“Moisiu në Malin Sinai”, Tregime nga Dhiata e Vjetër (2022)
“Moisiu në Malin Sinai”, Tregime nga Dhiata e Vjetër
Eksodi 19–20; 24; 31–34; Ligji i Përtërirë 4–7
Moisiu në Malin Sinai
Duke i ndihmuar njerëzit që të kujtonin Zotin
Moisiu dhe izraelitët udhëtuan përmes shkretëtirës. Ata mbërritën te një mal i quajtur mali Sinai.
Eksodi 19:1
Moisiu u ngjit në mal që të fliste me Zotin. Zoti i tha Moisiut se Ai donte të fliste me izraelitët ballë për ballë.
Eksodi 19:3, 9–11
Izraelitët erdhën në rrëzë të malit Sinai dhe Zoti bëri që mali të rrethohej nga një re tymi. Zoti ishte në re. Ai u foli izraelitëve dhe u dha urdhërime. Mali u drodh teksa Ai fliste.
Eksodi 19:16–19; 20:1–17; Ligji i Përtërirë 4:12–13, 33; 5:4–5
Izraelitët kishin frikë. Ata i kërkuan Moisiut të fliste me Zotin, në mënyrë që Moisiu të mund t’u thoshte atë që dëshironte Zoti.
Eksodi 20:18–19
Moisiu i çoi Aaronin dhe 70 prej pleqve të Izraelit në mal që të merrnin më shumë mësime nga Zoti. Zoti iu shfaq atyre.
Eksodi 24:1, 9–11
Më pas Zoti i tha Moisiut t’i linte pleqtë dhe të shkonte edhe më lart në mal. Moisiu u bind. Zoti e përdori gishtin e Tij për t’i shkruar ligjin dhe urdhërimet e Tij mbi pllakat prej guri. Për 40 ditë, Zoti i mësoi Moisiut shumë gjëra.
Eksodi 24:12–18; 31:18
Ndërkohë që Moisiu ishte në malin Sinai, populli i Izraelit u lodh duke pritur për të. Ata i thanë Aaronit të bënte statuja që t’i adhuronin, siç kishin bërë në Egjipt. Aaroni mblodhi gjithë arin e tyre dhe bëri një statujë të një viçi.
Eksodi 32:1–4
Izraelitët e adhuruan viçin e artë dhe ofruan flijime. Ata thanë se ishte viçi i artë, jo Zoti, që i çliroi nga Egjipti.
Eksodi 32:4–6, 21–24
Zoti e dinte se izraelitët po adhuronin një idhull dhe po e harronin Atë. Ai e urdhëroi Moisiun të kthehej dhe t’u thoshte njerëzve të pendoheshin.
Eksodi 32:7–10
Moisiu zbriti nga mali Sinai dhe i pa izraelitët duke adhuruar viçin e artë. Ishte shumë i mërzitur. Populli nuk ishte gati t’u bindej ligjit dhe urdhërimeve që kishte shkruar Zoti. Moisiu i theu pllakat dhe e shkatërroi viçin e artë. Ai i ndihmoi izraelitët që të pendoheshin dhe të kujtonin Perëndinë e tyre të vërtetë.
Eksodi 32:15–20, 25–29
Moisiu i kërkoi Zotit që t’i falte izraelitët dhe t’u bënte sërish premtime. Moisiu premtoi që t’i udhëhiqte dhe t’i mësonte ata.
Eksodi 32:30–34
Zoti i kërkoi Moisiut që të krijonte pllaka të reja prej guri dhe të kthehej në malin Sinai. Zoti u bëri një premtim të ri izraelitëve dhe u dha atyre Dhjetë Urdhërimet e Tij.
Eksodi 20:2–17; 34:1–17, 28; Ligji i Përtërirë 6:24–25; 7:12–13