Biblioteka
Mësimi 10: Kërkoni të Vërtetën


10

Kërkoni të Vërtetën

Hyrje

Fëmijët e Perëndisë nxiten që të “kërko[jnë] të mëso[jnë], … me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit” (DeB 88:118). Ndjekja e këtij modeli i ndihmon individët që të kualifikohen për ndihmën e Frymës së Shenjtë në procesin e të mësuarit. Sot, interneti dhe burime të tjera sigurojnë një mori informacioni – një pjesë i vërtetë, një pjesë i rremë dhe një pjesë çorientues – rreth doktrinës, historisë dhe pozitës së Kishës për çështje shoqërore, duke e bërë veçanërisht të rëndësishme për ne që të mbështetemi te Fryma e Shenjtë për të na ndihmuar të dallojmë të vërtetën nga gabimi. Të mësuarit se si të përcaktojmë e përdorim burime të duhura të informacionit, është pjesë e këtij procesi.

Lexim Konteksti

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 88:118, 121–126

Një model për të mësuarin

Lexoni me zë të lartë përshkrimin vijues për Shkollën e Profetëve, të mbajtur në Kirtland të Ohajos:

“Në vitin 1833, Profeti dhe një grup i shenjtorëve të Kirtlandit patën një mundësi të pashoqe për të studiuar ungjillin. Në janar të atij viti, në përputhje me urdhrin e Zotit (shih DeB 88:127–41), Profeti organizoi Shkollën e Profetëve për t’i mësuar mbajtësit e priftërisë për punën e tyre në shërbesë dhe për t’i përgatitur ata që të predikonin ungjillin. Shkolla u mbajt në një dhomë në katin e dytë në dyqanin e Njull K. Uitnit, ku jetonte Profeti. Morën pjesë rreth 25 vëllezër, disa duke udhëtuar qindra kilometra për të pasur privilegjin që ta studionin ungjillin në një dhomë me përmasa jo më të mëdha se 3,35 me 4,27 metra. Shumë nga këta burra më vonë u bënë Apostuj, Të Shtatëdhjetë dhe udhëheqës të tjerë të Kishës. Ndonëse Profeti dhe vëllezërit e tjerë me raste studiuan gjuhësinë, ata u përqendruan së pari në mësimin e doktrinave të ungjillit, duke vazhduar me zell studimet e tyre nga mëngjesi herët deri pasdite vonë. Kjo shkollë zgjati katër muaj dhe shkolla të ngjashme u mbajtën më vonë në Kirtland dhe gjithashtu në Misuri, në të cilat morën pjesë qindra njerëz” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2007], f. 277).

Shpjegoni se Doktrina e Besëlidhje 88 përmban udhëzime nga Zoti për ata që do të merrnin pjesë në Shkollën e Profetëve. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 88:118, duke kërkuar modelin e të mësuarit të përshkruar nga Zoti. Më pas diskutoni pyetjet vijuese:

  • Ç’mendoni se do të thotë të “kërko[jnë] të mëso[jnë], … me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit”?

  • Në ç’mënyra ndjekja e këtij modeli mund ta rriste aftësinë tonë për të mësuar? (Studentët mund të japin një llojshmëri përgjigjesh, por sigurohuni që është e qartë se, kur e përfshijmë besimin në procesin e mësimdhënies, ne kualifikohemi për ndihmën e Zotit.)

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 88:121–126, e cila shënon udhëzime të mëtejshme nga Zoti drejtuar Shkollës së Profetëve. Vëreni klasën që ta ndjekë, duke kërkuar parime që na ndihmojnë të kuptojmë se si të mësojmë me anë të besimit. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë atë që gjejnë. Merrni parasysh t’i renditni këto parime në tabelë teksa studentët i thonë ato. Ju gjithashtu mund të doni të sugjeroni që studentët të shkruajnë frazën “parime që na mësojnë se si të mësojmë vetë me anë të besimit” në anë të faqes së shkrimeve të tyre të shenjta pranë këtyre vargjeve. (Shënim: Bërja e shënimeve në anë të faqeve të shkrimeve të shenjta mund t’i ndihmojë studentët të gjejnë e të kujtojnë më me lehtësi parime të rëndësishme.) Nëse ka kohë, ju mund t’i vini studentët të kërkojnë Almën 32:28, 41–43 dhe Gjonin 7:17 për parime shtesë.

  • Si na ndihmon të jetuarit e parimeve të dhëna mësim në këto vargje që të mësojmë vetë me anë të studimit dhe me anë të besimit? (Ndërsa studentët përgjigjen, ju mund të dëshironi të theksoni se ndjekja e këtyre parimeve do të na ndihmojë që të kualifikohemi për ndihmën e Shpirtit.)

  • Kur kualifikohemi ta kemi Shpirtin e Zotit me ne, si e ndikon ky Shpirt kërkimin tonë për të vërtetën?

Doktrina e Besëlidhje 91:1–6

Dallimi i së vërtetës prej së gabuarës

Paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë, dhe ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë:

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Kurrë në historinë e botës nuk kemi pasur të drejtë përdorimi më të lehtë të më shumë informacioni – disa prej tij i vërtetë, disa prej tij i rremë dhe shumë prej tij pjesërisht i vërtetë.

Si pasojë, kurrë në historinë e botës nuk ka qenë më e rëndësishme që të mësojmë se si të dallojmë me saktësi midis së vërtetës dhe së gabuarës” (“Ç’është e Vërteta?” [takim shpirtëror i Sistemit Arsimor të Kishës, 13 janar 2013], f. 3, lds.org/broadcasts).

  • Cilat janë pasojat e mundshme nëse nuk mësojmë të dallojmë midis së vërtetës dhe së gabuarës?

Shkruajeni pyetjen vijuese në tabelë:

Si mund të dallojmë siç duhet midis së vërtetës dhe së gabuarës?

Shpjegoni se zbulesa e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 91 i mësoi Jozef Smithit se si ta dallonte nëse diçka që po e lexonte tek Apokrifa ishte e vërtetë. Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë kreun e seksionit 91, ndërsa klasa e ndjek. Më pas ftojini studentët të marrin parasysh pyetjen në tabelë, teksa e studiojnë si klasë Doktrinën e Besëlidhjet 91.

Shpjegoni se Apokrifa është një përmbledhje e librave të shenjtë të popullit të judenjve. Këta libra nuk u përfshinë fillimisht në Biblën hebrease (Dhiatën e Vjetër), por u përfshinë në përkthimin grek të Biblës pak kohë përpara kohës së Krishtit. Kur të krishterët e hershëm i përmblodhën librat e Biblës shekuj më vonë, ata i përfshinë librat e Apokrifës si një shtojcë. Disa fe të krishtera i marrin parasysh librat e Apokrifës si shkrime të shenjta, por fe të tjera nuk besojnë se ato janë shkrime të frymëzuara. Kopja e Biblës që po përdorte Jozef Smithi për të krijuar përkthimin e tij të frymëzuar, e përmbante Apokrifën. Jozefi i kërkoi Zotit nëse përkthimi i tij i Biblës duhej t’i përfshinte këta libra.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 91:1–3.

  • Çfarë mësoi Jozef Smithi rreth Apokrifës? (Ju mund të keni nevojë të shpjegoni se ndërfutja është një material që është futur në një dorëshkrim, nganjëherë duke çuar në prishjen e tekstit origjinal.)

Ftojeni një student tjetër të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 91:4–6.

  • Si mund të na ndihmojë ne këshilla te vargjet 4–6 për të dalluar të vërtetën prej së gabuarës dhe për ta vlerësuar besueshmërinë e asaj që lexojmë? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Fryma e Shenjtë mund të na ndihmojë të dimë nëse gjërat që lexojmë janë të vërteta.)

Shpjegoni se bollëku i informacionit që është në dispozicion në internet ka krijuar një nevojë në rritje për secilin prej nesh që të kemi dhuratën shpirtërore të dallimit (shih DeB 46:23), me qëllim që të dimë se si ta dallojmë siç duhet të vërtetën prej së gabuarës. (Për informacion të mëtejshëm rreth arsyes përse dhurata e dallimit është kaq e rëndësishme në jetën tonë, shih artikullin e Plakut Dejvid A. Bednar “Quick to Observe”, Ensign ose Liahona, dhjetor 2006, f. 31–36.)

Jepini secilit student një kopje të thënies vijuese nga Plaku Stiven E. Snou, i Të Shtatëdhjetëve. Ftojini studentët të kërkojnë në dy paragrafët e parë për këshillën që Plaku Snou e dha rreth vlerësimit të informacionit që mund të lexojmë rreth historisë dhe mësimeve të Kishës.

Pamja
fletushkë, Baraspeshimi i Historisë së Kishës

Baraspeshimi i Historisë së Kishës

Themelet e Rivendosjes – Mësimi 10

Pamja
Plaku Stiven E. Snou

Plaku Stiven E. Snou, i Të Shtatëdhjetëve tha:

“Interneti ka vendosur të gjitha llojet e informacionit në majë të gishtave tanë – të mirë, të keq, të vërtetë, të pavërtetë – duke përfshirë informacionin e historisë së Kishës. Ju mund të lexoni shumë rreth historisë sonë, por është e rëndësishme të lexoni rreth saj dhe ta kuptoni atë në kontekstin e saj. Vështirësia me një pjesë të informacionit në internet është që ajo është jashtë kontekstit dhe ju nuk e shihni me të vërtetë pamjen e plotë.

Informacioni që përpiqet ta poshtërojë Kishën, është në përgjithësi shumë subjektiv dhe i padrejtë. Ne duhet të kërkojmë burime që i përshkruajnë në mënyrë më objektive gjërat që ne besojmë dhe historinë tonë. Disa faqe interneti janë shumë keqdashëse dhe mund të jenë të bujshme në mënyrën se si e paraqesin informacionin. Kërkoni burime nga historianë të njohur e të respektuar, qofshin ata anëtarë të Kishës ose jo.

Disa të rinj zihen në befasi dhe tronditen nga materiali anti-mormon në internet, sepse ata nuk e kanë fortifikuar veten e tyre kundrejt tij. Ata mund të mos kenë shpenzuar kohë të mjaftueshme lidhur me anën shpirtërore, që ta përgatitin dhe forcojnë vetveten për atë që mund të vijë. Kur përvojat jetësore vijnë për t’ua lëkundur themelet e ngritura nën vete, është e rëndësishme që ata të bëjnë ato gjëra bazë për të cilat ne gjithmonë flasim: vazhdimin e studimit të shkrimeve të shenjta dhe pasjen e lutjeve domethënëse me Atin tonë Qiellor. Ato gjëra bazë i përgatitin njerëzit për të gjitha llojet e kundërshtimit, duke përfshirë artikujt anti-mormonë që do të vijnë nëpërmjet internetit” (“Balancing Church History”, New Era, qershor 2013, f. 21–22).

  • Ngaqë na nevojitet ta vlerësojmë me kujdes besueshmërinë e burimeve të informacionit rreth historisë dhe mësimeve të Kishës, si mund t’i përdorni mësimet e Plakut Snou për t’ju ndihmuar që ta vlerësoni besueshmërinë e diçkaje që lexoni rreth Kishës?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje paragrafin e tretë të thënies së Plakut Snou. Më pas diskutoni pyetjen vijuese:

  • Si do t’ju ndihmojë këshilla e Plakut Snou kur ndesheni me informacione që mund t’i sfidojnë bindjet tuaja?

Qëndrimi besnik kur lindin pyetje

Shpjegoni se anëtarët e Kishës nganjëherë mund të kenë pyetje ose madje dyshime rreth doktrinës, historisë ose pozitës së Kishës për çështje shoqërore. Lexojeni thënien vijuese nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë me studentët tuaj:

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Është e natyrshme të kemi pyetje – fara e kërkimit të çiltër shpesh është çelur dhe është rritur në një dushk të madh të të kuptuarit. Ka pak anëtarë të Kishës të cilët, në një kohë apo në një tjetër, nuk janë munduar me pyetje serioze ose të ndjeshme. Një nga qëllimet e Kishës është të ushqejë dhe kultivojë farën e besimit – ndonjëherë edhe në tokën plot rërë të dyshimit dhe pasigurisë” (“Ejani, Bashkohuni me Ne”, Ensign ose Liahona, nëntor 2013, f. 23).

Pamja
fletushkë, Dallimi i së Vërtetës prej së Gabuarës

Jepini secilit student një kopje të fletushkës “Dallimi i së Vërtetës prej së Gabuarës”, që përfshin këshillë nga udhëheqësit e Kishës për ata që kanë pyetje ose dyshime. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje thëniet në fletushkë dhe të përcaktojnë parimet që do ta ndihmonin dikë për t’iu drejtuar pyetjeve ose dyshimeve në një mënyrë besnike. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët të shpjegojnë se si diçka që e lexojnë në fletushkë mund ta ndihmonte dikë që ka një pyetje ose një dyshim rreth doktrinës, historisë ose pozitës së Kishës për çështje shoqërore.

Teksa e mbyllni mësimin, theksoni se edhe pse mund të ketë disa pyetje që ne nuk mund t’ua gjejmë përgjigjet gjatë jetës sonë, ne mund të gjejmë përgjigje për pyetjet tona më të mëdha kur iu bindemi urdhërimeve, i studiojmë burimet e duhura të informacionit – veçanërisht fjalët e profetëve të gjallë – kërkojmë udhërrëfim nëpërmjet lutjes dhe ushtrojmë durim e besim.

Ftojini studentët të tregojnë përvoja që i kanë pasur kur ata e ndien ndihmën e Zotit duke i udhëzuar për të gjetur të vërtetën dhe përgjigjet për pyetjet e tyre.

Kërkojuni studentëve që t’i shqyrtojnë thëniet në fletushkë dhe ftojini ata të ndjekin këshillën nga mësimi për të kërkuar mësim me anë të studimit dhe me anë të besimit.

Materiale Leximi për Studentin

Dallimi i së Vërtetës prej së Gabuarës

Themelet e Rivendosjes – Mësimi 10

Në të gjitha periudhat e kujdestarisë së ungjillit, forcat e ligësisë e kanë kundërshtuar Perëndinë dhe veprën e Tij. Por vepra e Perëndisë nuk do të pengohet. Në këto ditë të mëvonshme, guri është shkëputur nga mali dhe do të “përhapet derisa të ketë mbushur tërë tokën” (DeB 65:2). Megjithatë, ngaqë anëtarë individualë të Kishës mund të mashtrohen, ne secili kemi nevojë t’i “mba[jmë] sytë hapur dhe të lute[mi] gjithnjë” (3 Nefi 18:18).

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

“Nuk ka nevojë që ju ose unë, në këtë periudhë të ndriçuar, kur plotësia e ungjillit është rivendosur, të lundrojmë [në] dete të paeksploruara apo të udhëtojmë në rrugë të panjohura, në kërkim të së vërtetës. Një Atë i dashur Qiellor na e ka shënuar rrugën dhe na ka siguruar një hartë të pagabueshme – madje bindjen. Një dituri për të vërtetën dhe përgjigjet për pyetjet tona më të mëdha na vijnë kur jemi të bindur ndaj urdhërimeve të Perëndisë” (Tomas S. Monson, “Bindja Sjell Bekime”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 89).

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Miqtë e mi të dashur – ju lutem, së pari kini dyshim te dyshimet tuaja përpara se të keni dyshim te besimi juaj. Ne kurrë nuk duhet ta lejojmë dyshimin që të na mbajë të burgosur dhe të na largojë nga dashuria hyjnore, paqja dhe dhuratat që vijnë nëpërmjet besimit te Zoti Jezu Krisht” (Diter F. Uhtdorf, “Ejani, Bashkohuni me Ne”, Ensign ose Liahona, nëntor 2013, f. 23).

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Satani është mashtruesi i madh, ‘paditësi i vëllezërve’ [Zbulesa 12:10], ati i gjithë gënjeshtrave, [shih Gjoni 8:44], i cili vazhdimisht përpiqet të mashtrojë që të mund të na mposhtë [shih DeB 50:3]. …

Për ata që tashmë e përqafojnë të vërtetën, strategjia e tij kryesore është të shpërndajë farat e dyshimit. Për shembull, ai i ka bërë shumë anëtarë të Kishës të pengohen kur zbulojnë informacion rreth Kishës, që duket se bie në kundërshtim me atë që kishin mësuar më parë.

Kur e përjetoni një çast të tillë, kujtoni se në këtë epokë të informacionit ka shumë që krijojnë dyshim rreth ndonjë gjëje dhe gjithçkaje, në çdo kohë dhe në çdo vend. …

… Dhe është gjithmonë mirë të mbajmë në mendje që, thjesht sepse diçka botohet në gazetë, shfaqet në internet, përsëritet shpesh ose ka një grup të fuqishëm pasuesish, nuk bëhet e vërtetë.

Nganjëherë deklarata ose informacione jo të vërteta paraqiten në një mënyrë të tillë që duken mjaft të besueshme. …

… Ajo që mund të duket kundërshtuese tani, në mënyrë të përsosur mund të jetë e kuptueshme kur kërkojmë dhe marrim më shumë informacion të denjë për t’u besuar” (Diter F. Uhtdorf, “Ç’është e Vërteta?” [takim shpirtëror i Sistemit Arsimor të Kishës, 13 janar 2013], lds.org/broadcasts).

Pamja
Plaku Dallin H. Ouks

“Kur fillojmë t’i matim praktikat dhe propozimet bashkëkohore kundrejt asaj që dimë nga plani i Perëndisë dhe kushtet paraprake të dhëna në fjalën e Perëndisë dhe mësimet e profetëve të Tij të gjallë, … e dimë se kjo na vendos përjetësisht mbi një bazë të sigurt” (Dallin H. Oaks, “As He Thinketh in His Heart” [mbrëmje me Plakun Dallin H. Ouks, 8 shkurt 2013], lds.org/broadcasts).

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Në çaste frike apo dyshimi, ose kohë shqetësimi, mos u largoni nga besimi që keni fituar tashmë, edhe pse ai mund të jetë i kufizuar. … Kur ato çaste vijnë dhe shqetësimet shfaqen, zgjidhja e të cilave nuk po afrohet menjëherë, mbahuni fort tek ajo që tashmë e dini dhe qëndroni të paepur derisa vjen dija e mëtejshme” (Xhefri R. Holland, “Unë Besoj, o Zot” Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 94).

Pamja
Plaku Nil L. Andersen

“Ne mund t’i kujtojmë kërkuesit të sinqertë se informacioni në internet nuk ka një filtër të ‘së vërtetës’. Disa informacione lidhur me Kishën, sado bindëse qofshin, thjesht nuk janë të vërteta” (Nil L. Andersen, “Jozef Smithi”, Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 29).

Pamja
Plaku Pol V. Xhonson

“Përgjigjet ndaj pyetjeve shpirtërore u jepen individëve që nuk i ngurtësojnë zemrat e tyre; që kërkojnë me besim, duke besuar se do të marrin; dhe që i zbatojnë urdhërimet me zell” (Paul V. Johnson, “A Pattern for Learning Spiritual Things” [bisedë drejtuar arsimtarëve fetarë të Sistemit Arsimor të Kishës, 7 gusht 2012], si.lds.org).

Pamja
Plaku Nil A. Maksuell

“Të studiuarit e Kishës … nëpërmjet syve të braktisësve të saj [është] sikur të intervistosh Judën për të kuptuar Jezusin” (Neal A. Maxwell, “All Hell Is Moved” [takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 8 nëntor 1977], f. 3, speeches.byu.edu).