Manualet dhe Thirrjet
21. Dhënia e Shërbesës


“21. Dhënia e Shërbesës”, Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (2020).

“21. Dhënia e Shërbesës”, Manuali i Përgjithshëm.

Pamja
burra duke ngritur një shkëmb

21.

Dhënia e Shërbesës

21.0

Parathënia

Të japësh shërbesë do të thotë t’u shërbesh të tjerëve ashtu siç bëri Shpëtimtari (shihni te Mateu 20:26–28). Ai i deshi, u dha mësim, u lut për njerëzit rreth Tij, i ngushëlloi dhe i bekoi ata (shihni te Veprat e Apostujve 10:38). Si dishepuj të Jezu Krishtit, ne kërkojmë t’u japim shërbesë fëmijëve të Perëndisë.

Zoti do që të gjithë anëtarët e Kishës së Tij të marrin kujdes të tillë. Për këtë arsye, mbajtësit e priftërisë caktohen si vëllezër shërbestarë për çdo vatër familjare anëtarësh. Motrat shërbestare i caktohen çdo motre në moshë madhore. Këto caktime ndihmojnë për të siguruar që për këta anëtarë Kishe kujtohen të tjerë dhe tregohet kujdes për ta (shihni te Moroni 6:4).

Dhënia e shërbesës është një mënyrë e rëndësishme për të zbatuar urdhërimet që ta duam Perëndinë dhe t’i duam të afërmit tanë (shihni te Mateu 22:36–40). Është gjithashtu një mënyrë jetike për të ndihmuar në përmbushjen e veprës së shpëtimit dhe të ekzaltimit.

Presidencat e kuorumit të pleqve dhe të Shoqatës së Ndihmës i ndihmojnë vëllezërit dhe motrat shërbestare që të mësojnë se si t’u japin shërbesë të tjerëve. Ata gjithashtu japin frymëzim, udhërrëfim dhe përkrahje. Ata mund ta bëjnë këtë në intervistat për dhënien e shërbesës (shihni 21.3), në mbledhjet e së dielës dhe në bashkëbisedimet vetjake. Ata kërkojnë frymëzim nga shkrimet e shenjta, ky kapitull dhe faqja ministering.ChurchofJesusChrist.org.

21.1

Përgjegjësitë e Motrave Shërbestare dhe Vëllezërve Shërbestarë

Motrat shërbestare dhe vëllezërit shërbestarë përfaqësojnë Zotin. Ata gjithashtu i ndihmojnë anëtarët ta ndiejnë dashurinë dhe përkrahjen e peshkopit dhe udhëheqësve/eve të Shoqatës së Ndihmës dhe të kuorumit. Ata “vëzhgoj[n]ë mbi” anëtarët e Kishës dhe “[janë] me ta e [i] forcoj[n]ë ata” (Doktrina e Besëlidhje 20:53).

Motrat shërbestare dhe vëllezërit shërbestarë kanë përgjegjësitë vijuese për individët dhe familjet që u caktohen atyre:

  • I ndihmojnë ta forcojnë besimin e tyre tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti.

  • I ndihmojnë që të përgatiten për të bërë e për t’i mbajtur besëlidhjet e shenjta me Perëndinë kur marrin ordinancat. Sipas nevojës, i ndihmojnë prindërit që t’i përgatitin fëmijët e tyre për t’i marrë ordinancat dhe për t’i mbajtur besëlidhjet.

  • Dallojnë nevojat dhe japin dashuri, përkujdesje dhe shërbim si të Krishtit. Ofrojnë ndihmë dhe ngushëllim në kohë nevojash shpirtërore ose materiale. Diskutojnë për nevojat gjatë intervistave për dhënien e shërbesës dhe raste të tjera.

  • I ndihmojnë ata të bëhen të mbështetur te vetja shpirtërisht dhe materialisht.

Për më shumë rreth përgjegjësive të motrave shërbestare dhe vëllezërve shërbestarë, shihni vargjet te Jakob [Bibël] 1:27, Mosia 23:18 dhe Doktrina e Besëlidhje 20:47, 59.

Motrat shërbestare dhe vëllezërit shërbestarë kërkojnë plot lutje udhërrëfimin e Shpirtit. Ata këshillohen gjithashtu me njerëzit të cilëve u shërbejnë për të kuptuar se si t’i ndihmojnë më mirë për të plotësuar nevojat e tyre.

Motrat shërbestare dhe vëllezërit shërbestarë i përshtatin përpjekjet e tyre sipas nevojave dhe rrethanave të njerëzve që u shërbejnë. Nxiten vizitat vetjake, duke marrë parasysh faktorë të tillë si siguria, largësia dhe përshtatshmëria kulturore. Motrat shërbestare dhe vëllezërit shërbestarë mund të ndihmojnë edhe në mënyra të tjera. Këto përfshijnë telefonata, telefonata me video, mesazhe me celular, mesazhe me postë elektronike, letra, media shoqërore, kontakte në kishë dhe akte shërbimi.

Mund të ketë nevoja që vëllezërit ose motrat shërbestare nuk mund t’i plotësojnë vetëm. Në raste të tilla, ata këshillohen me një anëtare të presidencës së Shoqatës së Ndihmës ose një anëtar të presidencës së kuorumit të pleqve.

21.2

Organizimi i Dhënies së Shërbesës

Shpëtimtari u dha dishepujve të Tij detyra kuptimplote (shihni te Lluka 10:1–17; shihni edhe 4.2.6 në këtë manual). Duke ndjekur këtë model, ne marrim detyra për t’u dhënë shërbesë individëve dhe familjeve të veçanta. Një qasje e organizuar për të dhënë shërbesë ndihmon për t’i dhënë çdo personi mundësi për të ndier dashurinë e Shpëtimtarit.

21.2.1

Caktimi i Detyrave

Presidencat e kuorumit të pleqve dhe të Shoqatës së Ndihmës i shqyrtojnë plot lutje detyrat për vëllezërit dhe motrat shërbestare. Ata marrin parasysh pikat e forta dhe nevojat e anëtarëve. Ata marrin gjithashtu parasysh nevojat e fëmijëve në familje. Ata zakonisht caktojnë dy vëllezër ose dy motra si dyshe shoqëruese. Kërkojnë miratimin e peshkopit për dyshet dhe caktimet për dhënien e shërbesës.

Kur marrin këto vendime, udhëheqësit marrin parasysh sa vijon:

  • Vëllezër dhe motra shërbestare të përkushtuara duhet t’u caktohen anëtarëve që janë në nevojë më të madhe. Këta mund të përfshijnë anëtarët e rinj, prindër të vetëm, të veja, të ve dhe anëtarët më pak aktivë.

  • Të rinjtë e të rejat mund të shërbejnë si shoqërues për të rriturit sipas orientimeve te 21.2.2

  • Një çift i martuar mund të caktohet për t’i dhënë shërbesë bashkërisht një individi apo familjeje.

  • Presidencat e kunjeve dhe peshkopatat kujdesen për të gjithë anëtarët e kunjit ose të lagjes. Për shkak të kësaj, ata përgjithësisht nuk caktohen si vëllezër shërbestarë. Presidenti i kunjit përcakton nëse caktohen këshilltarët e lartë dhe patriarkët veprues.

Pasi peshkopi të ketë dhënë miratimin, një anëtar i presidencës së kuorumit të pleqve u jep detyra vëllezërve shërbestarë, duke përfshirë të rinjtë. Një anëtare e presidencës së Shoqatës së Ndihmës u jep detyra motrave shërbestare, duke përfshirë të rejat.

Këta udhëheqës këshillohen me vëllezërit ose motrat shërbestare për pikat e forta, nevojat dhe sfidat e atyre të cilëve do t’u shërbejnë. Udhëheqësit i nxitin vëllezërit ose motrat shërbestare që t’i kuptojnë nevojat e atyre të cilëve u janë caktuar, më pas të kërkojnë frymëzim se si të shërbejnë më mirë.

Vëllezërit dhe motrat shërbestare nuk thirren, mbështeten apo veçohen. Shërbimi i tyre është pjesë e besëlidhjes që bënë në pagëzim (shihni te Mosia 18:8–11).

21.2.2

Caktimet për Dhënien e Shërbesës për Të Rinjtë e Të Rejat

Edhe përpara se të marrin caktimet për dhënien e shërbesës, të rinjtë e të rejat u japin shërbesë të tjerëve duke u shërbyer në mënyra si të Krishtit. Shërbimi i një të riu ose të reje si motër apo vëlla shërbestar mund të jetë një pjesë domethënëse e përmbushjes së veprës së shpëtimit dhe të ekzaltimit.

Një e re mund të shërbejë si një shoqëruese shërbestare ndaj një motre në Shoqatën e Ndihmës kur e reja është e gatshme dhe në gjendje ta bëjë këtë. Ajo mund të fillojë të shërbejë vitin që mbush 14 vjeçe. Presidenca e Shoqatës së Ndihmës këshillohet me të renë, prindërit e saj dhe presidencën e Të Rejave teksa marrin parasysh caktimet për dhënien e shërbesës.

Shpesh është një bekim për një motër që një e re t’i japë shërbesë asaj. Mund të jetë gjithashtu një bekim për të renë.

Një i ri shërben si shoqërues shërbestar për një mbajtës të Priftërisë Melkizedeke kur shugurohet në detyrën e mësuesit ose të priftit. Peshkopi përcakton nëse i riu është i denjë dhe i përgatitur për t’u shuguruar. (Shihni 10.1.3.2.) Presidenca e kuorumit të pleqve këshillohet me të riun, prindërit e tij dhe peshkopatën ndërsa ata shqyrtojnë caktimet për dhënien e shërbesës.

Në disa raste, të rinjtë e të rejat mund të caktohen si anëtar/e i/e tretë i/e një dysheje shërbestare. Udhëheqësit mund t’i caktojnë të rinjtë e të rejat për të ndihmuar në dhënien e shërbesës për disa ose të gjithë individët dhe familjet që i janë caktuar dyshes.

Të rinjve e të rejave nuk iu caktohen vëllezër ose motra shërbestare. Ata marrin kujdes prej dhënies së shërbesës nga vëllezërit shërbestarë të familjes së tyre. Ata marrin gjithashtu shërbesë nga presidenca e tyre e klasës ose e kuorumit dhe udhëheqësit në moshë madhore. Nëse prindërit e tyre nuk janë anëtarë të Kishës, por janë të hapur për të marrë shërbesë, presidenca e kuorumit të pleqve mund t’i caktojë familjes vëllezër shërbestarë. Në mënyrë të ngjashme, presidenca e Shoqatës së Ndihmës mund t’i caktojë nënës motra shërbestare.

Orientimi i Kishës që dy persona të përgjegjshëm në moshë madhore të jenë të pranishëm me të rinjtë e të rejat nuk gjen zbatim për dyshet shërbestare. Megjithatë, udhëheqësit përdorin urtësi dhe kërkojnë frymëzim kur i caktojnë të rinjtë e të rejat si shoqërues/e për të rriturit. Ata/ato gjithashtu kërkojnë udhërrëfim nga peshkopi. Kur një i ri ose e re caktohet me një shoqërues/e që nuk është prindi i tij/saj, udhëheqësit konfirmojnë se prindërit nuk e kundërshtojnë caktimin.

Shoqëruesit në moshë madhore duhet t’i shmangin situatat që mund të keqkuptohen. Ata përdorin kujdesin në situatat kur janë tek për tek. Ata i ndihmojnë të rinjtë e të rejat të kenë një përvojë të sigurt dhe shpërblyese me dhënien e shërbesës.

Pamja
të rinj e të reja duke punuar në kopsht

21.2.3

Misionarët Kohëplotë

Nëse presidenti i misionit e miraton, misionarët kohëplotë mund të ndihmojnë për dhënien e shërbesës. Udhëheqësit e lagjes mund ta kërkojnë miratimin e tij nëpërmjet presidentit të kunjit. Misionarët kohëplotë zakonisht caktohen që t’u japin shërbesë anëtarëve të rinj, familjeve pjesërisht anëtare dhe anëtarëve më pak aktivë.

21.3

Intervistat për Dhënien e Shërbesës

Shpëtimtari pati një intervistë të thjeshtë por prapëseprapë të thellë me Pjetrin rreth kullotjes së deleve të Tij (shihni te Gjoni 21:15–17). Intervistat për dhënien e shërbesës mund të jenë një mundësi e ngjashme. Ato gjithashtu u lejojnë udhëheqësve të japin një shembull për dhënien e shërbesës.

Presidenti i kuorumit të pleqve dhe këshilltarët e tij intervistojnë vëllezërit shërbestarë. Presidentja e Shoqatës së Ndihmës dhe këshilltaret e saj intervistojnë motrat shërbestare. Një çift i martuar që caktohen të japin shërbesë së bashku mund të takohet me udhëheqësit e kuorumit të pleqve ose të Shoqatës së Ndihmës apo të dy palët.

Këto intervista zhvillohen të paktën një herë në çdo tremujor. Ato mund të zhvillohen në çdo kohë gjatë tremujorit. Parapëlqehet që intervistat të zhvillohen me prani fizike dhe me të dy anëtarët/et e dyshes. Nëse është e mundur, duhet të përfshihen të rinjtë e të rejat me caktime për dhënien e shërbesës.

Intervistat për dhënien e shërbesës nuk duhet të jenë të gjata për të qenë të efektshme. Qëllimet e tyre janë që:

  • Të këshillohen mbi pikat e forta, nevojat dhe sfidat e individëve dhe familjeve të caktuara.

  • Të diskutojnë për mënyrat se si t’i ndihmojnë personat që të përgatiten për të marrë ordinancat nëse nevojitet.

  • Të marrin në shqyrtim se si mund të japin ndihmë kuorumi i pleqve, Shoqata e Ndihmës, këshilli i lagjes dhe të tjerë.

  • T’u japin mësim dhe t’i nxitin vëllezërit dhe motrat shërbestare.

Midis intervistave, vëllezërit dhe motrat shërbestare komunikojnë me udhëheqësit sipas nevojës. Ata mund t’i tregojnë drejtpërdrejt peshkopit informacion konfidencial.

Udhëheqësit përdorin sistemin Burimet e Udhëheqësit dhe Nëpunësit për të raportuar mbi intervistat për dhënien e shërbesës.

21.4

Bashkërendimi i Përpjekjeve për Dhënien e Shërbesës

Shoqata e Ndihmës dhe kuorumi i pleqve e ndajnë punën për dhënien e shërbesës. Ata e bëjnë këtë punë në unitet.

Presidencat e Shoqatës së Ndihmës dhe të kuorumit të pleqve takohen së bashku të paktën një herë në tre muaj. Ata shqyrtojnë atë që kanë mësuar në intervistat për dhënien e shërbesës (shihni 21.3). Ata gjithashtu bashkërendojnë caktimet për dhënien e shërbesës. Si presidenti edhe presidentja tregojnë përgjegjësinë për organizimin dhe drejtimin e mbledhjes.

Në njësitë me pak anëtarë aktivë, presidencat e Shoqatës së Ndihmës dhe të kuorumit të pleqve mund të vendosin të mos caktojnë si motra shërbestare ashtu edhe vëllezër shërbestarë për disa anëtarë. Udhëheqësit e marrin këtë vendim së bashku dhe kërkojnë miratimin e peshkopit. Nëse një motre i caktohen motra shërbestare, por jo vëllezër shërbestarë, udhëheqësit sigurohen që ajo të ketë dikë të cilit mund t’i kërkojë një bekim priftërie.

Presidentja e Shoqatës së Ndihmës dhe presidenti i kuorumit pleqve takohen së bashku të paktën një herë në tre muaj me peshkopin. Ata diskutojnë për nevojat e anëtarëve të lagjes. Ata flasin gjithashtu për ndryshime të mundshme në caktimet për dhënien e shërbesës.

Kur është e nevojshme, presidentja e Shoqatës së Ndihmës dhe presidenti i kuorumit të pleqve diskutojnë me këshillin e lagjes informacionin e treguar nga motrat dhe vëllezërit shërbestarë. Kur e bëjnë këtë, ata respektojnë kërkesat e anëtarëve për konfidencialitet. Siç bashkërendohet nga peshkopi, këshilli i lagjes bën plane për t’i shërbyer dhe bekuar anëtarët e lagjes. Këshilli i lagjes për rininë diskuton gjithashtu për dhënien e shërbesës (shihni 29.2.6).