Seminare dhe Institute
Hyrje për Manualin e Mësuesit për Jezu Krishtin dhe Ungjillin e Përjetshëm


Hyrje për Manualin e Mësuesit për Jezu Krishtin dhe Ungjillin e Përjetshëm (Feja 250)

Çfarë pritet nga një mësues feje?

Ndërsa përgatiteni për të dhënë mësim, është e rëndësishme që të kuptoni Synimin e Seminareve dhe Instituteve të Fesë:

“Qëllimi ynë është të ndihmojmë rininë dhe të rinjtë në moshë madhore që t’i kuptojnë dhe të mbështeten te mësimet dhe Shlyerja e Jezu Krishtit, të kualifikohen për bekimet e tempullit, si dhe të përgatiten vetë, të përgatisin familjet e tyre dhe të tjerët për jetën e përjetshme me Atin e tyre në Qiell” (Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit: Një Manual për Mësuesit dhe Udhëheqësit në Seminaret dhe Institutet e Fesë [2012], f. x).

Ju mund ta arrini këtë synim duke e jetuar ungjillin, duke ua mësuar në mënyrë të efektshme ungjillin studentëve tuaj dhe duke e administruar në mënyrë të përshtatshme klasën ose programin tuaj. Ndërsa përgatiteni dhe e jepni mësim ungjillin në këto mënyra, ju do të kualifikoheni për ndikimin e Frymës së Shenjtë.

Është mundësia juaj që t’i ndihmoni studentët të mësojnë me anë të Shpirtit, në mënyrë që të mund ta forcojnë besimin e tyre dhe ta thellojnë kthimin e tyre në besim. Ju mund t’i ndihmoni studentët që ta arrijnë këtë ndërsa i udhërrëfeni ata që ta gjejnë, ta kuptojnë, ta ndjejnë të vërtetën dhe rëndësinë e saj dhe të përgatiten për t’i zbatuar doktrinat dhe parimet e rëndësishme të ungjillit të Jezu Krishtit.

Manuali Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit është një burim thelbësor për të kuptuar procesin e mësimdhënies dhe mënyrën se si të bëhesh i suksesshëm në klasë. Drejtojuni shpesh këtij manuali.

Cilat janë synimet e këtij kursi?

Ky kurs, Jezu Krishti dhe Ungjilli i Përjetshëm (Feja 250), u jep studentëve mundësinë që të studiojnë shërbesën e përjetshme të Jezu Krishtit, duke u përqendruar te rolet e Tij hyjnore gjatë jetës së Tij para lindjes, në vdekshmëri dhe pas vdekjes. Veprat standarde, fjalët e profetëve të kohës sonë dhe dokumenti i titulluar “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve” (Ensign ose Liahona, prill 2000, f. 2–3) janë përdorur si burime frymëzuese për këtë kurs. Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ka theksuar rëndësinë e studimit të jetës dhe të misionit të Jezu Krishtit:

Pamja
Plaku Riçard G. Skot

“Unë ju nxis energjikisht që të hartoni një plan personal studimi për të kuptuar dhe vlerësuar më mirë rrjedhimet e pakrahasueshme, të përjetshme dhe të pafundme të përmbushjes së përsosur prej Jezu Krishtit të thirrjes së Tij të caktuar hyjnisht si Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Meditimi i thellë personal mbi shkrimet e shenjta i shoqëruar me lutjen kërkuese të ndier me zemër do të forcojnë kuptimin dhe vlerësimin tuaj për Shlyerjen e Tij të paçmueshme” (“Ai Jeton! Lavdi Pastë Emri Tij!” Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 77).

Teksa studentët arrijnë të kuptojnë dhe të vlerësojnë rëndësinë e thirrjes hyjnore të Shpëtimtarit dhe ndikimit që Ai ka në jetën e tyre, ata do të forcohen në përballimin e sfidave të jetës dhe do të ndihen të përgatitur më mirë për të diskutuar për rolet hyjnore të Shpëtimtarit në planin e shpëtimit, pjesë thelbësore e të cilit është jeta e tyre vetjake.

Çfarë pritet prej studentëve?

Studentët duhet të lexojnë fragmentet e shkrimit të shenjtë dhe bisedat profetike të renditura te pjesa Materiale Leximi për Studentin të çdo mësimi. Studentët duhet gjithashtu të përmbushin kërkesat për pjesëmarrje dhe të shfaqin se e kuptojnë materialin e kursit.

Si janë ndërtuar mësimet në këtë manual?

Ky kurs është hartuar si një kurs i plotë semestral me 28 mësime të shkruara për orë mësimore 50-minutëshe. Nëse klasa juaj mblidhet dy herë në javë, jepni një mësim në një orë mësimore. Nëse klasa juaj mblidhet vetëm një herë në javë për 90 ose 100 minuta, ndërthurni dhe jepni dy mësime për çdo orë mësimore. Çdo plan mësimor përbëhet nga katër pjesë:

  • Hyrje

  • Lexim Konteksti

  • Sugjerime për Mësimdhënien

  • Materiale Leximi për Studentin

Hyrje

Kjo pjesë jep një hyrje të shkurtër të temave dhe synimeve të mësimit.

Lexim Konteksti

Kjo pjesë rekomandon burimet, të tilla si mesazhe nga profetët e kohës sonë, që mund t’ju ndihmojnë t’i kuptoni më mirë doktrinat, parimet dhe të vërtetat e ungjillit të trajtuara në planin mësimor.

Sugjerime për Mësimdhënien

Pjesa Sugjerime për Mësimdhënien përfshin materialin që ju ndihmon të dini edhe çfarë të jepni mësim edhe si ta jepni mësim atë (shih edhe pjesët 4.3.3 dhe 4.3.4 te manuali Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit). Veprimtaritë e sugjeruara mësimore janë hartuar për t’i ndihmuar studentët të gjejnë, të kuptojnë dhe të zbatojnë të vërteta të shenjta. Ju mund të zgjidhni të përdorni disa ose të gjitha sugjerimet, ndërsa i përshtatni ato që të përputhen me stilin tuaj vetjak të mësimdhënies dhe që të përmbushin nevojat dhe rrethanat e studentëve tuaj. Ndërsa merrni parasysh mënyrën se si t’i përshtatni materialet mësimore, ndiqni këtë këshillë nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Dallin H. Ouks

“Shpesh e kam dëgjuar Presidentin Paker të japë mësim që ne së pari përvetësojmë, pastaj përshtatim. Nëse e ngulitim tërësisht mësimin e përshkruar që do të japim, atëherë mund të ndjekim Shpirtin për ta përshtatur atë. Por ka një tundim, kur flasim për këtë mundësi për ndryshueshmëri, që t’ia nisësh duke përshtatur në vend që t’ia nisësh duke përvetësuar. Është një ekuilibër. Është një sfidë e vazhdueshme. Por qasja duke përvetësuar së pari dhe pastaj duke përshtatur është një mënyrë e mirë për të qëndruar në baza të shëndosha” (“A Panel Discussion with Elder Dallin H. Oaks” [Transmetim Satelitor për Seminaret dhe Institutet e Fesë, 7 gusht 2012]; si.lds.org).

Pjesa Sugjerime për Mësimdhënien përmban të paktën një thënie të doktrinës ose të parimit, e cila paraqitet me germa të theksuara. Ndërsa studentët zbulojnë këto doktrina e parime dhe shprehin atë që kanë mësuar, fjalët e tyre mund të ndryshojnë nga ato të përdorura në manual. Kur ndodh kjo, bëni kujdes të mos tregoni që përgjigjet e tyre janë të gabuara. Sidoqoftë, nëse një thënie do të mund të ishte më e saktë, ndihmoni me kujdes që të qartësoni të kuptuarit.

Për t’i ndihmuar studentët të bëhen studentë të përhershëm të shkrimeve të shenjta, mësojuni se si t’i përdorin mjetet ndihmëse për studim të gjindshme në botimet për shenjtorët e ditëve të mëvonshme të shkrimeve të shenjta. Shfrytëzoni mundësitë në klasë për t’i ndihmuar studentët të venë në zbatim teknikat dhe metodat për studimin e shkrimeve të shenjta (shih Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit, f. 24–27). Ndërsa veproni kështu, studentët do ta thellojnë dashurinë e tyre për shkrimet e shenjta, do të fitojnë aftësi për të gjetur përgjigje për pyetjet e tyre dhe do të mësojnë të udhëhiqen nga fuqia e Frymës së Shenjtë.

Materiale Leximi për Studentin

Kjo pjesë rendit fragmente të shkrimit të shenjtë dhe biseda nga autoritete të përgjithshme të Kishës që do të pasurojnë të kuptuarit e studentëve për temat që gjenden në mësime. Nxitini studentët që t’i lexojnë këto materiale përpara se të vijnë në çdo orë mësimore. Ndërsa ata i studiojnë këto materiale të frymëzuara, ata jo vetëm që do të jenë të përgatitur më mirë për të marrë pjesë në diskutimet e orës mësimore, por gjithashtu do të fitojnë një kuptim më të gjerë mbi temat e kursit. Në fillim të semestrit, jepuni studentëve një listë të të gjitha pjesëve “Materiale Leximi për Studentin”.

Si mund të përgatitem për të dhënë mësim?

Zoti do t’ju ndihmojë ndërsa përgatiteni për të dhënë mësim. Ndërsa përgatiteni, mund t’ju duket e dobishme t’i bëni vetes pyetjet vijuese:

  • A jam lutur për të marrë udhëheqjen e Frymës së Shenjtë?

  • A i kam studiuar blloqet e caktuara të shkrimeve të shenjta dhe leximin e kontekstit?

  • A e kam lexuar programin mësimor dhe a kam përcaktuar nëse ka ndonjë gjë aty që duhet ta përshtat ose rregulloj për të përmbushur nevojat e studentëve të mi?

  • Si mund të ndjek ecurinë e materialeve të leximit për studentin që të sigurohem se studentët po përfitojnë maksimumin nga ato?

  • Si mund ta ndihmoj secilin prej studentëve të mi që të marrë plotësisht pjesë në mësim?

Sugjerimet vijuese mund të jenë gjithashtu të dobishme:

  • Nxitini studentët që t’i lexojnë fragmentet e shkrimit të shenjtë dhe artikujt e caktuar përpara çdo mësimi.

  • Kërkoni që studentët të përmbushin rolin e tyre si studentë.

  • Siguroni mundësi të vazhdueshme për studentët që të shpjegojnë doktrina e parime me vetë fjalët e tyre, të tregojnë përvoja të përshtatshme dhe të dëshmojnë për atë që dinë dhe ndiejnë.

  • Ndryshojini veprimtaritë dhe qasjet mësimore që përdorni në çdo orë mësimore dhe gjithashtu nga dita në ditë.

  • Krijoni një mjedis të të mësuarit që fton Shpirtin dhe në të cilin studentët kanë privilegjin dhe përgjegjësinë të japin mësim dhe të mësojnë nga njëri-tjetri (shih DeB 88:78, 122).

Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

Pamja
Plaku Riçard G. Skot

“Sigurohuni që ka pjesëmarrje të bollshme ngaqë përdorimi i lirisë së zgjedhjes nga një student e autorizon Frymën e Shenjtë të udhëzojë. … Kur studentët i shprehin të vërtetat me fjalët e tyre, ata përforcohen në shpirtrat e tyre dhe forcojnë dëshminë e tyre vetjake” (“To Understand and Live Truth” [mbrëmje me Plakun Riçard G. Skot, 4 shkurt 2005], f. 3; si.lds.org).

Si mund t’i përshtat mësimet për njerëzit me paaftësi?

Ndërsa përgatiteni që të jepni mësim, jini të vëmendshëm ndaj studentëve që kanë nevoja të veçanta. Përshtatini veprimtaritë dhe pritshmëritë që t’i ndihmoni t’ia dalin mbanë. Për shembull, disa studentë mund të përfitojnë nga të pasurit e mundësisë së përdorimit të regjistrimeve zanore të shkrimeve të shenjta. Këto mund të shkarkohen me lehtësi nga LDS.org.

Për më shumë ide dhe burime, drejtojuni faqes Disability Resources [Burime Lidhur me Paaftësinë] te disabilities.lds.org dhe pjesës së titulluar Orë dhe Programe Mësimi të Përshtatura për Studentë me Paaftësi te manuali i rregullores së Seminareve e Instituteve të Fesë.