Instituti
Mësimi 5 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Dalja në Dritë e Librit të Mormonit


“Mësimi 5 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Dalja në Dritë e Librit të Mormonit”, Materiali i Përgatitjes së Klasës – Themelet e Rivendosjes (2019)

“Mësimi 5 Materiali i Përgatitjes së Klasës”, Materiali i Përgatitjes së Klasës – Themelet e Rivendosjes

Mësimi 5 – Materiali i Përgatitjes së Klasës

Dalja në Dritë e Librit të Mormonit

Pamja
Jozefi dhe Oliveri duke përkthyer Librin e Mormonit

Përpara se Moroni ta fshihte analin nefit, ai profetizoi për daljen e tij në dritë në ditët e mëvonshme: “Askush nuk do të ketë fuqi t’i nxjerrë në dritë, veçse në qoftë se i jepet nga Perëndia” (Mormoni 8:15). Merrni parasysh përse Ati Qiellor do të zgjidhte një djalë të ri, të paarsimuar fshati për të përkthyer dhe botuar një nga librat më ndikues të kohës sonë.

Pjesa 1

Si e nxori në dritë Jozef Smithi Librin e Mormonit me anë të fuqisë së Perëndisë?

Disa ngjarje të mrekullueshme ndodhën si pjesë e daljes në dritë të Librit të Mormonit të cilat sigurojnë prova se ai u përkthye me anë të fuqisë së Perëndisë (shih Shenjtorët: Historia e Kishës së Jezu Krishtit në Ditët e Mëvonshme, vëll. 1, Standardet e së Vërtetës, 1815–1846 [2018], f. 21–30, 39–64).

Një engjëll i dha shërbesë Jozef Smithit dhe i tregoi për një anal të lashtë.

Në mbrëmjen e 21 shtatorit 1823, engjëlli Moroni iu shfaq Jozef Smithit dhe i tha atij se Perëndia kishte një punë për të që ai ta bënte (shih Joseph Smith – Historia 1:33).

Pamja
ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni Joseph Smith – Historia 1:34–35.

Pamja
Engjëlli Moroni i Shfaqet Jozef Smithit, nga Tom Lovell

Jozef Smithi e përktheu librin pavarësisht nga mosha e re dhe nga arsimimi i paktë që kishte.

Jozef Smithi qe 17 vjeç, kur engjëlli Moroni e vizitoi për herë të parë dhe kur ai pa fletët e arta për herë të parë. Midis moshës 18 dhe 21 vjeç, Moroni u takua me të një herë në vit dhe i dha atij “udhëzime e dituri” (Joseph Smith – Historia 1:54). Në moshën 21‑vjeçare Jozefi u lejua t’i merrte fletët që të mund të përktheheshin. Në moshën 22‑vjeçare ai përktheu një pjesë të fletëve, me Martin Harrisin që vepronte si shkrues. (Ky dorëshkrim që përbëhej nga 116 faqe, më pas humbi dhe nuk u ripërkthye.) Në moshën 23‑vjeçare Jozefi e përfundoi pjesën tjetër të përkthimit me Oliver Kaudërin dhe njerëz të tjerë që vepronin si shkrues.

Ema Smithi, bashkëshortja e Profetit Jozef Smith, shpjegoi: “[Në atë kohë] Jozef Smithi … nuk mund të shkruante dhe as të diktonte një letër me lidhje logjike dhe të formuluar mirë; dhe jo më të diktonte një libër si Libri i Mormonit. Dhe, edhe pse isha pjesëmarrëse aktive në skenat që pasuan dhe isha e pranishme gjatë përkthimit të fletëve … ishte e mrekullueshme për mua, ‘një mrekulli dhe një çudi’, po aq sa edhe për këdo tjetër. … Libri i Mormonit ka vërtetësi hyjnore – nuk kam as më të voglin dyshim për të.” (“Last Testimony of Sister Emma”, The Saints’ Herald, 1 tetor 1879, f. 290).

Jozef Smithi e përfundoi përkthimin në një kohë jashtëzakonisht të shkurtër.

Vlerësohet se Jozef Smithi e përfundoi përkthimin brenda “gjashtëdhjetë e pesë ditësh pune ose më pak”, duke përkthyer një libër “i cili përmban 531 faqe në botimin e tij të tanishëm [anglisht]. Kjo llogaritet si një mesatare prej tetë faqesh në ditë. Merreni këtë parasysh kur përktheni një libër ose kur bëni planin e leximit tuaj të Librit të Mormonit” (Russell M. Nelson, “A Treasured Testament”, Ensign, korrik 1993, f. 61–62).

Jozef Smithi përktheu pa shënime dhe pa e rishikuar dorëshkrimin.

Pamja
Ema Duke Ndihmuar për Përkthimin

Ema ia përshkroi procesin e përkthimit birit të saj, Jozef Smith III, pak kohë përpara vdekjes së saj në 1879‑ën:

“E besoj që Kisha ka qenë themeluar nëpërmjet drejtimit hyjnor. Kam besim të plotë për këtë gjë. …

[Jozefi] nuk pati as dorëshkrim as libër nga të lexonte [teksa përkthente]. …

Nëse do të kishte pasur diçka të tillë, nuk do të mund të ma kishte mbajtur të fshehtë. …

Fletët shpesh qëndronin mbi tavolinë pa ndonjë përpjekje për t’i fshehur, të mbështjella me një mësallë të vogël, të linjtë tavoline, të cilën ia kisha dhënë unë për t’i mbështjellë. Një herë i preka fletët, ndërsa ato qëndronin mbi tavolinë, duke i kaluar gishtat nëpër konturet dhe formën e tyre. Ato dukeshin sikur ishin elastike si fletë të trasha dhe do të shushuritnin me një tingull metalik kur anët lëvizeshin me gishtin e madh, siç ndodh kur dikush ndonjëherë shfleton anët e një libri. …

Jam e sigurt që askush nuk do të mund ta kishte diktuar shkrimin e dorëshkrimeve nëse nuk do të ishte i frymëzuar; sepse, kur [unë] po veproja si shkruesja e tij, babai yt më diktonte orë pas ore; dhe, kur ktheheshim pas vakteve të ushqimit, ose pas ndërprerjeve, ai menjëherë e fillonte atje ku e kishte lënë, pa e parë fare dorëshkrimin dhe pa ia lexuar ndonjë pjesë të tij. Kjo ishte një gjë e zakonshme që e bënte ai. Do të kishte qenë e pamundshme që një njeri i mësuar të mund ta bënte atë; dhe, për dikë aq të paditur dhe të pamësuar siç ishte ai, ishte thjesht e pamundur.” (Emma Smith, në “Last Testimony of Sister Emma”, The Saints’ Herald, 1 tetor 1879, f. 289–290)

Jozef Smithit i ishin dhënë mjete për ta ndihmuar të përkthente.

Jozefi nuk e përktheu Librin e Mormonit në një mënyrë tradicionale. Ai nuk e dinte gjuhën origjinale të fletëve dhe më pas ta përkthente atë gjuhë në anglisht. Përkundrazi, ai e përktheu tekstin nga një gjuhë në tjetrën me anë të zbulesës – me anë të “dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 135:3).

Jozefi dhe shkruesit e tij shkruan për dy mjete të përdorura në përkthimin e Librit të Mormonit. Mjeti i parë, i quajtur në Librin e Mormonit “interpretuesit” (Mosia 8:13), sot njihet më mirë nga shenjtorët e ditëve të mëvonshme si “Urimi dhe Thumimi” (Joseph Smith – Historia 1:35). Oliver Kaudëri tha se duke “parë nëpërmjet” Urimit dhe Thumimit, Jozefi “ishte në gjendje të lexonte në anglisht karakteret e reformuara egjiptiane, të cilat ishin gdhendur mbi fletë” (“Përkthimi i Librit të Mormonit”, Ese mbi Temat e Ungjillit, topics.ChurchofJesusChrist.org).

Disa rrëfime të mëvonshme tregojnë se Jozefi nganjëherë përdori një mjet tjetër që ta përkthente Librin e Mormonit. Ky mjet ishte një gur i vogël vezak, i quajtur si gur shikues, që Jozefi e kishte zbuluar disa vite përpara se të merrte fletët e arta. Këto rrëfime tregojnë që Jozefi do t’i vendoste ose interpretuesit ose gurin shikues në një kapele që ndihmonte për të bllokuar dritën, gjë që e lejonte të shihte më mirë fjalët që shfaqeshin mbi instrumentin. (Shih “Përkthimi i Librit të Mormonit”, topics.ChurchofJesusChrist.org; shih edhe Richard E. Turley Jr., Robin S. Jensen dhe Mark Ashurst‑McGee, “Joseph the Seer”, Ensign, tetor 2015, f. 51.)

Më shumë se një vit pasi u botua Libri i Mormonit, Jozefit i kërkuan në një mbledhje të tregonte disa veçanti të daljes në dritë të Librit të Mormonit. Protokolli i mbledhjes thotë se ai “tha që nuk synohej t’i tregoheshin botës të gjitha detajet e daljes në dritë të Librit të Mormonit” dhe se “nuk ishte e volitshme për të t’i tregonte këto gjëra” (“Minutes, Oct. 25–26, 1831”, në Minute Book 2, f. 13, josephsmithpapers.org).

Plaku Nil A. Maksuell, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:

“Shumë njerëz që e lexojnë Librin e Mormonit, dëshirojnë me të drejtë të dinë më shumë rreth zanafillës së tij, përfshirë procesin aktual të përkthimit. … Ajo që dimë rreth daljes së vërtetë të Librit të Mormonit në dritë është e saktë, por nuk është gjithëpërfshirëse. …

… Ndoshta hollësitë e përkthimit shpesh nuk jepen… ngaqë është qëllimi që ne ta zhytim vetveten në përmbajtjen e librit, në vend që të shqetësohemi më shumë nga ç’duhet me procesin nëpërmjet të cilit e morëm.” (Neal A. Maxwell, “By the Gift and Power of God”, Ensign, janar 1997, f. 39, 41)

Pamja
ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Si mendoni, përse duhet të jemi më të interesuar për “përmbajtjen e librit” sesa “për procesin nëpërmjet të cilit e morëm atë”?

Pjesa 2

Si japin provë të mëtejshme për vërtetësinë e librit dëshmitë e dëshmitarëve të Librit të Mormonit?

Pamja
Jozefi dhe Tre Dëshmitarët duke u lutur

Gjatë përkthimit të Librit të Mormonit, Jozef Smithi dhe Oliver Kaudëri mësuan se Zoti do t’ua tregonte fletët tre dëshmitarëve të veçantë (shih Ethëri 5:2–4). Oliveri, Dejvid Uitmeri dhe Martin Harrisi u “nxitën nga një dëshirë e frymëzuar që të ishin tre dëshmitarët e veçantë” (Doktrina e Besëlidhje 17, kreu i seksionit).

Në qershor 1829 Oliverit, Dejvidit dhe Martinit iu treguan fletët në një mënyrë të mrekullueshme. Ata dëshmuan se “një engjëll i Perëndisë zbriti nga qielli dhe ai solli dhe vuri para syve tanë, që ne vështruam dhe pamë fletët dhe gdhendjet në to” (“Dëshmia e Tre Dëshmitarëve”, Libri i Mormonit).

Menjëherë pasi Tre Dëshmitarët e patën përvojën e tyre me engjëllin, Jozef Smithi u kthye në shtëpinë e familjes Uitmer dhe u shpjegoi prindërve të vet: “Baba, nënë, ju nuk e dini se sa i lumtur jam; Zoti tanimë ka bërë që fletët t’u tregohen tre të tjerëve përveç meje – ata kanë parë një engjëll, i cili u ka dëshmuar atyre; dhe ata do të dëshmojnë për të vërtetën e asaj që kam thënë; sepse tani ata e dinë vetë se unë nuk shkoj sa andej‑këtej duke mashtruar njerëzit. Dhe ndiej sikur u çlirova nga një barrë që ishte pothuajse [tepër] e rëndë për mua për t’u mbajtur; dhe kjo ma gëzon zemrën se nuk do të jem më plotësisht i vetëm në botë.” (“Lucy Mack Smith, History, 1845”, f. 153–154, josephsmithpapers.org)

Më vonë, Jozefi ua tregoi fletët tetë dëshmitarëve të tjerë. Ata shpallën se “ne i mbajtëm [fletët] me duart tona; dhe ne pamë gjithashtu gdhendjet në to … dhe e dimë me siguri se vetë [Jozef] Smithi i kishte fletët për të cilat kemi folur” (“Dëshmia e Tetë Dëshmitarëve”, Libri i Mormonit).

Pavarësisht nga mospajtimet me Jozef Smithin që e bënë secilin prej Tre Dëshmitarëve të largohej individualisht nga Kisha ([Oliver] Kaudëri dhe [Martin] Harrisi më vonë u rikthyen), ata vazhduan të pohonin dëshminë e tyre si dëshmitarë gjatë gjithë jetës së tyre. Secili prej Tetë Dëshmitarëve po ashtu e ripohoi dëshminë e tij për shqyrtimin e fletëve, edhe pse disa më pas u larguan nga Kisha. Pesha e ndërthurur e deklaratave të tyre të shumta, të dhëna gjatë shumë viteve dhe pavarësisht nga qëndrimi i tyre që ndryshoi kundrejt Jozef Smithit dhe Kishës, është një dëshmim i fuqishëm i besueshmërisë së deklaratave që ata i botuan në Librin e Mormonit. (“Witnesses of the Book of Mormon”, Church History Topics, ChurchofJesusChrist.org)

Pamja
ikonë, shënoni

Shënojini Mendimet Tuaja

Shënoni përvoja që i keni pasur, që ju kanë ndihmuar të arrini të dini vërtetësinë e Librit të Mormonit. Juve do t’ju jepet mundësi, nëse e zgjidhni, që ta jepni vetë dëshminë tuaj gjatë orës mësimore.