Konferenca e Përgjithshme
Doktrina e Përkatësisë
konferenca e përgjithshme e tetorit 2022


Doktrina e Përkatësisë

Doktrina e përkatësisë përmblidhet në këtë gjë për secilin prej nesh: Unë jam një me Krishtin në besëlidhjen e ungjillit.

Do të doja të flisja rreth asaj që unë e quaj doktrina e përkatësisë në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Kjo doktrinë ka tri pjesë: 1) rolin e përkatësisë në mbledhjen e popullit të besëlidhjes së Zotit, 2) rëndësinë e shërbimit dhe sakrificës në përkatësi dhe 3) rolin qendror të Jezu Krishtit në përkatësi.

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në fillimet e saj të hershme përbëhej gjerësisht nga shenjtorë të bardhë të Amerikës Veriore dhe Europës me një numër shumë të vogël të indianëve të Amerikës, të amerikanëve afrikanë dhe të banorëve nga ishujt e Paqësorit. Tani, tetë vjet përpara përvjetorit të 200‑të të krijimit të saj, Kisha është rritur shumë në numër dhe larmi në Amerikën Veriore dhe akoma më shumë në pjesët e tjera të botës.

Ndërkohë që mbledhja e ditëve të mëvonshme, e profetizuar prej shumë kohësh, e popullit të besëlidhjes së Zotit po merr hov, Kisha vërtet do të përbëhet prej anëtarësh nga çdo komb, fis, gjuhë dhe popull.1 Kjo nuk është një larmi e llogaritur apo e detyruar, por një fenomen që po ndodh në mënyrë të natyrshme, që ne do ta prisnim, duke dalluar se rrjeta e ungjillit mbledh nga çdo komb e çdo popull.

Sa të bekuar jemi që të shohim ditën kur Sioni po vendoset njëherazi në çdo kontinent dhe në vetë lagjet ku banojmë ne! Siç tha Profeti Jozef Smith, populli i Perëndisë në çdo epokë ka shpresuar me pritje të gëzuar këtë ditë dhe “ne jemi populli i favorizuar që Perëndia e ka përzgjedhur për të sjellë lavdinë e ditëve të mëvonshme”2.

Ngaqë na është dhënë ky privilegj, ne nuk mund të lejojmë asnjë racizëm, paragjykim fisnor apo përçarje të tjera të ekzistojë në Kishën e Krishtit të ditëve të mëvonshme. Zoti na urdhëron: “Jini një; dhe nëse nuk jeni një, nuk jeni të mitë”3. Ne duhet të jemi të zellshëm që ta çrrënjosim paragjykimin dhe diskriminimin nga Kisha, nga shtëpitë tona dhe më kryesorja, nga zemrat tona. Teksa popullsia e Kishës bëhet gjithnjë e më shumë e larmishme, mirëpritja jonë duhet të bëhet gjithnjë e më e vetvetishme dhe më e ngrohtë. Ne kemi nevojë për njëri‑tjetrin.4

Në Letrën e tij të Parë drejtuar Korintasve, Pali shpall se të gjithë ata që pagëzohen në Kishë, janë një në trupin e Krishtit:

“Sepse ashtu si trupi është një, por ka shumë gjymtyrë, dhe të gjitha gjymtyrët e të njëjtit trup, megjithëse janë shumë, formojnë një trup të vetëm, kështu është edhe Krishti.

Sepse të gjithë ne jemi pagëzuar në një Frym[ë] të vetëm në të njëjtin trup, qofshin Hebrenjtë apo Grekët, qofshin skllevërit a të liruarit, dhe të gjithë e kemi jemi uijtur në të njëjtin Frymë. …

Që të mos kishte përçarje në trup, por të gjitha gjymtyrët të kenë të njëjtin kujdes për njëra-tjetrën.

Dhe nëse vuan një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët vuajnë; kurse po të nderohet një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët gëzohen bashkë me të.”5

Ndjenja e përkatësisë është e rëndësishme për mirëqenien tonë fizike, mendore dhe shpirtërore. Prapëseprapë, është krejt e mundur që herë pas here secili prej nesh të mund të ndiejë se nuk është i përshtatshëm. Në çastet shkurajuese, ne mund të ndiejmë se nuk do të jemi kurrë mjaft të mirë për standardet e larta të Zotit ose çfarë të tjerët presin nga ne.6 Padashur mund të imponojmë pritshmëri mbi të tjerët, apo dhe mbi veten tonë, që nuk janë pritshmëritë e Zotit. Ne mund të komunikojmë në mënyra të holla se vlera e një shpirti bazohet tek arritje ose thirrje të caktuara, por këto nuk janë se si matet pozicioni ynë në sytë e Zotit. “Zoti shikon zemrën.”7 Ai interesohet për dëshirat e përmallimet tona dhe se çfarë po bëhemi.8

Motra Xhodi King shkroi për përvojën e vet të viteve të shkuara:

“Asnjëherë nuk ndihesha sikur nuk i përkitja kishës derisa bashkëshorti im, Kameroni, dhe unë filluam të ndesheshim me shterpësinë. Fëmijët dhe familjet që zakonisht më kishin sjellë gëzim kur i shihja në kishë, tani filluan të më shkaktonin pikëllim e dhembje.

Ndihesha e pavlerë ngaqë isha pa një fëmijë në krahët e mi ose pa një çantë pelenash në dorë. …

E diela më e vështirë ishte e diela jonë e parë në një lagje të re. Ngaqë nuk kishim fëmijë, na pyetën a ishim të sapomartuar dhe kur e kishim në plan të fillonim një familje. Ia kisha marrë dorën mirë që t’u jepja përgjigje këtyre pyetjeve pa i lënë të ndikonin tek unë – e dija që nuk bëheshin me qëllim që të më lëndonin.

Gjithsesi, këtë të diel të veçantë, qe veçanërisht e vështirë t’u përgjigjesha atyre pyetjeve. Sapo kishim mësuar, pasi kishim qenë plot shpresë, se përsëri nuk isha shtatzënë.

U futa në mbledhjen e sakramentit duke u ndier e dërrmuar dhe ishte e vështirë që t’u përgjigjesha atyre pyetjeve tipike që të bën dikush për të të njohur. …

Por ishte shkolla e së dielës që vërtet ma copëtoi zemrën. Mësimi, që synohej të ishte për rolin hyjnor të nënave, me të shpejtë ndryshoi drejtim papritur dhe u bë një vend për t’u shfryrë. M’u ndrydh zemra dhe lotët më rrodhën në heshtje nëpër faqe, teksa dëgjoja gra që ankoheshin për një bekim për të cilin unë do të jepja gjithçka.

U largova me vrik nga kisha. Në fillim, nuk doja të kthehesha. Nuk doja ta përjetoja përsëri atë ndjenjë izolimi. Por atë mbrëmje, pasi fola me bashkëshortin tim, e dinim se do të vazhdonim të frekuentonim kishën, jo vetëm ngaqë Zoti na e ka kërkuar, por edhe ngaqë ne që të dy e dinim se gëzimi që vjen nga ripërtëritja e besëlidhjeve dhe të ndierit e Shpirtit në kishë, e kapërcen trishtimin që ndjeva atë ditë. …

Në Kishë ka anëtarë të ve, të shkurorëzuar dhe të pamartuar; anëtarë me pjesëtarë të familjes të cilët janë larguar nga ungjilli; njerëz me sëmundje kronike apo vështirësi financiare; anëtarë që përjetojnë tërheqje ndaj së njëjtës gjini; anëtarë që po përpiqen të mposhtin varësitë apo dyshimet; të kthyer në besim në kohët e fundit; anëtarë që sapo kanë ardhur në lagje; anëtarë me fëmijë të rritur që nuk jetojnë më me ta; dhe lista vazhdon e vazhdon. …

Shpëtimtari na fton të vijmë tek Ai, pavarësisht nga rrethanat tona. Ne vijmë në kishë që t’i ripërtërijmë besëlidhjet tona, ta rritim besimin tonë, të gjejmë paqe dhe të bëjmë ashtu siç bëri Ai në mënyrë të përsosur në jetën e Tij, që t’u japim shërbesë të tjerëve të cilët ndiejnë se nuk i përkasin kishës.”9

Pali shpjegoi se Kisha dhe drejtuesit e saj janë dhënë nga Perëndia “për përsosjen e shenjtorëve, për veprën e shërbimit dhe për ndërtimin e trupit të Krishtit,

derisa të arrijmë të gjithë te uniteti i besimit dhe të njohjes së Birit të Perëndisë, te një njeri i përsosur, në masën e shtatit të plotësisë së Krishtit”10.

Është një ironi e trishtueshme, atëherë, kur dikush, ngaqë ndien se ai ose ajo nuk përputhet me idealen në të gjitha aspektet e jetës, arrin në përfundimin se ai ose ajo nuk i përket pikërisht vetë organizatës së hartuar nga Perëndia për të na ndihmuar që të përparojmë drejt ideales.

Le ta lëmë gjykimin në duart e Zotit dhe të atyre që Ai i ka autorizuar dhe le të kënaqemi që ta duam e ta trajtojmë njëri‑tjetrin sa më mirë të mundemi. Le t’i kërkojmë Atij që të na e tregojë udhën, ditë për ditë, për të “s[jellë] … lypës, sakatë, të çalë dhe të verbër”11, domethënë, çdo njeri, në gostinë e madhe të Zotit.

Një tipar i dytë i doktrinës së përkatësisë ka të bëjë me vetë ndihmesat tona. Ndonëse rrallë mendojmë për këtë, shumica e përkatësisë sonë vjen nga shërbimi ynë dhe sakrificat që bëjmë për të tjerët dhe për Zotin. Përqendrimi i tepërt te nevojat tona vetjake ose te rehatia jonë vetjake mund ta pengojnë atë ndjenjë përkatësie.

Ne përpiqemi fort që ta ndjekim doktrinën e Shpëtimtarit:

“Ai nga ju që do të dojë të bëhet i madh, do të jetë shërbëtori juaj. …

Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetave.”12

Përkatësia vjen jo teksa presim për të, por teksa shtrijmë dorën për ta ndihmuar njëri‑tjetrin.

Sot, për fat të keq, përkushtimi i vetes sonë ndaj një kauze ose sakrifikimi i çfarëdo gjëje për cilindo person tjetër po bëhet diçka e kundërt me normat shoqërore. Në një artikull për revistën Deseret Magazine vjet, autori Rod Dreher tregoi për një bashkëbisedim me një nënë të re në moshë në Budapest:

“Jam në tramvaj në Budapest me një … mikeshë rreth të tridhjetave, le ta quajmë Kristina, ndërkohë që jemi në udhë e sipër për të intervistuar një grua më të moshuar [të krishterë] që, me bashkëshortin e saj të ndjerë, i bënë ballë përndjekjes së shtetit komunist. Teksa lëvizim duke u lëkundur përgjatë rrugëve të qytetit, Kristina flet rreth asaj se sa e vështirë është të jetë e ndershme me miqtë e moshës së saj rreth vështirësive që përjeton si bashkëshorte dhe nënë me fëmijë të vegjël.

Vështirësitë e Kristinës janë tërësisht të zakonshme për një grua të re që po mëson se si të jetë nënë e bashkëshorte, prapëseprapë qëndrimi mbizotërues mes brezit të saj është që vështirësitë e jetës janë një kërcënim ndaj mirëqenies së dikujt dhe duhet të refuzohen. A bëjnë fjalë ngandonjëherë ajo dhe burri i saj? Atëherë duhet ta lërë atë, thonë ata. A po e bezdisin fëmijët e vet? Atëherë duhet t’i dërgojë në kopsht.

Kristina shqetësohet se miqtë e saj nuk e kuptojnë se sprovat, dhe madje vuajtja, janë pjesë normale e jetës – dhe ndoshta madje pjesë e një jete të mirë, nëse ajo vuajtje na mëson se si të jemi të duruar, dashamirës dhe të dashur. …

… Sociologu i fesë i Universitetit të Notrë Damit, Kristian Smithi, zbuloi në studimin e tij të të rriturve të [moshave] 18 deri 23 vjeç që shumica e tyre besojnë se shoqëria nuk është më shumë se ‘një përmbledhje e individëve të pavarur që kanë si qëllim të kënaqen me jetën’.”13

Sipas kësaj filozofie, gjithçka që dikush e sheh si të vështirë, “është një formë shtypjeje”14.

Në dallim nga kjo, të parët tanë pionierë fituan një ndjenjë të thellë përkatësie, uniteti dhe shprese në Krisht prej sakrificave që bënë për të shërbyer në misione, për të ndërtuar tempuj, për t’i braktisur shtëpitë e rehatshme për shkak të kërcënimeve e për ta filluar sërish, dhe në një larmi mënyrash të tjera për t’ia përkushtuar veten dhe mjetet e tyre kauzës së Sionit. Ata ishin të gatshëm që të sakrifikonin edhe vetë jetën e tyre nëse nevojitej. Dhe ne të gjithë jemi përfituesit e qëndresës së tyre. E njëjta gjë është e vërtetë për shumë veta sot të cilët mund të humbasin familjen dhe miqtë, të humbasin mundësi punësimi ose të vuajnë diskriminim apo mungesë të tolerancës në ndonjë mënyrë tjetër si pasojë e pagëzimit. Gjithsesi, shpërblimi i tyre është një ndjesi e fuqishme e përkatësisë mes popullit të besëlidhjes. Çfarëdo sakrifice që e bëjmë në kauzën e Zotit, na ndihmon të përforcojmë vendin që kemi tek Ai që e dha jetën e Tij si shpengim për shumë njerëz.

Përbërësi përfundimtar dhe më i rëndësishëm i doktrinës së përkatësisë, është roli qendror i Jezu Krishtit. Ne nuk bashkohemi me Kishën vetëm për shoqërim, edhe pse ky është i rëndësishëm. Ne bashkohemi për shëlbimin nëpërmjet dashurisë dhe hirit të Jezu Krishtit. Ne bashkohemi për të siguruar ordinancat e shpëtimit dhe të ekzaltimit për veten tonë dhe për njerëzit që i duam në të dyja anët e velit. Ne bashkohemi që të marrim pjesë në një projekt të madh për të ndërtuar Sionin në përgatitje për kthimin e Zotit.

Kisha është kujdestari i besëlidhjeve të shpëtimit dhe ekzaltimit që Perëndia na i ofron nëpërmjet ordinancave të priftërisë së shenjtë.15 Është nëpërmjet bërjes së këtyre ordinancave që fitojmë ndjesinë më të lartë e më të thellë të përkatësisë. Presidenti Rasëll M. Nelson kohët e fundit shkroi:

“Kur ju dhe unë kemi bërë besëlidhje me Perëndinë, marrëdhënia jonë me Të bëhet shumë më e ngushtë sesa përpara besëlidhjes sonë. Tani ne jemi të lidhur së bashku. Për shkak të besëlidhjes sonë me Perëndinë, Ai nuk do të lodhet kurrë në përpjekjet e Tij për të na ndihmuar dhe ne kurrë nuk do ta shterim durimin e Tij të mëshirshëm për ne. Secili prej nesh ka një vend të veçantë në zemrën e Perëndisë. …

… Jezu Krishti është garantuesi i atyre besëlidhjeve (shih Hebrenjve 7:22; 8:6).”16

Nëse vërtet do ta mbajmë mend këtë, shpresat e mëdha që ka Zoti për ne, do të na frymëzojnë në vend që të na shkurajojnë.

Ne mund të ndiejmë gëzim kur ndjekim, individualisht dhe bashkërisht, “masën e shtatit të plotësisë së Krishtit”17. Pavarësisht nga zhgënjimet dhe pengesat përgjatë udhës, jeta në tokë është një diçka madhështore për t’u kërkuar. Ne e ndihmojmë dhe inkurajojmë njëri‑tjetrin ndërkohë që përshkojmë shtegun në ngjitje, duke e ditur se pavarësisht nga mundimi dhe pavarësisht nga vonesat lidhur me bekimet e premtuara, ne mund të “m[arrim] zemër; [sepse Krishti e ka] mund[ur] botën”18 dhe ne jemi me Të. Të qenit një me Atin, Birin dhe Shpirtin e Shenjtë është pa dyshim lloji më i mirë i përkatësisë.19

Si rrjedhojë, doktrina e përkatësisë përmblidhet në këtë gjë, që secili prej nesh mund ta pohojë: Jezu Krishti vdiq për mua; Ai më mendoi të denjë për gjakun e Tij. Ai më do dhe mund të sjellë gjithë ndryshimin në jetën time. Kur pendohem, hiri i Tij do të më shndërrojë. Unë jam një me Të në besëlidhjen e ungjillit; unë i përkas Kishës dhe mbretërisë së Tij; dhe unë i përkas kauzës së Tij për t’u sjellë shëlbim gjithë fëmijëve të Perëndisë.

Unë dëshmoj se [edhe] ju vërtet i përkitni, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih te Zbulesa 5:9; shih edhe te 1 Nefi 19:17; Mosia 15:28; Doktrina e Besëlidhje 10:51; 77:8, 11.

  2. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 194.

  3. Doktrina e Besëlidhje 38:27.

  4. Një vëzhgues i mprehtë vërejti:

    “Feja që është thjesht një çështje private, ka qenë, deri në kohën tonë, e panjohur në analet historike të njerëzimit – dhe për një arsye të mirë. Një fe e tillë me të shpejtë zvogëlohet në një gjë të këndshme brenda shtëpisë, një lloj pune qejfi për një ose më shumë individë, si leximi i një libri apo shikimi i televizorit. Prandaj nuk është çudi që kërkimi për shpirtshmëri është bërë kaq i modës. Është ajo që individët, e çliruar nga feja, e kërkojnë dëshpërimisht si zëvendësues.

    Shpirtshmëria është vërtet një pjesë përbërëse e të gjitha feve, por një pjesë e vogël dhe nuk mund të jetë një zëvendësues për të gjithën. Feja nuk është njëfarë ushtrimi psikik që herë pas here ofron një përvojë të mbinatyrshme. Ajo ose i jep formë jetës së dikujt, tërë jetës së dikujt, ose zhduket, duke lënë pas shpirtra plot ankth e zbrazëti që nuk mund t’i arrijë asnjë lloj psikoterapie. Dhe që feja t’i japë formë jetës së dikujt, ajo nevojitet të jetë publike dhe shoqërore; ka nevojë të lidhet me të vdekurit dhe të palindurit” (Irving Kristol, “The Welfare State’s Spiritual Crisis”, Wall Street Journal, 3 shkurt 1997, A14).

  5. 1 Korintasve 12:12–13, 25–26.

  6. Shih Russell M. Nelson, “Perfection Pending”, Ensign, nëntor 1995, f. 86–88; Xhefri R. Holland, “Jini, pra, të Përkryer – Përfundimisht”, Liahona, nëntor 2017, f. 40–42.

  7. 1 Samuelit 16:7.

  8. Siç u shpreh nga Plaku Xhefri R. Holland: “ʻEjani siç jeniʼ, i thotë një Atë i dashur secilit prej nesh, por Ai shton: ʻMos planifikoni të mbeteni siç jeniʼ. Ne buzëqeshim dhe sjellim ndërmend që Perëndia është i vendosur për të na bërë më shumë nga ç’menduam se mund të ishim” (“Këngë të Kënduara dhe të Pakënduara”, Liahona, maj 2017, f. 51).

  9. Jodi King, “Belonging in the Church through the Lens of Infertility”, Liahona, mars 2020, f. 46, 48–49.

  10. Efesianëve 4:12–13.

  11. Lluka 14:21.

  12. Marku 10:43, 45; theksimi i shtuar.

  13. Rod Dreher, “A Christian Survival Guide for a Secular Age”, Deseret Magazine, prill 2021, f. 68.

  14. Dreher, “A Christian Survival Guide for a Secular Age”, f. 68.

  15. Shih te Doktrina e Besëlidhje 84:19–22.

  16. Rasëll M. Nelson, “Besëlidhja e Përjetshme”, Liahona, tetor 2022, f. 6, 10.

  17. Efesianëve 4:13.

  18. Gjoni 16:33.

  19. Shih te Gjoni 17:20–23. “Dhe tani unë do të doja t’ju këshilloj ta kërkoni këtë Jezus për të cilin kanë shkruar profetët dhe apostujt, që hiri i Perëndisë, Atit dhe gjithashtu i Zotit Jezu Krisht dhe i Frymës së Shenjtë, që dëshmon për ta, të mund të jetë dhe të jetojë në ju përgjithmonë” (Ethëri 12:41).