Biblioteka
Përkujdesja për Njerëzit Nevojtarë


“Përkujdesja për Njerëzit Nevojtarë”, Tema dhe Pyetje, (2023)

e re duke ndihmuar një grua më të moshuar që të kalojë rrugën

Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit

Përkujdesja për Njerëzit Nevojtarë

Ne mund të jemi duart e Perëndisë për t’i ndihmuar të tjerët

A keni menduar ndonjëherë për të gjitha vështirësitë dhe vuajtjet e njerëzve përreth jush dhe e keni pyetur veten: “Unë jam vetëm një person; çfarë të mire mund të bëj?” Ju mund të jeni vetëm një person, por prapë mund të jepni një kontribut të madh duke bërë gjëra të vogla dhe të thjeshta për të ndihmuar njerëzit nevojtarë. Dhe shumë gjëra të mira arrihen të bëhen çdo ditë kur shumë njerëz ndihmojnë ku dhe si të munden.

Ju mund të kujdeseni për njerëzit nevojtarë përreth jush kur jepni nga koha dhe talentet tuaja dhe u “jepni nga pasuria juaj të varfërve, … sipas asaj që k[eni], në mënyrë që të ushqehen të uriturit, të vishen të zhveshurit [dhe] të vizitohen të sëmurët dhe t’u jepni ndihmë atyre qoftë shpirtërisht, ashtu edhe materialisht” (Mosia 4:26).

Çfarë Është Përkujdesja për Njerëzit Nevojtarë?

Përkujdesja për njerëzit nevojtarë do të thotë që t’i ndihmojmë të tjerët materialisht, shpirtërisht dhe emocionalisht. Ajo përfshin “shërbimin dhe dhënien e shërbesës ndaj individëve, familjeve dhe komuniteteve; ndarjen e burimeve … me njerëzit nevojtarë; [dhe] të ndihmuarit e të tjerëve që të bëhen të mbështetur te vetja”. Kujdesi për nevojat fizike mund të nënkuptojë plotësimin e nevojave të menjëhershme, por mund të nënkuptojë edhe që t’i ndihmoni njerëzit të bëhen më të mbështetur te vetja, në mënyrë që të mund t’i plotësojnë vetë nevojat në të ardhmen. Kujdesi për nevojat emocionale dhe shpirtërore përfshin që t’i dëgjoni, të jeni të ndjeshëm dhe t’i ndihmoni të tjerët ta dallojnë se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti i duan ata. Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit, ne besëlidhim t’u japim shërbesë dhe të ndihmojmë për t’u kujdesur për njerëzit përreth nesh.

Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Dashuria Hyjnore, Agjërimi

gra duke paketuar kuti

Pjesa 1

Perëndia na Urdhëron t’i Duam dhe t’u Shërbejmë të Tjerëve

Perëndia i do të gjithë fëmijët e Tij dhe Ai dëshiron që t’i bekojë ata. Shpesh, mënyra se si Perëndia i bekon fëmijët e Tij, është përmes shërbimit që u japim të tjerëve. Në fakt, njëri nga dy urdhërimet e mëdha të Perëndisë është ta duam të afërmin tonë si veten tonë (shihni te Marku 12:28–34). Një nga mënyrat se si e ndjekim këtë urdhërim, është “t’i shërbej[m]ë njëri-tjetrit … [dhe] t’i “ndihmo[jmë] ata që kanë nevojë për ndihmë” (Mosia 4:15–16).

Në tempujt e Zotit, ne besëlidhim të sakrifikojmë dhe t’ia kushtojmë Atij gjithçka që kemi. Një mënyrë për ta bërë këtë, është duke dhënë bujarisht nga koha dhe përpjekjet tona për të ndihmuar njerëzit përreth nesh. Ndërsa e bëjmë këtë, ne mund të krijojmë një marrëdhënie më të thellë me Atin tonë Qiellor dhe Jezu Krishtin dhe të bëhemi më shumë si Ata.

Shërbimi nuk është gjithmonë i përshtatshëm apo i lehtë. Por ne mund t’u sjellim ngushëllim dhe lumturi të tjerëve ndërsa i duam ata dhe u shërbejmë atyre. Dhe duke u shërbyer të tjerëve, mund të përjetojmë gëzim të vërtetë dhe një ndjesi qëllimi duke bërë diçka vërtet të vlefshme.

Gjëra për t’i menduar

  • Nëse doni t’i ndihmoni njerëzit nevojtarë, por nuk jeni të sigurt se si ta bëni këtë, mesazhi nga Plaku Dejvid A. Bednar, “Në Shtegun e Detyrës së Tyre” mund të ndihmojë. Plaku Bednar dha mësim: “Vëllezër e motra me aftësinë për të dalluar … kërkojnë e ulen pranë njerëzve që janë vetëm në mbledhjet e Kishës dhe në një sërë mjedisesh të tjera. Ata përpiqen vazhdimisht të ‘ngushëllo[jnë] ata që kanë nevojë për ngushëllim’ [Mosia 18:9], pa pasur pritshmëri për falënderim apo lavdërim.” Mund ta shqyrtoni mesazhin e tij dhe të kërkoni mënyra të vogla e të thjeshta për t’i shërbyer dikujt në nevojë. Shkruajini idetë tuaja dhe veproni sipas përshtypjeve që merrni.

  • Profeti Jozef Smith këshilloi: “Një njeri i mbushur me dashurinë e Perëndisë nuk kënaqet vetëm me bekimin e familjes së tij, por endet në të gjithë botën, i dëshiruar që të bekojë të gjithë racën njerëzore”. Si mendoni ju, përse një njeri i mbushur me dashurinë e Perëndisë dëshiron që ta bekojë gjithë njerëzimin? Në çfarë mënyrash mund t’ua tregoni të tjerëve dashurinë e Perëndisë? Si mund t’ju ndihmojnë veprimet tuaja të dashurisë e dashamirësisë që t’ju ndryshojnë edhe ju vetë?

Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët

  • Lexoni së bashku te Lluka 10:25–37. Mund të shihni edhe materialin filmik “Parable of the Good Samaritan” [“Shëmbëlltyra e Samaritanit të Mirë”] (4:55). Nëse po mësoni me fëmijët, ata mund të kënaqen duke e interpretuar me role shëmbëlltyrën. Më pas, mund të flisni për mënyrën se si samaritani iu bind urdhërimit për ta dashur të afërmin e tij. Ju gjithashtu mund të diskutoni për veprimet e priftit dhe të levitit. Cilat janë disa arsye pse ndonjëherë nuk u shërbejmë njerëzve nevojtarë? Si mund t’i kapërcejmë ato pengesa? Ju mund t’i tregoni njëri-tjetrit disa përvoja kur i shërbyet dikujt në nevojë, ose kur dikush ju shërbeu juve dhe si u ndiet. Secili prej jush mund të vendosë një synim për t’i shërbyer dikujt çdo ditë për një javë dhe më pas të raportojë për përvojat e veta.

  • Lexoni te Mosia 2:17 dhe bisedoni se si kur u shërbeni të tjerëve, ju po i shërbeni Perëndisë. Më pas mund të shihni materialin filmik “Day of Service” [“Dita e Shërbimit”] (5:08). Si u bekuan njerëzit në materialin filmik kur shërbyen? Si u bekua komuniteti? Merreni parasysh se si mund të merrni pjesë si grup në një ditë shërbimi. Ju mund bëni kërkime për ide te JustServe.org.

Mësoni më shumë

burrë duke ndihmuar një grua për të mbajtur ushqimet

Pjesa 2

Ne e Ndjekim Shembullin e Jezu Krishtit Kur Kujdesemi për Njerëzit Nevojtarë

Jezu Krishti është shembulli ynë i madh për shërbimin dhe ndihmën ndaj të tjerëve; Ai me të vërtetë “e përshkoi vendin duke bërë mirë” (Veprat e Apostujve 10:38). Si anëtarë të Kishës së Tij, ne ftohemi të përkujdesemi për njerëzit përreth nesh (shihni te Mosia 18:8–10).

Si ndjekës të Krishtit, ne përpiqemi fort t’i shohim të tjerët ashtu siç i sheh Shpëtimtari: si njerëz që kanë vlerë të pafundme dhe potencial hyjnor. I ndihmojmë njerëzit për nevojat materiale, shpirtërore dhe emocionale. Shpëtimtari i ushqeu të uriturit dhe i ngushëlloi ata që ishin të lënduar (shihni, për shembull te Mateu 14:14–21; Lluka 7:11–15). Ne mund të bëjmë të njëjtën gjë. Për shembull, kjo mund të nënkuptojë që t’i sillni ushqim një fqinji në nevojë, të uleni dhe të dëgjoni një mik që ka humbur një njeri të dashur, ose të ndihmoni që të përkujdeseni për dikë që është i sëmurë. Ne u japim shërbesë të tjerëve pa pasur pritshmëri për të marrë diçka në këmbim.

Gjëra për t’i menduar

  • Në konferencën e përgjithshme të prillit të 2010-ës, Presidenti Diter F. Uhtdorf dha mësim: “Kur ndjekim shembullin e përsosur [të Jezu Krishtit], duart tona mund të bëhen duart e Tij; sytë tanë, sytë e Tij; zemra jonë, zemra e Tij”. Çfarë do të thotë që duart, sytë dhe zemra juaj të jenë duart, sytë dhe zemra e Shpëtimtarit? Si ndikon kjo mënyrë e të menduarit në mënyrën se si u shërbeni të tjerëve? Lexoni te 1 Gjon 3:17–19 dhe përsiatni për atë që na mëson rreth përkujdesjes për njerëzit nevojtarë. Si ju frymëzojnë këto vargje që të ndiqni shembullin e Jezu Krishtit ndërsa u shërbeni njerëzve përreth jush? Mund të mendoni për dikë që ka nevojë për ndihmë apo inkurajim, dhe të bëni një akt shërbimi anonim për atë person. Ose mund t’i shërbeni dikujt duke dëgjuar shqetësimet e tij ose të saj ose duke qenë një mik i vërtetë. Më pas mund t’i shënoni mendimet tuaja rreth përvojës.

  • Mund të lexoni ose këndoni fjalët e një himni për të ndihmuar njerëzit nevojtarë, si për shembull “Zot, Un’ Ty do të t’Ndjek ose “Sepse Mua Shum’ m’Ësht’ Dhën’”. Ndërsa mendoni për fjalët e këngës, merreni parasysh se si po e ndiqni Shpëtimtarin kur u shërbeni të tjerëve. Çfarë bekimesh keni marrë që mund t’i tregoni për t’i ngritur moralisht njerëzit përreth jush ashtu siç bëri Ai?

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

  • Plaku Gerit W. Gong dha mësim: “Ne bëhemi më shumë si Jezu Krishti kur u bëjmë ‘këtyre … më të vegjël[ve] atë që do t’ia bënim Atij [shihni te Mateu 25:35–40], kur e duam të afërmin tonë porsi vetveten [shihni te Marku 12:31], kur ne e ‘d[uam] njëri‑tjetrin; sikurse [Ai na] ka dashur’ [Gjoni 13:34] dhe kur ‘secili prej [ne]sh që do të dojë të bëhet i madh, qoftë shërbëtori [ynë]’[Mateu 20:26]”.

    “Si pasues të Jezu Krishtit, ne përpiqemi t’u japim shërbesë të tjerëve ashtu siç do t’u jepte Ai, sepse jetë njerëzish janë në pritje për ndryshim.”

    Ju mund të flisni rreth disa mënyrave se si Jezu Krishti u shërbeu të tjerëve (shihni te Mateu 14:13–21; Marku 2:1–12; Lluka 17:11–19; Gjoni 9:1–7; 11:1–44). Mund të kërkoni figura të disa prej këtyre rrëfimeve te Libri i Figurave Artistike të Ungjillit ose “Videos and Images” [“Materiale Filmike dhe Figura”] në programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Tregojini njëri-tjetrit atë që ju bën përshtypje për mënyrën se si u kujdes Shpëtimtari për njerëzit nevojtarë. Më pas ju mund të zgjidhni një gjë në lidhje me mënyrën e shërbimit të Shpëtimtarit që do të dëshironit ta ndiqnit. Merreni në shqyrtim se si veprimet tuaja mund t’i bekojnë vërtet njerëzit “jetë[t e të cilëve] janë në pritje për ndryshim”.

Mësoni më shumë

bashkësi në kishë

Pjesa 3

Ne Përkujdesemi për të Tjerët kur Shërbejmë në Thirrjet e Kishës

Gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri, Jezu Krishti u dha dishepujve të Tij përgjegjësi të rëndësishme për të ndihmuar në përmbushjen e punës së Atit të Tij (shihni, për shembull, te Lluka 10:1–9). Zoti gjithashtu na fton të marrim pjesë në veprën e Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin sot. Këto mundësi për të shërbyer njihen si thirrje.

Thirrjet janë përgjegjësi nga Zoti ndaj fëmijëve të Tij, të cilat u japin atyre mundësinë për të shërbyer në Kishën e Tij dhe për t’u afruar më shumë me Të dhe me anëtarët e tjerë. Këto thirrje bëhen nëpërmjet udhëheqësve të Kishës, të cilët kërkojnë frymëzim nga Zoti përpara se të bëjnë një ftesë për të shërbyer. Çdo thirrje dhe detyrë e Kishës është e rëndësishme për të ndihmuar që të përmbushet vepra e Perëndisë dhe në përgatitjen për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit.

Gjëra për t’i menduar

  • Mendoni për thirrjet ose përgjegjësitë që keni pasur në Kishë, kur lexoni te Gjoni 15:16. Më pas, lexojeni këtë mendim nga Presidenti Henri B. Ajring: “Zoti ju njeh. Ai e di se kush duhet të shërbejë në çdo pozitë në Kishën e Tij. Ai ju zgjodhi ju.” Mendoni për “frytin” që keni parë nga shërbimi në thirrjet ose detyrat tuaja. Përse mund t’ju ketë zgjedhur Zoti për thirrjen tuaj aktuale? Çfarë mund të bëni në thirrjen tuaj në mënyrë që shërbimi juaj të ketë një ndikim të qëndrueshëm tek të tjerët dhe “fryti juaj të jetë i qëndrueshëm”?

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

  • Mund të vizatoni përvijimin e shputave të këmbëve tuaja disa herë për të bërë gjurmë të thjeshta dhe më pas të shkruani brenda çdo gjurme një mënyrë se si mund t’i afrohemi Krishtit ndërsa shërbejmë në thirrjet dhe detyrat tona të Kishës. Më pas mund të lexoni këtë mendim nga Presidenti Diter F. Uhtdorf së bashku: “Nëse i marrim thirrjet tona si mundësi për t’i shërbyer Perëndisë dhe për t’u dhënë shërbesë të tjerëve me besim e përulësi, çdo vepër shërbimi do të jetë një hap në shtegun e dishepullimit”. Më pas, mund t’i tregoni njëri‑tjetrit atë që shkruat. Përsiatni se çfarë mund të bëni për të shërbyer me më shumë besim e përulësi në thirrjet tuaja. Shënojini përshtypjet që vijnë dhe më pas veproni sipas tyre.

Mësoni më shumë

Burime të Tjera rreth Përkujdesjes për Njerëzit Nevojtarë

Shënime

  1. Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 1.2.2, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  2. Dejvid A. Bednar, “Në Shtegun e Detyrës së Tyre”, Liahona, nëntor 2023, f. 7.

  3. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 454.

  4. Një mënyrë se si mund të ndihmojmë për të plotësuar nevojat materiale, është duke dhuruar ofertat e agjërimit.

  5. Të gjithë anëtarët e rritur të Kishës dhe të rinjtë e të rejat që mbushin 14 vjeç ose janë më të mëdhenj në moshë, mund të shërbejnë si vëlla ose motër shërbestare e dikujt tjetër. Në këtë mënyrë, çdo anëtar/e mund të ndihmojë për përkujdesjen ndaj të tjerëve dhe t’u bëjë shoqëri, por gjithashtu merr përkujdesje dhe shoqërim edhe për vete. Për më tepër informacion, shihni kapitullin 21 te Manuali i Përgjithshëm.

  6. Diter F. Uhtdorf, “Ju Jeni Duart e Mia”, Liahona, maj 2010, f. 68.

  7. Zot, Un’ Ty do të t’Ndjek”, Himne, nr. 137.

  8. Sepse Mua Shum’ m’Ësht’ Dhën’”, Himne, nr. 136.

  9. Gerit W. Gong, “Dhënia e Shërbesës”, Liahona, maj 2023, f. 18–19, 16.

  10. Shihni te Manuali i Përgjithshëm, 30.0.

  11. Shihni te Manuali i Përgjithshëm, 1.2.

  12. Henry B. Eyring, “Rise to Your Call”, Liahona, nëntor 2002, f. 76.

  13. Diter F. Uhtdorf, “Më i Madhi prej Jush”, Liahona, maj 2017, f. 80.