2011
Besëlidhjet
Nëntor 2011


Besëlidhjet

Kur kuptojmë se jemi fëmijë të besëlidhjes, ne e dimë cilët jemi dhe çfarë pret Perëndia nga ne.

Pamja
Elder Russell M. Nelson

Një javë pas detyrës së fundit për të krijuar kunjin e parë në Moskë të Rusisë1, unë mora pjesë në një konferencë distrikti në Shën-Petersburg. Ndërsa po flisja rreth mirënjohjes time për misionarët e hershëm dhe udhëheqësit vendorë që sollën forcë në Kishë në Rusi, unë përmenda emrin e Vjaçesllav Efimovit. Ai ishte rusi i parë i kthyer në besim që u bë president misioni. Ai dhe bashkëshortja e tij e kryen shkëlqyeshëm atë detyrë. Jo shumë kohë pasi ata e patën përfunduar misionin e tyre dhe për hidhërimin tonë të madh, Presidenti Efimov befas ndërroi jetë.2 Ai ishte vetëm 52 vjeç.

Ndërsa flisja për këtë çift, që ishin si pionerë, unë ndjeva nxitjen nga Fryma e Shenjtë për të pyetur kongregacionin nëse Motra Efimov ishte e pranishme. Larg në fund të sallës një grua u ngrit. Unë e ftova atë të vinte te mikrofoni. Po, ajo ishte Motra Galina Efimov. Ajo foli me bindje dhe dha një dëshmi të fuqishme për Zotin, ungjillin e Tij dhe Kishën e Tij të rivendosur. Ajo dhe bashkëshorti i saj patën qenë vulosur në tempullin e shenjtë. Ajo tha se ata ishin bashkuar përgjithmonë. Ata ishin ende shokë misionarë, ajo ishte në këtë anë të velit dhe ai në tjetrën anë3. Me lotë gëzimi, ajo falënderoi Zotin për besëlidhjet e shenjta të tempullit. Unë qava gjithashtu, duke kuptuar plotësisht se bashkimi i përjetshëm i këtij çifti besnik ishte rezultati i drejtë i bërjes, mbajtjes dhe respektimit të besëlidhjeve të shenjta.

Një nga konceptet më të rëndësishme të fesë së vërtetë, është ai i një besëlidhjeje të shenjtë. Në gjuhën ligjore, një besëlidhje në përgjithësi është marrëveshje midis dy ose më shumë palëve. Por në një kontekst fetar, një besëlidhje është shumë më tepër e rëndësishme. Ajo është një premtim i shenjtë me Perëndinë. Ai i vendos kushtet. Çdo person mund të zgjedhë t’i pranojë ato kushte. Nëse një person i pranon kushtet e besëlidhjes dhe i bindet ligjit të Perëndisë, ai ose ajo pranon bekimet që shoqërojnë atë besëlidhje. Ne e dimë se “kur ne fitojmë ndonjë bekim nga Perëndia, është me anë të bindjes ndaj atij ligji mbi të cilin ai bazohet”4.

Gjatë gjithë historisë së botës, Perëndia ka bërë besëlidhje me fëmijët e Tij.5 Besëlidhjet e Tij veprojnë gjatë gjithë planit të shpëtimit dhe prandaj janë pjesë e plotësisë së ungjillit të Tij.6 Për shembull, Perëndia premtoi të dërgonte një Shpëtimtar për fëmijët e Tij7, duke kërkuar prej tyre bindje ndaj ligjit të Tij.8

Në Bibël ne lexojmë për burra dhe gra në botën dhe kohën e ngjarjeve të saj, të cilët identifikohen si fëmijë të besëlidhjes. Të çfarë besëlidhjeje? “Të besëlidhjes që bëri Perëndia me etërit tanë, duke i thënë Abrahamit: ‘Dhe në pasardhësit e tu do të bekohen të gjitha kombet e dheut’.”9

Në Librin e Mormonit ne lexojmë për njerëzit në kontinentin amerikan, të cilët gjithashtu identifikohen si fëmijë të besëlidhjes.10 Zoti i ringjallur i informoi kështu ata: “Dhe vini re, jeni fëmijët e profetëve; dhe jeni nga shtëpia e Izraelit dhe jeni nga besëlidhja që Ati bëri me etërit tuaj, duke i thënë Abrahamit: Dhe në farën tënde do të bekohen të gjitha fiset e tokës”11.

Shpëtimtari shpjegoi përse ishte e rëndësishme që ata ishin identifikuar për të qenë fëmijë të besëlidhjes. Ai tha: “Së pari, Ati, më ngriti për ju … më dërgoi që t’ju bekoj, kështu që secili prej jush të largohet nga paudhësitë e tij; dhe kjo, sepse ju jeni fëmijët e besëlidhjes”12.

Besëlidhja e Perëndisë me Abrahamin13 dhe më vonë e përsëritur me Isakun 14 dhe Jakobin15 është e një rëndësie të jashtëzakonshme. Ajo përmbante disa premtime, përfshirë:

  • Jezusi, Krishti do të lindë nëpërmjet pasardhësve të Abrahamit.

  • Pasardhësit e Abrahamit do të jenë të shumtë, me të drejtën që të shtohen përjetësisht dhe gjithashtu me të drejtën që të mbajnë priftërinë.

  • Abrahami do të bëhet ati i shumë kombeve.

  • Disa vende do të trashëgohen nga pasardhësit e tij.

  • Të gjitha kombet e tokës do të bekohen nga pasardhësit e tij.16

  • Dhe ajo besëlidhje do të jetë e përjetshme madje nëpër “një mijë breza”17.

Disa nga këto premtime janë përmbushur; të tjera presin të përmbushen. Po citoj nga një profeci e hershme e Librit të Mormonit: “Ati ynë [Lehi] nuk ka folur vetëm për farën tonë, por edhe për gjithë shtëpinë e Izraelit; duke vënë në dukje besëlidhjen që do të përmbushet në ditët e mëvonshme; besëlidhje të cilën Zoti ia bëri atit tonë Abrahamit”18. A nuk është mahnitëse kjo? Rreth 600 vjet përpara se Jezusi të lindte në Betlehem, profetët e dinin se besëlidhja e Abrahamit, së fundi do të përmbushej vetëm në ditët e mëvonshme.

Për të ndihmuar në përmbushjen e atij premtimi, Zoti u shfaq në këto ditë të mëvonshme për të përsëritur besëlidhjen e Abrahamit. Mësuesi i tha Profetit Jozef Smith:

“Abrahami mori premtime lidhur me farën e tij dhe me frytin e ijeve të tij—nga ijët e të cilit ti je, … shërbëtori im Joseph. nb…

Ky premtim është i juaji gjithashtu, pasi ju jeni të Abrahamit.”19

Me përsëritjen e këtij premtimi, ne kemi marrë, siç bënë njerëzit e kohëve të vjetra, priftërinë e shenjtë dhe ungjillin e përjetshëm. Ne kemi të drejtën të marrim plotësinë e ungjillit, të gëzojmë bekimet e priftërisë dhe të kualifikohemi për bekimin më të madh të Perëndisë – që është jeta e përjetshme.20

Disa nga ne janë farë e mirëfilltë e Abrahamit, të tjerë janë mbledhur në familjen e tij nëpërmjet adoptimit. Zoti nuk bën dallim.21 Së bashku ne marrim këto bekime të premtuara – nëse ne kërkojmë Zotin dhe u bindemi urdhërimeve të Tij.22 Por nëse ne nuk e bëjmë këtë, ne humbasim bekimet e besëlidhjes.23 Për të na ndihmuar ne, Kisha e Tij jep bekime patriarkale për t’i dhënë çdo marrësi një kuptim për të ardhmen e tij apo të saj, si dhe një lidhje me të kaluarën, madje një deklarim të linjës mbrapa deri tek Abrahami, Isaku dhe Jakobi.24

Vëllezërit e besëlidhjes kanë të drejtën të kualifikohen për betim dhe besëlidhje të priftërisë.25 Nëse jeni “besnikë në marrjen e këtyre dy priftërive … dhe në lartësimin e thirrjes [tuaj], shenjtërohen[i] me anë të Shpirtit në ripërtëritjen e trupave [tuaj]”26. Kjo nuk është e gjitha. Burrat që denjësisht pranojnë priftërinë, pranojnë Zotin Jezu Krisht dhe ata që pranojnë Zotin, pranojnë Perëndinë Atin.27 Dhe ata që pranojnë Atin, pranojnë gjithçka Ai ka.28 Bekime të jashtëzakonshme vijnë nga ky betim dhe besëlidhje te burrat, gratë dhe fëmijët e denjë kudo në botë.

Ne kemi përgjegjësi për t’i ndihmuar që të plotësojnë besëlidhjen e Abrahamit. Pasardhësit tanë janë të parashuguruar dhe të përgatitur që të bekojnë të gjithë popujt e botës.29 Kjo është arsyeja përse detyra e priftërisë përfshin punën misionare. Pas rreth 4.000 vjetësh parashikimi dhe përgatitjeje, kjo është koha e caktuar kur ungjilli duhet të çohet tek farefiset e tokës. Kjo është koha e mbledhjes së premtuar të Izraelit. Dhe ne kemi për të marrë pjesë! A nuk është kjo emocionuese? Zoti po mbështetet te ne dhe te bijtë tanë – dhe Ai është thellësisht mirënjohës për bijat tona – që denjësisht shërbejnë si misionare në këtë kohë të madhe të mbledhjes së Izraelit.

Libri i Mormonit është një provë fizike që Zoti është angazhuar të mbledhë fëmijët e besëlidhjes së Tij me Izraelin.30 Ky libër, shkruar për kohën tonë, shpall si një nga qëllimet e tij se “ju mund të dini se besëlidhja që Ati bëri me fëmijët e Izraelit… ka filluar tanimë të plotësohet. … pasi vini re, Zoti do ta kujtojë besëlidhjen e tij që ka bërë me popullin e tij të shtëpisë së Izraelit”31.

Vërtet, Zoti nuk ka harruar! Ai na ka bekuar ne dhe të tjerë kudo në botë me Librin e Mormonit. Një nga qëllimet e tij është për “bindjen e Judenjve dhe Johebrenjve se Jezusi është Krishti”32. Ai na ndihmon të bëjmë besëlidhje me Perëndinë. Ai na fton ta kujtojmë Atë dhe të njohim Birin e Tij të Dashur. Ai është një dëshmi tjetër e Jezu Krishtit.

Fëmijët e besëlidhjes kanë të drejtën ta marrin doktrinën e Tij dhe të dinë planin e shpëtimit. Ata e kërkojnë atë duke bërë besëlidhje të një rëndësie të shenjtë. Brigam Jangu ka thënë: Të gjithë shenjtorët e ditëve të mëvonshme hyjnë në një besëlidhje të re dhe të përjetshme kur hyjnë në këtë Kishë. … Ata hyjnë në besëlidhjen e re dhe të përjetshme për të mbështetur dhe forcuar Mbretërinë e Perëndisë.”33 Ata mbajnë besëlidhjen duke iu bindur urdhërimeve të Tij.

Në pagëzim ne bëjmë besëlidhje për t’i shërbyer Zotit dhe për t’i mbajtur urdhërimet e Tij.34 Kur ne marrim pjesë në sakrament, ne përtërijmë atë besëlidhje dhe shpallim vullnetin tonë për të marrë mbi vete emrin e Jezu Krishtit. Në këtë mënyrë ne jemi adoptuar si bij dhe bija të Tij dhe njihemi si vëllezër dhe motra. Ai është ati i jetës sonë të re.35 Së fundi, në tempullin e shenjtë, ne mund të bëhemi bashkëtrashëgimtarë të bekimeve të pasjes së një familjeje të përjetshme, siç iu premtua dikur Abrahamit, Isakut, Jakobit dhe pasardhësve të tyre.36 Kështu, martesa çelestiale është besëlidhja e ekzaltimit.

Kur kuptojmë se jemi fëmijë të besëlidhjes, ne e dimë cilët jemi dhe çfarë pret Perëndia nga ne.37 Ne e kemi bërë ligjin e Tij një pjesë tonën.38 Ai është Perëndia ynë dhe ne jemi populli i Tij.39 Fëmijët e angazhuar të besëlidhjes qëndrojnë të patundur, gjatë kohëve të vështirësive. Kur ajo doktrinë është bërë pjesë e jona, edhe gjembat e vdekjes lehtësohen dhe qëndresa jonë shpirtërore forcohet.

Komplimenti më i madh që mund të arrihet këtu në këtë jetë, është të njihesh si mbajtës i besëlidhjes. Shpërblimet për një mbajtës të besëlidhjes do të merren edhe në këtë jetë edhe pas kësaj jete. Shkrimi i shenjtë shpall se “ju të keni parasysh gjendjen e bekuar dhe të lumtur të atyre që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë. Pasi vini re, ata janë të bekuar në të gjitha gjërat, … dhe nëse qëndrojnë besnikë deri në fund, ata janë marrë në qiell … [dhe] jetojnë me Perëndinë, në një gjendje lumturie të pafund.”40

Perëndia jeton. Jezusi është Krishti. Kisha e Tij është rivendosur për të bekuar të gjithë popujt. Presidenti Tomas S. Monson është profeti i Tij sot. Dhe ne, si fëmijë besnikë të besëlidhjes, do të bekohemi tani dhe përgjithmonë. Unë dëshmoj kështu në emrin e Jezu Krishtit, amen.