Seminare dhe Institute
Mësimi 25: Jezu Krishti do të Kthehet Një Ditë


Mësimi 25

Jezu Krishti do të Kthehet Një Ditë

Hyrje

Profetët nëpër breza kanë profetizuar se Jezu Krishti do të kthehet përsëri në tokë. Isaia shënoi: “Atëherë lavdia e Zotit do të zbulohet dhe çdo qenie do ta shohë” (Isaia 40:5). Këto profeci i ndihmojnë dishepujt e Jezu Krishtit që ta përgatitin veten dhe të tjerët për këtë ngjarje të pazakontë dhe që të kenë shpresë, duke e ditur se Ati Qiellor e parasheh të ardhmen dhe po e përgatit botën për rikthimin e lavdishëm të Birit të Tij.

Lexim Konteksti

  • Dallin H. Oaks, “Preparation for the Second Coming”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 7–10.

Sugjerime për Mësimdhënien

Shpëtimtari do të vijë në fuqi dhe lavdi

Bëjuani studentëve pyetjet vijuese dhe përmblidhini përgjigjet e tyre në tabelë:

  • Çfarë mendoni kur përmendet Ardhja e Dytë?

  • Si besoni se do të jetë Ardhja e Dytë?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 29:11 . Më pas, pyeteni klasën:

  • Çfarë mësoni nga ky fragment rreth Ardhjes së Dytë? (Teksa studentët përgjigjen, theksojeni të vërtetën vijuese: Kur Shpëtimtari të vijë përsëri, Ai do të vijë në fuqi dhe lavdi me të gjitha ushtritë e qiellit. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)

Shpjegojuani studentëve se ka shumë anë të Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit që mund të studiohen në shkrimet e shenjta, të tilla si shenja që do t’i paraprijnë ardhjes së Tij dhe shkatërrimit të të ligjve në ardhjen e Tij. Ky mësim do të përqendrohet posaçërisht te Shpëtimtari, ardhja e Tij në fuqi dhe lavdi dhe te mënyra se si mund të përgatitemi për atë ngjarje të madhërishme. Jepini secilit student një kopje të tabelës: “Profecitë për Ardhjen e Dytë”. Ftojini studentët të punojnë në dyshe dhe caktojini çdo dysheje dy ose tre rreshta nga fragmentet e shkrimeve të shenjta për t’i studiuar (sigurohuni që të mos lini asnjë rresht të pacaktuar). Kërkojini çdo dysheje të shkruajë në tabelë se çfarë japin mësim fragmentet që iu caktuan rreth Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit. Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni studentëve të raportojnë atë që zbuluan.

Pamja
fletushkë, Ardhja e Dytë e Jezu Krishtit

Ardhja e Dytë e Jezu Krishtit

Profecitë rreth Ardhjes së Dytë

Çfarë mësojmë rreth Ardhjes së Dytë

Doktrina e Besëlidhje 49:6–7; Joseph Smith—Mateu 1:40

Isaia 40:5; Mateu 16:27

Isaia 52:10; Doktrina e Besëlidhje 133:3

Zakaria 13:6; 14:4; Doktrina e Besëlidhje 45:48, 51–53

Isaia 63:2; Zbulesa 19:11–13; Doktrina e Besëlidhje 133:46–48

Veprat e Apostujve 1:9–11; 1 Thesalonikasve 4:16

1 Thesalonikasve 4:17; Doktrina e Besëlidhje 88:96–98

Zbulesa 16:20; Doktrina e Besëlidhje 133:21–24

Doktrina e Besëlidhje 5:19; 101:24–25; 133:41

2 Pjetrit 3:10; Joseph Smith—Mateu 1:46–48

Thellohuni duke bërë pyetjet vijuese:

  • Duke u bazuar tek ajo që studiuat, si do të shfaqet fuqia dhe lavdia e Jezu Krishtit në ardhjen e Tij?

  • Cilat profeci rreth Ardhjes së Dytë ju bënë më shumë përshtypje? Përse?

(Shënim: Përpara se të vazhdoni, mund t’i drejtoheni përsëri tabelës dhe pyetini studentët se çfarë vlere ka t’i studiosh shkrimet e shenjta në këtë mënyrë – duke kërkuar lidhje, modele e tema.)

Doktrina e Besëlidhje 1:12; 34:5–6; 39:20; 88:81–86, 92; 133:4–5, 10

Profetët na përgatitin për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit

Shfaqeni thënien e mëposhtme nga Presidenti Stërling W. Sill (1903–1994) i të Shtatëdhjetëve dhe ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë:

Pamja
Plaku Stërling W. Sill

“Ardhja e dytë e Krishtit përmendet mbi 1.500 herë në Dhiatën e Vjetër dhe 300 herë në Dhiatën e Re. Nëse Perëndia e mendoi këtë temë aq të rëndësishme, ai duhet të ketë dashur që ne të bëjmë diçka për këtë” (në Conference Report, prill 1966, f. 19).

  • Përse mendoni se është domethënëse që shkrimet e shenjta përfshijnë kaq shumë profeci lidhur me Ardhjen e Dytë?

Shfaqini fragmentet vijuese të shkrimeve të shenjta ose shkruajini në tabelë. Ftojini studentët t’i krahasojnë e ballafaqojnë në heshtje këto fragmente, duke kërkuar dy mënyra të ndryshme në të cilat duhet të përgatitemi për Ardhjen e Dytë.

DeB 1:12; 88:92; 133:4–5, 10

DeB 34:5–6; 39:20; 88:81–84

Pas një kohe të mjaftueshme, diskutoni për disa ose të gjitha pyetjet vijuese:

  • Si do t’i përmblidhnit në një pohim të vërtetat e dhëna mësim në këto fragmente? (Sigurohuni që studentët të shprehin diçka të ngjashme me sa vijon: Profecitë rreth Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit u dhanë dhe u shënuan në shkrimet e shenjta që ne të mund të përgatitim veten dhe të tjerët për atë ditë.)

  • Pse na nevojitet t’i përgatitim të tjerët dhe jo vetëm veten tonë për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit?

  • Cilat janë disa mënyra në të cilat ne mund t’i ndihmojmë të tjerët të përgatiten për kthimin e Zotit?

  • Si mendoni se të ndihmuarit e të tjerëve të përgatiten për Ardhjen e Dytë do t’ju ndihmojë edhe ju të përgatiteni?

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë thënien e mëposhtme nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Dallin H. Ouks

“Ndërkohë që jemi të pafuqishëm për ta ndryshuar faktin e Ardhjes së Dytë dhe nuk jemi në gjendje ta dimë kohën e saj të saktë, ne mund ta përshpejtojmë përgatitjen tonë vetjake dhe të përpiqemi të ndikojmë në përgatitjen e njerëzve përreth nesh. …

“Po sikur dita e ardhjes së Tij të ishte nesër? Sikur ta dinim që do ta takonim Zotin nesër – nëpërmjet vdekjes sonë të parakohshme ose nëpërmjet ardhjes së papritur të Tij – çfarë do të bënim ne sot? Çfarë rrëfimesh do të bënim? Çfarë praktikash do të ndërpritnim? Cilat llogari do të shlyenim? Çfarë faljesh do të jepnim? Çfarë dëshmish do të jepnim?

Nëse do t’i bënim ato gjëra atëherë, përse jo tani? Përse të mos kërkojmë paqe, ndërkohë që paqja mund të fitohet?” Nëse llambat tona të përgatitjes shterohen, le të fillojmë t’i rimbushim ato menjëherë” (“Preparation for the Second Coming”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 8, 9).

  • Çfarë mund të bëjë një njeri për ta përshpejtuar përgatitjen e vet për Ardhjen e Dytë?

  • Çfarë rreziku qëndron te shtyrja e përgatitjes sonë?

Mateu 25:1–13

Përgatitja për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit

Shpjegojuni studentëve se vetëm disa ditë para vdekjes së Jezu Krishtit, dishepujt e Tij bënë pyetje lidhur me shenja që do t’i paraprinin Ardhjes së Tij të Dytë (shih Mateu 24:3; Joseph Smith—Mateu 1:4). Përgjigjja e Shpëtimtarit gjendet te Mateu 24–25. Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë te Mateu 25:1–13 dhe kërkojini pjesës tjetër të klasës t’i ndjekin. Më pas, udhëhiqini studentët në një diskutim për shëmbëlltyrën e dhjetë virgjëreshave duke përdorur disa ose të gjitha pyetjet dhe citimet e mëposhtme:

  • Çfarë quani ju të pamend nga veprimet e këtyre pesë virgjëreshave? (Këto virgjëresha budallaçka nuk po bënin gjërat e nevojshme për t’u përgatitur për ardhjen e Shpëtimtarit. Përpjekja me zell për t’u përgatitur për ardhjen e Shpëtimtarit duke bërë atë që e dimë se është e drejtë sjell bekime të mëdha, duke përfshirë të qenit gati për t’u bashkuar me Shpëtimtarin kur Ai të vijë.)

  • Çfarë domethënie ka në frazën: “dilni për ta takuar atë”? (vargu 6). Përse të mos prisni me durim që Ai të vijë te ju? (Shih edhe DeB 133:5, 10, 14, 19.)

  • Pse virgjëreshat e mençura nuk mund ta ndanin vajin e tyre me virgjëreshat budallaçka?

  • Çfarë ju mëson kjo shëmbëlltyrë rreth përgatitjes për të takuar Shpëtimtarin? (Edhe pse mund të përdorin fjalë të ndryshme, studentët duhet të shprehin një parim të ngjashëm me sa vijon: Nëpërmjet bindjes ndaj urdhërimeve të Perëndisë, ne mund të përgatitemi për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit. Shih edhe DeB 45:56–57.)

Plotësojeni diskutimin me thëniet e mëposhtme nga Plaku Dallin H. Ouks dhe Plaku Dejvid A. Bednar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Dallin H. Ouks

“Për [shëmbëlltyrën e dhjetë virgjëreshave], Zoti tha: ‘Dhe në atë ditë, kur unë të vij në lavdinë time, do të përmbushet shëmbëlltyra që thashë lidhur me dhjetë virgjëreshat’ (DeB 45:56).

Siç jepet te kapitulli i 25–të i Mateut, kjo shëmbëlltyrë ballafaqon rrethanat e pesë virgjëreshave budallaçka dhe të pesë të mençurave. Që të dhjeta virgjëreshat u ftuan në gostinë e dasmës, por gjysma e tyre qe përgatitur me vaj në llamba kur erdhi dhëndri. Ato të pesta që qenë përgatitur shkuan në gostinë e dasmës dhe dera u mbyll. Ato të pesta që i kishin shtyrë përgatitjet e tyre erdhën vonë. Dera ishte mbyllur dhe Zoti nuk i la të hynin, duke thënë: ‘Nuk ju njoh’ [Mateu 25:12]. ‘Prandaj rrini zgjuar’, përfundoi Shpëtimtari, ‘sepse nuk e dini as ditën as orën në të cilët do të vijë Biri i njeriut’ [Mateu 25:13].

“Aritmetika e kësaj shëmbëlltyre është drithëruese. Dhjetë virgjëreshat në mënyrë të qartë përfaqësojnë anëtarët e Kishës së Krishtit, sepse të gjithë u ftuan në festën e dasmës dhe të gjithë e dinin se çfarë kërkohej për t’u pranuar kur të vinte dhëndri. Por vetëm gjysma ishin gati kur ai erdhi” ( “Preparation for the Second Coming”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 8).

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“A qenë pesë virgjëreshat egoiste dhe jo të gatshme për të ndarë [vajin], apo po vinin ato në dukje me të drejtë se vaji i kthimit në besim nuk mund të merret hua? A mund t’i jepet një njeriu tjetër forca shpirtërore që vjen si pasojë e bindjes së vazhdueshme ndaj urdhërimeve? A mund t’i kalohet dikujt që ka nevojë, njohuria e fituar nëpërmjet studimit të zellshëm dhe meditimit mbi shkrimet e shenjta? A mund t’i përçohet një individi që po përjeton fatkeqësi ose sfidë të madhe, paqja që i sjell ungjilli një shenjtori besnik të ditëve të mëvonshme? Përgjigjja e qartë për secilën prej këtyre pyetjeve është jo.

Sikurse e përforcuan siç duhej virgjëreshat e mençura, secili prej nesh duhet ‘të shko[jë të] ble[jë]’. Këto gra të frymëzuara nuk po përshkruanin një transaksion biznesi; përkundrazi, ato po theksonin përgjegjësinë tonë individuale për ta mbajtur ndezur llambën tonë të dëshmisë dhe për të marrë një furnizim të mjaftueshëm për vajin e kthimit në besim. Vaji i çmuar fitohet pikë pas pike – “rresht pas rreshti [dhe] parim pas parimi” (2 Nefi 28:30), me durim dhe këmbëngulje. Nuk ka asnjë rrugë më të lehtë; nuk është e mundur një përgatitje e beftë në minutën e fundit” (Dejvid A. Bednar, “Të Kthyer në Besim te Zoti”, Ensign ose Liahona, nëntor 2012, f. 109).

  • Përse duhet të ngutemi në përpjekjet tona për Ardhjen e Dytë të Krishtit?

Merrni parasysh ta shkruani thënien e mëposhtme të paplotë në tabelë dhe t’u kërkoni studentëve të përsiaten e më pas të hedhin në letër mënyrën se si do ta plotësonin atë:

Që ta përshpejtoj përgatitjen time për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit, unë do të .

Nxitini studentët të mendojnë për mënyra të posaçme se si mund të ndihmojnë familjen, miqtë ose të tjerët ta kuptojnë rëndësinë e përgatitjes për kthimin e Jezu Krishtit. Nxitini studentët t’i bëjnë Zotit një zotim që do të vazhdojnë t’i ndjekin nxitjet që kanë marrë.

Leximet e Studentëve