Instituti
Mësimi 28 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Zoti po e Përshpejton Veprën e Tij


“Mësimi 28 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Zoti po e Përshpejton Veprën e Tij”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (2019)

“Mësimi 28 Materiali i Përgatitjes së Klasës”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes

Pamja
konferencë e përgjithshme në Qendrën e Konferencave

Mësimi 28 Materiali i Përgatitjes së Klasës

Zoti po e Përshpejton Veprën e Tij

Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Këto janë ditë emocionuese. Zoti po e përshpejton veprën e Tij pikërisht përpara syve tanë. Është ngazëlluese! Është tërësore! Më shumë kërkohet nga secili prej nesh – më shumë se kurrë më parë. Dhe më shumë është duke u dhënë” (“A Personal Invitation to Participate in Seminary and Institute”, 4 shkurt 2019, ChurchofJesusChrist.org). Teksa studioni këtë material, kërkoni mënyra se si mund të merrni pjesë ndërkohë që Zoti e përshpejton veprën e Tij në përgatitje për Ardhjen e Tij të Dytë.

Pjesa 1

Cili është fati i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme?

Ditën e martë më 6 prill 1830, rreth 50 veta u mblodhën brenda në shtëpinë prej druri të Piter Uitmerit dhe përreth saj, në Fajet të Nju‑Jorkut. Atje Jozef Smithi, nën drejtimin e Jezu Krishtit, e organizoi Kishën e Zotit përsëri në tokë. Edhe pse Kisha filloi me pak njerëz, fati i saj është që ta mbushë të gjithë tokën.

Pamja
shtëpia prej druri e Piter Uitmerit

Në kohët e Dhiatës së Vjetër, mbreti babilonas Nebukadnetsari pati një ëndërr ku pa “gurin të shkëputet nga mali, jo nga dora e njeriu” (Daniel 2:45). Ky gur u rrit në madhësi derisa, “u bë një mal i madh, që mbushi tërë tokën” (Daniel 2:35). Në interpretimin e tij për ëndrrën e mbretit, profeti Daniel parashikoi se në ditët e mëvonshme, Perëndia do të ngrinte një mbretëri që nuk do të shkatërrohej kurrë, por do të ekzistonte përjetë (shih Daniel 2:28, 44).

Zoti ia përsëriti profecinë e Danielit Profetit Jozef Smith 18 muaj pas organizimit të Kishës, në një kohë që kishte vetëm rreth 600 shenjtorë të ditëve të mëvonshme mbi tokë. Te Doktrina e Besëlidhje 65:2 ne lexojmë: “Çelësat e mbretërisë së Perëndisë i jepen njeriut në tokë dhe që atje do të përhapet ungjilli deri në fundet e dheut, ashtu si guri që shkëputet pa duar nga mali, do të përhapet derisa të ketë mbushur tërë tokën”.

Dy vjet e gjysmë më vonë, në prill 1834, Profeti Jozef Smith u bëri një profeci mbresëlënëse rreth fatit të Kishës, një grupi mbajtësish të priftërisë në Kirtland, Ohajo.

Presidenti Uillford Udraf, i cili ishte në atë mbledhje, kujtoi:

Pamja
Presidenti Uillford Udraf

“Profeti i thirri të gjithë ata që mbanin Priftërinë, që të mblidheshin në shkollën e vogël prej druri që kishin atje. Ishte një shtëpi e vogël, ndoshta rreth 4,3 metra katrorë. Por ajo mbajti të gjithë ata që kishin Priftërinë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme që ishin atëherë në qytetin e Kirtlandit. … Profeti tha: ‘Vëllezër … unë dua t’ju them juve sot para Zotit, se ju nuk dini më shumë në lidhje me fatet e kësaj Kishe e mbretërie sesa foshnja në prehrin e nënës së saj. Ju nuk e kuptoni atë.ʼ Unë u habita disi. Ai tha: ‘Ju shihni vetëm një grusht njerëzish që mbajnë Priftërinë këtu sonte, por kjo Kishë do të mbushë Amerikën e Veriut dhe të Jugut – ajo do të mbushë botënʼ.” (Uillford Udraf, në Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2007], f. 142)

Shikoni materialin filmik “The Gospel Shall Roll Forth” (2:47) dhe përsiatni se si rritja e Kishës së rivendosur është provë që Ati Qiellor dëshiron ta bekojë të gjithë botën.

Mbi 160 vjet më vonë, pasi Kisha ishte rritur në më shumë se 11 milionë anëtarë dhe ishte përhapur në shumicën e botës, Presidenti Gordon B. Hinkli dha mësim:

Pamja
Presidenti Gordon B. Hinkli

“Vëllezërit dhe motrat e mia, a e kuptoni se çfarë kemi? A e dalloni vendin tonë në dramën e madhe të historisë njerëzore? Kjo është pika qendrore e të gjithë asaj që ka ndodhur më parë. Kjo është stina e kthimit. Këto janë ditët e rivendosjes. … Kjo është përmbledhja e të gjithë shekujve të kohës që nga lindja e Krishtit deri në këtë ditë të sotme e të mrekullueshme.” (Gordon B. Hinckley, “At the Summit of the Ages”, Ensign, nëntor 1999, f. 74)

Dhe më pak se një dekadë më vonë, Presidenti Hinkli shpalli:

Pamja
Presidenti Gordon B. Hinkli

“Një mrekulli e madhe po ndodh pikërisht përpara syve tanë. …

Dhe ky është vetëm fillimi. Kjo punë do të vazhdojë të rritet e të përparojë dhe të ecë anembanë botës.” (Gordon B. Hinckley, “Guri që Shkëputet nga Mali”, Ensign ose Liahona, nëntor 2007, f. 83–84)

Pamja
ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Përse mendoni se është e rëndësishme ta kuptoni dhe të keni një dëshmi për fatin e Kishës së Zotit?

Pjesa 2

Si po e përshpejton Zoti veprën e tij sot?

Në lidhje me rritjen e përshpejtuar dhe ndikimin e Kishës së Zotit, Presidenti Tomas S. Monson dha mësim:

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

“Arsyeja pse Kisha po rritet sot është ngaqë Zoti tregoi se do të ndodhte. Te Doktrina e Besëlidhje, Ai tha: ʻVini re, unë do ta përshpejtoj veprën time në këtë kohëʼ [Doktrina e Besëlidhje 88:73].

Ne, si fëmijë shpirtërorë të Atit tonë Qiellor, u dërguam në tokë në këtë kohë që të mund të merrnim pjesë në përshpejtimin e kësaj vepre të madhërishme.” (Thomas S. Monson, “Hastening the Work”, Ensign, qershor 2014, f. 4)

Shembujt vijues janë disa nga mënyrat se si Zoti dhe shërbëtorët e Tij ju kanë ftuar të merrni pjesë në përshpejtimin e veprës për shpëtimin. Merreni parasysh të shenjoni ndonjë prej parimeve ose ideve që ju lënë mbresë, dhe përgatituni t’i shprehni mendimet tuaja për to në orën mësimore.

Mbledhja e Izraelit

Pamja
ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 29:4, 7, të cilat janë pjesë e një zbulese të hershme nga Zoti dhënë pleqve të Kishës.

Në lidhje me këtë mbledhje, Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:

Pamja
Presidenti Rasëll M. Nelson

“Të dashur vëllezër e motra, të rinj e të reja, këto me siguri janë ditët e mëvonshme dhe Zoti po e përshpejton punën e Tij që Izraeli të mblidhet. Ajo mbledhje është gjëja më e rëndësishme që po ndodh në tokë sot. Asgjë tjetër nuk krahasohet për nga madhësia, asgjë tjetër nuk krahasohet për nga rëndësia, asgjë tjetër nuk krahasohet për nga madhështia. …

Kur flasim për mbledhjen, po themi thjesht këtë të vërtetë themelore: çdonjëri nga fëmijët e Atit tonë Qiellor, në të dyja anët e velit e meriton ta dëgjojë mesazhin e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit. Ata e vendosin vetë a dëshirojnë të dinë më shumë.” (Rasëll M. Nelson, “Shpresa e Izraelit” [takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018], material shtesë për revistat Ensign dhe New Era, f. 4, ChurchofJesusChrist.org; germat e pjerrëta në origjinal)

Përhapja e Ungjillit

Pamja
ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 123:12, duke kërkuar atë që Zoti i mësoi Profetit Jozef Smith rreth shumë njerëzve që verbohen nga “dinakëria … e njerëzve”.

Mendoni rreth mësimit që merrni nga ky varg, ndërkohë që reflektoni për këtë ftesë nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e cila na nxit të ndihmojmë në veprën e shpëtimit në mënyra të reja:

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“Zoti po e përshpejton veprën e Tij dhe nuk është rastësi që … risitë dhe shpikjet e fuqishme të komunikimit po ndodhin në periudhën ungjillore të plotësisë së kohëve. Kanalet e mjeteve shoqërore të komunikimit janë mjete botërore që mund të ndikojnë personalisht dhe pozitivisht mbi një mori të madhe individësh e familjesh. Dhe unë besoj se ka ardhur koha për ne si dishepuj të Krishtit që t’i përdorim këto mjete të frymëzuara siç duhet dhe më me efektshmëri për të dëshmuar për Perëndinë, Atin e Amshuar, planin e Tij të lumturisë për fëmijët e Tij; dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin, si Shpëtimtarin e botës; për të shpallur realitetin e Rivendosjes së ungjillit në ditët e mëvonshme dhe për të plotësuar veprën e Zotit.” (David A. Bednar, “To Sweep the Earth as with a Flood” [takim shpirtëror nga Java e Edukimit në Universitetin “Brigam Jang”, 19 gusht 2014], ChurchofJesusChrist.org)

Dhënia e Shërbesës

Gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri, Shpëtimtari u dha mësim dishepujve se Ai “nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer” (Mateu 20:28). Ai dha shërbesë ndërsa “e përshkoi vendin duke bërë mirë” (Veprat e Apostujve 10:38). Në një zbulesë dhënë Jozef Smithit, Zoti e ftoi Frederik G. Uilliamsin t’u jepte shërbesë të tjerëve.

Pamja
ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 81:5.

Në mënyrë të ngjashme, ne jemi thirrur që të japim shërbesë. Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Unë jap dëshminë time që këto përshtatje [nga mësimet e shtëpisë dhe vizitat mësimore te dhënia e shërbesës] janë … sidoqoftë prova të mëtejshme se Zoti po e përshpejton punën e Tij në kohën e vet. …

… Punofshim krah për krah me Zotin e vreshtit [shih Jakobi [LiM] 5:70–72], për t’i dhënë Perëndisë dhe Atit tonë një dorë ndihmuese në këtë detyrë shumë kërkuese të Tij për t’iu përgjigjur lutjeve, për të dhënë ngushëllim, për të tharë lot dhe për të forcuar gjunjët e këputur [shih Doktrina e Besëlidhje 81:5]. Nëse do ta bëjmë atë, ne do të jemi më shumë si dishepujt e vërtetë të Krishtit që kemi për qëllim të jemi.” (Xhefri R. Holland, “Jini me Ta e Forcojini Ata”, Ensign ose Liahona, maj 2018, f. 101, 103)

Motra Linda K. Barton, ish‑Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, gjithashtu tha:

Pamja
Motra Linda K. Barton

“Përfytyrojini me mua disa nga afishet e mundshme shpirtërore që shënojnë ʻkërkohet ndihmëʼ, të lidhura me punën e shpëtimit:

  • Kërkohet ndihmë: prindër që t’i rritin fëmijët e tyre në dritë e të vërtetë

  • Kërkohet ndihmë: bija e bij, motra e vëllezër, emta e ungjër, kushërira dhe gjyshër e gjyshe dhe miq të vërtetë për të shërbyer si këshillues dhe për të dhënë një dorë ndihme nëpër shtegun e besëlidhjes

  • Kërkohet ndihmë: ata që i dëgjojnë nxitjet e Frymës së Shenjtë dhe veprojnë sipas përshtypjeve që marrin

  • Kërkohet ndihmë: ata që e jetojnë ungjillin përditë në mënyra të vogla e të thjeshta

  • Kërkohet ndihmë: punonjës të historisë familjare dhe punonjës tempulli për t’i lidhur familjet në përjetësi

  • Kërkohet ndihmë: misionarë dhe anëtarë për të përhapur ‘lajmin e mirëʼ – ungjillin e Jezu Krishtit

  • Kërkohet ndihmë: shpëtues për të gjetur ata që e kanë humbur udhën e tyre

  • Kërkohet ndihmë: mbajtës të besëlidhjeve që të qëndrojnë të palëkundur për të vërtetën dhe drejtësinë

  • Kërkohet ndihmë: dishepuj të vërtetë të Zotit Jezu Krisht …

… Nuk ka rëndësi nëse nuk jemi ende të përsosura dhe të plotësuara. … Ne mund të ecim të bashkuara në një, si dishepulle, si shërbëtore me zemra e duar të gatshme për të përshpejtuar punën e shpëtimit. Teksa e bëjmë këtë, ne do të bëhemi si Shpëtimtari.” (Linda K. Burton, “Kërkohen: Duar dhe Zemra për Përshpejtimin e Punës”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 124)

Nderimi i Ditës së Shabatit

Pamja
ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni te Doktrina Besëlidhje 59:9–10 për të mësuar atë që Zoti ua dha mësim shenjtorëve të Tij rreth mbajtjes së ditës së Shabatit të shenjtë.

Presidenti M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim sa vijon rreth fuqisë së nderimit të ditës së Shabatit:

Pamja
Presidenti M. Rasëll Ballard

“Nga të gjitha ndryshimet organizative ose në rregullore apo trajnimet doktrinore që mund të përshpejtojnë veprën e shpëtimit në këtë kohë, ne kemi vendosur që lartësimi i shpirtit dhe i fuqisë së ditës së Shabatit do të ishte mënyra më e fuqishme për t’i afruar anëtarët dhe familjet më pranë Zotit Jezu Krisht.” (M. Russell Ballard, në Chad H. Webb, “The Sabbath Day” [transmetim satelitor për Seminaret dhe Institutet e Fesë, 4 gusht 2015], ChurchofJesusChrist.org)

Pamja
ikonë, shënoni

Shënojini Mendimet Tuaja

Çfarë prove të mëtejshme keni parë se Zoti po e përshpejton veprën e Tij, në ditët e sotme? Cilat janë disa mënyra konkrete, me anë të të cilave do të donit të ndihmonit në veprën e Zotit? Mbajini shënim mendimet tuaja në ditarin tuaj ose në hapësirën e dhënë më poshtë.