“Bekimi i Priftërisë”, Tema dhe Pyetje (2023)
Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit
Bekimi i Priftërisë
Ta ftojmë fuqinë e priftërisë së Perëndisë në jetën tonë
Pavarësisht nga mosha ose stadi i jetës, secili prej nesh do të ndiejë një nevojë urgjente nganjëherë që t’ia kujtojnë dashurinë e Perëndisë dhe të marrë udhërrëfim hyjnor. Ati ynë Qiellor na e tregon dashurinë, urtësinë dhe fuqinë e Tij nëpërmjet burimeve të rëndësishme. Disa mënyra se si mund të marrim drejtim dhe ndihmë vetjake nga Perëndia, mund të përfshijnë shkrimet e shenjta, fjalët e profetëve të gjallë, bekimin tonë patriarkal dhe shoqërimin e Frymës së Shenjtë.
Një mënyrë tjetër se si mund ta ndiejmë Perëndinë të japë shërbesë për nevojat tona, është duke marrë një bekim priftërie. Ne mund të kërkojmë një bekim të veçantë priftërie sa herë që përjetojmë pasiguri ose sëmundje ose kurdoherë që dëshirojmë ndihmë shpirtërore shtesë. Presidenti Henri B. Ajring dha mësim: “Qëllimi pse ne e marrim priftërinë, është që të na lejojë t’i bekojmë njerëzit për Zotin, duke e bërë këtë në emrin e Tij”. Administrimi i bekimeve me anë të vënies së duarve ka qenë një model i ndjekur nga mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke gjatë gjithë historisë (shihni te Zanafilla 48:14–15; Veprat e Apostujve 8:14–17; Alma 6:1).
Çfarë Është një Bekim Priftërie?
Një bekim priftërie është një ordinancë në të cilën një mbajtës i shuguruar i Priftërisë Melkizedeke i vë duart mbi kokën e një personi (shihni te Numrat 27:18; Hebrenjve 6:1–2; Mormoni 9:24) dhe shqipton fjalë këshillimi, ngushëllimi ose shërimi sikurse drejtohet nga Shpirti. Përmbushja e këtyre bekimeve vjen sipas vullnetit të Perëndisë dhe besimit të personit te Jezu Krishti. Një bekim priftërie normalisht ofrohet nga një pjesëtar i familjes, vëlla shërbestar ose udhëheqës vendor i Kishës, por mund të ofrohet nga çdo mbajtës i shuguruar i Priftërisë Melkizedeke. Një bekim priftërie, i dhënë me anë të vënies së duarve, është një mënyrë e rëndësishme se si Perëndia e jep frymëzimin, ngushëllimin dhe madje fuqinë e Tij shëruese në jetën tonë.
Vështrim i përgjithshëm i temës: Vënia e Duarve, Bekimi i Priftërisë
Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Priftëria Melkizedeke, Besëlidhjet dhe Ordinancat, Mrekullitë
Pjesa 1
Mbajtësit e Priftërisë Ndjekin Shembullin e Jezu Krishtit Kur i Bekojnë të Tjerët
Jezu Krishti u dha shërbesë atyre që ishin në nevojë, me fuqi hyjnore mbresëlënëse (shihni, për shembull, te Mateu 4:23–24; 3 Nefi 17:6–9). Në kohën e Dhiatës së Re, Ai i bekoi të tjerët me falje (shihni te Lluka 7:47–50), paqe dhe mbrojtje (shihni te Marku 4:38–39) dhe shërim (shihni te Gjoni 9:1–7). Për shkak se Ai e dinte se nuk do të qëndronte shumë gjatë me njerëzit, u dha edhe dymbëdhjetë dishepujve të Tij autoritet për të bekuar të tjerët (shihni te Mateu 10:1, 8; Moroni 2:1–3).
Sot, mbajtësit e denjë të Priftërisë Melkizedeke ushtrojnë të njëjtin autoritet për të bekuar të tjerët. Me anë të vënies së duarve, mbajtësit e priftërisë japin një bekim sipas ndjenjave dhe frymëzimit që marrin nga Shpirti (shihni te 2 Nefi 4:12). Një bekim priftërie shpesh jepet sipas kërkesës së një personi në nevojë. Bekimet mund të jepen për të ofruar paqe, ngushëllim, shërim ose këshillë. Nganjëherë bekimet e priftërisë mund të shoqërojnë një ordinancë priftërie, të tillë si gjatë vënies së emrit dhe bekimit të fëmijëve, konfirmimit për të marrë dhuratën e Frymës së Shenjtë ose shugurimin në priftëri.
Mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke, të cilët japin bekime me anë të vënies së duarve, qëndrojnë si përfaqësues të Jezu Krishtit gjatë dhënies së shërbesës ndaj të tjerëve. Fuqia e priftërisë u premtohet atyre që i jetojnë parimet e drejtësisë dhe i afrohen më shumë Perëndisë nëpërmjet pendimit dhe bindjes ndaj urdhërimeve të Tij (shihni te Doktrina e Besëlidhje 121:36).
Gjëra për t’i menduar
-
Kur një mbajtës i Priftërisë Melkizedeke i jep dikujt një bekim, ai vepron në emrin e Zotit dhe me fuqinë e Tij. Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 36:2, duke u kushtuar vëmendje nënkuptimeve të fjalëve të Shpëtimtarit në këtë varg. Më pas, lexoni këtë thënie nga Presidenti Harold B. Li:
“Zoti këtu [te Doktrina e Besëlidhje 36:2] po thotë që, kur dikush nga shërbëtorët e Tij të autorizuar i vendos duart e tij me anë të autoritetit mbi kokën e një njeriu që të bekohet, është sikur Ai Vetë po e vinte dorën e Tij mbi të, së bashku me personin, për ta kryer atë ordinancë. Kështu ne fillojmë të shohim se si Ai e shfaq fuqinë e Tij mes njerëzve nëpërmjet shërbëtorëve të Tij, të cilëve Ai u ka dhënë çelësat e autoritetit.”
Si ndikon ky fragment i shkrimit të shenjtë te këndvështrimi juaj rreth bekimeve të priftërisë? Çfarë përvojash keni pasur me Shpirtin teksa keni marrë ose keni dhënë një bekim priftërie?
Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët
-
Ndërkohë që mund të priremi t’i lidhim bekimet e priftërisë me njerëzit që i japin ato – burrat që mbajnë Priftërinë Melkizedeke – është thelbësore të mbajmë mend se fuqia e priftërisë vjen vetëm nëpërmjet Jezu Krishtit. Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 121:36–37, 41–46 si grup. Çfarë mësoni nga këto vargje rreth asaj që Perëndia pret nga çdokush që dëshiron fuqi më të madhe shpirtërore? Si mund t’i kultivojë më mirë secili prej nesh këto karakteristika në jetën e vet?
-
Shikojeni materialin filmik “Sanctify Yourselves” [“Shenjtëroni Veten Tuaj”] (4:37) si grup. Përpara se ta filloni materialin filmik, ftojini anëtarët e grupit ta përfytyrojnë veten në situatën e përshkruar ndërsa e shikojnë. Pasi ta shikoni materialin filmik, ftojini anëtarët e grupit të japin mendimet e tyre. Pse për cilindo që ka nevojë për fuqinë e qiellit, është thelbësor synimi për të qenë i pastër?
Mësoni më shumë
-
Zanafilla 48:14–15; Veprat e Apostujve 6:5–6; 3 Nefi 17:18–24; Doktrina e Besëlidhje 20:70
-
“Kryerja e Ordinancave dhe Bekimeve të Priftërisë”, Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, kapitulli 18, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]
-
Xhuli B. Bek, “Një Bollëk Bekimesh”, Liahona, maj 2006, f. 11–13; Konferenca e Përgjithshme, prill 2006, f. 19–23
-
“Sanctify Yourselves” [“Shenjtëroni Veten Tuaj”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]
Pjesa 2
Bekimet e Priftërisë për Shërimin e të Sëmurëve
Jezu Krishti u dha shërbesë fëmijëve të Perëndisë në shumë mënyra kuptimplota ndërkohë që jetoi në tokë. Ai demonstroi dashuri të përsosur teksa lehtësonte vuajtjen e të sëmurëve dhe të të pikëlluarve duke i shëruar (shihni te Mateu 8:16–17; Mosia 3:5–6). Ai i udhëzoi dishepujt e Tij të shkonin përpara dhe të shëronin të sëmurët (shihni te Mateu 10:1). Dhiata e Re tregon që ky model i vënies së duarve mbi të sëmurët për t’i shëruar, u ndoq në Kishën e lashtë të Jezu Krishtit (shihni te Veprat e Apostujve 3:1–8; 9:12, 17; 28:8; Jakob [Bibël] 5:14–15). Mbajtësit bashkëkohorë të Priftërisë Melkizedeke ndjekin po këtë model kur i vajosin të sëmurët me vaj të përkushtuar dhe i bekojnë ata me anë të vënies së duarve (shihni te Doktrina e Besëlidhje 42:43–44; 66:9).
Presidenti Dallin H. Ouks na kujtoi: “Ndërsa ushtrojmë fuqinë e padyshimtë të priftërisë së Perëndisë dhe ndërsa e ruajmë si thesar premtimin e Tij që Ai do të dëgjojë e do t’i përgjigjet lutjes së bërë me besim, ne duhet të mbajmë mend se besimi dhe fuqia shëruese e priftërisë nuk mund të sjellin një rezultat të kundërt me vullnetin e Atij e të cilit është priftëria. Ky parim mësohet në zbulesën që udhëzon se pleqtë e Kishës do t’i vënë duart mbi të sëmurët. Premtimi i Zotit është se ‘ai që ka besim në mua për t’u shëruar dhe nuk caktohet për vdekjen, do të shërohet’ (DeB 42:48; theksimi i shtuar).”
Gjëra për t’i menduar
-
Si mund ta përgatitni veten shpirtërisht kur kërkoni një bekim për shërim për veten ose të tjerët? Teksa e merrni parasysh këtë pyetje, lexoni te Jakob [Bibël] 5:15; Jakobi [LiM] 3:1; Alma 15:10–11 dhe Ethëri 12:12. Çfarë do të thotë për ju fraza “lutja e besimit”? Çfarë parimesh të tjera të rëndësishme gjenden në këto fragmente?
-
Të qenit të gatshëm t’i mirëbesojmë vullnetit të Perëndisë është një aspekt i rëndësishëm i çfarëdo lutjeje ose bekimi të priftërisë. Lexoni te Mosia 4:9. Si mund t’ju ndihmojë parimi i dhënë mësim nga mbreti Beniamin në këtë fragment që të ndiheni të përgatitur më mirë për ta pranuar vullnetin e Perëndisë?
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Kur dikush është i sëmurë, ne natyrshëm dëshirojmë të bëjmë gjithçka mundemi për ta ndihmuar dhe për t’ia lehtësuar vuajtjen. Bekimet e priftërisë dhe kujdesi mjekësor janë të dy të rëndësishëm. Ftojini anëtarët e grupit tuaj që të lexojnë thënien vijuese nga Presidenti Dallin H. Ouks:
“Unë dëshiroj t[ë] flas … lidhur me shërimin e të sëmurëve – me anë të mjekësisë, me lutjet e besimit dhe me bekimet e priftërisë. … Natyrisht, ne nuk presim derisa të shterin të gjitha metodat e tjera para se të lutemi me besim ose të japim bekime priftërie për shërim. Në raste urgjente, lutjet dhe bekimet vijnë të parat. Më së shpeshti, ne i ushtrojmë të gjitha përpjekjet njëkohësisht.”
Përse është e rëndësishme t’i ndërthurim lutjet tona të besimit dhe bekimet e priftërisë me kërkimin e ndihmës mjekësore?
Mësoni më shumë
-
1 Mbretërve 17:8–24; Mateu 8:5–13; Marku 5:25–34
-
Dallin H. Ouks, “Shërimi i të Sëmurëve”, Liahona, maj 2010, f. 47–50
-
Donald L. Hallstrom, “A Mos Ka Pushuar Dita e Mrekullive?”, Liahona, nëntor 2017, f. 88–90
-
“Why Are People Anointed with Oil When They Receive a Priesthood Blessing?”, Liahona, mars 2010, f. 44–45
-
Church History Topics, “Healing”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]
Burime të Tjera rreth Bekimeve të Priftërisë
-
Burime për fëmijët