Konferenca e Përgjithshme
Modelet e Dishepullimit
konferenca e përgjithshme e tetorit 2022


Modelet e Dishepullimit

Të mësuarit rreth Krishtit dhe mënyrave të Tij bën që ne ta njohim dhe ta duam Atë.

Modeli i Besimit

Këtë mëngjes, dy fëmijët tanë dhe tre nipërit e mbesat tona në Amerikën e Veriut dhe gati gjysma e botës panë shkëlqimin e diellit që lind madhërishëm në lindje. Tre fëmijët dhe shtatë nipërit e mbesat e tjera në Afrikë dhe gjysma tjetër e botës e panë errësirën të bjerë gradualisht mbi ta teksa dielli perëndoi mbi horizont në perëndim.

Kjo vazhdimësi e pambarimtë e fillimit të ditës dhe të natës është një kujtues i përditshëm i realiteteve që qeverisin jetën tonë, të cilat nuk mund t’i ndryshojmë. Kur e respektojmë dhe e përputhim atë që bëjmë me këto realitete të përjetshme, ne përjetojmë paqe dhe harmoni të brendshme. Kur nuk e bëjmë këtë, ne jemi të trazuar dhe gjërat nuk ecin siç i presim.

Dita dhe nata janë një shembull i modeleve që Perëndia ia ka dhënë gjithsecilit që ka jetuar ndonjëherë në tokë, i gjërave siç janë në të vërtetë. Është një e vërtetë absolute e ekzistencës sonë njerëzore për të cilën nuk mund të bëjmë marrëveshje sipas dëshirave tona dhe t’ia hedhim pa pasoja. Kjo më vjen ndërmend sa herë që marr avionin nga Afrika për të ardhur në konferencën e përgjithshme, duke e kthyer orën trupore mbrapsht me 10 orë në një ditë.

Sa herë që interesohemi për ta vënë re diçka, ne shohim se Ati Qiellor na ka dhënë dëshmi të mjaftueshme të së vërtetës për ta qeverisur jetën tonë, në mënyrë që ta njohim Atë dhe të kemi bekimet e paqes dhe gëzimit.

Nëpërmjet Profetit Jozef Smith, Shpirti i Zotit pohon: “Dhe përsëri, unë do t’ju jap një model në gjithçka, që ju të mos mashtroheni; sepse Satani është përhapur në tokë dhe ai shkon duke i mashtruar kombet”1.

Korihori, antikrishti, ra pre e këtij mashtrimi, duke mos e besuar ekzistencën e Perëndisë dhe ardhjen e Krishtit. Profeti Alma i dëshmoi atij kështu: “Të gjitha gjërat tregojnë se ka një Perëndi; po, madje edhe toka e të gjitha gjërat që gjenden mbi faqe të saj, po edhe lëvizja e saj, po, dhe gjithashtu të gjithë planetët të cilët lëvizin në mënyrën e tyre të rregullt, dëshmojnë se ka një Krijues Suprem”2.

Kur Korihori nguli këmbë që t’i jepej një shenjë përpara se të besonte, Alma bëri që ai të mbetej memec. I përulur nga mundimi i tij, Korihori rrëfeu hapur se ishte mashtruar nga djalli.

Ne nuk kemi përse të mashtrohemi. Mrekullia e jetës inteligjente shfaqet vazhdimisht përpara syve tanë. Një vrojtim i shkurtër dhe reflektimi për mrekullitë e qiellit të stolisur me yje dhe galaktika të panumërta e nxitin shpirtin e njeriut me zemër besimtare që të shpallë: “Per’ndia im sa i madh je Ti!”3

Po, Perëndia, Ati ynë Qiellor jeton dhe Ai na e shfaq Veten gjithë kohës në mënyra të shumta.

Modeli i Përulësisë

Por për ta pranuar e besuar Perëndinë dhe vazhduar me Të, zemra jonë ka nevojë ta pranojë Frymën e së vërtetës. Alma dha mësim se besimi paraprihet nga përulësia.4 Mormoni shtoi se është e pamundur për cilindo që nuk është “zemërbutë dhe i përulur nga zemra” që të ketë besim e shpresë dhe që të marrë Shpirtin e Perëndisë.5 Mbreti Beniamin shpalli se cilido që i jep përparësi lavdisë së botës është “armik ndaj Perëndisë”6.

Duke iu nënshtruar pagëzimit për të përmbushur të gjithë drejtësinë edhe pse Ai ishte i drejtë dhe i shenjtë, Jezu Krishti tregoi se përulësia përpara Perëndisë është një cilësi themelore e dishepujve të Tij.7

Të gjithë dishepujve të rinj u kërkohet të tregojnë përulësi përpara Perëndisë nëpërmjet ordinancës së pagëzimit. Si rrjedhim, të “gjithë ata që përulen para Perëndisë e dëshirojnë të pagëzohen, dhe vijnë me zemra të thyera e shpirtra të penduar … do të merren me anë të pagëzimit në kishën e tij”8.

Përulësia e prin zemrën e dishepullit drejt pendimit dhe bindjes. Shpirti i Perëndisë pastaj është i aftë ta sjellë të vërtetën në atë zemër dhe do të gjejë vend ku të hyjë.9

Mungesa e përulësisë është ajo që kontribuon më së shumti në përmbushjen e profecisë së Apostullit Pal në këto ditë të fundit:

“Sepse njerëzit do të jenë egoistë, lakmues parash, mburravecë, krenarë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të paudhë,

të padhembshur, të papajtueshëm, shpifës, të papërmbajtur, mizorë, që s’e duan të mirën”10.

Ftesa e Shpëtimtarit për të mësuar për Të është një ftesë për t’u larguar nga joshjet e botës dhe për t’u bërë siç është Ai – zemërbutë dhe i përulur nga zemra, i përulur. Atëherë do të jemi të aftë ta mbajmë zgjedhën e Tij dhe të zbulojmë se ajo është e lehtë, që dishepullimi nuk është një barrë por një gëzim, sikurse na ka dhënë mësim Presidenti Nelson me aq oratori dhe në mënyrë të përsëritur.

Modeli i Dashurisë

Të mësuarit rreth Krishtit dhe mënyrave të Tij bën që ne ta njohim dhe ta duam Atë.

Ai tregoi nëpërmjet shembullit se me një qëndrim përulësie është vërtet e mundur që ta njohim dhe ta duam Perëndinë, Atin, me gjithë qenien tonë dhe t’i duam të tjerët porsi vetveten, duke mos kursyer asgjë. Shërbesa e Tij në tokë, gjatë së cilës Ai e vendosi si vullnetin ashtu edhe trupin e Tij mbi altar, ishte një model për zbatimin e këtyre parimeve mbi të cilat është themeluar ungjilli i Tij. Të dyja parimet përqendrohen tek të parit jashtë vetes dhe kanë të bëjnë me mënyrën se si lidhemi me të tjerët dhe jo që të kërkojmë vlerësim ose lavdi vetjake.

Ironia e mrekullueshme e kësaj është se kur i përqendrojmë përpjekjet tona më të mira për t’i dashur Perëndinë dhe të tjerët, ne aftësohemi që të zbulojmë vetë vlerën tonë vetjake të vërtetë hyjnore si bij dhe bija të Perëndisë, me paqen dhe gëzimin e plotë që sjell kjo përvojë.

Ne bëhemi një me Perëndinë dhe me njëri‑tjetrin nëpërmjet dashurisë dhe shërbimit. Më pas ne mund të marrim dëshmi nga Fryma e Shenjtë për atë dashuri të kulluar, frutën për të cilën Lehi thotë se është “më [e] ëmbël se gjithçka që [ai] kish[te] shijuar ndonjëherë më parë”11.

Kurora që mori Krishti duke dhënë e duke bërë gjithçka që Ai mundej për të krijuar modelin e dashurisë ndaj Atit dhe ndaj nesh, ishte për të marrë të gjithë fuqinë, madje gjithçka që ka Ati, që është ekzaltimi.12

Mundësia jonë për të kultivuar në shpirtin tonë një dashuri të qëndrueshme për Perëndinë dhe të afërmin tonë fillon në shtëpi me zakonet e shenjta të lidhjes që bëjmë me Atin çdo ditë në lutje vetjake dhe familjare, në emër të Birit të Tij të Vetëmlindur, duke mësuar së bashku për Ta nëpërmjet studimit individual dhe familjar të shkrimeve të shenjta, duke respektuar së bashku ditën e Shabatit dhe duke mbajtur individualisht një rekomandim aktual të tempullit, duke e përdorur atë së bashku aq herë sa të mundemi.

Teksa secili prej nesh rritet individualisht në njohurinë dhe dashurinë tonë për Atin dhe Birin, ne rritemi në vlerësimin dhe dashurinë tonë për njëri‑tjetrin. Aftësia jonë për t’i dashur e shërbyer të tjerëve jashtë shtëpisë sonë rritet në masë të madhe.

Ajo që bëjmë në shtëpi, është poçja e vërtetë e furrës së dishepullimit të qëndrueshëm e të gëzueshëm. Bekimet më të ëmbla të ungjillit të rivendosur që bashkëshortja ime, Gledisi, dhe unë kemi shijuar në vatrën tonë familjare, kanë ardhur nga të mësuarit për ta njohur dhe nderuar Perëndinë në shtëpi dhe për t’ia shprehur dashurinë e Tij pasardhësve tanë.

Modeli i Shërbimit

Dashuria për Perëndinë dhe shërbimi ndaj njëri‑tjetrit i kultivuar në shtëpi dhe shërbimi ndaj të tjerëve jashtë shtëpisë me kalimin e kohës zhvillohen duke u bërë cilësia e dashurisë hyjnore.

Kjo reflekton modelin e shërbimit të përkushtuar në mbretërinë e Perëndisë që na tregohet nga profetët dhe apostujt e Zotit të gjallë. Ne bëhemi një me ta.

Atëherë ne jemi të aftë të shohim, nëpërmjet tyre, te Zoti “në çdo mendim” që të “mos dysho[jmë]” dhe të “mos k[emi] frikë”13.

Si profetët dhe apostujt e gjallë të Zotit, ne mund të shkojmë përpara me “brendësi[në] … plot dashuri hyjnore ndaj gjithë njerëzve e ndaj familjes së besimit [me] virtyti[n që] … stolis… mendimet [tona] pa pushim; … [dhe duke u] forc[uar] vetbesimi y[në] në prani të Perëndisë; dhe doktrina e priftërisë [duke] pik[uar] mbi shpirtin t[onë] sikurse vesat nga qiejt”.

Me profetët dhe apostujt e gjallë të Zotit, edhe ne mund t’i bashkohemi një rrethi virtuoz të besimit të përforcuar nga shërbimi i përkushtuar në të cilin “Fryma e Shenjtë [është] shoqëruesi y[në] i vazhdueshëm … skeptri y[në është] një skeptër i pandryshueshëm i drejtësisë dhe së vërtetës; dhe sundimi y[në është] një sundim i përjetshëm dhe, pa mënyra detyruese, ai … rrjedh… tek [ne] përherë e përgjithmonë”14. Sepse ky është premtimi i planit të Atit. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.