“Libri i Mormonit”, Tema dhe Pyetje (2023)
Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit
Libri i Mormonit
Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit
Profetët e lashtë e shkruan Librin e Mormonit për njerëzit e kohës sonë. Si shkrim i shenjtë shoqërues i Biblës, Libri i Mormonit dëshmon për Jezu Krishtin. Ata që e lexojnë dhe e studiojnë sinqerisht librin, do ta ndiejnë Frymën e Shenjtë dhe do të gjejnë përgjigje për shumë nga pyetjet më të rëndësishme të jetës. Duke e lexuar Librin e Mormonit, njerëzit mund të mësojnë vetë që Perëndia jeton, që Ai i do dhe që ungjilli i Jezu Krishtit është rivendosur në tokë.
Profetët bashkëkohorë i kanë ftuar shpesh anëtarët e Kishës ta studiojnë Librin e Mormonit rregullisht. Për shembull, Presidenti Rasëll M. Nelson deklaroi: “Ju premtoj se, kur e studioni me lutje Librin e Mormonit çdo ditë, ju do të merrni vendime më të mira – çdo ditë. Ju premtoj se, teksa e përsiatni atë që studioni, dritaret e qiellit do të hapen dhe ju do të merrni përgjigje për vetë pyetjet tuaja dhe drejtim për vetë jetën tuaj. Ju premtoj se, ndërsa e zhytni veten përditë në Librin e Mormonit, ju mund të fitoni imunitet kundër të ligave të ditës.”
Çfarë Është Libri i Mormonit?
Libri i Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit është një libër shkrimesh të shenjta. Ai përmban shkrimet e profetëve të lashtë që jetuan në hemisferën perëndimore. Si Profeti i Rivendosjes, Jozef Smithi e përktheu Librin e Mormonit me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 135:3). Së bashku me Biblën, Libri i Mormonit dëshmon për Jezu Krishtin dhe përmban plotësinë e ungjillit (shihni tek Ezekiel 37:15–17; Doktrina e Besëlidhje 20:8–9). Libri i Mormonit gjithashtu shërben si provë për thirrjen profetike të Jozef Smithit dhe për Rivendosjen e ungjillit.
Vështrim i përgjithshëm i temës: Libri i Mormonit
Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Shkrimet e Shenjta, Bibla, Jozef Smithi, Rivendosja e Ungjillit
Pjesa 1
Libri i Mormonit Dëshmon që Jezu Krishti Është Shëlbuesi i Botës
Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme e konsiderojnë Biblën një shkrim të shenjtë. Të dy librat, Dhiata e Vjetër dhe Dhiata e Re, janë dëshmi për Jezu Krishtin dhe punën e Tij për të bërë të ndodhë shpëtimi i fëmijëve të Perëndisë. Libri i Mormonit u shkrua nga profetët e Perëndisë në kontinentin amerikan dhe qëndron si një dëshmi tjetër e Jezu Krishtit. Libri i Mormonit përfshin “plotësi[n]ë [e] ungjillit të Jezu Krishtit” dhe i pohon botës se tregimet për Jezu Krishtin dhe profetët e Tij sikurse gjenden në Bibël, janë të vërteta (shihni te Doktrina e Besëlidhje 20:8–12). Së bashku me Biblën, Libri i Mormonit i ndihmon njerëzit të kenë një kuptueshmëri më të qartë për planin e Perëndisë dhe i përgatit ata të ndjekin Jezu Krishtin (shihni tek Ezekiel 37:15–17; 2 Nefi 3:12).
Libri i Mormonit është një bekim i madh për popullin e Perëndisë sot. Ai përmban fjalët e Jezu Krishtit (shihni te 2 Nefi 33:10). Presidenti Rasëll M. Nelson shpjegoi:
“[Libri i Mormonit] përmban përgjigjet për pyetjet më të vështira të jetës. Ai na mëson doktrinën e Krishtit. Ai e zgjeron dhe e qartëson shumicën e të vërtetave të ‘qarta dhe të çmueshme’ [shihni te 1 Nefi 13:29–33] që humbën ndër shekujt e kohës dhe prej përkthimeve të shumta të Biblës.
Libri i Mormonit jep kuptueshmërinë më të plotë dhe më të besueshme për Shlyerjen e Jezu Krishtit që gjendet në ndonjë vend. … Fuqia e plotë e ungjillit të Jezu Krishtit përmbahet në Librin e Mormonit. Pa dyshim.”
Gjëra për t’i menduar
-
Jozef Smithi dha mësim se Libri i Mormonit është “gur[i kyç] i besimit tonë” (shihni te Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 67). Në arkitekturë, një gur kyç është një gur në formë pyke në qendër të një harku që mban gurët e tjerë në vend dhe pengon shembjen e harkut. Si një gur kyç në arkitekturë, Libri i Mormonit është pjesë përbërëse e besimit tonë te Jezu Krishti dhe tek ungjilli i Tij i rivendosur. Si e ka forcuar dëshmia juaj për Librin e Mormonit dëshminë tuaj për aspekte të tjera të ungjillit?
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Mesazhi qendror i Librit të Mormonit është se Jezusi është Krishti. Ftojini anëtarët e grupit tuaj të lexojnë faqen e titullit të Librit të Mormonit, duke i kushtuar vëmendje të veçantë paragrafit të dytë. Si e thekson faqja e titullit rëndësinë e Librit të Mormonit? Shkrimet e shenjta vijuese mund të jenë të dobishme gjithashtu: 1 Nefi 6:4; Jakobi [LiM] 1:7; Omni 1:26; 3 Nefi 11:13–17; Moroni 10:32–33. Pse është e rëndësishme t’i ndihmojmë të tjerët të kuptojnë se qëllimi i Librit të Mormonit është të dëshmojë se Jezusi është Krishti?
Mësoni më shumë
-
2 Nefi 29:1–13; 33:10–15; Doktrina e Besëlidhje 42:12; Joseph Smith – Historia 1:34; Nenet e Besimit 1:8
-
Rasëll M. Nelson, “Libri i Mormonit: Si do të Ishte Jeta Juaj pa Të?”, Liahona, nëntor 2017, f. 60–63
-
“Kapitulli 9: Libri i Mormonit – Gurthemeli i Besimit Tonë”, Mësime të Presidentëve të Kishës: Ezra Taft Benson (2014), f. 133–142
Pjesa 2
Dalja në Dritë e Librit të Mormonit Ndodhi Nëpërmjet Mrekullisë
Libri i Mormonit doli në dritë me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë. Libri u shkrua fillimisht mbi fletë metali nga profetë në kontinentin e lashtë amerikan. Për shekuj, ato qëndruan të groposura pranë shtëpisë së Jozef Smithit në veri të Nju‑Jorkut në Shtetet e Bashkuara, derisa një lajmëtar qiellor, Moroni, i tregoi Jozef Smithit se ku t’i gjente. Disa mjete për përkthimin e analit, Urimi dhe Thumimi, u ruajtën gjithashtu me fletët krahas sendeve të tjera të lashta historike (shihni te Joseph Smith – Historia 1:30–35).
Megjithëse Jozef Smithi qe vetëm 23 vjeç dhe kishte shkollim të paktë formal, ai e përktheu Librin e Mormonit në gjuhën angleze me një ritëm prej thuajse tetë faqesh në ditë. Ai nuk i kuptonte gjuhët e lashta dhe nuk përdori asnjë shënim. Ai e përfundoi të gjithë përkthimin e librit për afro 85 ditë. Kur njerëzit e pyetën se si qe në gjendje të përkthente, Jozefi tha thjesht se ajo u bë “nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë” (faqja e titullit të Librit të Mormonit; shihni edhe te Russell M. Nelson, “A Treasured Testament”, Ensign, korrik 1993).
Libri i Mormonit u botua në gjuhën angleze vetëm pak ditë përpara organizimit të Kishës në vitin 1830 (shihni te Church History Topics “Printing and Publishing the Book of Mormon”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]). Sot, Libri i Mormonit është përkthyer në më shumë se 100 gjuhë dhe përdoret në të gjithë botën.
Gjëra për t’i menduar
-
Jozef Smithi mori urdhrin që t’i ruante fletët me kujdes. Gjatë procesit të përkthimit, pak njerëz i panë vërtet fletët. Sidoqoftë, Jozef Smithit iu tha t’ua tregonte fletët vetëm disa prej bashkëpunëtorëve të ngushtë. Këta njerëz u njohën formalisht si “Tre Dëshmitarët” dhe “Tetë Dëshmitarët”. Mund t’i lexoni dëshmitë e tyre te “Dëshmia e Tre Dëshmitarëve” dhe “Dëshmia e Tetë Dëshmitarëve”. Pse është e rëndësishme t’i ndihmojmë të tjerët të jenë në dijeni për përvojat e Tre Dëshmitarëve dhe Tetë Dëshmitarëve? Çfarë mund të bëni për t’u dhënë dëshminë tuaj për Librin e Mormonit të tjerëve?
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Ndonëse shumë njerëz kanë vrarë mendjen se si ishte procesi i përkthimit të Librit të Mormonit, Jozef Smithi dha pak informacion konkret rreth tij, përveçse tha se u përkthye “nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë” (Parathënia për Librin e Mormonit; Doktrina e Besëlidhje 135:3). Ftojini anëtarët e grupit tuaj të lexojnë zërin “Përkthimi i Librit të Mormonit” tek Ese mbi Temat e Ungjillit (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit]. Pyetini se çfarë pikëpamjesh iu erdhën nga leximi. Si mendoni, pse Jozef Smithi e vuri theksin te “dhurat[a] dhe fuqi[a] [e] Perëndisë” kur diskutoi për përkthimin e Librit të Mormonit?
Mësoni më shumë
-
Isaia 29:11–14, 18–19; Joseph Smith – Historia 1:30–35, 42–54
-
Shenjtorët: Historia e Kishës së Jezu Krishtit në Ditët e Mëvonshme, vëll. 1, Standardi i së Vërtetës, 1815–1846 (2018), f. 21–30, 39–64
-
Russell M. Nelson, “A Treasured Testament”, Ensign, korrik 1993
-
“Days of Harmony” [“Ditët në Harmoni”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]
Pjesa 3
Mund ta Mësoni Vetë se Libri i Mormonit Është i Vërtetë
Bërja një dishepull i Jezu Krishtit është një proces që zgjat gjithë jetën. Secili prej nesh është në një vend të ndryshëm në shtegun shpirtëror të kthimit tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Mirëpo kudo qofshi në atë shteg, Libri i Mormonit mund t’ju ndihmojë t’u afroheni më pranë Atyre. Fjala e Perëndisë është e mbushur me fuqi që të kthen në besim (shihni tek Alma 5:7; 31:5). Libri i Mormonit mund t’ju ndihmojë ta shmangni mashtrimin e botës dhe t’ju udhëheqë në shtegun drejt sigurisë shpirtërore (shihni te 1 Nefi 15:24; Helamani 3:29–30).
Për shkak të rëndësisë së Librit të Mormonit, shërbëtorët e Zotit e kanë theksuar se të gjithë anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme duhet të kërkojnë ta dinë vetë se Libri i Mormonit është i vërtetë. Parathënia për Librin e Mormonit shpall: “Ne ftojmë të gjithë njerëzit kudo, të lexojnë Librin e Mormonit, t[a] mendojnë në zemrat e tyre mesazhin që ai mban dhe pastaj t’i kërkojnë Perëndisë, Atit të Amshuar, në emrin e Krishtit, në qoftë se libri është i vërtetë. Ata që do të ndjekin këtë udhë dhe kërkojnë me besim, do të marrin, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë një dëshmi të vërtetësisë dhe të hyjnisë së tij. (Shih Moroni 10:3–5.)”
Gjëra për t’i menduar
-
Lexojeni thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland: “Dëshmoj se një njeri nuk mund të vijë te besimi i plotë në këtë punë të ditëve të mëvonshme dhe rrjedhimisht të gjejë shkallën më të lartë të paqes dhe ngushëllimit në këtë kohën tonë, derisa ai apo ajo të përqafojë natyrën hyjnore të Librit të Mormonit dhe të Zotit Jezu Krisht, për të cilin ai dëshmon”. Si ka ndikuar Libri i Mormonit te dëshmia juaj për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme?
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Libri i Mormonit është një mjet i përgatitur në mënyrë hyjnore për kthimin në besim, që ka fuqinë të ndryshojë mendjen, zemrën dhe jetën teksa e vëmë veten në të njëjtën vijë me Jezu Krishtin dhe mësimet e Tij. Lexojeni thënien vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson me anëtarët e grupit tuaj:
“Libri i Mormonit është vegla që Perëndia e krijoi për të ‘derdh[ur] mbi tokë si në një përmbytje, për të mbledhur të zgjedhurit e [Tij]’. (Moisiu 7:62.) Ky vëllim i shenjtë i shkrimit të shenjtë ka nevojë të bëhet më qendror në predikimin tonë, në mësimdhënien tonë dhe në punën tonë misionare. …
Ua jap ne të gjithëve sfidën që me lutje të marrim parasysh hapat që mund të ndërmarrim në mënyrë vetjake për ta sjellë këtë dëshmi të re për Krishtin në mënyrë më të plotë në vetë jetën tonë dhe në një botë që ka nevojë kaq të ngutshme për të.”
Cilat janë disa mënyra se si mund t’i vijmë në ndihmë Zotit për punën e Tij duke e përmbytur tokën me Librin e Mormonit?
Mësoni më shumë
-
Xhefri R. Holland, “Siguri për Shpirtin Njerëzor”, Liahona, nëntor 2009, f. 88–90
-
Ronald A. Rasband, “Këtë Ditë”, Liahona, nëntor 2022, f. 25–27
-
Michael T. Ringwood, “You Can Know for Yourself”, Ensign, shkurt 2017, f. 66–69
Burime të Tjera rreth Librit të Mormonit
-
Burime për fëmijët