Biblioteka
Kthimi në Besim te Jezu Krishti


“Kthimi në Besim te Jezu Krishti”, Tema dhe Pyetje (2023)

grua duke qëndruar pranë ujit

Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit

Kthimi në Besim te Jezu Krishti

Një ndryshim i zemrës që vjen nga ndjekja e Jezu Krishtit

A e keni parë ndonjëherë një vemje jashtë në natyrë? Ndaluni një minutë për të menduar se sa i mrekullueshëm është fakti se nëpërmjet fuqisë së metamorfozës, një vemje e zakonshme mund të kthehet në një flutur të bukur. Hap pas hapi, vemja rritet dhe ndryshon, duke u bërë diçka tërësisht e re.

Kthimi në besim na ofron po të njëjtin lloj shndërrimi të bukur. Ndërsa i drejtojmë zemrat te Jezu Krishti, besëlidhim që t’i zbatojmë urdhërimet e Tij dhe kërkojmë të bëjmë vullnetin e Tij, jeta jonë ndryshon. Pak nga pak, ne bëhemi “krijes[a] [të] re[ja]” (2 Korintasve 5:17), më të ngjashëm me Perëndinë dhe të përgatitur më mirë për të marrë jetën e përjetshme.

Çfarë Është Kthimi në Besim?

Kthimi në besim është procesi me anë të të cilit Jezu Krishti na ndihmon të ndryshojmë bindjet, zemrën dhe jetën që të bëhemi më shumë si Ai dhe si Ati ynë Qiellor. Ai përfshin ushtrimin e besimit te Jezu Krishti, pendimin, pagëzimin, zbatimin e urdhërimeve, marrjen e ndikimit shenjtërues të Frymës së Shenjtë dhe durimin deri në fund. Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe ndjekjes së udhërrëfimit të Shpirtit, ne mund t’i ndryshojmë dhe mposhtim ndikimet negative të botës. Ky ndryshim na sjell paqe dhe lumturi në këtë jetë dhe jetë të përjetshme në botën që do të vijë.

Vështrim i përgjithshëm i temës: Kthimi në Besim

Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Besimi te Jezu Krishti, Pendimi, Durimi deri në Fund

Pjesa 1

Kthimi në Besim te Jezu Krishti Mund të Dojë Kohë, Përpjekje dhe Durim

Krishti duke përshëndetur njerëzit

Jezu Krishti na fton të gjithëve të vijmë tek Ai. Ndërsa e ndjekim Shpëtimtarin, ne ndryshojmë dhe bëhemi më shumë si Ai. Për shumë njerëz, kthimi në besim është një proces gradual në vend që të jetë rezultati i një ngjarjeje të vetme të fuqishme ose dramatike. Ai do kohë dhe përpjekje të vazhdueshme.

Në mënyrë që të ndodhë kthimi në besim, duhet të veprojmë me besim dhe me njohurinë që marrim nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Kur kthehemi në besim “nëpërmjet fuqisë së Shpirtit … zemra [jonë] ndryshon”. Dëshirat tona përputhen me dëshirat e Atit Qiellor dhe të Jezu Krishtit. Plaku Dejvid A. Bednar dha mësim: “Kthimi i vërtetë në besim sjell një ndryshim në bindjet, zemrën dhe jetën e dikujt për të pranuar dhe për t’iu bindur vullnetit të Perëndisë. … Ai është rezultat i zbulesës prej Perëndisë, i shoqëruar nga pendimi, bindja dhe zelli.”

Fakti që jemi kthyer në besim te Jezu Krishti, nuk do të thotë që jemi të përkryer. Në shtegun drejt kthimit në besim, të gjithë ende bëjmë gabime. Gjithsesi, nëpërmjet besimit të vazhdueshëm te Jezu Krishti dhe të pendimit të përditshëm, qasja jonë te fuqia e Jezu Krishtit mund të shtohet dhe ne mund ta forcojmë kthimin në besim tek Ai si dishepuj të Tij.

Gjëra për t’i menduar

  • Lexojini këto dy fragmente të shkrimeve të shenjta rreth Apostullit Pjetër: Mateu 16:13–17 dhe Lluka 22:31–32. Pse të qenit të kthyer plotësisht në besim te Krishti është një hap i rëndësishëm pas marrjes së një dëshmie për Të? Si bekohemi nëpërmjet kthimit të vërtetë në besim te Krishti?

  • Mendoni për ftesën dhe fuqinë e Shpëtimtarit për të na ndihmuar të ndryshojmë dhe për t’u bërë siç është Ai. Plaku Eduardo Gavaret dha mësim: “Zoti na fton duke përdorur folje të ndryshme: ‘Ejani tek unë’, ‘Më ndiq’, ‘Ec me mua’. Në secilin rast ajo nuk është një ftesë pësore; ajo është një ftesë për të vepruar. Ajo i drejtohet të gjithë njerëzimit.” Mendoni për mënyrën se si jeta dhe mësimet e Shpëtimtarit ju ftojnë të ndryshoni. Mund të lexoni te Lluka 22:39–44; Gjoni 6:51; Hebrenjve 5:9; 10:1–10; 2 Nefi 2:3–10; 9:5–24 dhe Nenet e Besimit 1:3 për ide. Merreni parasysh atë që mund të bëni sot ose këtë javë për t’i treguar Shpëtimtarit se e pranoni ftesën dhe ndihmën e Tij për ta ndryshuar jetën tuaj.

Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët

  • Mund të shikoni një material filmik ose të vështroni figura të një gjallese që kalon procesin e metamorfozës, të tillë si një fulterëz që kthehet në bretkosë ose një vemje që kthehet në flutur. Nëse është në dispozicion, mund të shikoni materialin filmik “Elder Neil L. Andersen Shares Lessons Learned from a Butterfly” [“Plaku Nil L. Andersen Jep Mësime të Nxjerra nga një Flutur”], ku ai shfaq një material filmik me intervale të ndryshme kohore duke treguar metamorfozën e një vemjeje që mbështillet në një krizalidë (guaskë) dhe përfundimisht del prej saj si një flutur e bukur. Bisedoni rreth ndryshimit të mahnitshëm nëpër të cilin kalojnë këto gjallesa. Më pas mund të lexoni atë që dha mësim Apostulli Pal rreth bërjes “një krijesë e re” në Krisht (2 Korintasve 5:17). Ku ngjason kthimi në besim te Jezu Krishti me të bërit një krijesë e re? Presidenti Dallin H. Ouks dha mësim se “njerëzit që po vazhdojnë përpara drejt kthimit në besim që nevojitet, po fillojnë t’i shohin gjërat sikurse i sheh Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti. Ata po dëgjojnë zërin e Tij në vend të zërit të botës dhe po i bëjnë gjërat sipas mënyrës së Tij në vend që ta bëjnë sipas mënyrave të botës.” Si jeni rritur dhe keni ndryshuar teksa i keni bazuar veprimet për kthimin tuaj në besim tek ungjilli i Jezu Krishtit? Merrini parasysh t’i mbani shënim mendimet si dhe mirënjohjen për drejtimin që ka marrë jeta juaj.

  • Ka shumë tregime të fuqishme për kthimin në besim te shkrimet e shenjta. Mund të zgjidhni një ose më shumë nga këto tregime, t’i studioni ose shikoni ato dhe ndoshta edhe t’i interpretoni me role. Shembujt përfshijnë tregimin për Ruthin (shihni te Ruthit 1), Enosin (shihni tek Enosi 1, ose shikoni materialin filmik “Enosi Lutet me Fuqi”), Alma të Riun (shihni te Mosia 27, ose shikoni materialin filmik “Alma i Riu Kthehet në Besim te Zoti”) dhe për mbretin Lamoni (shihni tek Alma 17–19, ose shikoni materialin filmik “Amoni i Shërben dhe i Jep Mësim Mbretit Lamoni”). Diskutoni për atë që mësoni nga shembulli i individit në tregim. Ndonëse kthimi në besim zakonisht është një proces më gradual se ai që u ndodhi këtyre individëve, ne mund të mësojmë shumë nga përvojat e tyre. Si jua forcojnë përvojat e tyre dëshirën për ta ndjekur ftesën e Krishtit për të ndryshuar?

Mësoni më shumë

Pjesa 2

Kthimi në Besim te Jezu Krishti Është një Përpjekje për Gjithë Jetën

familje duke u lutur

Të ktheheni në besim te Jezu Krishti dhe të zotoheni për ta ndjekur Atë është një gjë. Tjetër gjë është ta mbani atë zotim gjatë gjithë jetës suaj. Sikurse e tha Presidenti Diter F. Uhtdorf: “Të qenit një dishepull i Jezu Krishtit nuk është një përpjekje që bëhet një herë në javë ose një herë në ditë. Është një përpjekje që bëhet njëherë dhe përgjithmonë.”

Sidoqoftë, ajo nuk do të thotë se duhet të mbështetemi te forca e vullnetit tonë për të duruar deri në fund. Perëndia na jep ndihmë hyjnore përgjatë gjithë udhës, Ai na udhërrëfen dhe na ngushëllon me Shpirtin e Tij, Ai na jep mësim vazhdimisht nëpërmjet profetëve të Tij dhe Ai dërgoi Birin e Tij që të vdiste për ne që nëpërmjet besimit tek Ai të mund të forcohemi kur të pengohemi.

Gjëra për t’i menduar

  • Çfarë na duhet për të qëndruar të kthyer fort në besim tek ungjilli dhe për të duruar deri në fund? Plaku Dejll G. Renland dha mësim: “Kjo do të thotë që duhet ta ruajmë besimin te Jezu Krishti duke u lutur, duke studiuar shkrimet e shenjta, duke marrë sakramentin çdo javë dhe duke pasur Frymën e Shenjtë si shoqëruesin tonë të vazhdueshëm. Ne duhet që t’i ndihmojmë dhe t’u shërbejmë të tjerëve në mënyrë aktive dhe ta shpërndajmë ungjillin tek ta. Ne kemi nevojë që të jemi krejtësisht të drejtë dhe të ndershëm në të gjitha gjërat. … Ne duhet t’i përcaktojmë tundimet që mësyjnë lehtas dhe t’i largojmë ato – mjaft larg.” Mund të lexoni mesazhin e Plakut Renland “Mbajta e Ndryshimit të Fuqishëm të Zemrës” dhe të mendoni rreth asaj që po bëni për të qëndruar të kthyer fort në besim te Krishti. A po i mbani zakonet e thjeshta të përditshme dhe të përjavshme që do t’ju ndihmojnë të vazhdoni me besim? A po e largoni tundimin atje ku nuk ju arrin? Përsiatni dhe shkruani fusha të jetës ku mund të dëshironi të bëni ndryshime, që t’ju ndihmojnë të qëndroni në shtegun e besëlidhjeve.

Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët

  • Në Librin e Mormonit tregohet një ndodhi e fuqishme për një grup njerëzish që quheshin anti‑nefi‑lehitë të cilët “u kthyen në besim te Zoti [dhe] nuk hoqën dorë kurrë nga besimi i tyre” (Alma 23:6). Studiojini kapitujt tek Alma 23–25 dhe bëni një listë të gjërave që mësoni rreth këtij grupi. Si i ndihmoi Shpëtimtari ata që të bëheshin jashtëzakonisht të fortë në besimin e tyre? Më pas, secili prej jush mund të shkruajë mbi një shirit letre një gjë që mund ta “varros[ni] thellë” (shihni tek Alma 24:16–17) që do t’ju ndihmonte të qëndronit të zotuar fort ndaj Jezu Krishtit. Ose mund të groposni një send fizik për të simbolizuar zotimin tuaj për të qëndruar besnik/e.

  • Kthimi në besim te Jezu Krishti për gjithë jetën vjen nga të jetuarit e ungjillit të Tij, çdo ditë. Motra Boni L. Oskarson tregoi disa zakone të rëndësishme që kultivojnë kthimin afatgjatë në besim: “Kthimi i vërtetë në besim ndodh ndërsa vazhdoni të veproni në përputhje me doktrinat, të cilat e dini se janë të vërteta, dhe i mbani urdhërimet, dita‑ditës, çdo muaj.… Kthimi në besim ndodh kur jemi të zellshëm në bërjen e lutjeve tona, në studimin e shkrimeve tona të shenjta, në frekuentimin e kishës dhe në të qenit të denjë për të marrë pjesë në ordinancat e tempullit. Kthimi në besim vjen ndërsa veprojmë sipas parimeve të drejta që mësojmë në shtëpitë tona dhe në klasë.”

    Për t’ju ndihmuar të vazhdoni në shtegun e kthimit në besim, mund ta pranoni këtë sfidë si grup: Çdo ditë, për 30 ditë, kur të përballeni me zgjedhje, pyeteni veten: “Çfarë do të bënte një shenjtor i ditëve të mëvonshme i kthyer vërtet në besim?” Merreni parasysh të keni dikë para të cilit mbani përgjegjësi që të ndiqni ecurinë e këtij synimi. Pasi ta përfundoni sfidën, mund t’i diskutoni përvojat si grup. Si ju ndihmoi Shpëtimtari të ndryshonit teksa u përpoqët të bënit zgjedhje në përputhje me mësimet e Tij?

Mësoni më shumë