Seminare dhe Institute
Mësimi 9: Ndikimi i Thellë i Shpëtimtarit


Mësimi 9

Ndikimi i Thellë i Shpëtimtarit

Hyrje

Te “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, udhëheqësit e Kishës shpallën: “Ne japim dëshminë tonë për vërtetësinë e jetës së … pashoqe [të Shpëtimtarit] dhe virtytit të pafund të sakrificës së Tij madhështore e shlyese. Asnjë tjetër nuk ka patur një ndikim kaq të thellë mbi të gjithë njerëzit që kanë jetuar dhe që ende do të jetojnë në tokë” (Ensign ose Liahona, prill 2000, f. 2). Ky mësim do të tregojë se Shpëtimtari është i pashoq ngaqë, mes arsyeve të tjera, Ai është i pamëkatë dhe përsosurisht i nënshtruar ndaj Atit Qiellor. Duke studiuar ndërveprimin e Tij me gruan samaritane te pusi, studentët do të shohin edhe ndikimin e thellë që Ai mund të ketë te çdokush që ia hap zemrën Atij.

Sugjerime për Mësimdhënien

Mateu 4:1–11; 2 Korintasve 5:21; Hebrenjve 2:17–18; 4:15–16; Doktrina e Besëlidhje 20:22

Jezu Krishti jetoi një jetë të pamëkatë

Fillojeni orën mësimore duke shkruar në tabelë vullneti im dhe vullneti i Perëndisë. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 6:38 dhe kërkojuni studentëve ta ndjekin, duke kërkuar për atë se sa vendime të tipit “vullneti im” mori Jezusi. Ftojini studentët të marrin parasysh në heshtje se sa vendime kanë marrë kohët e fundit që mund të klasifikohen si “vullneti im” dhe sa mund të klasifikohen si “vullneti i Perëndisë”.

Tregojuni studentëve se, pas pagëzimit të Tij, Jezusi u tundua nga Satani për të bërë gjëra që mund të klasifikoheshin si “vullneti im”. Kërkojuni disa studentëve që me radhë të lexojnë me zë të lartë nga Mateu 4:1–11. Ftojeni klasën t’i ndjekë [ata], duke kërkuar për atë se si Jezu Krishti e mposhti tundimin. (Merrni parasysh që t’u vini në dukje studentëve se Përkthimi prej Joseph Smith-it i Mateut 4:1–11 qartëson se ishte Shpirti, jo Satani, që e çoi Jezusin në majë të tempullit [shih vargun 5] dhe pastaj në një mal të lartë [shih vargun 8]. Pasi Shpirti e çoi Jezusin në këto vende, djalli erdhi për ta tunduar Atë.)

  • Çfarë vutë re rreth mënyrës se si Shpëtimtari iu përgjigj tundimeve të Satanit?

  • Çfarë mësoni nga shembulli i Shpëtimtarit në këto vargje?

  • Si janë tundimet me të cilat u përball Shpëtimtari, të ngjashme me ato me të cilat përballemi në jetën tonë?

Paraqitni dhe lexoni thënien vijuese nga Presidenti Dejvid O. Mek‑Kei (1873–1970), i cili komentoi mbi tundimet me të cilat Jezusi u përball në shkretëtirë:

Pamja
Presidenti Dejvid O. Mek‑Kei:

“Pothuajse çdo tundim që ju vjen juve dhe mua, vjen në një nga ato forma. Klasifikojini ato dhe ju do të zbuloni se nën njërën nga ato të tria, pothuajse çdo tundim i dhënë që ju njollos juve dhe mua, sado i vogël qoftë, na vjen si: 1) një tundim oreksi; 2) një dorëzim ndaj krenarisë dhe modës si dhe sqimës së atyre që u janë larguar gjërave të Perëndisë; ose 3) përmbushje e një pasioni apo një dëshire për pasuritë e botës ose për fuqi mes njerëzve” (“Unspotted from the World”, Ensign, gusht 2009, f. 27).

Ftoni një student të lexojë me zë të lartë Hebrenjve 2:17–18; 4:15–16. Kërkojini një studenti tjetër të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 20:22. Kërkojini klasës ta ndjekë atë dhe të vërë në dukje ndonjë ngjashmëri mes dy fragmenteve. Më pas bëni pyetjet vijuese:

  • Përse ishte e nevojshme për Jezusin që të provonte tundime?

  • Përse është e rëndësishme për ne që të kuptojmë se Jezu Krishti përjetoi po ato lloj tundimesh me të cilat përballemi ne sot?

Tregojuni studentëve se një prej synimeve të mësimit të sotëm është që të ilustrojë jetën e pashoqe të Shpëtimtarit. Pyeteni klasën se si fragmentet e shkrimit të shenjtë të studiuara deri tani në mësim ilustrojnë një aspekt të jetës së pashoqe të Shpëtimtarit. (Studentët duhet të përcaktojnë parimin vijues: Jezu Krishti jetoi një jetë të pashoqe për shkak se Ai kurrë nuk iu dorëzua tundimit dhe nuk mëkatoi.)

Paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Hauard W. Hanter (1907–1995) dhe kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë:

Pamja
Presidenti Hauard W. Hanter

“Është e rëndësishme të mbahet mend se Jezusi ishte në gjendje të mëkatonte, që ai mund të ishte dorëzuar, se plani i jetës dhe i shpëtimit mund të ishte zmbrapsur, por se Ai mbeti i vërtetë. Nëse nuk do të kishte pasur asnjë mundësi dorëzimi të Tij ndaj joshjes së Satanit, nuk do të kishte pasur asnjë provë reale, asnjë fitore të vërtetë te rezultati. … Ai ishte i përsosur dhe i pamëkatë, jo ngaqë duhej të ishte, por përkundrazi ngaqë Ai qartazi dhe vendosmërisht dëshironte të ishte” (“The Temptations of Christ”, Ensign, nëntor 1976, f. 19).

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Llukën 22:42, 44 dhe 3 Nefin 11:11, duke kërkuar për një cilësi të Jezu Krishtit që është një tjetër shembull i jetës së Tij të pashoqe. (Studentët duhet të përcaktojnë nënshtrimin e Shpëtimtarit ndaj vullnetit të Atit.)

Paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994) dhe ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë:

Pamja
Presidenti Ezra Taft Benson

“Ai vuajti dhembjet e të gjithë njerëzve në Gjetseman në mënyrë që atyre të mos u duhej të vuanin nëse do të pendoheshin.

Ai ia nënshtroi Veten poshtërimit dhe fyerjeve të armiqve të Tij pa ankesë apo shpagë.

Dhe, në fund, Ai duroi fshikullimin dhe turpin e vrazhdë të kryqit. Vetëm atëherë Ai me vullnetin e Tij iu nënshtrua vdekjes. …

Ai ishte përsosurisht i bindur ndaj Atit tonë Qiellor” (“Jesus Christ: Our Savior and Redeemer”, Ensign, nëntor 1983, f. 7, 8).

Vijoni duke bërë pyetjet e mëposhtme:

  • Në planin e shpëtimit të Atit Qiellor, përse ishte e nevojshme që Jezusi të ishte përsosurisht i pamëkatë dhe përsosurisht i nënshtruar ndaj vullnetit të Atit Qiellor? (Studentët mund të japin një larmi përgjigjesh, por ata duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Plani i shpëtimit kërkonte që Jezusi të ishte përsosurisht i bindur në mënyrë që të realizohej Shlyerja.)

  • Si ndikon në besimin tuaj te Jezu Krishti dijenia se Ai ishte përsosurisht i pamëkatë dhe i bindur ndaj vullnetit të Atit Qiellor? (Ndërkohë që studentët përgjigjen, theksoni se ne mund të fitojmë forcë për të mposhtur tundimin dhe për të qenë të bindur ndërsa ndjekim shembullin e Jezu Krishtit të përpjekjes për të bërë vullnetin e Atit në vend të vullnetit tonë.)

Gjoni 4:1–29

Ndikimi i thellë i Shpëtimtarit

Shkruajeni në tabelë ose paraqitni fjalinë vijuese nga “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve” (Ensign ose Liahona, prill 2000, f. 2):

“Asnjë tjetër nuk ka patur një ndikim kaq të thellë mbi të gjithë njerëzit që kanë jetuar dhe që ende do të jetojnë në tokë”.

Ndihmojini studentët të përsiatin për këtë thënie duke bërë pyetjen vijuese:

  • Cilat nga tiparet e Jezu Krishtit e mundësuan Atë të kishte një ndikim të tillë tek të gjithë që kanë jetuar dhe ende do të jetojnë?

Tregojuni studentëve se një prej individëve tek e cila Jezusi pati ndikim të thellë gjatë shërbesës së Tij të vdekshme, ishte një grua samaritane. Ndihmojini studentët të përdorin mjetet ndihmëse për studim në shkrimet e tyre të shenjta për të gjetur të dhëna rreth samaritanëve (shih Bible Dictionary, “Samaritans”; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Samaritanë”, f. 166; scriptures.lds.org). Përmblidheni Gjonin 4:1–8 dhe më pas kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Gjonin 4:9. Vini në dukje se si përgjigjja e gruas ndaj Jezusit zbulon një pjesë të armiqësisë që ekzistonte mes judeasve dhe samaritanëve në atë kohë. Më pas kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Gjonin 4:10–15. Pas një kohe të mjaftueshme, bëni pyetjet vijuese:

  • Si do ta cilësonit ndërveprimin midis Jezusit dhe gruas?

  • Çfarë po i ofronte Jezusi asaj?

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Gjonin 4:16–19 ndërsa klasa e ndjek dhe përfytyron se si do të kishte qenë të ishin në vend të gruas në këtë bisedë. (Shënim: Përfytyrimi mund të ndihmojë në bërjen e një rrëfimi të shkrimit të shenjtë më të gjallë dhe të vërtetë.) Më pas bëni pyetjet vijuese:

  • Çfarë mendimesh mund të kishit pasur po të ishit gruaja samaritane? Përse?

  • Çfarë prove ka që Jezusi kishte ndikim tek ajo? (Vini në dukje avancimin e titujve që gruaja përdori ndaj Tij: “Jude” [vargu 9]; “Zot” [vargjet 11, 15] dhe pastaj “profet” [vargu 19].)

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Gjoni 4:20–29. Kërkojini klasës të gjejë titujt e përdorur për Shpëtimtarin te vargu 25 dhe vargu 29. Më pas kërkojuni studentëve të përsiatin shkurtimisht përpara se t’i përgjigjen pyetjes vijuese:

  • Çfarë bëri Shpëtimtari gjatë asaj periudhe të shkurtër kohe për të ndryshuar perceptimin që gruaja kishte ndaj Tij nga të qenit “Jude” (vargu 9) tek të qenit “Krishti” (vargu 29)? (Ftojini studentët të tregojnë për atë që vunë re në këto fragmente. Përgjigjet mund të përfshijnë sa vijon: Ai shfaqi respekt ndaj saj, Ai i mësoi asaj doktrinën, Ai e mësoi atë në një mënyrë të atillë që Fryma e Shenjtë do t’i dëshmonte asaj, Ai zbuloi gjëra personale rreth saj dhe Ai e përqendroi vëmendjen e Tij tek ajo.)

  • Çfarë na mëson rrëfimi i Shpëtimtarit dhe gruas samaritane rreth asaj se çfarë ndien Shpëtimtari për ju dhe ndikimit që Ai mund të ketë te ju?

  • Si e keni parë Shpëtimtarin të ndikojë në jetën tuaj ose në jetën e dikujt që njihni? Çfarë pasoje kishte ndikimi i Shpëtimtarit?

  • Çfarë do të zotoheni të bëni për ta dalluar më mirë ndikimin e Shpëtimtarit në jetën tuaj dhe për ta lejuar ndikimin e Tij t’ju ndryshojë?

Dëshmoni se, ndërsa e drejtojmë jetën tonë nga Shpëtimtari, Ai do të ketë një ndikim të thellë te ne. Ndikimi më i madh i Shpëtimtarit ndodh ndërsa e ftojmë fuqinë e sakrificës së Tij shlyese për të na pastruar, ngritur dhe ndryshuar. Nxitini studentët të përsiatin rreth asaj që mund të bëjnë për t’i treguar mirënjohje Shpëtimtarit për ndikimin e Tij në jetën e tyre. Ftojini të veprojnë sipas asaj që ata ndiejnë.

Materiale Leximi për Studentin