premtohet atyre, “të cilët kanë sukses nëpërmjet besimit dhe vulosen me anë të Shpirtit të Shenjtë të premtimit, që Ati e derdh mbi të gjithë ata që janë të drejtë dhe të vërtetë. Janë ata që janë kisha e të Parëlindurit. Janë ata, në duart e të cilëve Ati ka dhënë gjithçka.” [DeB 76:53–55; shih edhe vargun 52.]27

Ky plan i shpëtimit është i përqendruar te familja. … [Ai] krijohet për të na bërë të aftë të krijojmë njësi familjare të përjetshme për veten tonë.28

Ata të cilët marrin ekzaltimin në mbretërinë çelestiale, do të kenë “vazhdimësi [të] farës përherë”. Ata do të jetojnë brenda marrëdhënies familjare.29

Ne mësohemi në ungjillin e Jezu Krishtit se organizimi familjar do të jetë, për aq sa merret parasysh ekzaltimi çelestial, një organizim që është i plotë, një organizim i lidhur nga babai, nëna dhe fëmijët e një brezi me babanë, nënën dhe fëmijët e brezit pasues dhe kështu duke u zgjeruar dhe duke u shpërndarë deri në mbarim të kohës.30

Këto bekime të lavdishme të trashëgimisë së përjetshme … nuk vijnë, përveçse nëpërmjet gatishmërisë për të mbajtur urdhërimet dhe madje për të vuajtur me Krishtin, në qoftë se do të nevojitet. Me fjalë të tjera, kandidatët për jetë të përjetshme – dhuratën më të madhe të Perëndisë – pritet të vendosin gjithçka kanë në altar, nëse do të kërkohet, sepse edhe atëherë, edhe po t’u kërkohet të japin jetën e tyre për kauzën e tij, ata nuk mund ta paguajnë atë kurrë për bekimet e bollshme, që merren dhe u premtohen mbi bazën e bindjes ndaj ligjeve dhe urdhërimeve të tij.31

Kur kemi dalë nga bota dhe e kemi marrë ungjillin në plotësinë e tij, ne jemi kandidatë për lavdinë çelestiale; jo, ne jemi më shumë se kandidatë, në qoftë se jemi besnikë, sepse Zoti na ka dhënë sigurinë se, nëpërmjet besnikërisë sonë, ne do të hyjmë në mbretërinë çelestiale. …

… Le të jetojmë në mënyrë të tillë që do të jemi vërtet të siguruar për vendin tonë dhe kështu të mund të dimë, nëpërmjet jetës që jetojmë, se do të hyjmë në praninë e Tij dhe do të jetojmë me Të, duke marrë plotësinë e bekimeve që janë premtuar. Kush mes shenjtorëve të ditëve të mëvonshme do të kënaqet me ndonjë gjë që nuk është plotësia e shpëtimit që na premtohet? … Është e nevojshme për ne, në përulësinë tonë dhe në shpirtin e pendimit, të ecim gjithnjë përpara; duke i mbajtur urdhërimet deri në fund, sepse shpresa jonë dhe qëllimi ynë është jeta e përjetshme dhe ajo është jeta në praninë e Atit dhe të Birit; “Kjo është jeta e përjetshme”, tha Zoti, “të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar”. [Gjoni 17:3.]32

Unë qëndroj tani, në atë që mund ta quaj mugëtira e jetës, me kuptueshmërinë se në një ditë jo shumë të largët, unë do të thirrem që të jap llogari për kujdestarinë time të vdekshme. …

Jam i sigurt se ne të gjithë e duam Zotin. Unë e di se ai jeton dhe mezi pres atë ditë kur unë do ta shoh fytyrën e tij dhe shpresoj të dëgjoj zërin e tij të më thotë: “Eja, [i] bekuar [i] Atit tim; merr në trashëgim mbretërinë që u bë gati për [ty] që nga krijimi i botës”. (Mateu 25:34.)

Dhe unë lutem që ky të mund të jetë fati i lumtur për të gjithë ne, në kohën tonë të duhur.33

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Ndërsa lexoni fjalët nga ditari në pjesën “Nga Jeta e Jozef Filding Smithit”, mendoni për një kohë kur ju gjetët ngushëllim në dëshminë tuaj për planin e shpëtimit. Si mund ta ndihmoni një anëtar të familjes ose një mik për të marrë ngushëllim të tillë?

  • Si mund të na ndihmojnë mësimet e Presidentit Smith rreth këshillit në qiell, kur përballemi me sprova? (Shih pjesën 1.)

  • Presidenti Smith na mësoi se “nuk duhet të humbasim nga mendja faktin që [Rënia e Adamit dhe Evës] solli bekime” (pjesa 2). Përse mendoni se është e rëndësishme ta kujtoni këtë të vërtetë? Cilat janë disa bekime që keni marrë si pasojë e Rënies?

  • Në pjesën 3, si lidhet me jetën tonë shembulli i Presidentit Smith për një njeri që ra në gropë? Mendoni lidhur me mënyrën se si Shpëtimtari ju ka shpëtuar nëpërmjet Shlyerjes së Tij.

  • Çfarë sugjerojnë fjalët e Presidentit Smith në pjesën 4 lidhur me qëllimin e jetës sonë në tokë? Çfarë na ka dhënë Zoti për të na ndihmuar të kalojmë me siguri përmes kësaj kohe të testimit?

  • Si mund ta ndihmoni dikë të kuptojë deklaratën e Presidentit Smith në pjesën 5 se “vdekja është po aq thelbësore sa edhe lindja”? Si ka ndikuar në jetën tuaj doktrina e ringjalljes?

  • Në çfarë mënyrash është pasuria e botës e ndryshme nga “trashëgimia e përjetshme” që mund të marrim nëpërmjet planit të shpëtimit? (Shih pjesën 6.) Si mund të na ndihmojë të kuptuarit e këtyre ndryshimeve për t’u përgatitur për jetë të përjetshme?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Jobi 38:4–7; 2 Nefi 2:15–29; 9:5–27; Alma 12:20–35; DeB 19:16–19; Moisiu 5:10–12

Ndihmë për Mësimdhënien

“Që të na ndihmojë të japim mësim nga shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve të ditëve të mëvonshme, Kisha ka prodhuar manuale mësimi dhe materiale të tjera. Është e paktë nevoja për material komentues ose materiale të tjera referimi” (Teaching, No Greater Call: A Resource Guide for Gospel Teaching [1999], f. 52).

Shënime

  1. Në Joseph Fielding Smith Jr. dhe John J. Stewart, The Life of Joseph Fielding Smith (1972), f. 117–118.

  2. “To the Saints in Great Britain”, Ensign, shtator 1971, f. 4.

  3. Në “Pres. Smith Tells of Parents’ Duty”, Church News, 3 prill 1971, f. 10.

  4. Fjalim i mbajtur në Institutin e Fesë në Logan, Juta, 10 janar 1971, f. 3; dorëshkrim i pabotuar.

  5. “Is Man Immortal?” Improvement Era, shkurt 1916, f. 318; shih edhe Doctrines of Salvation, red. Bruce R. McConkie, 3 vëll. (1954–1956), 1:58.

  6. Elijah the Prophet and His Mission dhe Salvation Universal (1957), f. 65–66.

  7. Në Conference Report, tetor 1966, f. 59.

  8. “Principles of the Gospel: The Infinite Atonement – Redemption, Salvation, Exaltation”, Deseret News, seksioni i Kishës, 22 prill 1939, f. 3; shih edhe Doctrines of Salvation, 1:115.

  9. “The Atonement”, Deseret News, seksioni i Kishës, 2 mars 1935, f. 7; shih edhe Doctrines of Salvation, 1:122.

  10. Elijah the Prophet and His Mission dhe Salvation Universal, f. 79–80.

  11. Seek Ye Earnestly, përmb. Joseph Fielding Smith Jr. (1970), f. 118–120.

  12. “Principles of the Gospel: The Infinite Atonement—Redemption, Salvation, Exaltation”, f. 5; shih edhe Doctrines of Salvation, 1:123.

  13. Elijah the Prophet and His Mission dhe Salvation Universal, f. 80–81.

  14. “Principles of the Gospel: The Infinite Atonement—Redemption, Salvation, Exaltation”, f. 5; shih edhe Doctrines of Salvation, 1:123.

  15. Elijah the Prophet and His Mission dhe Salvation Universal, f. 81.

  16. “Purpose and Value of Mortal Probation”, Deseret News, seksioni i Kishës, 12 qershor 1949, f. 21; shih edhe Doctrines of Salvation, 1:132.

  17. Fjalim i mbajtur në Institutin e Fesë në Logan, Juta, 10 janar 1971, f. 3; dorëshkrim i pabotuar.

  18. “The Plan of Salvation”, Ensign, nëntor 1971, f. 5.

  19. “I Know That My Redeemer Liveth”, Ensign, dhjetor 1971, f. 26.

  20. Në Conference Report, prill 1965, f. 11.

  21. Në Conference Report, prill 1964, f. 107–108.

  22. “Purpose and Value of Mortal Probation”, f. 21; shih edhe Doctrines of Salvation, 1:69.

  23. Në “Services for Miss Nell Sumsion”, Revista Gjenealogjike dhe Historike e Jutas, janar 1938, f. 10–11.

  24. “What Is Spiritual Death?” Improvement Era, janar 1918, f. 191–192; shih edhe Doctrines of Salvation, 2:216–217.

  25. Answers to Gospel Questions, përmb. Joseph Fielding Smith Jr., 5 vëll. (1957–1966), 5:103; shkrimi kursiv i hequr.

  26. “The Law of Chastity”, Improvement Era, shtator 1931, f. 643; shih edhe Doctrines of Salvation, 2:85–86.

  27. The Way to Perfection (1931), f. 21–22.

  28. Sealing Power and Salvation, Fjalimet e Vitit në Universitetit “Brigam Jang” (12 janar 1971), f. 2.

  29. Letërkëmbim vetjak, i cituar në Doctrines of Salvation, 2:287; shkrimi kursiv i hequr.

  30. Në Conference Report, prill 1942, f. 26; shih edhe Doctrines of Salvation, 2:175.

  31. The Way to Perfection, f. 23.

  32. Në Conference Report, prill 1922, f. 61–62.

  33. “Let the Spirit of Oneness Prevail”, Ensign, dhjetor 1971, f. 136.