Instituti
Mësimi 9 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Jezu Krishti: Shëlbuesi Ynë Hyjnor


“Mësimi 9 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Jezu Krishti: Shëlbuesi Ynë Hyjnor”, Materiali i Përgatitjes së Klasës – Themelet e Rivendosjes (2019)

“Mësimi 9 Materiali i Përgatitjes së Klasës”, Materiali i Përgatitjes së Klasës – Themelet e Rivendosjes

Mësimi 9 – Materiali i Përgatitjes së Klasës

Jezu Krishti: Shëlbuesi Ynë Hyjnor

Pamja
detaj nga Krishti dhe i Riu Pasanik, nga Heinrich Hofmann

Disa njerëz e shohin Jezu Krishtin si thjesht një shembull të mirë për ta ndjekur, disa si një profet të lashtë dhe disa si Shpëtimtarin e botës. Cilat janë bindjet dhe qëndrimet më të zakonshme rreth Zotit në vendin ku jetoni ju? Cilat janë besimet dhe bindjet tuaja rreth Tij? Teksa i studioni vegimet, zbulesat dhe shkrimin e shenjtë që mori Profeti Jozef Smith rreth Jezu Krishtit, merrni parasysh se si ato mund ta thellojnë besimin dhe dëshminë tuaj se Ai është Shëlbuesi juaj hyjnor.

Pjesa 1

Si janë Jozef Smithi dhe Rivendosja shumë të rëndësishme për kuptueshmërinë time mbi Zotin Jezu Krisht?

Marrëdhënia vetjake e Jozef Smithit me Zotin filloi që në rininë e Jozefit. Ai shkroi se rreth moshës 12‑vjeçare, “mendja ime u shqetësua jashtë mase pasi u binda për mëkatet e mia. … Unë e ndieva se duhej të vajtoja për mëkatet e mia dhe për mëkatet e botës.”

Pamja
Jozefi duke u Lutur, nga Brian Call

Më vonë, Jozefi i ri “i thirri Zotit për mëshirë” dhe Zoti i foli atij në një vegim, duke thënë: “Jozef, biri im, mëkatet e tua të janë falur. Shko në udhën tënde, sillu sipas statuteve të mia dhe zbatoji urdhërimet e mia. Vër re, unë jam Zoti i lavdisë. Unë u kryqëzova për botën, që të gjithë ata që besojnë në emrin tim, të mund të kenë jetë të përjetshme.”

Përmes kësaj përvoje të Vegimit të Parë, Jozefi arriti të dinte personalisht se Jezu Krishti dhe Ati Qiellor janë të mëshirshëm e falës. Pasi foli me Zotin dhe mori falje për mëkatet e tij, Jozefi dëshmoi: “Shpirti im u mbush me dashuri dhe për shumë ditë mund të ngazëllehesha me gëzim të madh. Zoti ishte me mua” (“Joseph Smith’s Accounts of the First Vision”, Circa Summer 1832 History, josephsmithpapers.org).

Mendoni për raste në jetën tuaj kur keni ndier shqetësime të ngjashme me ato të Jozefit. Ju mund të jeni në gjendje të shihni ngjashmëri me dëshirën e tij për të marrë falje dhe gjithashtu gëzimin e tij kur mësoi se Zoti ishte me të.

Vegimet e shumta të Jozef Smithit për Shpëtimtarin e lejuan të shërbente si një dëshmitar i fuqishëm i ditëve të mëvonshme për Jezu Krishtin. Më 16 shkurt 1832, ndërkohë që punonin për rishikimet e frymëzuara të Biblës (që njihen si Përkthimi prej Joseph Smith‑it), Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni panë një vegim në të cilin ata “vu[në] re lavdinë e Birit, në të djathtë të Atit”. Duke folur për Jezu Krishtin ata dëshmuan: “Ai jeton!” (Doktrina e Besëlidhje 76:20, 22–23).

Vini re se çfarë të vërtetash të tjera rreth Jezu Krishtit iu treguan Profetit në këtë vegim.

Pamja
ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 76:23–24.

Pamja
Zoti Shfaqet në Tempullin e Kirtlandit, nga Del Parson

Katër vite më vonë, Profeti përsëri dëshmoi se e pa Shpëtimtarin në Tempullin e Kirtlandit dhe shpalli se “fytyra e tij shkëlqente më shumë se ndriçimi i diellit; dhe zëri i tij ishte si tingulli i rrjedhjes së shumë ujërave” (Doktrina e Besëlidhje 110:3).

Zoti u dha mësim shenjtorëve se kur të studioni zbulesat e dhëna nëpërmjet Shpirtit, “ju mund të dëshmoni se e keni dëgjuar zërin tim dhe i dini fjalët e mia” (Doktrina e Besëlidhje 18:36).

Duke reflektuar mbi ndihmesat e Jozef Smithit ndaj kuptueshmërisë sonë për Jezu Krishtin, Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpalli:

“Nëpërmjet shoqërimit të tij vetjak me Zotin, përkthimit dhe botimit prej tij të Librit të Mormonit dhe vulosjes së dëshmisë së tij me gjakun e tij si martir, Jozefi është bërë zbuluesi i shquar i Jezu Krishtit për natyrën e Tij të vërtetë si Shëlbues hyjnor”. (D. Tod Kristoferson, “I Lindur Përsëri”, Ensign ose Liahona, maj 2008, f. 79)

Pamja
ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Në saje të vegimeve, zbulesave dhe shkrimit të shenjtë të dhënë Jozef Smithit, ne kemi një kuptueshmëri shumë më të mirë për karakterin e Shpëtimtarit.

  • Çfarë njohurie për Shpëtimtarin do të na mungonte pa Profetin Jozef Smith? Çfarë ndikimi do të kishte në jetën tuaj nëse ajo njohuri do të mungonte? (Mbajini në mendje këto pyetje teksa vazhdoni të studioni.)

Pjesa 2

Çfarë të vërtetash të rivendosura rreth Shlyerjes së Shpëtimtarit mund ta rritin besimin tim tek Ai?

Shënim: Teksa lexoni fragmentet vijuese të shkrimeve të shenjta dhe mësimet profetike, merrni parasysh të shenjoni të vërteta që lidhen me Shlyerjen e Shpëtimtarit, të cilat ju bëjnë përshtypje.

Shumë të vërteta të qarta dhe të çmueshme rreth ungjillit dhe Shlyerjes së Shpëtimtarit u rivendosën nëpërmjet përkthimit të Librit të Mormonit prej Jozef Smithit (shih 1 Nefi 13:34, 40).

Pamja
ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni tek Alma 34:10, 12, duke kërkuar atë që profeti i Librit të Mormonit, Amuleku, ua mësoi një grupi zoramitësh rreth flijimit shlyes të Shpëtimtarit.

Presidenti Rasëll M. Nelson shpjegoi se çfarë e bën Shlyerjen e Jezu Krishtit të pafundme:

“Shlyerja e Tij është e pafundme – pa mbarim [shih 2 Nefi 9:7; 25:16; Alma 34:10, 12, 14]. Ishte gjithashtu e pafundme në atë që i gjithë njerëzimi do të shpëtohej nga një vdekje pa mbarim. Ajo ishte e pafundme në kuptimin e vuajtjeve të Tij të pamasa. Ishte e pafundme në kohë, duke i dhënë fund modelit të mëparshëm të flijimit të një kafshe. Ishte e pafundme në shtrirje – duhej të bëhej njëherësh për të gjithë [shih Hebrenjve 10:10]. Dhe mëshira e Shlyerjes shtrihet jo vetëm te një numër i pafundmë njerëzish, por gjithashtu te një numër i pafundmë botësh të krijuara prej Tij [shih Doktrina e Besëlidhje 76:24; Moisiu 1:33]. Ishte e pafundme përtej çfarëdo shkalle njerëzore matjeje apo kuptimi njerëzor.

Jezusi ishte i vetmi që mund ta ofronte një shlyerje të tillë, të pafundme, ngaqë Ai u lind prej një nëne të vdekshme dhe një Ati të pavdekshëm. Për shkak të asaj të drejte trashëgimie të pashoqe, Jezusi ishte një Qenie e pafund.” (Russell M. Nelson, “The Atonement”, Ensign, nëntor 1996, f. 35)

Pamja
ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Profeti Alma gjithashtu u dha mësim njerëzve të Gideonit të vërteta të rëndësishme rreth Shlyerjes së Shpëtimtarit. Lexoni tek Alma 7:11–13.

Pasi citoi nga Alma 7, Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

“Nuk ka dhembje fizike, as plagë shpirtërore, as ankth të shpirtit apo të zemrës, as dobësi apo lëngatë që ju ose unë do të hasim ndonjëherë në vdekshmëri, të cilën Shpëtimtari nuk e përjetoi fillimisht. Në një çast dobësie ju mund të thërrisni: ‘Askush s’e di si është. Askush s’e kupton.’ Por Biri i Perëndisë di dhe kupton në mënyrë të përsosur, sepse Ai i ka ndier dhe i ka mbajtur barrët tona vetjake. Dhe për shkak të flijimit të Tij të pafund dhe të përjetshëm (shih Alma 34:14), Ai ka dhembshuri të përsosur dhe mund të na e shtrijë krahun e Tij të mëshirës. Ai mund të na arrijë, prekë, ndihmojë, shërojë e forcojë.” (Dejvid A. Bednar, “I Duronin Barrët e Tyre me Lehtësi”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 90)

Jozef Smithi mori një zbulesë që e lidhi vuajtjen që nuk arrijmë ta kuptojmë të Zotit, me vlerën e shpirtrave. Pasi i thirri Oliver Kaudërin dhe Dejvid Uitmerin që të predikonin pendim, Zoti i udhëzoi ata.

Pamja
ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 18:10–11, 13.

Pamja
Krishti i gjunjëzuar në Kopshtin e Gjetsemanit

Zoti e zgjeroi më tej kuptimin për flijimin e Tij shlyes në një zbulesë të dhënë për Martin Harrisin. Martini po haste vështirësi lidhur me mundësinë e humbjes së fermës së tij për të paguar për botimin e Librit të Mormonit. Në këtë zbulesë, Zoti e urdhëroi Martinin që të pendohej dhe më pas zbuloi një rrëfim të pashoq, nga vetja e vet për vuajtjen e Tij.

Pamja
ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 19:16–19.

Teksa përsiatni vuajtjen që Jezu Krishti e duroi për hirin tuaj, merrni parasysh të lexoni ose të dëgjoni fjalët e himnit “Qëndroj plot Habi” (Himne, nr. 113).

Pamja
ikonë, shënoni

Si mund ta njoh më mirë Jezu Krishtin?

Në ditarin tuaj ose në hapësirën e dhënë, shkruani disa të vërteta që ju bëjnë përshtypje nga fragmentet e shkrimeve të shenjta dhe nga mësimet në këtë pjesë, si edhe ndonjë mendim dhe pyetje tjetër që e keni rreth flijimit shlyes të Shpëtimtarit. Ejani në klasë të përgatitur për të treguar të vërtetat që i përcaktuat dhe ndonjë ide.