Seminare dhe Institute
Mësimi 22: Ati dhe Biri iu Shfaqën Jozef Smithit


Mësimi 22

Ati dhe Biri iu Shfaqën Jozef Smithit

Hyrje

Te “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve” deklarohet: “Në botën moderne Ai dhe i Ati iu shfaqën të riut Jozef Smith, duke nisur ‘periudhën e plotësisë së kohërave’ që ish premtuar kohë më parë (Efesianëve 1:10)” (Ensign ose Liahona, prill 2000, f. 3). Ky mësim do të përqendrohet në rolin qendror të Vegimit të Parë në doktrinën e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe të pjesës së Shpëtimtarit në atë vegim. Ky mësim do të theksojë edhe se studimi i Vegimit të Parë e forcon besimin tonë te Perëndia, Ati, dhe te Jezu Krishti.

Lexim Konteksti

  • Gordon B. Hinckley, “The Marvelous Foundation of Our Faith”, Ensign ose Liahona, nëntor 2002, f. 78–81.

  • Dieter F. Uchtdorf, “The Fruits of the First Vision”, Ensign ose Liahona, maj 2005, f. 36–38.

  • Nil L. Andersen, “Jozef Smithi”, Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 28–31.

Sugjerime për Mësimdhënien

Joseph Smith – Historia 1:14–17

Jozef Smithi pa Atin, Perëndinë dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin

Vendosni kontekstin e këtij mësimi duke shqyrtuar shkurtimisht vargjet te Joseph Smith – Historia 1:5–12. Pastaj, kërkojuni studentëve ta përngjasojnë këtë fragment me kohën tonë duke i vënë në dukje ngjashmëritë përvojës së Jozef Smithit me kërkimin e së vërtetës dhe përvojat e atyre që e kërkojnë të vërtetën në kohën tonë. (Përgjigjet duhet të përfshijnë sa vijon: Kishte shumë grindje midis kishave të ndryshme. Jozef Smithi nuk qe në gjendje ta mësonte se cila kishë ishte e vërtetë me anë të logjikës apo intelektit. Udhëheqësit fetarë i interpretonin ndryshe të njëjtat fragmente të shkrimeve të shenjta.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Joseph Smith – Historinë 1:14–15 . Më pas, pyeteni klasën:

  • Përse mendoni se Satani u përpoq ta parandalonte Jozef Smithin që të lutej? (Përgjigjet mund të përfshijnë sa vijon: Satani e njihte Jozef Smithin që nga bota paratokësore dhe e dinte se misioni i parashuguruar i Jozefit ishte që të ndihmonte për ta rivendosur të vërtetën në tokë. Satani u përpoq ta parandalonte këtë që të mos ndodhte.)

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Joseph Smith – Historinë 1:16–17 , e të hedhin në letër doktrinat që dalin nga dëshmia e Jozef Smithit. Pas kohës së nevojshme, ftojini studentët të tregojnë doktrinat që kanë përcaktuar.

Merreni parasysh shfaqjen e thënies së mëposhtme nga Plaku Kristofel Golden i Të Shtatëdhjetëve:

Pamja
Plaku Kristofel Golden

“Profeti shkroi: ‘Unë pashë dy Personazhe, shkëlqimi dhe lavdia e të cilëve i kapërcejnë të gjitha përshkrimet, duke qëndruar mbi mua në ajër. Një prej tyre më foli, duke më thirrur në emër dhe tha, duke treguar tjetrin – Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!’ [Joseph Smith – Historia 1:17].

Kjo përvojë e djaloshit Jozef, e pasuar nga shumë vegime dhe zbulesa të tjera, tregon se Perëndia në të vërtetë ekziston; se Ati dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, janë dy qenie të ndara dhe të ndryshme; se njeriu është krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë; se Ati ynë Qiellor është vërtet Ati i Jezu Krishtit; se Perëndia vazhdon t’ia zbulojë Veten njeriut; se Perëndia është gjithmonë afër dhe i interesuar për ne; dhe se Ai u përgjigjet lutjeve tona” (“Ati dhe Biri”, Ensign se Liahona, maj 2013, f. 100).

  • Si do ta përshkruani rëndësinë e Vegimit të Parë të Jozef Smithit në teologjinë e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme? (Teksa studentët përgjigjen, theksoni sa vijon : Vegimi i Jozef Smithit me Atin dhe Birin rivendosi shumë të vërteta të rëndësishme në tokë.)

  • Si do ta përshkruanit lidhjen e Vegimit të Parë të Jozef Smithi me kërkuesit e së vërtetës sot?

Shfaqeni thënien e mëposhtme nga Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008), dhe kërkojini një studenti ta lexojë atë me zë të lartë:

Pamja
Presidenti Gordon B. Hinkli

“E gjithë çështja jonë si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme qëndron te vlefshmëria e këtij Vegimi të Parë të lavdishëm. Asnjë gjë tek e cila e bazojmë doktrinën tonë, asnjë gjë që japim mësim, asnjë gjë sipas të cilës jetojmë, nuk ka rëndësi më të madhe sesa kjo deklaratë e parë. Unë parashtroj se, nëse Jozef Smithi foli me Perëndinë, Atin, dhe Birin e Tij të Dashur, atëherë gjithçka tjetër për të cilën foli është e vërtetë. Kjo përbën menteshën kyçe ku mbështetet porta që çon te shtegu i shpëtimit dhe i jetës së përjetshme” (“What Are People Asking about Us?” Ensign, nëntor 1998, f. 71).

  • Përse “e gjithë çështja jonë si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme” qëndron te vlefshmëria e Vegimit të Parë? (Studentët duhet ta kuptojnë se, nëse tregimi i Jozef Smithit është i rremë, atëherë Rivendosja e Kishës së Jezu Krishtit nuk ndodhi; megjithatë, nëse tregimi i Jozef Smithit është i vërtetë, atëherë Rivendosja ndodhi dhe ungjilli i rivendosur është i vërtetë.)

  • Si e keni fituar një dëshmi për vërtetësinë e Vegimit të Parë?

Ftojini studentët të fillojnë të mendojnë rreth asaj që mund të bëjnë për të kërkuar një pohim të përtëritur për të vërtetën e Vegimit të Parë. Merrni parasysh ta jepni thënien e mëposhtme nga Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Nil L. Andersen

“Të rinjve që po dëgjojnë sot ose që i lexojnë këto fjalë në ditët në të ardhmen, unë u jap një sfidë të veçantë: Fitoni një dëshmi vetjake për Profetin Jozef Smith. … Lexoni dëshminë e Profetit Jozef Smith te Perla me Vlerë të Madhe. …Kjo është dëshmia vetjake e Jozefit lidhur me atë që ndodhi në të vërtetë. Lexojeni shpesh. Merrni parasysh ta incizoni dëshminë e Jozef Smithit me zërin tuaj, duke e dëgjuar rregullisht atë dhe duke ua treguar miqve. Të dëgjuarit e dëshmisë së Profetit në vetë zërin tuaj do t’ju ndihmojë të merrni dëshminë që kërkoni” (“Jozef Smithi”, Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 30).

Përpara se të vazhdoni, shpjegojuni studentëve se Vegimi i Parë nuk ishte e vetmja herë kur Shpëtimtari e vizitoi Jozef Smithin dhe të tjerë në këtë periudhë ungjillore. Për shembull, Jezu Krishti iu shfaq Jozef Smithit dhe udhëheqësve të tjerë të Kishës disa herë gjatë ditëve të para të Rivendosjes (për shembull, shih DeB 76:22–24; 110:1–10).

Joseph Smith – Historinë 1:17–20

“Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!”

Ftojini studentët të shqyrtojnë Joseph Smith – Historinë 1:17 dhe pyetini se çfarë bëri Ati Qiellor kur iu shfaq Jozef Smithit. (Ai prezantoi Birin e Tij.) Mund t’i pyetni studentët edhe nëse e kanë marrë ndonjëherë parasysh përse është e rëndësishme kjo pjesë e caktuar e Vegimit të Parë. Lexojani studentëve tuaj thëniet vijuese nga Presidenti Jozef Filding Smith (1876–1972):

Pamja
Presidenti Jozef Filding Smith

“E gjithë zbulesa që nga rënia ka ardhur nëpërmjet Jezu Krishtit. … Ati nuk është marrë me asnjë njeri drejtpërdrejt dhe ballë për ballë që nga rënia dhe nuk është shfaqur kurrë përveçse për ta prezantuar dhe për të dëshmuar për Birin” (Doctrines of Salvation, përpil. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–56], 1:27).

Kur Adami ishte në Kopshtin e Edenit, ai ishte në praninë e Perëndisë, Atit tonë të Përjetshëm. Pas rënies së tij, ai u hoq nga prania e Atit. … Pastaj, sipas shkrimeve të shenjta, Jezu Krishti u bë Avokati i Adamit dhe i fëmijëve të tij [shih 1 Gjoni 2:1; DeB 29:5; 110:4] dhe Ndërmjetësi i tyre gjithashtu [1 Timoteut 2:5; Hebrenjve 9:15] duke qëndruar ndërmjet njerëzimit dhe Atit të Përjetshëm, duke ndërhyrë për çështjen tonë. Nga ajo kohë e tutje, ishte Jezu Krishti Ai që i drejtoi shërbëtorët e tij në tokë dhe u dha zbulesë e udhërrëfim profetëve. Po të kishte qenë mashtrues Jozef Smithi … nuk do të kishte shpallur kurrë se ishte Ati që e prezantoi Birin dhe se i kërkoi [Jozefit] t’ia drejtonte pyetjen e vet Birit dhe se ishte Biri që e dha përgjigjen” (Answers to Gospel Questions, përpil. Joseph Fielding Smith Jr., 5 vëll. [1957–66], 3:58).

  • Në Vegimin e Parë, kur Jozef Smith pyeti se cili prej sekteve ishte i duhuri, cili Personazh iu përgjigj pyetjes së tij?

  • Sipas Presidentit Jozef Filding Smith, përse ishte e rëndësishme që Jozef Smithi ta shënonte se Ati Qiellor e prezantoi Jezu Krishtin dhe se ishte Jezu Krishti që më pas iu përgjigj pyetjeve të Jozefit? (Studentët duhet të kuptojnë të vërtetën vijuese: Që prej Rënies së Adamit dhe Evës, e gjithë zbulesa ka ardhur nëpërmjet Jezu Krishtit.)

  • Si ndikon te mirëbesimi juaj në vërtetësinë e tregimit të Profetit për vegimin e Tij të kuptuarit e këtij modeli për zbulesën?

Vegimi i Parë na ndihmon të zhvillojmë besimin te Jezu Krishti

Ftojeni një student të lexojë thënien që vijon nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë:

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Kjo është mënyra se si Vegimi i Parë i Jozef Smithit e bekon jetën tonë vetjake, jetën e familjeve dhe përfundimisht të gjithë familjen njerëzore – ne arrijmë të besojmë te Jezu Krishti nëpërmjet dëshmisë së Profetit Jozef Smith. Profetët dhe apostujt në të gjithë historinë e njerëzimit kanë pasur shfaqje hyjnore të ngjashme me të Jozefit. …

… Gjithë këto shfaqje të lashta dhe moderne, i çojnë ata që besojnë drejt burimit hyjnor të gjithë drejtësisë dhe shpresës – drejt Perëndisë, Atit tonë Qiellor dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit. …

Nëpërmjet besimit tonë në dëshminë vetjake të Profetit Jozef dhe vërtetësisë së Vegimit të Parë, nëpërmjet studimit e lutjes, të thellë dhe të sinqertë, ne do të bekohemi me një besim të palëkundur në Shpëtimtarin e botës, i cili i foli Jozefit “në mëngjesin e një dite të bukur, të kthjellët, në fillim të pranverës së njëmijetetëqindenjëzetës” (Joseph Smith—Historia 1:14)” (“The Fruits of the First Vision”, Ensign ose Liahona, maj 2005, f. 38).

  • Sipas Presidentit Uhtdorf, çfarë bekimesh vijnë nga të mësuarit rreth Vegimit të Parë? (Edhe pse ata mund të përdorin fjalë të ndryshme, studentët duhet të përcaktojnë parimin vijues: Ndërsa mësojmë rreth Vegimit të Parë, ne zhvillojmë një besim më të madh te Perëndia, Ati, dhe te Biri i Tij, Jezu Krishti.)

  • Si e thellon besimin tonë tek Ata të mësuarit rreth vizitës së Atit dhe të Birit te Jozef Smithi? (Përgjigjet mund të përfshijnë sa vijon: Vegimi i Parë është një dëshmi tjetër që Ata jetojnë; ai na siguron se Ata duan t’ia dinë për punët e njeriut; ai është provë se Ata i dëgjojnë dhe u përgjigjen lutjeve.)

  • Çfarë roli luan Vegimi i Parë në dëshminë tuaj për Rivendosjen?

  • Çfarë mund të bëni javën e ardhshme për ta forcuar apo për ta marrë pohimin e dëshmisë suaj për Vegimin e Parë?

Sfidojini studentët që të shpenzojnë pak kohë në ditët në vijim duke u përsiatur e duke u lutur rreth Vegimit të Parë. Ftojini ata t’i hedhin në letër mendimet dhe ndjenjat që kanë rreth përvojës së shenjtë të Jozef Smithit.

Leximet e Studentëve