Konferenca e Përgjithshme
Dishepullimi i Përhershëm
konferenca e përgjithshme e tetorit 2022


Dishepullimi i Përhershëm

Ne mund të gjejmë siguri shpirtërore dhe paqe ndërsa kultivojmë zakone të shenjta dhe rutina të drejta që mund t’i mbajnë ndezur dhe ushqejnë zjarret e besimit tonë.

Gjatë kësaj vere që shkoi, më shumë se 200 000 nga të rinjtë tanë anembanë botës u rritën në besim në njërin nga qindra sesionet njëjavore të konferencave Për Forcën e Rinisë ose FSY‑së. Ngaqë vinin nga izolimi prej pandemisë, për shumë të rinj ishte një akt besimi në Zot edhe thjesht që të merrnin pjesë. Shumë nga pjesëmarrësit e rinj në moshë duket se ndjekin një kurbë në ngjitje drejt kthimit më të thellë në besim. Në fund të javës, më pëlqente t’i pyesja: “Si shkoi?”

Ata ndonjëherë thoshin diçka të tillë si kjo: “Epo, të hënën u acarova shumë me nënën time, sepse më detyroi të vija dhe ta bëja këtë. Dhe nuk njihja asnjeri. Nuk mendoja se ishte për mua. Dhe nuk kisha ndonjë mik. … Por tani është e premte dhe thjesht dua të qëndroj këtu. Thjesht dua ta ndiej Shpirtin në jetën time. Dua të jetoj në këtë mënyrë.”

Secili prej tyre ka historitë e veta për të treguar për çastet e qartësisë dhe të dhuratave shpirtërore që u vërshojnë dhe që i mbartin përgjatë asaj kurbe të rritjes. Edhe unë ndryshova nga kjo verë e FSY‑së, ndërsa e kam parë Shpirtin e Perëndisë t’u përgjigjet pa pushim dëshirave të drejta të zemrës së çdonjërit nga këto turma të rinjsh, të cilët në mënyrë të pavarur gjetën guximin t’i mirëbesonin Atij me një javë nën kujdesin e Tij.

Ashtu si anijet e veshura me çelik shkëlqyes, ne jetojmë në një mjedis gërryes shpirtëror, ku bindjet më të shndritshme duhen ruajtur me kujdes përndryshe mund të brehen, më pas të gërryhen e pastaj të shkërmoqen.

Çfarë Lloj Gjërash Mund të Bëjmë për ta Ruajtur Zjarrin e Bindjeve Tona?

Përvoja të tilla si konferencat e FSY‑së, kampet, mbledhjet e sakramentit dhe misionet, mund të ndihmojnë për t’i lustruar dëshmitë tona, duke na çuar përmes kurbave të rritjes dhe zbulimit shpirtëror drejt vendeve me paqe relative. Por çfarë duhet të bëjmë që të qëndrojmë atje dhe të vazhdojmë të “shko[jmë] përpara me një vendosmëri në Krisht” (2 Nefi 31:20) në vend që të rrëshqasim prapa? Në radhë të parë duhet të vazhdojmë të bëjmë ato gjëra që na sollën atje si, të lutemi shpesh, të zhytemi në shkrimet e shenjta dhe të shërbejmë me sinqeritet.

Për disa prej nesh, për këtë mund të duhet një ushtrim i mirëbesimit te Zoti, madje edhe për të marrë pjesë në mbledhjen e sakramentit. Por pasi të jemi atje, ndikimi shërues i sakramentit të Zotit, përvetësimi i parimeve të ungjillit dhe kultivimi nga komuniteti i Kishës, mund të na kthejnë në shtëpi në një gjendje më të lartë shpirtërore.

Nga Vjen Fuqia që Ka Grumbullimi së Bashku Fizikisht?

Në FSY, 200 000 e më shumë nga të rinjtë tanë arritën ta njohin më mirë Shpëtimtarin, duke përdorur një formulë të thjeshtë të grumbullimit së bashku ku dy ose më shumë prej tyre u mblodhën në emrin e Tij (shih te Mateu 18:20), duke u marrë me ungjillin dhe shkrimet e shenjta, duke kënduar së bashku, duke u lutur së bashku dhe duke gjetur paqe në Krisht. Kjo është një recetë e fuqishme për zgjimin shpirtëror.

Ky grup i gjerë vëllezërish e motrash tani është rikthyer në shtëpi për të përcaktuar se ç’do të thotë të kesh ende “[mirë]besim tek Zoti” (Fjalët e Urta 3:5; tema e rinisë për vitin 2022) kur t’i rrëmbejë kakofonia e një bote të shfrenuar. Një gjë është ta “dëgjo[sh] Atë” (Joseph Smith – Historia 1:17) në një vend të qetë meditimi me shkrimet e shenjta tërësisht të hapura. Por është krejt tjetër gjë ta vërtetojmë dishepullimin tonë në këtë shkulm shpërqendrimesh të vdekshmërisë, ku duhet të përpiqemi fort ta “dëgjoj[më] Atë” edhe përmes turbullirës së interesimit për veten dhe vetëbesimit ngurrues. Le të mos ketë asnjë dyshim: të rinjtë tanë shfaqin pikërisht një brumë heronjsh kur i ndajnë mendjet dhe zemrat e tyre që të qëndrojnë të patundur gjatë lëkundjeve tektonike të moralit në kohën tonë.

Çfarë Mund të Bëjnë Familjet në Shtëpi për ta Zhvilluar Hovin e Krijuar në Aktivitetet e Kishës?

Një herë shërbeva si bashkëshorti i presidentes së Të Rejave në kunj. Një natë m’u caktua të rregulloja biskotat në korridor ndërsa bashkëshortja ime po drejtonte një mbrëmje rreth vatrës në godinën kishtare për prindërit dhe vajzat e tyre që po përgatiteshin të merrnin pjesë në kampin e Të Rejave javën e ardhshme. Pasi shpjegoi se ku të vinin dhe çfarë të sillnin, ajo tha: “Tani, të martën në mëngjes, kur ju t’i lini vajzat tuaja të ëmbla tek autobusi, përqafojini fort. Jepuni një puthje dhe u thoni lamtumirë – sepse nuk do të kthehen më.”

Dëgjova dikë të gulçonte por harrova që isha vetë unë. “Nuk do të kthehen më?”

Por më pas ajo vazhdoi: “Kur t’i lini ato vajza të martën në mëngjes, ato do t’i lënë pas shpërqendrimet e gjërave më të vogla dhe do të kalojnë një javë së bashku duke mësuar, duke u rritur dhe duke mirëbesuar te Zoti. Ne do të lutemi së bashku, do të këndojmë e do të gatuajmë dhe do të shërbejmë së bashku e do të japim dëshmitë së bashku dhe, do të bëjmë gjëra që na lejojnë ta ndiejmë Shpirtin e Atit Qiellor gjatë gjithë javës, derisa të na futet deri në palcë. Dhe të shtunën, ato vajza që do të shihni të zbresin nga ai autobus, nuk do të jenë ato vajza që i sollët të martën. Ato do të jenë krijesa të reja. Dhe nëse i ndihmoni të vazhdojnë nga ai nivel më i lartë shpirtëror, do t’ju mahnitin. Ato do të vazhdojnë të ndryshojnë dhe të rriten. Po kështu edhe familja juaj.”

Atë të shtunë, ndodhi pikërisht ashtu siç e parashikoi ajo. Ndërsa ngarkoja çadrat, dëgjova zërin e bashkëshortes sime në amfiteatrin e vogël prej druri ku ishin mbledhur vajzat para se të shkonin për në shtëpi. E dëgjova të thoshte: “O, ja ku qenkeni. Ju kemi kërkuar gjithë javën. Vajzat tona të së shtunës.”

Rinia e paepur e Sionit po udhëton nëpër kohë të mahnitshme. Gjetja e gëzimit këtë botë me përçarje të profetizuar pa u bërë pjesë e asaj bote, pa asnjë të dhënë për shenjtërinë, është detyra e tyre e veçantë. Rreth njëqind vjet më parë, G. K. Çestertoni foli pothuajse sikur e pa këtë synim të të qenit të përqendruar te shtëpia dhe të përkrahur nga Kisha kur tha: “Ne duhet ta mendojmë gjithësinë në të njëjtën kohë si një kështjellë katallani që do të mësyhet, dhe prapëseprapë si vetë shtëpizën tonë, në të cilën mund të kthehemi në mbrëmje” (Orthodoxy [1909], f. 130).

Fatmirësisht, ata nuk kanë pse të shkojnë në betejë të vetëm. Ata kanë njëri‑tjetrin. Dhe ju kanë ju. Ata ndjekin një profet të gjallë, Presidentin Rasëll M. Nelson, i cili udhëheq me optimizmin e njohur të një shikuesi, duke shpallur se përpjekja e madhe e këtyre kohëve – mbledhja e Izraelit – do të jetë e madhe dhe madhështore (shih te “Shpresa e Izraelit” [takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018], HopeofIsrael.ChurchofJesusChrist.org).

Këtë verë, unë dhe bashkëshortja ime, Kalini, po merrnim avionin tjetër në Amsterdam ku, shumë vjet më parë, isha një misionar i ri. Pas muajsh të tërë përpjekjesh për të mësuar holandisht, avioni ynë me [linjën ajrore] KLM po ulej dhe kapiteni bëri një njoftim të paqartë përmes sistemit të komunikimeve publike. Pas një çasti heshtjeje, shoku im i misionit tha nën zë: “Mendoj se ishte holandisht”. Hodhëm vështrimin lart, duke lexuar mendimet e njëri‑tjetrit: “E humbëm fillin me këtë”.

Por nuk qe e gjitha kështu. Ndërsa mrekullohesha nga hapat e besimit që kishim hedhur asokohe ndërsa ecnim nëpër këtë aeroport për te mrekullitë që do të vërshonin mbi ne si misionarë, befas u ktheva në të tashmen si nga një misionar i gjallë që merrte frymë, i cili po hipte në avion për t’u kthyer në shtëpi. Ai më tha se kush ishte dhe pyeti: “Presidenti Land, çfarë të bëj tani?” Çfarë të bëj për të qëndruar i fortë?”

Epo, kjo është e njëjta pyetje që është në mendjen e të rinjve tanë kur largohen nga konferencat e FSY‑së, kampet e të rinjve dhe të rejave, udhëtimet në tempull dhe çdo rast kur ndiejnë fuqitë e qiellit: “Si mund të kthehet dashuria për Perëndinë në dishepullim të përhershëm?”

Ndjeva një rritje të dashurisë për këtë misionar me sy të kthjellët që edhe pak orë i kishin mbetur nga misioni, dhe në atë qetësi të shkurtër të Shpirtit, dëgjova zërin të më dridhej ndërsa thjesht thashë: “Nuk të duhet të kesh etiketën për ta mbajtur emrin e Tij”.

Doja t’ia vija duart mbi shpatulla dhe t’i thosha: “Ja çfarë duhet të bësh. Shko në shtëpi dhe thjesht ji ky që je tani. Je aq i mirë sa thuajse shkëlqen në errësirë. Disiplina dhe sakrificat në mision të kanë bërë një bir madhështor të Perëndisë. Vazhdo të bësh në shtëpi atë që ka funksionuar kaq fuqishëm për ty këtu. Ti ke mësuar të lutesh dhe se kujt t’i lutesh dhe gjuhën e lutjes. Ti i ke studiuar fjalët e Tij dhe ke arritur ta duash Shpëtimtarin duke u përpjekur për të qenë si Ai. Ti e ke dashur Atin Qiellor ashtu siç Ai e deshi Atin e Tij, u ke shërbyer të tjerëve ashtu siç Ai u shërbeu të tjerëve dhe i ke zbatuar urdhërimet ashtu siç Ai i zbatoi ato – dhe kur nuk i ke bërë këto, je penduar. Dishepullimi yt nuk është thjesht një slogan në një bluzë, ai është bërë pjesë e jetës tënde e jetuar me qëllim për të tjerët. Ndaj shko në shtëpi dhe bëje atë. Ji ai person. Mbaje këtë hov shpirtëror gjatë gjithë jetës sate.”

E di se nëpërmjet mirëbesimit te Zoti Jezu Krisht dhe shtegut të Tij të besëlidhjeve, ne mund të gjejmë siguri shpirtërore dhe paqe ndërsa kultivojmë zakone të shenjta dhe rutina të drejta që mund t’i mbajnë ndezur dhe ushqejnë zjarret e besimit tonë. U shkofshim gjithnjë e më afër atyre zjarreve ngrohëse dhe, le të ndodhë ç’të ndodhë, qëndrofshim atje! Në emrin e Jezu Krishtit, amen.