“Durimi deri në Fund”, Tema dhe Pyetje (2023)
Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit
Durimi deri në Fund
Të qëndrojmë të vërtetë kundrejt zotimeve tona ndaj Perëndisë, pavarësisht gjithçkaje
Përfytyroni sikur do të vraponi në një garë të rëndësishme. Teksa nisni vrapin, jeni plot energji dhe gati për të ndërmarrë detyrën që gjendet para jush. Mirëpo gara është e gjatë dhe e vështirë. Filloni të lodheni, madje të rraskapiteni. Megjithatë, i jepni forca vetes gjatë konkurrimit, duke hedhur njërën këmbë pas tjetrës derisa më në fund kaloni vijën fundore, krenar/e që duruat mirë deri në fund.
Kur e pranojmë ungjillin e Jezu Krishtit, ne fillojmë një rrugëtim që zgjat gjithë jetën. Disa ditë mund të ndihemi plot me shpresë dhe vendosmëri, ditë të tjera, shtegu mund të duket i gjatë e i vështirë. Mirëpo nuk dorëzohemi. Përkundrazi, mbështetemi te premtimi i Zotit se Ai nuk do të na lërë apo braktisë kurrë (shihni te Hebrenjve 13:5), dhe zgjedhim çdo ditë të “shko[jmë] përpara me një vendosmëri në Krisht” (2 Nefi 31:20).
Çfarë Është Durimi deri në Fund?
Durim deri në fund do të thotë të qëndrojmë të vërtetë kundrejt zotimit tonë ndaj Perëndisë dhe urdhërimeve të Tij gjatë gjithë jetës sonë. Kjo përfshin bërjen e besëlidhjeve me Të, pendimin çdo ditë dhe mbështetjen te fuqia e Jezu Krishtit për të na ndihmuar që të kapërcejmë sprovat, tundimet dhe kundërshtimin. Të gjithë ata që durojnë deri në fund, do të marrin dhuratën e jetës së përjetshme dhe do të kthehen për të jetuar me Perëndinë (shihni te Mateu 10:22).
Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Liria e Zgjedhjes, Besëlidhjet dhe Ordinancat, Vdekshmëria
Pjesa 1
Perëndia Premton që Ne do të Marrim Jetën e Përjetshme nëse Durojmë deri në Fund
Dhurata më e madhe e Perëndisë për ne është dhurata e jetës së përjetshme (shihni te Doktrina e Besëlidhje 14:7). Kjo dhuratë u jepet atyre që e pranojnë ungjillin dhe mbeten të zotuar ndaj tij (shihni tek 3 Nefi 15:9). Durimi deri në fund është më shumë sesa t’i mbijetosh një sprove apo sfide. Është një përpjekje e përditshme “e ardhjes te Krishti dhe i të qenit të përsosur në Të” gjatë gjithë jetës. Plaku Kevin W. Pirson vërejti se “durimi deri në fund është prova e madhe e dishepullimit”.
Gjëra për t’i menduar
-
Jezu Krishti përjetoi provën më të madhe të durimit deri në fund kur Ai vuajti për mëkatet tona gjatë Shlyerjes së Tij. Lexoni te Lluka 22:42 dhe 3 Nefi 11:11. Çfarë mësoni nga shembulli i Krishtit që mund t’ju ndihmojë të duroni deri në fund? Si mund të mbështeteni te Shlyerja e Tij teksa përpiqeni fort të duroni deri në fund dhe të merrni jetën e përjetshme? Shënojeni çdo mbresë që merrni dhe më pas veproni sipas saj.
-
Durimi deri në fund mund të tingëllojë sikur kërkon një kohë të gjatë, në fakt aq të gjatë, saqë madje mund të duket edhe i pamundur. Por kur kujtoni se durimi deri në fund ndodh hap pas hapi, mund të mos duket edhe aq i vështirë. Presidenti Tomas S. Monson dha mësim: “Kërkoni udhëheqje qiellore çdo ditë një e nga një. Të jetosh duke u shqetësuar për të ardhmen është e vështirë, por të jetosh duke u kujdesur për çastin është e lehtë. Secili prej nesh mund të jetë i vërtetë për vetëm një ditë – dhe pastaj një tjetër dhe pastaj një tjetër pas asaj – derisa të kemi jetuar një jetë të udhëhequr nga Shpirti, një jetë pranë Zotit, një jetë me vepra të mira dhe drejtësi.” Çfarë zgjedhjesh të përditshme mund të bëni për të qenë të vërtetë ndaj ungjillit të Jezu Krishtit? Si mund t’ju ndihmojnë ato zgjedhje që të duroni deri në fund? Ndoshta mund të zgjidhni një cilësi si të Krishtit që do të donit ta përmirësoni dhe më pas të ftoni plot lutje Zotin që t’ju ndihmojë ta përvetësoni atë teksa përpiqeni fort ta ndiqni Atë çdo ditë.
Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët
-
Shkrimet e shenjta na mësojnë se do të marrim jetë të përjetshme duke duruar deri në fund. Por si është të durosh deri në fund? Lexoni së bashku te Romakëve 2:7; 2 Nefi 31:19–20 dhe Doktrina e Besëlidhje 59:23, dhe pastaj diskutojeni atë që mësoni nga këto vargje rreth asaj se si të durojmë deri në fund. Gjithashtu mund të këndoni ose të lexoni himnin “Para, Shenjtor’” (Himne, nr. 39) si grup dhe pastaj diskutoni rreth ndonjë pjese të tekstit që ju frymëzon të shkoni përpara dhe të merrni dhuratën e jetës së përjetshme.
-
Në mesazhin e tij “A Nuk Kemi Shkak të Gëzohemi?”, Plaku Diter F. Uhtdorf dha mësim se nuk kemi përse të durojmë deri në fund të vetëm. Ai tha: “Durimi deri në fund nuk është thjesht një çështje që t’i durosh në mënyrë pasive rrethanat e vështira të jetës apo të mbetesh në një luftë thjesht për mbijetesë. Besimi ynë është besim aktiv, që i ndihmon fëmijët e Perëndisë nëpër shtegun e ngushtë e të ngushtuar të zhvillojnë potencialin e tyre të plotë gjatë kësaj jete dhe të kthehen tek Ai një ditë.” Shikojeni së bashku pjesën nga mesazhi i Plakut Uhtdorf te materiali filmik “Endure to the End” [“Duroni deri në Fund”] (2:05). Pastaj jepni ide për ta ndihmuar njëri‑tjetrin të qëndrojë në shtegun që të çon te jeta e përjetshme. Mund t’i tregoni gjithashtu njëri‑tjetrit disa përvoja të një rasti kur dikush iu ndihmoi ta duronit me besim një sprovë.
Mësoni më shumë
-
Hebrenjve 6:12; 10:23; 1 Nefi 8:30; 15:24; Doktrina e Besëlidhje 63:47; 101:35; 121:7–8, 29; Nenet e Besimit 1:13
-
Dejll G. Renland, “Zotim i Patundur ndaj Jezu Krishtit”, Liahona, nëntor 2019, f. 22–25
-
Stiven J. Land, “Dishepullimi i Përhershëm”, Liahona, nëntor 2022, f. 89–91
-
Henri B. Ajring, “Shpërblimi kur Durojmë Mirë”, Ensign ose Liahona, korrik 2017, f. 4–5
-
Russell M. Nelson, “Endure and Be Lifted Up”, Ensign, maj 1997, f. 70–72