Konferenca e Përgjithshme
Ne Mund të Bëjmë Gjëra të Vështira me Anë të Tij
konferenca e përgjithshme e tetorit 2022


Ne Mund të Bëjmë Gjëra të Vështira me Anë të Tij

Ne rritemi në dishepullimin tonë kur ushtrojmë besim te Zoti gjatë kohëve të vështira.

Gjatë shërbesës tokësore të Shpëtimtarit, Ai vuri re një burrë i cili ishte i verbër. Dishepujt e Jezusit e pyetën: “Mësues, kush ka mëkatuar, ai apo prindërit e tij, që ai ka lindur i verbër?”

Përgjigjja e qartë, e përzemërt dhe e sinqertë e Shpëtimtarit na siguron se Ai është i vetëdijshëm për mundimet tona: “As ai, as prindërit e tij s’kanë mëkatuar, por kjo ndodhi që tek ai të dëftohen veprat e Perëndisë”1.

Ndërkohë që disa sfida mund të vijnë për shkak të mosbindjes së vullnetshme, ne e dimë se shumë prej sfidave të jetës vijnë prej arsyesh të tjera. Cilido qoftë burimi i sfidave tona, ato mund të jenë një mundësi e artë për t’u rritur.

Familja jonë nuk është kursyer nga fatkeqësitë e jetës. Gjatë periudhës së rritjes, i admiroja familjet e mëdha. Familje të tilla më dukeshin tërheqëse, veçanërisht kur gjeta Kishën në vitet e mia të adoleshencës nëpërmjet dajës tim, Sarfos, dhe bashkëshortes së tij në Takoradi të Ganës.

Kur u martova me Hanën, ne dëshironim përmbushjen e bekimeve tona patriarkale, të cilat tregonin se ne do të bekoheshim me shumë fëmijë. Megjithatë, përpara se të lindte djali ynë i tretë, na u bë e qartë nga ana mjekësore se Hana nuk do të ishte në gjendje të lindte një fëmijë tjetër. Fatmirësisht, ndonëse Kenethi lindi në një situatë rreziku për jetën si për të, ashtu edhe për nënën e tij, ai erdhi në jetë shëndoshë e mirë dhe nëna e tij e mori veten. Ai qe në gjendje të merrte pjesë plotësisht në jetën tonë familjare – përfshirë pjesëmarrjen në Kishë, lutjet e përditshme familjare, studimin e shkrimeve të shenjta, mbrëmjen e shtëpisë dhe veprimtaritë e shëndosha argëtuese.

Ndonëse na duhej që t’i përshtatnim pritshmëritë tona për një familje të madhe, ishte një gëzim t’i vinim në zbatim mësimet nga dokumenti “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” me tre fëmijët tanë të dashur. Ndjekja e atyre mësimeve i shtoi shumë kuptim rritjes sime në besim.

Siç shpallet te proklamata: “Martesa midis burrit dhe gruas është thelbësore në planin e Tij të përjetshëm. Fëmijët kanë të drejtën të lindin nga prindër brenda lidhjeve të martesës dhe të rriten nga një atë dhe një nënë, të cilët i nderojnë me besnikëri të plotë besëlidhjet e martesës.”2 Kur i vëmë këto parime në praktikë, ne bekohemi.

Megjithatë, një fundjavë gjatë shërbimit tim si president kunji, ne përjetuam ndoshta sprovën më të keqe me të cilën mund të përballen prindërit. Familja jonë u kthye nga një aktivitet i Kishës dhe u mblodhëm për të ngrënë drekë. Më pas tre djemtë tanë dolën brenda zonës së kompleksit tonë të banesave për të luajtur.

Bashkëshortja ime ndjeu mbresa të përsëritura se diçka mund të shkonte keq. Ajo më kërkoi që të kontrolloja fëmijët ndërkohë që po lanim enët. Mendova se ishin të sigurt duke qenë se ua dëgjoja zërat e gëzuar nga loja e tyre.

Kur së fundi shkuam të dy që t’i kontrollonim djemtë tanë, të llahtarisur, e gjetëm Kenethin tonë 18 muajsh të pavetëdijshëm në një kovë me ujë, të padiktuar nga vëllezërit e tij. E çuam me nxitim në spital, por të gjitha përpjekjet për ta sjellë atë në jetë, nuk dhanë rezultat.

Ishim të shkatërruar që nuk do të kishim mundësinë ta rritnim fëmijën tonë të çmuar gjatë kësaj jete në vdekshmëri. Ndonëse e dinim që Kenethi do të ishte pjesë e familjes sonë përjetësisht, e gjeta veten me pikëpyetjen përse Perëndia do ta lejonte këtë tragjedi të më ndodhte kur unë po bëja gjithçka që mundesha për ta lartësuar thirrjen time. Sapo kisha ardhur në shtëpi pas përmbushjes së njërës prej detyrave të mia gjatë shërbesës ndaj shenjtorëve. Përse nuk e mori parasysh Perëndia shërbimin tim dhe ta shpëtonte djalin tonë dhe familjen tonë nga kjo tragjedi? Sa më shumë e mendoja atë, aq më shumë hidhërohesha.

Bashkëshortja ime nuk më fajësoi kurrë që nuk iu përgjigja mbresave të saj, por unë mora një mësim jetëndryshues dhe vendosa dy rregulla, për të mos i thyer kurrë:

Rregulli 1: Dëgjoji dhe vërjua veshin mbresave të bashkëshortes sate.

Rregulli 2: Nëse nuk je i sigurt për çfarëdolloj arsyeje, referoju rregullit numër 1.

Ndonëse përvoja na e copëtoi zemrën dhe ne vazhdojmë ta vuajmë, barra jonë dërrmuese përfundimisht u lehtësua.3 Bashkëshortja ime dhe unë morëm disa mësime specifike nga humbja jonë. Arritëm të ndiheshim të bashkuar dhe të lidhur nga besëlidhjet tona të tempullit; ne e dimë se mund ta kemi tonin Kenethin në botën tjetër për shkak se ai u lind në besëlidhje. Ne fituam gjithashtu përvojë të nevojshme për t’u dhënë shërbesë të tjerëve dhe për t’u solidarizuar me dhembjen e tyre. Unë dëshmoj se hidhërimi ynë është davaritur që nga koha kur ushtruam besim te Zoti. Përvoja jonë vazhdon të jetë e vështirë, por ne kemi mësuar me Apostullin Pal se “mund të bëj[më] gjithçka me anë të Krishtit që [na] forcon” nëse përqendrohemi tek Ai.4

Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Kur përqendrimi i jetës sonë është te plani i Perëndisë për shpëtim … dhe te Jezu Krishti e ungjilli i Tij, ne mund të ndiejmë gëzim pavarësisht nga ajo që po ndodh – apo nuk po ndodh – në jetën tonë”. Ai tha në vijim: “Gëzimi vjen prej Tij dhe për shkak të Tij”5.

Ne mund të marrim zemër dhe të mbushemi me paqe në kohët tona të vështira. Dashuria që ndiejmë për shkak të Shpëtimtarit dhe Shlyerjes së Tij, bëhet një burim i fuqishëm për ne në çastet tona sprovuese. “Gjithçka që është e padrejtë [dhe e vështirë] në jetë mund të ndreqet me anë të Shlyerjes së Jezu Krishtit.”6 Ai urdhëroi: “Në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën!”7 Ai mund të na ndihmojë të përballojmë çfarëdolloj dhembjeje, sëmundjeje dhe sprove me të cilën përballemi në vdekshmëri.

Ne gjejmë shumë histori nga shkrimet e shenjta për udhëheqësit e mëdhenj dhe fisnikë si Jeremia, Jobi, Jozef Smithi dhe Nefi, të cilët nuk u kursyen nga vështirësitë dhe sfidat në vdekshmëri. Ata ishin njerëz të vdekshëm që mësuan se si t’i bindeshin Zotit edhe në rrethana të ashpra.8

Gjatë ditëve të tmerrit në burgun e Libertisë, Jozef Smithi thirri: “O PERËNDI, ku je ti? Dhe ku është tenda që mbulon vendin tënd të fshehjes?”9 Zoti e mësoi Jozefin që t’i duronte mirë ato gjëra10 dhe i premtoi se nëse ai e bënte këtë, të gjitha ato gjëra do t’i jepnin atij përvojë dhe do të ishin për të mirën e tij.11

Duke reflektuar për përvojat e mia vetjake, kuptoj se disa nga mësimet më të mira i kam marrë gjatë kohëve më të vështira në jetën time, kohë që më nxorën nga zona ime e rehatisë. Vështirësitë me të cilat u përballa kur isha i ri, ndërkohë që po mësoja për Kishën nëpërmjet seminarit, kur isha një i kthyer i ri në besim dhe kur isha misionar kohëplotë dhe sfidat që i hasa gjatë arsimimit tim, gjatë përpjekjeve për të lartësuar thirrjet e mia dhe gjatë krijimit të familjes, më kanë përgatitur mua për të ardhmen. Sa më gëzueshëm t’u përgjigjem rrethanave të vështira me besim te Zoti, aq më shumë rritem në dishepullimin tim.

Gjërat e vështira në jetën tonë nuk duhet të na vijnë si befasi pasi të kemi hyrë në shtegun e ngushtë e të ngushtuar.12 Jezu Krishti mësoi “të jetë i bindur nga ato që pësoi”13. Teksa e ndjekim Atë, veçanërisht në kohët tona të vështira, ne mund të rritemi për t’u bërë më shumë si Ai.

Një nga besëlidhjet që bëjmë me Zotin në tempull, është që të jetojmë ligjin e sakrificës. Sakrifica ka qenë gjithmonë pjesë e ungjillit të Jezu Krishtit. Ajo është një kujtues i flijimit të madh shlyes të Jezu Krishtit për të gjithë ata që kanë jetuar ose do të jetojnë mbi këtë tokë.

Pamja
misionarët e Plakut Morrison

E di se Zoti na i shpërblen gjithmonë dëshirat tona të drejta. Ju kujtohen fëmijët e shumtë që m’u premtuan në bekimin tim patriarkal? Ai bekim po përmbushet. Bashkëshortja ime dhe unë shërbyem me disa qindra misionarë, nga më shumë se 25 vende, në Misionin e Bregut të Kepit në Ganë. Ata janë për ne aq të shtrenjtë sikur të ishin fëmijët e gjakut tonë.

Unë dëshmoj se ne rritemi në dishepullimin tonë kur ushtrojmë besim te Zoti gjatë kohëve të vështira. Kur e bëjmë këtë, Ai plot mëshirë do të na forcojë dhe do të na ndihmojë t’i mbajmë barrët tona. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.