Biblioteka
Besëlidhja e Përjetshme


“Besëlidhja e Përjetshme”, Tema dhe Pyetje (2023)

Abrahami i gjunjëzuar në lutje

Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit

Besëlidhja e Përjetshme

Besëlidhja jonë e re dhe e pafundme me Perëndinë

A ju ka premtuar ndonjëherë një njeri i dashur të bëjë diçka për ju që do t’jua bekonte vërtet jetën? Si u ndiet kur personi e mbajti atë premtim?

Ati Qiellor na bën premtime të mahnitshme gjithashtu. Kjo ndodh kur bëjmë premtime të shenjta, ose besëlidhje me Të ndërsa marrim ordinancat shpëtuese dhe ekzaltuese të ungjillit të Tij. Madje që përpara se të krijohej bota, Perëndia ka premtuar se mund të kthehemi e të jetojmë me Të po ta ndjekim Birin e Tij, Jezu Krishtin. Kjo besëlidhje e përjetshme u bë së pari me Adamin dhe më pas u përtëri në periudhat ungjillore në vijim.

Presidenti Rasëll M. Nelson ka dhënë mësim se si bekohemi kur zgjedhim të hyjmë në një marrëdhënie besëlidhëse me Perëndinë: “Kur bëjmë një besëlidhje me Perëndinë, ne largohemi përgjithmonë nga qëndrimi asnjanës. Perëndia nuk do ta braktisë marrëdhënien e Tij me ata që kanë farkëtuar një lidhje të tillë me Të. Në fakt, të gjithë ata që kanë bërë besëlidhje me Perëndinë, marrin një lloj të veçantë dashurie e mëshire. … Për shkak të besëlidhjes sonë me Perëndinë, Ai nuk do të lodhet kurrë në përpjekjet e Tij për të na ndihmuar dhe ne kurrë nuk do ta shterim durimin e Tij të mëshirshëm për ne.”

Çfarë Është Besëlidhja e Përjetshme?

Besëlidhja e përjetshme, që njihet edhe si besëlidhja e Abrahamit, është plotësia e ungjillit të Jezu Krishtit dhe përfshin të gjitha ordinancat dhe besëlidhjet që na nevojiten për të marrë shpëtimin dhe ekzaltimin (shihni te Doktrina e Besëlidhje 66:2). “Është ‘e re’ kurdoherë që Zoti e përtërin ose rivendos atë dhe është ‘e përjetshme’ ngaqë nuk ndryshon.” Besëlidhja e përjetshme u vendos në tokë me Adamin dhe u përtëri më së fundi nga Perëndia nëpërmjet Profetit Jozef Smith si pjesë e Rivendosjes së ungjillit në ditët e mëvonshme (shihni te Doktrina e Besëlidhje 1:17–23).

Vështrim i përgjithshëm i temës: Besëlidhja e Abrahamit

Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Rivendosja e Ungjillit, Besëlidhjet dhe Ordinancat, Tempujt, Martesa, Bekimet Patriarkale, Mbledhja e Izraelit

Pjesa 1

Mbajtja e Besëlidhjes së Re dhe të Përjetshme na Përgatit për Jetën e Përjetshme

të rinj dhe të reja jashtë tempullit

Zoti e ka rivendosur besëlidhjen e përjetshme, e cila është plotësia e ungjillit të Jezu Krishtit, “që t’i jetë një dritë botës” dhe “për të përgatitur udhën” për ardhjen e Tij (Doktrina e Besëlidhje 45:9). Për të marrë besëlidhjen e përjetshme, ne e vendosim Perëndinë të parin dhe bëjmë e i mbajmë besëlidhjet e ungjillit me Të. Presidenti Nelson dha mësim se besëlidhjet tona, duke filluar nga besëlidhja që bëjmë në pagëzim, “do të na çoj[n]ë gjithnjë e më pranë [Perëndisë]” dhe se ato mund të na lidhin me Të me “lidhje të përjetshme”.

Besëlidhja e përjetshme, në të cilën hyjmë me Perëndinë, bëhet lidhëse përgjithmonë kur e mbajmë atë. Nëse i qëndrojmë besnikë kësaj besëlidhjeje gjatë gjithë jetës, mund të ekzaltohemi dhe të kthehemi për të jetuar në praninë e Atit Qiellor me familjet tona.

Gjëra për t’i menduar

  • Studiojini vargjet te Doktrina e Besëlidhje 133:57–62, rreth faktit që Zoti e rivendosi plotësinë e ungjillit të Jezu Krishtit. Çfarë kuptimi mund të ketë që ajo u dërgua “me qartësi dhe thjeshtësi”? Merreni parasysh se si ju përgatit kjo besëlidhje e përjetshme, e thjeshtë, por prapëseprapë e bukur, për të marrë jetën e përjetshme. Si ju nxit kuptueshmëria për këtë potencial që t’i vini në ndihmë Zotit në punën e Tij për shpëtimin dhe ekzaltimin?

Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët

  • Te Doktrina e Besëlidhje 22:1–4, Zoti shpall se e përtëriu besëlidhjen e Tij të përjetshme me shenjtorët e hershëm. Lexojini kreun e seksionit dhe këto vargje së bashku dhe diskutoni për atë që mësoni rreth domethënies së një besëlidhjeje të “re”. Çfarë nënkuptohet me frazën “veprave … të vdekura”? Bisedoni rreth asaj që mësoni nga vargu 3 rreth rëndësisë së Rivendosjes së ungjillit dhe besëlidhjes së përjetshme.

  • Për shkak të Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij, ne mund të marrim jetë të përjetshme nëse i mbajmë besëlidhjet tona me Të. Presidenti Nelson dha mësim: “Njerëzve që bëjnë besëlidhje të shenjta dhe i mbajnë ato, u premtohen jetë e përjetshme dhe ekzaltim, ‘më e madhja nga të gjitha dhuratat e Perëndisë’ (Doktrina e Besëlidhje 14:7). Jezu Krishti është garantuesi i atyre besëlidhjeve (shihni te Hebrenjve 7:22; 8:6). Njerëzit që i mbajnë besëlidhjet, të cilët e duan Perëndinë dhe e lejojnë Atë të triumfojë mbi të gjitha gjërat e tjera në jetën e tyre, e bëjnë Atë ndikimin më të fuqishëm në jetën e tyre.” Bisedoni rreth mënyrës se si mund ta lini Perëndinë “të triumfojë mbi të gjitha gjërat e tjera” në jetën tuaj. Si do t’ju ndihmojë ajo të merrni jetë të përjetshme dhe pse ia vlen përpjekja për të marrë ekzaltimin?

Mësoni më shumë

Pjesa 2

Perëndia i Ka Rivendosur Premtimet e Besëlidhjes së Abrahamit në Kohën Tonë

Tempulli i Helenës, Montana

Besëlidhja e Abrahamit është një emër tjetër për besëlidhjen e përjetshme. Ajo u vendos përpara themelimit të botës dhe u referohet besëlidhjeve që bën Perëndia me fëmijët e Tij. Emri i saj vjen nga besëlidhja që bëri Jehova me Abrahamin (shihni te Zanafilla 17:1–8; Abraham 2:6–11). Në atë besëlidhje, Perëndia i premtoi Abrahamit premtime të mëdha ngaqë jetoi me drejtësi. Ato bekime përfshinë pasardhës të përjetshëm, të drejtën për priftërinë dhe një tokë trashëgimie gjatë gjithë përjetësisë (shihni te Zanafilla 13:14–17; Abraham 2:8–11).

Besëlidhja e Abrahamit i kaloi të birit të Abrahamit, Isakut (shihni te Zanafilla 26:1–4) dhe më pas të birit të Isakut, Jakobit (shihni te Zanafilla 28:1, 13–14). Zoti ia ndryshoi emrin Jakobit dhe ia vuri Izrael (shihni te Zanafilla 32:28) si një shenjë e besëlidhjes së Tij të vazhdueshme me Jakobin dhe pasardhësit e tij. Perëndia i ka rivendosur premtimet e besëlidhjes së Abrahamit në kohën tonë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 38:17–20; 86:8–11; 132:29–33).

Gjëra për t’i menduar

  • Çfarë do të thotë për ju të jeni pjesë e besëlidhjes së Abrahamit? Merrini parasysh këto të vërteta: Ju bëtë një besëlidhje me Perëndinë kur u pagëzuat. Ju e përtërini atë besëlidhje dhe bëni një besëlidhje të re sa herë që merrni sakramentin. Si mund ta bëni tempullin një pikë përqendrimi në jetën tuaj që të mund të merrni pjesë tërësisht në plotësinë e ungjillit?

  • Lexoni tek Abraham 1:2 dhe merreni parasysh atë që mësoni rreth karakterit të Abrahamit. Çfarë do të thotë të jesh një “ndjekës më i madh i drejtësisë” në kohën tonë? Si mendoni, përse Abrahami “kërko[i] bekimet e etërve”? Si jeni bekuar ju nëpërmjet besëlidhjes së Abrahamit? Çfarë mund të bëni për t’i marrë bekimet e kësaj besëlidhjeje?

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

  • Studiojini shembujt besnikë të të jetuarit të ungjillit nga Abrahami dhe Sara dhe familja e tyre e drejtë (për shembull, mund të lexoni disa nga fragmentet vijuese së bashku: Zanafilla 17:1–19; 18:1–19; 22:1–18; 24; 32:1–28; 33; 46:1–7; Isaia 51:1–3; Galatasve 3:27–29; 2 Nefi 8:1–3). Më pas lexoni te Gjoni 8:39. Secili nga ju mund të bëjë një vizatim ose pikturë apo të shkruajë një poezi ku shpreh mirënjohjen për bekimet që ju kanë ardhur ose që mund të vijnë nga mbajtja e besëlidhjes së përjetshme të ungjillit sikurse bënë Abrahami dhe Sara. Më pas mund t’ia tregoni vizatimin ose poezinë tuaj njëri‑tjetrit.

Mësoni më shumë

  • Ligji i Përtërirë 7:6–9; 2 Nefi 29:14; Abraham 2:6–12

  • Rasëll M. Nelson, “Besëlidhjet”, Liahona, nëntor 2011, f. 86–89

  • The Abrahamic Covenant”, Liahona, shkurt 2022, f. 47

  • Abraham” (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]

Pjesa 3

Ata që Janë Pagëzuar, Bëhen Fëmijë të Besëlidhjes

anëtarë duke kënduar himne

Të gjithë ata që pagëzohen në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, bëhen fëmijë të Abrahamit, ose “fëmijët e besëlidhjes” (shihni tek 3 Nefi 20:25–26). Këta anëtarë të Kishës mund të trashëgojnë të njëjtat premtime që iu bënë Abrahamit, Isakut dhe Jakobit (Izraelit) ndërsa ata synojnë të bëjnë dhe mbajnë besëlidhje të shenjta në shtëpinë e Zotit (shihni te Doktrina e Besëlidhje 132:29–32).

Pasardhësit e Abrahamit mbajnë një përgjegjësi për t’u dhënë shërbesë fëmijëve të Perëndisë në mënyrë që të gjithë njerëzit të mund të gëzojnë bekimet e shpëtimit dhe jetës së përjetshme (shihni tek Abraham 2:9–11). Sa herë që ndihmojmë të mblidhet lzraeli në anën tjetër të velit, ne i ndihmojmë individët të marrin bekimet e besëlidhjes së përjetshme dhe ndihmojmë të përmbushet premtimi që Perëndia i bëri Abrahamit (shihni te 1 Nefi 22:8–12; 3 Nefi 20:29–31).

Gjëra për t’i menduar

  • Te Mosia 5:1–8, mësojmë se si populli i mbretit Beniamin i pranoi këto mësime rreth ungjillit të Jezu Krishtit. Çfarë qenë të gatshëm ata të bënin në atë pikë? Çfarë do të thotë për ju të jeni një nga “fëmijët e Krishtit”? Çfarë domethënie mund të ketë që Krishti ju ka “lindur juve shpirtërisht”? Si ka “ndryshuar nëpërmjet besimit në emrin e tij” zemra juaj?

  • Presidentja Emili Bell Friman foli për rëndësinë e ecjes në një marrëdhënie besëlidhëse me Krishtin dhe e përmblodhi premtimin që Perëndia i bëri Jakobit: “Jam me ty. Do të të mbroj. Do të të sjell përsëri në shtëpi. Nuk do të të braktis. Do ta mbaj premtimin që të kam dhënë.” Më pas ajo shpjegoi: “Jakobit i duhej të bënte një zgjedhje. Ai mund të zgjidhte ta jetonte jetën e vet thjesht si një i njohur me Perëndinë e atit të tij, ose ai mund të zgjidhte ta jetonte jetën në një marrëdhënie të zotuar besëlidhëse me Të.” Përsiatni se çfarë do të thotë për ju ta jetoni jetën në një marrëdhënie të zotuar besëlidhëse me Krishtin. Çfarë do të ishit i/e gatshëm/me të fillonit të bënit ose të ndalonit së bëri në mënyrë që të mund ta forconi marrëdhënien tuaj besëlidhëse me Të?

Veprimtari për të mësuar së bashku

  • Lexoni te Helamani 5:12 dhe këto fjalë nga Vëllai Xhen E. Njuman: “U mësojmë fëmijëve tanë që ta lidhin veten e tyre me [Krishtin] nëpërmjet ordinancave dhe besëlidhjeve të shenjta, që kur të vijnë stuhitë dhe përmbytjet kundërshtare, siç do të vijnë me siguri, ato do të kenë ndikim të paktë ‘për shkak të shkëmbit mbi të cilin j[anë] ndërtuar’”. Cilat janë disa nga “stuhitë dhe përmbytjet kundërshtare” që mund të ndeshim? Diskutoni se si besëlidhjet tuaja mund të ndihmojnë për t’ju mbrojtur ju dhe familjen tuaj nga “furtuna … e fuqishme” e kundërshtarit.

  • Lexojeni këtë thënie nga Plaku Nil L. Andersen: “Ne jemi të gjithë ‘fëmijë [të] besëlidhjes’ të përhapur anembanë tokës në kombe dhe kultura në çdo kontinent, miliona në numër, teksa presim kthimin e lavdishëm të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë. Duke ndriçuar si dritë për njerëzit përreth nesh, ne vazhdimisht u japim formë dëshirave, mendimeve, zgjedhjeve dhe veprimeve tona. Duke kërkuar me gjithë zemrën tonë që ta njohim dhe ta duam Shpëtimtarin, ne e veçojmë veten tonë nga bota nëpërmjet besëlidhjeve me Perëndinë, duke qenë të dallueshëm, të pazakontë dhe të veçantë, ndërkohë që i nderojmë Atë dhe mësimet e Tij, pa u izoluar nga të tjerët të cilët besojnë ndryshe nga ne.” Diskutoni se si mund të “kërk[ojmë] me gjithë zemrën tonë që ta njohim dhe ta duam Shpëtimtarin” dhe t’i mbajmë besëlidhjet tona me Perëndinë.

Mësoni më shumë