Mësime të Presidentëve
Kapitulli 14: Dhurata e Frymës së Shenjtë


Kapitulli 14

Dhurata e Frymës së Shenjtë

“Ne, pas pagëzimit dhe konfirmimit, mund të bëhemi shoqërues të Frymës së Shenjtë, i cili do të na mësojë udhët e Zotit, do të na gjallërojë mendjen dhe do të na ndihmojë të kuptojmë të vërtetën.”

Nga Jeta e Jozef Filding Smithit

Presidenti Jozef Filding Smith na mësoi se çdo anëtar besnik i Kishës “ka të drejtë të marrë zbulesa që janë të volitshme e të domosdoshme për udhëheqjen e tij [apo të saj] në mënyrë individuale”1. Ai gjithmonë e kërkoi këtë udhëheqje vetjake, veçanërisht në përpjekjet për t’i mësuar e për t’i mbrojtur bijtë dhe bijat e tij. Plaku Frensis M. Gibons, i cili shërbeu si sekretar për Presidencën e Parë, tregoi përvojën në vijim, siç ia tha biri i Presidentit Smith, Rejnoldsi (i mbiquajtur Rejni).

“Rejni i tha në mirëbesim se kishte vënë cigare në gojë vetëm një herë në jetën e tij dhe atëherë vetëm për një çast të shkurtër. Kjo ndodhi kur ishte nxënës në Shkollën e Mesme Rusvelt Xhunior, në Solt-Lejk-Siti. Hyrja [e shkollës] ishte në anë të një rruge të qetë që kishte shumë pak lëvizje automjetesh. Atë ditë Rejni sapo kishte dalë nga hyrja ballore e shkollës me një shok që pinte duhan, i cili e kishte nxitur, siç pati bërë shpeshherë, të ‘provonte vetëm një’. Në këtë rast shoku ia doli mbanë. Rejni e mori një cigare dhe e ndezi. Pas disa tymosjesh të cigares, kush duhej të ndalonte buzë trotuarit me makinën e tij, përveçse babai i Rejnit. Duke ulur xhamin e dritares, Plaku Smith i tha të birit të shtangur: ‘Rejnolds, dua të flas me ty sonte pas darkës’, dhe ngau tutje. Rejni bëri të ditur: ‘Kur babai më thirri Rejnolds, e dija se e kishte seriozisht’. Plaku Smith e la Rejnin të mendohej për fajin e tij gjatë pasdites së mbetur dhe gjatë vaktit të darkës, kur ai, çuditërisht, pati pak për të thënë. Më pas, ulur me siklet në studion e babait, … Rejnoldsi u përball me gjykimin. Ajo që ai mori ishte thjesht një leksion dashamirës e i përzemërt për të këqijat e ‘atij zakoni të fëlliqur’ dhe një kujtesë se kush ishte ai dhe se si pasqyrohej sjellja e tij mbi të gjithë familjen. Kjo përfundoi me kërkesën që Rejni të premtonte se kurrë nuk do të vinte më cigare në gojë. Rejni e bëri premtimin. ‘Nuk ndodhi kurrë më’, tha ai. Gjatë gjithë viteve nga ajo kohë, përfshirë një periudhë kohore te Marina e Shteteve të Bashkuara gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku pirja e duhanit ishte tipike, ai e respektoi zotimin që i bëri babait.”

Duke menduar për këtë ndodhi, Plaku Gibons vërejti: “Gjasat që Jozef Fielding Smithi të mos shfaqej tek ajo rrugë e veçuar pikërisht në çastin që i biri riosh ndezi një dhe të vetmen cigare të tij, janë astronomike. Edhe pse nuk e tha, mënyra dhe toni i zërit të Rejnit la të kuptohej se ajo ngjarje e bindi për thellësinë dhe fuqinë e jashtëzakonshme të ndjeshmërisë shpirtërore të babait të tij, veçanërisht kur ajo lidhej me mirëqenien e familjes së tij.”2

Mësime të Jozef Filding Smithit

1

Misioni i Frymës së Shenjtë është të japë dëshmi për Atin e Birin dhe për çdo të vërtetë.

Fryma e Shenjtë është pjesëtari i tretë i Kreut-Perëndi. Ai është një Shpirt, në formën e njeriut. Ati dhe Biri janë personazhe prej tabernakulli; ata kanë trupa prej mishi e kocke. Fryma e Shenjtë është personazh prej Shpirti dhe ka vetëm trup shpirtëror [shih DeB 130:22]. Misioni i Tij është të japë dëshmi për Atin e Birin dhe për çdo të vërtetë [shih 2 Nefi 31:18; Moroni 10:5].3

Ai merr prej gjërave të Atit dhe të Birit e ua zbulon atyre që i shërbejnë Zotit me besnikëri. Pikërisht përmes mësimeve të Ngushëlluesit, ose Frymës së Shenjtë, mësimet e Jezu Krishtit kujtoheshin nga apostujt [shih Gjoni 14:26]. Pikërisht përmes mësimeve të Shpirtit të Shenjtë vjen profecia [shih 2 Pjetrit 1:21].4

Shpirti i Perëndisë, teksa i flet shpirtit të njeriut, ka fuqi ta japë të vërtetën me një ndikim e kuptueshmëri më të madhe se ç’mund të jepet e vërteta nga takimi vetjak edhe me qeniet qiellore. Nëpërmjet Frymës së Shenjtë e vërteta endet deri në ind e në pejza të trupit që të mos mund të harrohet.5

2

Fryma e Shenjtë ua shpalos të vërtetën njerëzve të ndershëm kudo.

Ne besojmë se Fryma e Shenjtë është zbulestar dhe që ai do t’u japë dëshmi njerëzve të ndershëm kudo se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë, se Jozef Smithi është profet dhe se kjo kishë është “[e vetmja] kishë [e] vërtetë dhe [e] gjallë mbi faqen e tërë dheut”. (DeB 1:30.)

Askush nuk ka pse të qëndrojë në terr; drita e ungjillit të përjetshëm është këtu; dhe çdo kërkues i sinqertë mbi tokë mund të fitojë një dëshmi vetjake nga Shpirti i Shenjtë për të vërtetën dhe natyrën hyjnore të punës së Zotit.

Pjetri tha: “… Perëndia nuk tregohet i anshëm; por, në çfarëdo kombi, ai që ka frikë prej tij dhe që vepron drejtësisht, është i pranuar nga ai” (Veprat e Apostujve 10:34–35), që do të thotë se Zoti do të derdhë mbi besnikët Shpirtin e tij që kësisoj ata do të dinë vetë për të vërtetat e kësaj feje.6

Fryma e Shenjtë do t’i shpërfaqet secilit që kërkon për të vërtetën, pikërisht siç iu shpërfaq Kornelit [shih Veprat e Apostujve 10]. Ne kemi në Librin e Mormonit këtë thënie nga Moroni, kur ai sapo ishte duke përmbyllur analet e tij, kapitulli 10, vargu 4:

“Dhe kur ju t’i merrni këto gjëra, unë do t’ju këshilloja që të pyesni Perëndinë, Atin e Amshuar, në emrin e Krishtit, në qoftë se këto gjëra nuk janë të vërteta; dhe në qoftë se ju do të kërkoni me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë duke pasur besim në Krisht, ai do t’ju tregojë të vërtetën, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë.”

Çdo njeri mund të marrë një shpërfaqje të Frymës së Shenjtë, madje dhe kur nuk është i Kishës, nëse po e kërkon sinqerisht dritën dhe të vërtetën. Fryma e Shenjtë do të vijë e do t’i japë njeriut dëshminë që ai po e kërkon dhe pastaj do të tërhiqet.7

3

Pas pagëzimit, dhurata e Frymës së Shenjtë jepet me anë të vënies së duarve.

Në ditët e kishës së lashtë të Jezu Krishtit qe dhënë premtimi se të gjithë ata që do të pendoheshin, që do të pagëzoheshin për heqjen e mëkateve dhe do të ishin besnikë, duhet të merrnin dhuratën e Frymës së Shenjtë me anë të vënies së duarve. Po ai premtim iu është dhënë të gjithëve që do ta pranojnë Ungjillin në këtë periudhë ungjillore, sepse Zoti thotë:

“Dhe këdo që ka besim, do ta konfirmoni në kishën time, me anë të vënies së duarve, dhe unë do t’u jap dhuratën e Frymës së Shenjtë atyre”. [DeB 33:15.]8

Pamja
Paiting of the Apostle Paul conferring the Gift of the Holy Ghost .

“Dhe, kur Pali vuri duart mbi ta, Fryma e Shenjtë zbriti mbi ta” (Veprat e Apostujve 19:6).

Nuk mund ta merrni dhuratën e Frymës së Shenjtë duke u lutur për të, duke paguar të dhjetën tuaj, duke zbatuar Fjalën e Urtësisë – as madje duke u pagëzuar në ujë për heqjen e mëkateve. Duhet që atë pagëzim ta plotësoni me pagëzimin e Shpirtit. Profeti në një rast tha që ju zëreni se po pagëzoni një thes me rërë, nëse nuk e konfirmoni një njeri e nuk i jepni atij dhuratën e Frymës së Shenjtë, me anë të vënies së duarve. Ju nuk mund ta merrni atë në ndonjë mënyrë tjetër.9

Unë besoj në doktrinën e vënies së duarve për dhuratën e Frymës së Shenjtë, me anë të së cilës hyjmë në bashkësi me Atin tonë në qiell dhe mësojmë udhët e Tij, që të mund të ecim në shtigjet e Tij.10

4

Përmes dhuratës së Frymës së Shenjtë anëtarët e Kishës mund ta kenë Frymën e Shenjtë si shoqërues të vazhdueshëm.

Fryma e Shenjtë është Lajmëtari, ose Ngushëlluesi, të cilin Shpëtimtari premtoi t’ua dërgonte dishepujve të tij pasi të kryqëzohej. Ky Ngushëllues, me ndikimin e tij, do të jetë shoqërues i vazhdueshëm për çdo person të pagëzuar dhe do t’u japë anëtarëve të Kishës, nëpërmjet zbulesës dhe udhëheqjes, dijen e së vërtetës, që ata të mund të ecin në dritën e saj. Është Fryma e Shenjtë ai që ia ndriçon mendjen anëtarit të pagëzuar me të vërtetë. Pikërisht përmes tij vjen zbulesa vetjake e drita e së vërtetës zë vend në zemrën tonë.11

Pasi pagëzohemi, ne konfirmohemi. Për çfarë është ai konfirmim? Që të na bëjë shoqërues me Frymën e Shenjtë; që të na japë privilegjin të udhëhiqemi nga pjesëtari i tretë i Kreut-Perëndi – shoqërim, që mendja jonë të mund të ndriçohet, që ne të mund të nxitemi nga Shpirti i Shenjtë për të kërkuar dije dhe kuptim në lidhje me gjithçka që i përket ekzaltimit tonë.12

Ne, pas pagëzimit dhe konfirmimit, mund të bëhemi shoqërues të Frymës së Shenjtë, i cili do të na mësojë udhët e Zotit, do të na gjallërojë mendjen dhe do të na ndihmojë të kuptojmë të vërtetën.13

Na premtohet se, kur pagëzohemi, në qoftë se jemi të vërtetë dhe besnikë, do të kemi udhëheqjen e Frymës së Shenjtë. Cili është qëllimi i kësaj? Që të na mësojë, të na drejtojë, të na japë dëshmi për parimet shpëtuese të ungjillit të Jezu Krishtit. Çdo fëmijë në moshë për t’u pagëzuar dhe që është pagëzuar, ka të drejtën për udhëheqje nga Fryma e Shenjtë. Kam dëgjuar njerëz të thonë se një fëmijë i vogël tetëvjeçar nuk mund të kuptojë. E di më mirë këtë. Unë kisha një dëshmi për këtë të vërtetë kur isha tetë vjeç, që erdhi nëpërmjet Frymës së Shenjtë. E kam pasur që atëherë.14

Ç’privilegj i lavdishëm që është të udhëhiqesh vazhdimisht nga Fryma e Shenjtë dhe që të të shpalosen të fshehtat e mbretërisë së Perëndisë.15

5

Shoqërimi i Frymës së Shenjtë u mundësohet vetëm atyre të cilët përgatiten për ta marrë.

Gjykoj se ka shumë anëtarë të kësaj Kishe, të cilët janë pagëzuar për heqjen e mëkateve të tyre dhe të cilëve u janë vënë duart mbi kokë për dhuratën e Frymës së Shenjtë, por të cilët nuk e kanë marrë asnjëherë atë dhuratë – d.m.th., shpërfaqjet e saj. Përse? Sepse asnjëherë nuk e kanë përgatitur veten për t’i marrë ato shpërfaqje. Asnjëherë nuk janë përulur. Nuk kanë ndërmarrë asnjëherë hapat që do t’i përgatisnin për shoqërimin e Frymës së Shenjtë. Prandaj, ata e përshkojnë jetën pa atë dije; ata kanë pamjaftueshmëri në të kuptuar. Atëherë kur ata që janë të shkathët e dinakë në gënjeshtra, vijnë tek ata duke i kritikuar autoritetet e Kishës dhe doktrinat e Kishës, këta anëtarë të dobët nuk kanë mjaft arsyetim, mjaft informim e mjaft udhëheqje të Shpirtit të Zotit për t’u bërë ballë doktrinave dhe mësimeve të rreme. Ata i dëgjojnë dhe mendojnë se ndoshta kanë vepruar gabim dhe rezultati është që ata gjejnë mënyrën për të dalë nga Kisha, sepse nuk e kanë arsyetimin.16

Është urdhërim nga Zoti që anëtarët e Kishës duhet të jenë të zellshëm në veprimtaritë e tyre e t’i studiojnë të vërtetat themelore të ungjillit ashtu siç ai është zbuluar. Shpirti i Zotit nuk do të vazhdojë të luftojë me mospërfillësit, me të pabindurit dhe rebelët, të cilët nuk arrijnë të jetojnë sipas dritës të së vërtetës hyjnore. Është privilegji i çdo personi të pagëzuar që të ketë një dëshmi të qëndrueshme për rivendosjen e ungjillit, por kjo dëshmi do të zbehet e në përfundim do të zhduket, nëse nuk marrim vazhdimisht përfitim shpirtëror përmes studimit, bindjes dhe kërkimit të zellshëm për të ditur e kuptuar të vërtetën.17

Pamja
A man sitting at a table with his scriptures open looking out the window.

“Është urdhërim nga Zoti që anëtarët e Kishës duhet të jenë të zellshëm në veprimtaritë e tyre e t’i studiojnë të vërtetat themelore të ungjillit.”

Ne kemi të drejtën për udhëheqjen nga Fryma e Shenjtë, por nuk mund ta kemi atë udhëheqje nëse qëllimisht refuzojmë t’i marrim parasysh zbulesat që u dhanë për të na ndihmuar të kuptojmë e për të na udhëhequr në dritën dhe të vërtetën e ungjillit të përjetshëm. Nuk mund të shpresojmë që ta kemi atë udhëheqje kur refuzojmë t’i marrim parasysh këto zbulesa të mëdha, të cilat kanë domethënie aq të madhe për ne edhe materialisht, edhe shpirtërisht. Tani, nëse gjendemi në këtë gjendje mosbesimi ose mosdashjeje për të kërkuar dritën dhe njohurinë që Zoti na i ka vendosur brenda mundësisë për t’i marrë, atëherë jemi në cenim ose në rrezik të mashtrohemi nga shpirtrat e ligj, doktrinat e djajve dhe mësimet e njerëzve [shih DeB 46:7]. Dhe, kur këto ndikime të rreme të na shfaqen përpara, ne nuk do të kemi arsyetimin dallues me të cilin të mund t’i veçojmë ato dhe të dimë se nuk janë të Zotit. Dhe kështu mund të bëhemi pre për të paperëndishmit, për të mbrapshtët, për dinakët, për mashtrimet e njerëzve.18

Shpirti i Zotit nuk do të banojë në tabernakuj të papastër dhe, kur një njeri i largohet së vërtetës përmes ligësisë, ai Shpirt nuk e ndjek atë dhe ikën, dhe në vend të tij vjen shpirti i gabimit, shpirti i mosbindjes, shpirti i ligësisë, shpirti i shkatërrimit të përjetshëm.19

6

Kur qëndrojmë besnikë, Fryma e Shenjtë do të na japë zbulesa për të na udhëhequr e drejtuar gjatë gjithë jetës sonë.

Zoti u ka dhënë premtimin të gjithë atyre që do të pendohen e do të qëndrojnë besnikë, duke ushtruar një shpirt përulësie dhe zelli, se do të kenë të drejtën që të udhëhiqen nga Shpirti i Perëndisë. Ky Shpirt do t’i udhëheqë e do t’i drejtojë ata gjatë gjithë jetës së tyre.20

Mbi kokën e çdo anëtari të Kishës janë vënë duart për dhuratën e Frymës së Shenjtë. Ai ka të drejtë të marrë zbulesa që janë të volitshme e të domosdoshme për udhëheqjen e tij në mënyrë individuale; jo për Kishën, por për vete. Ai ka të drejtë që, nëpërmjet bindjes, nëpërmjet përulësisë, të marrë dritë e të vërtetë siç do të zbulohet përmes Shpirtit të së Vërtetës, dhe ai që do t’ia vërë veshin atij Shpirti e do ta kërkojë me përulësi e besim dhuratën e Shpirtit, nuk do të mashtrohet.21

Ne duhet të ecim në shenjtërinë e jetës nëpërmjet dritës dhe të vërtetës me kuptimin e duhur, i cili vjen përmes dhuratës dhe fuqisë së Frymës së Shenjtë që u premtohet të gjithë atyre që do të besojnë për pendim dhe i pranojnë fjalët e jetës së përjetshme. Nëse jemi në shoqëri me këtë Shpirt, atëherë ne ecim në dritë dhe kemi shoqëri me Perëndinë.22

Është privilegji i çdo anëtari të Kishës që ta njohë të vërtetën, të flasë me anë të së vërtetës, të ketë frymëzimin e Frymës së Shenjtë; është privilegji ynë, në mënyrë vetjake, … që të marrim dritën e të ecim në dritë; dhe, nëse ne vazhdojmë me Perëndinë, d.m.th., i zbatojmë të gjitha urdhërimet e Tij, do të marrim më shumë dritë, derisa në përfundim do të na vijë dita e plotë e njohurisë. [Shih DeB 50:24.]23

Kthehemi në praninë e Perëndisë, Atit tonë, në fund të fundit, nëpërmjet udhëheqjes nga Fryma e Shenjtë.24

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Ç’na mëson për Frymën e Shenjtë ngjarja e përshkruar në pjesën “Nga Jeta e Jozef Filding Smithit”? Kur ju ka nxitur Shpirti që ta ndihmoni dikë?

  • Presidenti Smith përmendi “Shpirti i Perëndisë, teksa i flet shpirtit të njeriut” (pjesa 1). Në çfarë mënyrash ndryshon komunikimi me shpirtin tonë nga komunikimi me veshin apo syrin tonë? Në ç’mënyrë është ai më i fuqishëm?

  • Cilat janë disa ndryshime ndërmjet marrjes së një shpërfaqjeje të Shpirtit, siç mori Korneli, dhe marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë? (Shih pjesën 2.)

  • Presidenti Smith na mësoi se pagëzimi është i paplotë pa dhuratën e Frymës së Shenjtë (shih pjesën 3). Në çfarë mënyrash jeta juaj do të ishte e paplotë pa dhuratën e Frymës së Shenjtë?

  • Në mësimet e Presidentit Smith në pjesën 4 mendohuni se ç’do të thotë të kesh shoqërimin e vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë. Në çfarë mënyrash jeni bekuar nëpërmjet këtij shoqërimi?

  • Çfarë mund të bëjmë që të përgatitemi për të marrë shoqërimin e Frymës së Shenjtë? (Për disa shembuj shih pjesën 5.)

  • Teksa shqyrtoni pjesën 6, kushtojini vëmendje udhëheqjes që ne mund të marrim nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Si mund t’i mësojnë prindërit fëmijët e tyre që ta dallojnë dhe ta marrin këtë udhëheqje?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Gjoni 16:13; Veprat e Apostujve 19:1–6; 1 Korintasve 12:3; 1 Nefi 10:17–19; 2 Nefi 31:15–20; 3 Nefi 19:9; DeB 46:13; Nenet e Besimit 1:4

Ndihmë për Mësimdhënien

“Mos u shqetësoni nëse nxënësit janë të heshtur për pak sekonda pasi keni bërë një pyetje. Mos i jepni vetë përgjigje pyetjes tuaj; jepuni kohë nxënësve që të mendojnë për përgjigjet. Sidoqoftë, heshtja e zgjatur mund të tregojë se ata nuk e kuptojnë pyetjen dhe se ju duhet ta riformuloni atë” (Teaching, No Greater Call [1999], f. 69).

Shënime

  1. Në Conference Report, prill 1940, f. 96.

  2. Francis M. Gibbons, Joseph Fielding Smith: Gospel Scholar, Prophet of God (1992), f. xiv–xv.

  3. Letërkëmbim vetjak, cituar në Doctrines of Salvation, red. Bruce R. McConkie, 3 vëll. (1954–1956), 1:38; kursivet iu hoqën origjinalit.

  4. Letërkëmbim vetjak, cituar në Doctrines of Salvation, 1:38.

  5. “The Sin against the Holy Ghost”, Instructor, tetor 1935, f. 431; shih edhe Doctrines of Salvation, 1:47–48.

  6. “Out of the Darkness”, Ensign, qershor 1971, f. 4.

  7. “Address by Elder Joseph Fielding Smith before Seminary Teachers”, Deseret News, 27 prill 1935, seksioni për Kishën, f. 7; shih edhe Doctrines of Salvation, 1:42.

  8. “Avoid Needless Speculations”, Improvement Era, dhjetor 1933, f. 866; shih edhe Doctrines of Salvation, 1:38–39.

  9. “Address by Elder Joseph Fielding Smith before Seminary Teachers”, f. 7; shih edhe Doctrines of Salvation, 1:41; Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 99–100.

  10. Në Conference Report, prill 1915, f. 118.

  11. Answers to Gospel Questions, përmb. Jozef Filding Smith i Riu, 5 vëll. (1957–1966), 2:149–150.

  12. “Seek Ye Earnestly the Best Gifts”, Ensign, qershor 1972, f. 2.

  13. Letërkëmbim vetjak, cituar në Doctrines of Salvation, 1:42.

  14. Në Conference Report, tetor 1959, f. 19.

  15. Answers to Gospel Questions, 4:90.

  16. “Seek Ye Earnestly the Best Gifts”, f. 3.

  17. Në Conference Report, tetor 1963, f. 22.

  18. Në Conference Report, tetor 1952, f. 59–60; shih edhe Doctrines of Salvation, 1:43.

  19. Në Conference Report, prill 1962, f. 45.

  20. Në Conference Report, prill 1931, f. 68.

  21. Në Conference Report, prill 1940, f. 96.

  22. Në Conference Report, prill 1916, f. 74; shih edhe Doctrines of Salvation, 3:290.

  23. “What a Prophet Means to Latter-day Saints”, Relief Society Magazine, janar 1941, f. 7.

  24. Në Conference Report, prill 1955, f. 51.