Konferenca e Përgjithshme
Ngritur mbi Kryqin
konferenca e përgjithshme e tetorit 2022


Ngritur mbi Kryqin

Për të qenë pasues i Jezu Krishtit, ndonjëherë një njeri duhet të mbajë një barrë dhe të shkojë atje ku kërkohet sakrifica dhe vuajtja është e pashmangshme.

Vite më parë, pas një diskutimi në universitet rreth historisë fetare amerikane, një student si unë më pyeti: “Pse shenjtorët e ditëve të mëvonshme nuk e kanë përvetësuar kryqin që të krishterët e tjerë përdorin si simbol të besimit të tyre?”

Meqenëse pyetje të tilla rreth kryqit janë shpesh një pyetje në lidhje me zotimin tonë ndaj Krishtit, unë i thashë atij menjëherë se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme e konsideron flijimin shlyes të Jezu Krishtit si faktin qendror, themelin vendimtar, doktrinën kryesore dhe shprehjen përfundimtare të dashurisë hyjnore në planin madhështor të Perëndisë për shpëtimin e fëmijëve të Tij.1 I shpjegova se hiri shpëtues i qenësishëm në atë akt ishte thelbësor për të gjithë familjen njerëzore nga Adami dhe Eva deri në fund të botës dhe është dhuruar në mënyrë universale për ta.2 Citova Profetin Jozef Smith, i cili tha: “Gjithë gjërat … që i përkasin besimit tonë janë vetëm shtojca” të Shlyerjes së Jezu Krishtit3.

Më pas i lexova atë që Nefi kishte shkruar 600 vjet përpara lindjes së Jezusit: “Dhe … engjëlli më foli …, duke thënë: Shiko! Dhe unë shikova dhe pashë Qengjin e Perëndisë … [i cili] ishte ngritur mbi kryqin dhe ishte vrarë për mëkatet e botës.”4

Me zellin tim që po shtohej plot entuziazëm për të “dashur, treg[uar] dhe ft[uar]”, vazhdova të lexoja. Nefitëve në Botën e Re, Krishti i ringjallur u tha: “Ati im më dërgoi që të mund të ngrihesha në kryq … , që t’i tërheq të gjithë njerëzit tek unë, … dhe për këtë shkak unë jam ngritur”5.

Isha gati të citoja Apostullin Pal kur vura re se miku im kishte filluar të hidhte sytë tjetërkund. Një vështrim i shpejtë në orën e tij të dorës me sa duket i kujtoi atij se duhej të ishte diku, kudoqoftë, dhe rendi për në takimin e tij imagjinar. Kështu përfundoi biseda jonë.

Këtë mëngjes, rreth 50 vjet më vonë, jam i vendosur ta përfundoj atë shpjegim, edhe sikur cilido dhe çdokush prej jush të fillojë të shohë orën e vet të dorës. Ndërsa përpiqem të shpjegoj pse ne përgjithësisht nuk e përdorim ikonografinë e kryqit, dëshiroj ta bëj të qartë respektin tonë të madh dhe admirimin e thellë për shtysat e mbushura me besim dhe jetën e përkushtuar të atyre që e përdorin atë.

Një arsye pse ne nuk e theksojmë kryqin si simbol, buron nga rrënjët tona biblike. Për shkak se kryqëzimi ishte një nga format më të dhembshme të ekzekutimit të Perandorisë Romake, shumë pasues të hershëm të Jezusit zgjodhën të mos e vënë në pah atë mjet brutal të vuajtjes. Domethënia e vdekjes së Krishtit ishte sigurisht thelbësore për besimin e tyre, por për rreth 300 vjet ata zakonisht kërkuan ta përçonin identitetin e tyre në ungjill nëpërmjet mënyrave të tjera.6

Në shekullin e katërt dhe të pestë, kryqi po paraqitej si një simbol i krishterimit të përgjithësuar, por i yni nuk është një “krishterim i përgjithësuar”. Duke mos qenë as katolikë, as protestantë, ne jemi, përkundrazi, një kishë e rivendosur, Kisha e rivendosur e Dhiatës së Re. Pra, origjina jonë dhe autoriteti ynë datojnë përpara kohës së këshillave, besimeve dhe ikonografisë.7 Në këtë kuptim, mungesa e një simboli që u përdor më vonë, është prapë një tjetër provë se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është një rivendosje e fillimeve të vërteta të krishtera.

Një arsye tjetër për të mos përdorur kryqe si ikona, është theksi ynë mbi mrekullinë e plotë të misionit të Krishtit – Ringjalljen e Tij të lavdishme, si dhe vuajtjen e vdekjen e Tij flijuese. Duke e nënvizuar atë marrëdhënie, unë po përmend dy vepra arti8 që shërbejnë si sfond për Presidencën e Parë dhe Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve në mbledhjet e tyre të shenjta javore në tempull, çdo të enjte në Solt‑Lejk‑Siti. Këto portretizime shërbejnë si kujtues të vazhdueshëm për ne për çmimin që u pagua dhe për fitoren që u fitua nga Ai, shërbëtorët e të Cilit ne jemi.

Pamja
The Crucifixion [Kryqëzimi], nga Harry Anderson
Pamja
The Resurrection [Ringjallja], nga Harry Anderson

Një përfaqësim më publik i triumfit dypjesësh të Krishtit, është përdorimi nga ana jonë i këtij imazhi të vogël nga Thorvaldseni të Krishtit të ringjallur, duke dalë me lavdi nga varri me plagët e Kryqëzimit të Tij ende të dukshme.9

Pamja
logoja e Kishës

Së fundi, ne i kujtojmë vetes se Presidenti Gordon B. Hinkli dikur tha: “Jeta e njerëzve tanë duhet të jetë simboli i besimit tonë”10. Këto konsiderata, sidomos kjo e fundit, më çojnë tek ajo që mund të jetë më e rëndësishmja nga të gjitha referencat e shkrimeve të shenjta për kryqin. Nuk ka të bëjë fare me varëse apo stoli, me kambanore apo tabela. Përkundrazi, ka të bëjë me integritetin e patundur si shkëmbi dhe moralin e paepur që të krishterët duhet të sjellin në thirrjen që Jezusi i ka bërë secilit prej dishepujve të Tij. Në çdo vend dhe epokë, Ai na ka thënë të gjithëve ne: “Në qoftë se [ndonjë burrë ose grua] don të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë”11.

Kjo flet për kryqet që mbajmë mbi supe, dhe jo për ato që vëmë. Për të qenë pasues i Jezu Krishtit, ndonjëherë një njeri duhet të mbajë një barrë, të vetën ose të dikujt tjetër, dhe të shkojë atje ku kërkohet sakrifica dhe vuajtja është e pashmangshme. Një i/e krishterë i/e vërtetë nuk mund ta ndjekë Mësuesin vetëm në ato çështje me të cilat ai ose ajo pajtohet. Jo. Ne e ndjekim Atë kudo, përfshirë, nëse është e nevojshme, në arena të mbushura me lot e telashe, ku ndonjëherë mund të qëndrojmë të vetëm fillikat.

Njoh njerëz, brenda dhe jashtë Kishës, të cilët po e ndjekin Krishtin me po kaq besnikëri. Njoh fëmijë me aftësi të kufizuara fizike të mëdha dhe i njoh prindërit që kujdesen për ta. I shoh të gjithë ata duke punuar ndonjëherë deri në rraskapitje të plotë, duke kërkuar forcë, siguri dhe disa çaste gëzimi që nuk vijnë ndryshe. Njoh shumë persona në moshë madhore beqarë që dëshirojnë fort dhe e meritojnë një shok ose shoqe të dashur, një martesë të mrekullueshme dhe një shtëpi plot me fëmijë të tyre. Asnjë dëshirë nuk mund të ishte më e drejtë, por vit pas viti një fat i tillë i mirë ende nuk vjen. Njoh ata që po luftojnë sëmundje mendore të shumëllojshme, të cilët përgjërohen për ndihmë ndërsa luten, përmallohen dhe përpiqen shumë fort për tokën e premtuar të qëndrueshmërisë emocionale. Njoh ata që jetojnë me një varfëri ligështuese, por, duke e sfiduar dëshpërimin, kërkojnë vetëm mundësinë për të bërë një jetë më të mirë për njerëzit e tyre të dashur dhe njerëz të tjerë në nevojë përreth tyre. Njoh shumë njerëz që luftojnë me çështje pikëlluese të identitetit, gjinisë dhe seksualitetit. Qaj për ta dhe qaj me ta, duke e ditur se sa të rëndësishme do të jenë pasojat e zgjedhjeve të tyre.

Këto janë vetëm disa nga kaq shumë rrethana sprovuese me të cilat mund të përballemi në jetë, kujtues solemnë se ka një çmim për dishepullimin. Araunahut, i cili u orvat t’i jepte atij qe falas dhe dru falas për olokaustin e tij, mbreti David i tha: “Jo, unë do t’i blej këto gjëra nga ti me çmimin që kushtojnë, [sepse unë] nuk do t’i ofroj Zotit, Perëndisë tim, olokauste që nuk më kushtojnë asgjë”12. Kështu themi edhe ne të gjithë.

Ndërsa marrim kryqet tona dhe e ndjekim Atë, do të ishte vërtet tragjike nëse pesha e sfidave tona nuk do të na bënte më të ndjeshëm dhe më të vëmendshëm ndaj barrëve që mbartin të tjerët. Është një nga paradokset më të fuqishme të Kryqëzimit që krahët e Shpëtimtarit u hapën deri në tendosje dhe më pas u gozhduan atje, duke portretizuar padashur, por me saktësi, faktin se çdo burrë, grua dhe fëmijë në të gjithë familjen njerëzore, është jo vetëm i mirëpritur, por i ftuar në përqafimin e Tij shëlbues e ekzaltues.13

Ashtu si Ringjallja e lavdishme pasoi Kryqëzimin e dhembshëm, kështu bekimet e çdo lloji derdhen mbi ata që janë të gatshëm, siç thotë profeti Jakob i Librit të Mormonit, të “besojnë në Krisht dhe ta konsiderojnë vdekjen e tij dhe të durojnë kryqin e tij”. Nganjëherë këto bekime vijnë shpejt dhe nganjëherë vijnë më vonë, por përfundimi i mrekullueshëm për “via dolorosa‑n [udhën tonë të dhembshme]” vetjake14 është premtimi nga Vetë Mësuesi se ato vërtet vijnë dhe do të vijnë. Për të marrë bekime të tilla, lutem që ne ta ndjekim Atë – të palëkundur, duke mos u luhatur, as duke ia mbathur kurrë, duke mos u zmbrapsur kurrë nga detyra, as edhe kur kryqet tona mund të jenë të rënda dhe as kur, për njëfarë kohe, shtegu mund të errësohet. Për forcën tuaj, besnikërinë tuaj dhe dashurinë tuaj, unë jap falënderime vetjake të thella. Sot unë jap dëshmi apostolike për Atë që u “ngrit”15, dhe për bekimet e përjetshme që Ai u jep atyre “të ngri[tur]” me Të, madje për Zotin Jezu Krisht, amen.

Shënime

  1. Shih Jeffrey R. Holland, Encyclopedia of Mormonism (1992), “Atonement of Jesus Christ”, 1:83.

  2. Amuleku flet për Shlyerjen e Krishtit si “flijim[i] i madh dhe i fundit” duke qenë “i pafundëm dhe i përjetshëm” në shtrirjen e saj (Alma 34:10). Pasi “të gjithë kanë rënë dhe kanë humbur dhe duhet të mbarojnë po të mos ishte për shlyerjen” (Alma 34:9; shih edhe vargjet 8–12). Presidenti Xhon Tejlor shton: “Në një mënyrë të pakuptueshme dhe të pashpjegueshme për ne, [Jezusi] mbajti peshën e mëkateve të të gjithë botës; jo vetëm të Adamit, por të pasardhësve të tij; dhe duke e bërë këtë, e hapi mbretërinë e qiejve, jo vetëm për të gjithë besimtarët dhe të gjithë ata që iu bindën ligjit të Perëndisë, por për më shumë se gjysmën e familjes njerëzore që vdesin para se të vijnë në vitet e pjekurisë, si dhe për [ata] që, pasi kanë vdekur pa ligj, me ndërmjetësimin e Tij, do të ringjallen pa ligj dhe do të gjykohen pa ligj, dhe në këtë mënyrë do të marrin pjesë … në bekimet e shlyerjes së Tij” (An Examination into and an Elucidation of the Great Principle of the Mediation and Atonement of Our Lord and Savior Jesus Christ [1892], f. 148–149; Teachings of Presidents of the Church: John Taylor [2001], f. 52–53).

  3. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 52.

  4. 1 Nefi 11:32–33.

  5. 3 Nefi 27:14–15.

  6. Ka sigurisht referenca për kryqin që përmenden në mësimet e Palit (shih, për shembull te 1 Korintasve 1:17–18; Galatasve 6:14; Filipianëve 3:18), por këto e kishin fjalën për diçka shumë më të madhe se dy trarë prej druri të gozhduar së bashku apo ndonjë simbol të tillë më të vogël. Pra, kur Pali flet për kryqin, ai po përdor stenografinë doktrinore për të folur për madhështinë e Shlyerjes, një arenë ku shenjtorët e ditëve të mëvonshme bashkohen me gatishmëri me të dhe e citojnë atë.

  7. Figura të hershme dhe tradicionale të krishtera të tillë si bashkëpunëtori i Martin Luterit, Andreas Karlshtadi (1486–1541), po argumentonin vonë në Mesjetë se “kryqi [në vetvete] përshkruante vetëm vuajtjet njerëzore të Krishtit dhe nuk përfillte të shfaqte Ringjalljen dhe [fuqitë] e Tij shëlbuese” (në John Hilton III, Considering the Cross: How Calvary Connects Us with Christ [2021], f. 17).

  8. Harry Anderson, The Crucifixion; Harry Anderson, Mary and the Resurrected Lord.

  9. Shih Rasëll M. Nelson, “Hapja e Qiejve për Ndihmë”, Liahona, maj 2020, f. 72–74.

  10. Gordon B. Hinckley, “The Symbol of Christ”, Ensign, maj 1975, f. 92.

  11. Mateu 16:24.

  12. 2 Samuelit 24:24.

  13. “Krahu i tij shtrihet te të gjithë njerëzit që do të pendohen dhe besojnë në emrin e tij” (Alma 19:36; shih edhe te 2 Nefi 26:33; Alma 5:33).

  14. Via dolorosa është një shprehje latine që do të thotë “një rrugë, kalim ose seri përvojash të dhembshme dhe të vështira” (Merriam-Webster.com Dictionary, “via dolorosa”). Më së shpeshti lidhet me ecjen e Jezusit nga dënimi i Tij prej dorës së Pilatit deri në Kryqëzimin e Tij në Kalvar.

  15. Shih te 3 Nefi 27:14–15.