Seminare dhe Institute
Mësimi 5: Jezu Krishti Ishte Jehova i Dhiatës së Vjetër


Mësimi 5

Jezu Krishti Ishte Jehova i Dhiatës së Vjetër

Hyrje

Duke dëshmuar për Shpëtimtarin Jezu Krisht, profetët bashkëkohorë kanë shpallur: “Ai ishte Jehova i Madh i Dhjatës së Vjetër” (“Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, Ensign ose Liahona, prill 2000, f. 2). Jezu Krishti, si Jehova, ka themeluar ungjillin e përjetshëm të Atit Qiellor në tokë në çdo periudhë ungjillore në mënyrë që të mblidhte gjithsecilin prej fëmijëve të Perëndisë që kishin humbur. Besimi ynë te Jezu Krishti mund të forcohet ndërsa arrijmë të njohim natyrën e Tij të pandryshueshme dhe ungjillin e Tij të përjetshëm.

Lexim Konteksti

  • Rasëll M. Nelson, “Besëlidhjet”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 86–89.

  • “The Abrahamic Covenant”, The Pearl of Great Price Student Manual (Manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2000), f. 93–98.

  • “Enrichment Section A: Who Is the God of the Old Testament?” Old Testament Student Manual: Genesis–2 Samuel, bot. i 3‑të (Manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2003), f. 45–48.

Sugjerime për Mësimdhënien

Eksodi 3:11–14; 6:2–3; Gjoni 8:52–53, 56–59; 18:5, 8; 3 Nefi 15:5; Abraham 1:16; 2:8

Jezu Krishti Ishte Jehova i Dhiatës së Vjetër

Ftojini studentët të tregojnë disa emra dhe tituj të Shpëtimtarit që ata dinë. Renditini përgjigjet e tyre në tabelë. Tregojuni studentëve se sot ju do të diskutoni për një emër ose titull të rëndësishëm, me anë të të cilit njihej Jezu Krishti përpara shërbesës së Tij në vdekshmëri. Ftojini ata të lexojnë në heshtje Gjonin 8:52–53, 56–59. Më pas pyesni:

  • Çfarë pyetjesh po i bënin judenjtë Shpëtimtarit?

  • Çfarë mendoni se Jezusi donte të thoshte me përgjigjen e Tij: “Para se të kishte lindur Abrahami, unë jam”? (vargu 58).

Për t’i ndihmuar studentët të përcaktojnë frazën: “Unë jam”, ndajini studentët në dyshe dhe kërkojuni që të lexojnë Eksodin 3:11–14; 6:2–3, duke kërkuar për mënyrën se si Perëndia i Dhiatës së Vjetër e quajti Veten. Pas një kohe të mjaftueshme, bëni pyetjet vijuese:

  • Sipas këtyre vargjeve, çfarë emrash përdori Perëndia i Dhiatës së Vjetër për ta identifikuar Veten? (Vini në dukje se Përkthimi prej Joseph Smith-it i Eksodit 6:3 thotë: “Unë jam Zoti Perëndi i Plotfuqishëm; Zoti JEHOVA. Dhe a nuk ishte emri im i njohur për ta?” Shih edhe Abraham 1:16.)

  • Si e qartësojnë këto vargje rëndësinë e thënies së Jezu Krishtit: “Para se të kishte lindur Abrahami, unë jam”? (Studentët duhet të dallojnë se Jezu Krishti ishte Jehova, Perëndia i Dhiatës së Vjetër dhe i madhi UNË JAM.)

Paraqitni thëniet vijuese:

Pamja
Plaku Brus R. Mek‑Konki

“Ky është një pohim aq i hapur dhe i mprehtë mbi natyrën hyjnore sa mund ta ketë bërë apo mund ta bëjë një person. ‘Përpara Abrahamit isha unë Jehova.’ Që do të thotë: ‘Unë jam Perëndia i Plotfuqishëm, i Madhi UNË JAM. Unë jam vetekzistenti, i Përjetshmi. Unë jam Perëndia i etërve tuaj. Emri im është: UNË JAM AI QË JAM’” (Bruce R. McConkie, Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:464).

Jehova është “emri i besëlidhjes ose emri i mirëfilltë i Perëndisë së Izraelit. Ai do të thotë ‘I Pandryshueshmi’” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Jehova”, f. 71–72).

  • Përse është e rëndësishme të dihet se Jezu Krishti ishte Jehova i Dhiatës së Vjetër? (Përgjigjet duhet të përfshijnë të vërtetën vijuese: Perëndia përherë e ka administruar ungjillin e Tij nëpërmjet Birit të Tij, Jezu Krishtit. Shih edhe 3 Nefin 15:5, që shënon mësimdhënien e Shpëtimtarit se Ai ishte dhënësi i ligjit.)

Ju mund të dëshironi ta ftoni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Jozef Filding Smith (1876–1972):

Pamja
Presidenti Jozef Filding Smith

“E gjithë zbulesa që prej rënies, ka ardhur nëpërmjet Jezu Krishtit, i cili është Jehova i Dhiatës së Vjetër. … Ati [Elohimi] nuk është marrë kurrë drejtpërdrejt dhe personalisht me njeriun që nga rënia, dhe ai kurrë nuk është shfaqur përveçse për të paraqitur dhe për të dhënë dëshmi për Birin” (Doctrines of Salvation, përmb. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–1956], 1:27).

  • Si ju ndihmon dijenia se Jehova, ose Jezu Krishti, është i pandryshueshëm që të keni besim tek Ai? (Përgjigjet mund të përfshijnë se dijenia se Jezu Krishti është i pandryshueshëm na ndihmon të kemi besim se ashtu si Ai i mbajti premtimet e Tij ndaj njerëzve për të cilët lexojmë në shkrimet e shenjta, Ai do të mbajë premtimet e Tij ndaj nesh.)

Vini në dukje që në kohët e hershme pas Biblës, emri hebraik Jehova (zakonisht i paraqitur si Yahweh në literaturë) quhej tepër i shenjtë për t’u shqiptuar. Për këtë arsye, përveç pak përjashtimeve (shih Eksodi 6:3; Psalmeve 83:18; Isaia 12:2; 26:4), përkthyesit e Variantit të Mbretit Xhejms të Biblës e përkthyen fjalën Jehova ZOT (e gjitha me germa të mëdha). Në judaizmin bashkëkohor, ajo është zëvendësuar me fjalën Adonai, që do të thotë “Zot”.

Zanafilla 13:14–16; 17:1–9; Moisiu 6:51–52, 64–66; Abraham 1:18–19; 2:8–11

Jehova e themeloi ungjillin e përjetshëm në lashtësi

Me studentët ende [duke i mbajtur që] të punojnë në dyshe, kërkojuni që të lexojnë Moisiun 6:51–52, 64–66 dhe përcaktoni atë që Jehova i mësoi Adamit. Tregojuni atyre se te vargjet 51–52, Jehova po fliste në emër të Atit. Më pas pyesni:

  • Çfarë vutë re rreth ungjillit që iu mësua Adamit? (Është po i njëjti ungjill që jepet mësim sot. [Shih 2 Nefin 31:10–16 për një shembull të të njëjtit ungjill të dhënë mësim në kontinentet amerikane.] Merrni parasysh ta theksoni këtë të vërtetë duke shkruar thënien vijuese në tabelë: Ungjilli i Jezu Krishtit është i përjetshëm dhe i pandryshueshëm në çdo periudhë ungjillore.)

Tregojuni studentëve se në një periudhë të mëvonshme ungjillore, Jehova e rivendosi ungjillin e Tij të përjetshëm nëpërmjet një besëlidhjeje me Abrahamin, të njohur si besëlidhja e Abrahamit. Ndajeni klasën në dy pjesë. Caktojini gjysmës së klasës të studiojë Zanafillën 13:14–16; 17:2–8; Abraham 1:18–19; 2:8–11 dhe të bëjë një listë të premtimeve që Zoti i bëri Abrahamit. Caktojini gjysmës tjetër të klasës të studiojë Zanafillën 17:1–5, 9; Abraham 1:19; 2:8–11 dhe të bëjë një listë të asaj çfarë iu kërkua Abrahamit që të bënte në mënyrë që të merrte bekimet e premtuara. (Shënim: Ndërsa studentët mësojnë mënyrën se si të gjejnë lista në shkrimet e shenjta, ata do të jenë më shumë në gjendje të dallojnë pikat kyçe që shkruesi i shkrimit të shenjtë kishte për qëllim të theksonte.)

Ndërkohë që studentët po studiojnë, kopjoni pasqyrën vijuese në tabelë, duke lënë hapësirë për të renditur përgjigjet:

Besëlidhja e Abrahamit

Premtimet Bërë Abrahamit

Përgjegjësitë e Abrahamit

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë nga secili grup të vijnë në tabelë dhe të shkruajnë nën titullin e duhur atë çfarë gjetën. Merrni parasysh ta përmblidhni besëlidhjen e Abrahamit duke paraqitur dhe duke vënë një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese:

“Abrahami pranoi ungjillin dhe u shugurua në priftërinë më të lartë (DeB 84:14; Abraham 2:11) dhe hyri në martesën çelestiale, që është besëlidhja e ekzaltimit (DeB 131:1–4; 132:19, 29). Abrahami mori premtimin se të gjitha bekimet e këtyre besëlidhjeve do t’u jepeshin pasardhësve të tij të vdekshëm (DeB 132:29–31; Abraham 2:6–11). Së bashku, këto besëlidhje dhe premtime quhen besëlidhja e Abrahamit. Rivendosja e kësaj besëlidhjeje ishte rivendosja e ungjillit në ditët e fundit, sepse nëpërmjet tij janë bekuar të gjitha kombet e tokës (Galatasve 3:8–9, 29; DeB 110:12; 124:58; Abraham 2:10–11)” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Besëlidhje e Abrahamit”, f. 14–15; scriptures.lds.org).

Theksoni se që prej fillimit, Ati bëri besëlidhje me fëmijët e Tij për t’i mbledhur tok ata nëpërmjet të vërtetave, ordinancave dhe bekimeve të ungjillit të përjetshëm. Rivendosja e ungjillit përfshin rivendosjen e besëlidhjes së Abrahamit. Që do të thotë, besëlidhja e Abrahamit është pjesë domethënëse e besëlidhjes së re e të përjetshme, e cila është plotësia e ungjillit të Jezu Krishtit. Pyetini studentët:

  • Si ndikon në mënyrën si jetoni dijenia se ne jemi pasardhës të Abrahamit dhe trashëgimtarë të gjithçkaje që Perëndia i premtoi atij?

  • Si i forcon familjet dhe na udhërrëfen në vendimet që marrim, e drejta për bekimet e premtuara Abrahamit dhe pasardhësve të tij?

Ftojini studentët të tregojnë mënyra se si mund t’i sigurojnë bekimet e premtuara të kësaj besëlidhjeje për veten dhe për familjet e tyre, të shkuara, të tanishme dhe të ardhshme.

Jozueut 24:3–13; 1 Nefi 17:23–32

Jehova e bekoi dhe e udhëhoqi Izraelin e lashtë

Tregojuni studentëve se, si pjesë të besëlidhjes së Abrahamit, Jehova i premtoi bekimet e ungjillit pasardhësve të Abrahamit dhe atyre që mblidhen me ta. Ftojeni njërën gjysmë të klasës të lexojë Jozueun 24:3–13 dhe ftojeni gjysmën tjetër të lexojë 1 Nefin 17:23–32. Kërkojuni studentëve të kontrollojnë për fjalë dhe fraza që na mësojnë atë që Jehova bëri për Izraelin e lashtë. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që ata ta shenjojnë atë që gjejnë. Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni studentëve të tregojnë atë që kanë mësuar. Parafrazojini përgjigjet e studentëve në tabelë. Për pikëpamje mbi arsyen përse Jehova bëri disa prej gjërave që bëri, kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Eksodin 6:2–6. Pyeteni klasën:

  • Çfarë arsyeje dha Jehova për bërjen e shumë prej gjërave për të cilat lexoni te Jozueu dhe te 1 Nefi?

  • Çfarë ju tregon kjo për premtimet që Zoti ju ka bërë juve? (Ndërsa studentët përgjigjen, shkruajeni parimin vijues në tabelë: Nëse jetojmë me besnikëri, Zoti do t’i mbajë premtimet që na ka bërë.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Diter F. Uhtdorf:

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Për arsye se Perëndia ka qenë besnik dhe ka mbajtur premtimet e Tij në të kaluarën, ne mund të shpresojmë me besim se Perëndia do t’i mbajë premtimet e Tij për ne tani dhe në të ardhmen. Në kohë dëshpërimi, ne mund të mbahemi fort te shpresa që gjërat ‘do të punojnë së bashku për të mirën [tonë]’ [DeB 90:24]” (“Forca e Pafundme e Shpresës”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 23).

  • Si mund t’ju ndihmojë gjatë periudhave të sprovës, dijenia për veprimet e Jehovës në lashtësi?

  • Çfarë bëri Ai për Izraelin e lashtë që do ta bëjë edhe për ju?

Dëshmoni se në çdo periudhë ungjillore, Jezu Krishti i ka bekuar fëmijët e Perëndisë me ungjillin e përjetshëm. Ashtu sikurse populli i besëlidhjes në lashtësi mori bekimet e premtuara nga Zoti, po kështu mund t’i marrim [edhe] ne nën kushtet e bindjes sonë.

Materiale Leximi për Studentin