Biblioteka
E Vërteta


“E Vërteta”, Tema dhe Pyetje (2023)

agimi

Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit

E Vërteta

Njohuria që na prin për t’u kthyer te Perëndia

Bota jonë është e mbushur me pikëpamje dhe opinione të ndryshme. Nganjëherë është e vështirë të dish se kë ose çfarë të besosh. Presidenti Diter F. Uhtdorf, ndërkohë që shërbente në Presidencën e Parë, tha: “Kurrë në historinë e botës nuk kemi pasur të drejtë përdorimi më të lehtë të më shumë informacioni – një pjesë prej tij e vërtetë, një pjesë prej tij e rreme dhe shumë prej tij pjesërisht e vërtetë. Si pasojë, kurrë në historinë e botës nuk ka qenë më e rëndësishme që të mësojmë se si të dallojmë me saktësi midis së vërtetës dhe së gabuarës.” Duke kërkuar burime të besueshme dhe duke u mbështetur tek udhërrëfimi i Shpirtit, mund të dallojmë se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo.

Çfarë Është e Vërteta?

Shkrimet e shenjta e përshkruajnë të vërtetën si “dituri për gjërat siç janë dhe siç ishin, dhe siç do të jenë” (Doktrina e Besëlidhje 93:24). E vërteta krahasohet në shkrimet e shenjta me dritën dhe zbulesën nga qielli (shihni te Doktrina e Besëlidhje 84:45; 88:66–67; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Vërtetë (e)”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]). Burimi i së vërtetës së përjetshme është Vetë Perëndia. E vërteta hyjnore është zbuluar në kohën tonë nëpërmjet Profetit Jozef Smith dhe profetëve të tjerë të ditëve të mëvonshme. Të vërtetat që gjenden në ungjillin e Jezu Krishtit, janë thelbësore që të na përgatitin për shpëtimin dhe ekzaltimin (shihni te 2 Nefi 31:19–21; Doktrina e Besëlidhje 33:10–12).

Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Kthimi në Besim, Të Mësuarit dhe Mësimdhënia e Ungjillit të Jezu Krishtit

Pjesa 1

Perëndia Është Burimi i të Gjithë së Vërtetës

vajzë duke lexuar shkrimet e shenjta pranë oqeanit

Perëndia Ati “është plot hir e të vërtetë” (Doktrina e Besëlidhje 66:12). Jezu Krishti tha: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta” (Gjoni 14:6). Ai e shpall të vërtetën, shpesh nëpërmjet fuqisë së Shpirtit të Shenjtë dhe nëpërmjet profetëve dhe nuk mund të gënjejë (shihni te Jakobi [LiM] 4:13; Ethëri 3:12; Doktrina e Besëlidhje 1:37–38).

Ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit përfshin plotësinë e së vërtetës hyjnore që është zbuluar në kohën tonë. E vërteta hyjnore është e pandryshueshme dhe e përjetshme (shihni te Doktrina e Besëlidhje 1:39; 88:66).

Perëndia na fton t’i mësojmë të vërtetat hyjnore rreth Jezu Krishtit, mësimeve të Tij dhe flijimit të Tij shlyes. Këto janë disa nga të vërtetat më të rëndësishme që janë zbuluar (shihni te 2 Nefi 2:6–7; 31:15, 21; 3 Nefi 21:6).

Gjëra për t’i menduar

  • Jo të gjitha të vërtetat janë njësoj të rëndësishme. Profeti Jozef Smith përcaktoi të vërtetat më të rëndësishme në ungjill: “Parimet themelore të besimit tonë janë dëshmia e Apostujve dhe Profetëve në lidhje me Jezu Krishtin, që Ai vdiq, u varros, u ngrit sërish ditën e tretë dhe u ngjit në qiell; dhe gjithë gjërat e tjera që i përkasin besimit tonë, janë vetëm shtojca të kësaj”. Mund të vizatoni një pemë dhe të shkruani tek trungu “Jezu Krishti u ringjall”. Pastaj te degët ose “shtojca[t]” mund të shkruani të vërteta të tjera që e dini se rrjedhin nga kjo e vërtetë themelore. Çfarë do të ndodhte po të veçoheshin ndonjëherë këto të vërteta të tjera nga kjo e vërtetë themelore? Pse është dëshmia e profetëve dhe apostujve rreth Jezusit dhe Ringjalljes së Tij kaq e rëndësishme për besimin tonë tek të vërtetat e tjera? Përsiatni se si mund ta forconi besimin tuaj te Shpëtimtari dhe Ringjallja e Tij dhe merreni parasysh se si mund t’jua ushqejë kjo besimin për të vërtetat e tjera të ungjillit.

  • Perëndia do që të gjithë fëmijët e Tij ta mësojnë të vërtetën hyjnore. Në proklamatën mbi Rivendosjen, Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve dhanë mësim: “Ne, si Apostujt e [Krishtit], i ftojmë të gjithë që ta dinë – ashtu siç e dimë ne – që qiejt janë hapur. Ne pohojmë se Perëndia po e bën të njohur vullnetin e Tij për bijtë dhe bijat e Tij të dashura. Ne dëshmojmë se ata që me lutje e studiojnë mesazhin e Rivendosjes dhe veprojnë me besim, do të bekohen që të fitojnë vetë dëshminë e tyre për hyjnueshmërinë e saj dhe qëllimin e saj për ta përgatitur botën për Ardhjen e Dytë të premtuar të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit.” Mund të kërkoni te proklamata mbi Rivendosjen për të vërteta që jua tërheqin më shumë vëmendjen. Pastaj përsiatni arsyen pse është e rëndësishme të dihet secila e vërtetë dhe se si mund të ndikojë secila te zgjedhjet që bëni.

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

  • Lexojeni së bashku këtë thënie nga Presidenti Rasëll M. Nelson:

    “Në kundërshtim me dyshimet e disave, ka njëmend diçka të tillë si e drejta dhe e gabuara. Ka njëmend të vërtetë absolute – e vërteta e përjetshme. Një nga plagët e ditëve tona është se shumë pak njerëz e dinë se ku të drejtohen për të vërtetën [shihni te Doktrina e Besëlidhje 123:12]. …

    Doktrina e kulluar e Krishtit është e fuqishme. Ajo e ndryshon jetën e kujtdo që e kupton atë dhe kërkon ta zbatojë në jetën e vet.”

    Mund të punoni së bashku për të bërë një listë me të vërteta që janë absolute ose të përjetshme (të tilla si: “Perëndia është Ati ynë Qiellor”) dhe të vërteta që janë të përkohshme (të tilla si: “Këmisha që kam veshur, është e kuqe” ose “Jashtë po bie shi”). Pse është e rëndësishme të dallojmë ndryshimin ndërmjet të vërtetave të përjetshme dhe të vërtetave të përkohshme? Mund të bisedoni gjithashtu rreth asaj se ku “drejtohen[i] për të vërtetën” veçanërisht për të vërtetën e përjetshme.

Mësoni më shumë

Pjesa 2

Perëndia Dëshiron që Ne ta Mësojmë të Vërtetën Hyjnore dhe t’ua Tregojmë Njerëzve

një i ri dhe e re duke lexuar shkrimet e shenjta

Ati ynë Qiellor dëshiron që ne t’i dimë dhe t’i besojmë të vërtetat hyjnore të ungjillit. Kuptueshmëria jonë për të vërtetën e përjetshme vjen nga Perëndia nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Fryma e Shenjtë na prin drejt së vërtetës (shihni te 1 Korintasve 2:9–10, 14; Moroni 10:4–5; Doktrina e Besëlidhje 84:44–47). Kur zgjedhim të veprojmë në bazë të së vërtetës që marrim, ne jemi në gjendje të marrim më shumë të vërteta nga Perëndia (shihni te 2 Nefi 28:30; Doktrina e Besëlidhje 93:26–28).

Perëndia dëshiron gjithashtu që ata që e kanë të vërtetën, t’ua tregojnë të tjerëve (shihni tek Enosi 1:26; Doktrina e Besëlidhje 58:47; 75:3–5). Prindërit, për shembull, këshillohen t’i sjellin fëmijët e tyre në dritë dhe të vërtetë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 93:40, 42). Mund të flasim gjithashtu për ungjillin me shumë veta që nuk e njohin të vërtetën sepse nuk dinë se ku ta gjejnë atë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 123:12).

Gjëra për t’i menduar

  • Plaku Xhon C. Pingri i Riu dha mësim:

    “Perëndia zbulon të vërteta doktrinore nëpërmjet profetëve dhe Fryma e Shenjtë na i pohon ato të vërteta neve dhe na ndihmon t’i vëmë ato në jetë. Ne duhet t’i kërkojmë dhe të jemi të përgatitur për t’i marrë këto mbresa shpirtërore kur ato vijnë. Ne jemi më së shumti pranues ndaj dëshmimit të Shpirtit kur jemi të përulur, lutemi sinqerisht e i studiojmë fjalët e Perëndisë dhe i zbatojmë urdhërimet e Tij.

    Pasi Fryma e Shenjtë na e pohon një të vërtetë të caktuar, kuptueshmëria jonë thellohet kur e vëmë atë parim në veprim. Me kalimin e kohës, kur e jetojmë vazhdimisht parimin, ne fitojmë një njohuri të sigurt për atë të vërtetë.”

    Merreni parasysh të shkruani disa nga të vërtetat që Perëndia jua ka zbuluar nëpërmjet profetëve. Kur e keni ndier Frymën e Shenjtë t’jua pohojë këto të vërteta? Si mund të përgatiteni më qëllimisht për të marrë mbresa shpirtërore rreth të vërtetave doktrinore? Si mund ta vini në praktikë njohurinë tuaj për këto të vërteta?

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

  • Lexoni te 2 Nefi 28:26–30 dhe Doktrina e Besëlidhje 93:11–13. Diskutoni se çfarë na mësojnë këto vargje rreth të mësuarit dhe marrjes së të vërtetës hyjnore. Ndoshta mund të bisedoni për shembuj të tjerë të gjërave që ndodhin ose zhvillohen “rresht pas rreshti” ose “pak këtu dhe pak atje”. Çfarë sugjerojnë këta shembuj rreth rritjes së njohurisë sonë për të vërtetën? Më pas lexoni këtë këshillë nga Presidenti Nelson: “Ju lutem juve tani, që ta merrni mbi vete përgjegjësinë për dëshminë tuaj vetjake për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij. Punoni për të. Kultivojeni me qëllim që ajo të rritet. Ushqejeni me të vërtetën. Mos e ndotni me filozofitë e rreme të burrave dhe grave mosbesuese. Teksa e bëni forcimin e vazhdueshëm të dëshmisë suaj për Jezu Krishtin përparësinë tuaj më të lartë, vëzhgoni për mrekullitë që ndodhin në jetën tuaj.” Tregojini njëri‑tjetrit se si është rritur dëshmia juaj “hir pas hiri” dhe “rresht pas rreshti”. Çfarë mendoni se do të thotë “ta merrni mbi vete përgjegjësinë për dëshminë tuaj vetjake për Jezu Krishtin”? Mund të mbillni diçka dhe ta kultivoni së bashku dhe ta shihni tek rritet. Pastaj mund të bisedoni për ngjashmëritë ndërmjet kultivimit të një bime dhe kultivimit të dëshmive tona dhe “frytet” që mund të vjelim nga secila prej tyre.

Mësoni më shumë

Pjesa 3

Kërkimi i së Vërtetës nëpërmjet Studimit dhe me Anë të Besimit Mund të na Prijë drejt Sigurisë Shpirtërore

burrë duke lexuar shkrimet e shenjta

Zoti na fton: “Kërkoni të mësoni, madje me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit” (Doktrina e Besëlidhje 88:118). Kjo do të thotë ndër të tjera se, kur kemi pyetje rreth historisë, doktrinës dhe praktikave të Kishës, ne studiojmë burime të besueshme dhe ushtrojmë besim dhe mirëbesim te Jezu Krishti teksa kërkojmë përgjigje. Kundërshtari kërkon të na i largojë zemrat nga e vërteta e përjetshme (shihni te Doktrina e Besëlidhje 78:10; 93:39). Përqafimi i së vërtetës hyjnore mund të na ndihmojë ta refuzojmë të keqen dhe ta shmangim mëkatin, gabimin dhe mashtrimin (shihni te Doktrina e Besëlidhje 50:23–25; 93:37).

Gjëra për t’i menduar

  • Kur qe djalë i ri, Jozef Smithi u ndje i pështjelluar teksa kërkonte përgjigje për pyetjet e tij shpirtërore. Lexoni te Joseph Smith – Historia 1:5–6, 10–13 për të zbuluar se si e ndihmoi Zoti atë. Si e priu atë kërkimi për të vërtetën drejt sigurisë shpirtërore? Çfarë mësoni nga përvoja e Jozef Smithit që mund t’ju ndihmojë gjatë kërkimin tuaj për të vërtetën?

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

  • Për të nisur një diskutim rreth sigurisë shpirtërore që mund të vijë nga një dëshmi e fortë për të vërtetën, mund të bisedoni për gjërat që bëni për të qenë të sigurt nga aksidentet, sëmundjet apo fatkeqësitë natyrore. Çfarë do t’i thoshim dikujt që mendon se këto masa sigurie janë të panevojshme ose që nuk ia vlen mundimi për to? Më pas, mund t’i lexoni së bashku fjalët e Presidentit Tomas S. Monson: “Ne jetojmë në një kohë me vështirësi dhe ligësi të mëdha. Çfarë do të na mbrojë nga mëkati dhe e keqja kaq mbizotëruese në botë sot? Unë shpall se një dëshmi e fortë rreth Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, dhe ungjillit të Tij, do të na ndihmojë që të udhëhiqemi drejt sigurisë. … Është thelbësore që ju të keni dëshminë tuaj vetjake në këto kohë të vështira, pasi dëshmitë e të tjerëve nuk do t’ju çojnë shumë larg.” Tregojini njëri‑tjetrit se si ju ka mbrojtur shpirtërisht dëshmia juaj vetjake për të vërtetën e përjetshme.

Mësoni më shumë