Konferenca e Përgjithshme
Le të Jetë Normale për Ne të Bërit Mirë
konferenca e përgjithshme e tetorit 2022


Le të Jetë Normale për Ne të Bërit Mirë

Nëse jemi të qëndrueshëm dhe të palëvizur në bërjen e veprave të mira, zakonet tona do të na ndihmojnë të qëndrojmë në shtegun e besëlidhjeve.

Do të jem përherë mirënjohës për detyrat e mia në Kishë, të cilat janë bërë shkak që unë të jetoj në vende të ndryshme. Në secilin prej këtyre vendeve gjetëm një larmi të madhe dhe njerëz të jashtëzakonshëm me zakone dhe tradita të ndryshme.

Ne të gjithë kemi zakone dhe tradita që janë personale, nga familja jonë, ose vijnë nga komuniteti në të cilin jetojmë, dhe shpresojmë t’i mbajmë të gjitha ato që përputhen me parimet e ungjillit. Zakonet dhe traditat lartësuese janë thelbësore në përpjekjet tona për të qëndruar në shtegun e besëlidhjeve dhe ato që janë pengesë, duhet të mos i pranojmë.

Një zakon është praktika ose mënyra e shpeshtë dhe e zakonshme e të menduarit për një person, kulturë ose traditë. Shpesh, gjërat që mendojmë dhe bëjmë në një mënyrë të zakonshme, i njohim si “normale”.

Më lejoni ta ilustroj këtë: Patrishës, bashkëshortes sime të dashur, i pëlqen shumë ta pijë ujin e arrës së kokosit dhe më pas ta hajë arrën e kokosit. Gjatë vizitës sonë të parë në Puebla të Meksikës, shkuam në një vend ku blemë një arrë kokosi. Pasi piu ujin, bashkëshortja ime u kërkoi ta pritnin arrën e kokosit dhe t’i jepnin tulin e frutës për ta ngrënë. Kur ia sollën, ishte e kuqërremtë. Ata e kishin spërkatur me spec djegës. Arrë kokosi e ëmbël me spec djegës! Ajo na u duk tepër e çuditshme. Por më vonë mësuam se të çuditshëm ishim ne, unë dhe bashkëshortja ime, që nuk hanim arrë kokosi me spec djegës. Megjithatë, në Meksikë kjo nuk është diçka e pazakontë, është shumë normale.

Në një rast tjetër, po hanim në Brazil me disa miq dhe ata na nxorën avokado. Kur sapo ishim gati ta spërkatnim me kripë, miqtë na thanë: “Ç’po bëni!? Ia kemi hedhur tashmë sheqerin avokados!” Avokado me sheqer! Ajo na u duk kaq e çuditshme! Por më pas mësuam se të çuditshëm ishim ne, unë dhe bashkëshortja ime, që nuk hanim avokado me sheqer. Në Brazil, avokadoja e spërkatur me sheqer është normale.

Ajo që është normale për disa, mund të jetë e çuditshme për të tjerët, në varësi të zakoneve dhe traditave të tyre.

Cilat zakone dhe tradita janë normale në jetën tonë?

Presidenti Rasëll M. Nelson ka thënë: “Sot, ne shpesh dëgjojmë për një gjendje ‘të re normale’. Nëse vërtet doni të përqafoni një gjendje të re normale, unë ju ftoj që ta ktheni zemrën, mendjen dhe shpirtin tuaj gjithnjë e më shumë tek Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti. Le të jetë kjo gjendja juaj e re normale” (“Një Gjendje e Re Normale”, Liahona, nëntor 2020, f. 118).

Kjo ftesë është për të gjithë. Nuk ka rëndësi nëse jemi të varfër apo të pasur, të arsimuar apo të paarsimuar, të moshuar apo të rinj, të sëmurë apo të shëndetshëm. Ai na fton t’i lejojmë gjërat “normale” në jetën tonë të jenë ato që na ndihmojnë për të na mbajtur në shtegun e besëlidhjeve.

Asnjë vend nuk e përmban të plotë atë që është e mirë ose e admirueshme. Prandaj, sikurse dhanë mësim Pali dhe Profeti Jozef Smith:

“Në qoftë se ka diçka të virtytshme, të dashur, ose me famë të mirë, apo të denjë për t’u lavdëruar, ne i kërkojmë këto gjëra” (Nenet e Besimit 1:13).

“Nëse ka ndonjë lëvdim, këto mendoni” (Filipianëve 4:8).

Vini re se kjo është një këshillë, jo thjesht një koment.

Do të doja që të gjithë të gjenim një çast për të medituar rreth zakoneve tona dhe mënyrës se si ato po ndikojnë te familjet tona.

Ndër zakonet e mrekullueshme që duhet të jenë normale për anëtarët e Kishës, janë këto të katërta:

  1. Studimi vetjak dhe familjar i shkrimeve të shenjta. Për t’u kthyer në besim te Zoti Jezu Krisht, çdo person është përgjegjës për ta mësuar ungjillin. Prindërit janë përgjegjës për t’ua mësuar ungjillin fëmijëve të tyre (shih te Doktrina e Besëlidhje 68:25; 93:40).

  2. Lutja vetjake dhe familjare. Shpëtimtari na urdhëron të lutemi gjithmonë (shih te Doktrina e Besëlidhje 19:38). Lutja na lejon të komunikojmë personalisht me Atin tonë Qiellor në emrin e Birit të Tij, Jezu Krishtit.

  3. Frekuentimi çdo javë i mbledhjes së sakramentit (shih tek 3 Nefi 18:1–12; Moroni 6:5–6). E bëjmë këtë për të kujtuar Jezu Krishtin teksa marrim sakramentin. Në këtë ordinancë, anëtarët e Kishës ripërtërijnë besëlidhjen e tyre për të marrë mbi vete emrin e Shpëtimtarit, për ta kujtuar gjithmonë Atë dhe për të zbatuar urdhërimet e Tij (shih te Doktrina e Besëlidhje 20:77, 79).

  4. Pjesëmarrja në punën në tempull dhe për historinë familjare. Kjo punë është mjeti i bashkimit dhe vulosjes së familjeve për përjetësinë (shih te Doktrina e Besëlidhje 128:15).

Si ndihemi kur i dëgjojmë këto katër gjëra? A janë ato pjesë e jetës sonë normale?

Ka shumë tradita të tjera të cilat mund të jenë pjesë e normalitetit që e kemi bërë tonin, duke e lejuar në këtë mënyrë Perëndinë të triumfojë në jetën tonë.

Si mund ta përcaktojmë se cilat do të jenë gjërat normale në jetën tonë dhe në familjen tonë? Në shkrimet e shenjta ne gjejmë një model të mrekullueshëm; te Mosia 5:15 thuhet: “Unë do të doja që ju të jeni të qëndrueshëm dhe të palëvizur, gjithmonë plot me vepra të mira”.

Më pëlqejnë shumë këto fjalë, sepse e dimë se gjërat që bëhen normale në jetën tonë, janë ato që ne i përsëritim sërish e sërish. Nëse jemi të qëndrueshëm dhe të palëvizur në bërjen e veprave të mira, zakonet tona do të jenë në përputhje me parimet e ungjillit dhe ato do të na ndihmojnë të qëndrojmë në shtegun e besëlidhjeve.

Presidenti Nelson gjithashtu ka këshilluar: “Përqafojeni gjendjen tuaj të re normale duke u penduar çdo ditë. Kërkoni të jeni gjithmonë e më shumë të dëlirë në mendim, fjalë dhe veprim. Jepuni shërbesë të tjerëve. Mbani një këndvështrim të përjetshëm. Lartësojini thirrjet tuaja. Dhe cilatdo qofshin sfidat tuaja, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, jetojeni çdo ditë në mënyrë që ju të jeni më të përgatitur për ta takuar Krijuesin tuaj” (“Një Gjendje e Re Normale”, f. 118).

Tani nuk është e çuditshme as për bashkëshorten time, Patrishën, as për mua që të hamë arrë kokosi me spec djegës dhe avokado me sheqer – në fakt, na pëlqen. Megjithatë, ekzaltimi është diçka shumë më tepër e jashtëzakonshme sesa një ndjesi e shijes; është një temë që lidhet me përjetësinë.

Unë lutem që normaliteti ynë të mund të na lejojë ta përjetojmë atë gjendje “lumturie të pafund” (Mosia 2:41) e cila u premtohet atyre që i zbatojnë urdhërimet e Perëndisë, dhe që, ndërsa e bëjmë këtë, ne të mund të jemi në gjendje të themi: “Dhe ndodhi që ne jetuam sipas mënyrës së lumturisë” (2 Nefi 5:27).

Vëllezërit dhe motrat e mia, unë dëshmoj për 15 burrat të cilët i mbështetim si profetë, shikues dhe zbulues, përfshirë profetin tonë të dashur Presidentin Rasëll M. Nelson. Dëshmoj se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është e vërtetë. Dëshmoj në veçanti për Jezu Krishtin, Shpëtimtarin dhe Shëlbuesin tonë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.