Konferenca e Përgjithshme
Përqendrimi tek Tempulli
konferenca e përgjithshme e tetorit 2022


Përqendrimi tek Tempulli

Ju premtoj se kalimi i më shumë kohe në tempull do ta bekojë jetën tuaj në mënyra të tilla që asgjë tjetër nuk mundet ta bëjë.

Të dashur vëllezër e motra, gjatë këtyre pesë sesioneve madhështore të konferencës së përgjithshme, kemi përjetuar edhe një herë se qiejt janë të hapur! Lutem që ju t’i keni mbajtur shënim mbresat tuaja dhe do të vijoni sipas tyre. Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij i Dashur, Jezu Krishti, qëndrojnë gati për t’ju ndihmuar. Ju nxit t’i shtoni përpjekjet tuaja për të kërkuar ndihmën e Tyre.

Kohët e fundit, Motra Nelson dhe unë patëm rastin të shihnim paraprakisht sezonin e ri të 4‑t të serisë Materiale Filmike nga Libri i Mormonit.1 Ne u frymëzuam prej tyre! Më lejoni t’ju tregoj një pjesë të shkurtër, të shkëputur nga skena që paraqet shfaqjen e Shpëtimtarit te nefitët.

Është kuptimplotë fakti që Shpëtimtari zgjodhi t’u shfaqej njerëzve në tempull. Është shtëpia e Tij. Është e mbushur me fuqinë e Tij. Le të mos e humbasim kurrë nga sytë atë që Zoti po bën për ne tani. Ai po i bën tempujt e Tij më të arritshëm. Ai po e përshpejton ritmin me të cilin po ndërtojmë tempuj. Ai po e rrit aftësinë tonë për të ndihmuar në mbledhjen e Izraelit. Ai gjithashtu po e bën më të lehtë që secili prej nesh të përmirësohet shpirtërisht. Ju premtoj se kalimi i më shumë kohe në tempull do ta bekojë jetën tuaj në mënyra të tilla që asgjë tjetër nuk mundet ta bëjë.

Aktualisht kemi 168 tempuj në funksionim dhe 53 tempuj të rinj në ndërtim e sipër, si dhe 54 të tjerë në fazën e projektimit para ndërtimit!2 Kam kënaqësinë të njoftoj planet tona për të ndërtuar një tempull të ri në secilën prej vendndodhjeve vijuese: Busan, Kore; Nagë, Filipine; Santiago, Filipine; Eket, Nigeri; Çiklajo, Peru; qendra e qytetit të Buenos‑Ajresit, Argjentinë; Londrinë, Brazil; Hibrao‑Prito, Brazil; Ueuetenango, Guatemalë; Xheksonvill, Floridë; Grend‑Repids, Miçigan; Prosper, Teksas; Loun‑Mauntin, Nevadë dhe Takoma, Uashington.

Po planifikojmë gjithashtu të ndërtojmë tempuj të shumtë në zona metropole të mëdha e të përzgjedhura ku koha e udhëtimit për te një tempull ekzistues është një sfidë madhore. Prandaj, kam kënaqësinë të njoftoj katër vendndodhje të tjera pranë Meksiko‑Sitit ku do të ndërtohen tempuj të rinj në Kuernavakë, Paçukë, Tolukë dhe Tulë.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, u përqendrofshi tek tempulli në mënyra siç nuk jeni përqendruar kurrë më parë! Ju bekoj që të vini çdo ditë më pranë Perëndisë dhe Jezu Krishtit. Ju dua. Perëndia qoftë me ju derisa të takohemi sërish, lutem unë në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Këto materiale të reja filmike do të jenë në dispozicion në shumë gjuhë në programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] dhe në kanale të tjera. Episodet do të publikohen çdo javë duke filluar nga sot pas konferencës.

  2. Sipas të dhënave deri më datë 1 tetor 2022, katër tempuj të tjerë po restaurohen (Seint-Xhorxh Jutë; Manti, Jutë; Solt‑Lejk dhe Kolumbus, Ohajo); janë tre tempuj në pritje të përkushtimit (Hamilton, Zelandë e Re; Kuito, Ekuador dhe Belem, Brazil).