Instituti
Mësimi 17 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Qëndroni Besnikë mes Kundërshtimit dhe Mundimit


“Mësimi 17 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Qëndroni Besnikë mes Kundërshtimit dhe Mundimit”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (2019)

“Mësimi 17 Materiali i Përgatitjes së Klasës”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes

Mësimi 17 Materiali i Përgatitjes së Klasës

Qëndroni Besnikë mes Kundërshtimit dhe Mundimit

Pamja
Natë e Ftohtë në Misuri, nga Joseph Brickey

Ne të gjithë kemi përvoja që e vënë në provë besimin tonë. Një nga sfidat tona në jetë është të mbetemi guximtarë dhe të palëkundur ndaj Perëndisë kur përballemi me ato kohë të vështira. Ndërsa studioni materialin vijues, kërkoni parime që mund t’ju ndihmojnë për t’ju udhërrëfyer gjatë sprovave të besimit.

Pjesa 1

Çfarë shqetësimesh përjetuan shenjtorët në Kirtland të Ohajos në fundin e viteve 1830?

“Gjunjët e shumë prej burrave më të fuqishëm në Kishë, u ligështuan”, tha Brigam Jangu për krizën që e mbërtheu Kishën në vitin 1837 (Mësimet e Presidentëve të Kishës; Jozef Smith [2009], f. 338). Vetëm një vit më parë shenjtorët kishin përjetuar paqe dhe një derdhje zbulese në përkushtimin e Tempullit të Kirtlandit. Por në muajt që e pasuan përkushtimin, një “shpirt i spekulimit” që e kishte pushtuar kombin, gjithashtu filloi të përhapej mes shenjtorëve. Kirtlandi “dukej se po lëvizte drejt begatisë së madhe”, shkroi Hibër C. Kimballi, “dhe të gjithë ishin të vendosur të bëheshin të pasur; sipas ndjenjave të mia ato ishin pasuri artificiale ose imagjinare. Kjo pamje e begatisë i bëri shumë prej shenjtorëve të besonin se koha kishte mbërritur që Zoti t’i pasuronte me thesaret e tokës dhe duke besuar kështu, kjo i nxiti drejt orvatjeve të mëdha, kaq shumë sa dy prej Të Dymbëdhjetëve, Lajmën E. Xhonsoni dhe Xhon F. Bojtoni, shkuan në Nju‑Jork dhe blenë të mira materiale në shumën e 20 000 dollarëve dhe nisën biznesin e tregtisë, duke marrë borxh një shumë të konsiderueshme parash nga Polli Vosi dhe shenjtorë të tjerë në Boston dhe në krahinat përreth, shuma të cilat nuk i kanë kthyer kurrë” (në Orson F. Whitney, The Life of Heber C. Kimball [1888], f. 111–112).

Një shpirt krenarie, kritike dhe braktisjeje filloi të përhapej mes shumë prej shenjtorëve. Eliza R. Snou kujtoi:

“Shumë vetë që kishin qenë të përulur dhe besnikë në përmbushjen e çdo detyre, … po bëheshin arrogantë në shpirtin e tyre dhe ishin ngritur në kryelartësinë e zemrave të tyre. Ndërsa shenjtorët përqafuan dashurinë dhe shpirtin e botës, Shpirti i Zotit u tërhoq prej zemrave të tyre.” (Te Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 338)

Pavarësisht nga iluzioni i begatisë, trysnitë financiare mbi Kishën ishin të larta pas shpenzimit për ndërtimin e një tempulli dhe blerjen e tokës, gjë që e kishte bërë Kishën të grumbullonte një borxh prej dhjetëra mijëra dollarësh. Tani, në Kirtland dhe në Misuri, shenjtorët e patën të vështirë ta ndiqnin urdhrin e Zotit për të blerë madje më shumë tokë dhe për të ndërtuar koloni të reja në Far‑Uest dhe në kontenë Xhekson. Në përpjekje për të ndihmuar që të lehtësoheshin trysnitë financiare të Kishës, Jozef Smithi dhe udhëheqës të tjerë të Kishës krijuan një bankë të vogël, të quajtur Shoqëria e Sigurisë së Kirtlandit. Shumë shenjtorë blenë aksione në bankën e re, përfshirë Jozefin. Shumë shenjtorë besonin se e ardhmja do të sillte begati e pasuri nëse ishin besnikë.

Pamja
kartëmonedhë pesëdollarëshe e bankës së Kirtlandit

Por si rrjedhojë e një depresioni ekonomik mjaft të përhapur në fillim të vitit 1837, shumë banka dështuan anembanë Shteteve të Bashkuara. Një panik ekonomik në të gjithë kombin, së bashku me kundërshtimin e rëndë nga disa qytetarë joanëtarë, luajtën rol në dështimin e Shoqërisë së Sigurisë të Kirtlandit rreth shtatë muaj pasi u hap. Dyqind investues në bankë humbën pothuajse gjithçka, me Jozef Smithin që pësoi humbjet më të mëdha.

Edhe pse shumica e shenjtorëve u përgjigjën me besim, duke qëndruar të vërtetë ndaj dëshmive të tyre gjatë kësaj periudhe prove, shumë të tjerë, përfshirë disa udhëheqës të Kishës, ia hodhën fajin Jozef Smithit për problemet e tyre financiare. Disa veta shpallën se ai ishte një profet i rënë dhe dëshironin të caktohej një President i ri i Kishës në vend të tij.

Pjesa 2

Çfarë mund të bëj për të qëndruar i fortë dhe i palëkundur kur besimi im vihet në provë?

Pamja
hartë e Shteteve të Bashkuara verilindore

Në fillim të vitit 1837, Tomas B. Marshi, i cili ishte Presidenti i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, po ndihmonte për udhëheqjen e Kishës në Misuri. Pasi mësoi se disa anëtarë të kuorumit ishin bërë kritikues ndaj Jozef Smithit dhe kishin filluar të grindeshin me njëri‑tjetrin, Tomasi udhëtoi për në Kirtland të Ohajos, duke shpresuar që t’i bashkonte Të Dymbëdhjetët.

Në udhë e sipër drejt Kirtlandit, Tomasi mësoi se Profeti i kishte thirrur dy anëtarë të kuorumit që të shërbenin në Angli. Tomasi besonte se si president i kuorumit ishte detyra e tij që t’i thërriste ata në misione. Kur Tomasi mbërriti në Kirtland, ai i tregoi Jozef Smithit për shqetësimet e veta dhe Profeti mori një zbulesë me këshillë për Tomasin (shih Revelations in Context [2016], f. 55–57).

Teksa i lexoni fjalët e Zotit ndaj Tomasit, merreni parasysh se çfarë këshille dhe cilat të vërteta nga ky fragment mund ta ndihmojnë dikë që po has vështirësi me besimin e vet. Merreni parasysh të shenjoni atë që gjeni.

Pamja
ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 112:10, 12–15.

Pamja
ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Cilat parimet të shënuara në këtë zbulesë mund t’ju ndihmojnë të mbeteni të fortë e të palëkundur gjatë sprovave të besimit tuaj?

Pjesa 3

Si mund të na përgatitë fatkeqësia që të mësojmë gjërat më të rëndësishme?

Disa prej njerëzve në Kirtland, të cilët ishin larguar nga Kisha, u përpoqën ta vrisnin Jozef Smithin. I paralajmëruar nga Zoti në një zbulesë, ai dhe Sidni Rigdoni u larguan gjatë natës dhe udhëtuan drejt Far‑Uestit në Misuri, duke mbërritur atje në mars 1838. Gjatë verës dhe vjeshtës së po atij viti, keqkuptimet dhe mosmarrëveshjet midis banorëve të Misurit dhe anëtarëve të Kishës çuan drejt një konflikti me armë në Misurin verior. Duke u mbështetur te raporte të tepruara të këtij konflikti, guvernatori i Misurit nxori një urdhër shfarosjeje për t’i dëbuar me forcë shenjtorët nga shteti. Pak kohë pas kësaj, në nëntor 1838, Profetin Jozef Smith dhe udhëheqës të tjerë të Kishës i arrestuan, i akuzuan padrejtësisht për tradhti kundër shtetit dhe përfundimisht i burgosën në burgun e Libertisë në kontenë Klei të Misurit.

Pamja
fotografi e burgut të Libertisë

Fotografi historike e burgut të Libertisë në Misuri

“Jeta në burg e lodhi Jozefin. Ngacmuesit do të hidhnin fshehurazi vështrime përmes dritareve me hekura për ta parë ose për t’i bërtitur sharje atij. Ai dhe të burgosurit e tjerë shpesh nuk kishin asgjë përveçse pak bukë misri për të ngrënë. Kashta që e kishin përdorur si shtrat që nga dhjetori, tashmë ishte konsumuar dhe nuk jepte aspak rehati. Kur ndiznin zjarr që të përpiqeshin për t’u ngrohur, biruca mbushej me tym dhe i mbyste. …

Që nga marrja e thirrjes së tij hyjnore, Jozefi kishte shkuar përpara duke u përballur me kundërshtimin, duke u përpjekur fort t’i bindej Zotit dhe të mblidhte shenjtorët. Dhe prapëseprapë, pavarësisht nga sa shumë kishte lulëzuar gjatë viteve kisha, tani dukej se ajo ishte në pragun e shkatërrimit.

Turmat i kishin dëbuar shenjtorët nga Sioni në kontenë Xhekson. Mospajtimi mes anëtarëve e kishte ndarë kishën në Kirtland dhe e kishte lënë tempullin në duart e huadhënësve. Dhe tani, pas një lufte të tmerrshme me fqinjët e tyre, shenjtorët ishin shpërndarë përgjatë bregut lindor të lumit Misisipi, të dëshpëruar dhe të pastrehë. …

[Jozefi e ndjeu se] shenjtorët ishin njerëz të mirë që e donin Perëndinë. Ata nuk e meritonin tʼi nxirrnin me forcë prej shtëpive të tyre, tʼi rrihnin dhe tʼi linin që të vdisnin.” (Saints: The Story of the Church of Jesus Christ in the Latter Days, vëll. 1, The Standard of Truth, 1815–1846 [2018], f. 384–385)

Pamja
Jozef Smithi në Burgun e Libertisë, nga Greg K. Olsen

Në një letër drejtuar udhëheqësve dhe shenjtorëve të Kishës në Kirtland, Jozefi bëri thirrje plot lutje: “O Perëndi, ku je ti? Për sa kohë do të frenohet dora jote dhe syri yt … do të shohë nga qiejt e përjetshëm gabimet e popullit tënd e të shërbëtorëve të tu dhe veshi yt të përshkohet nga thirrjet e tyre?” (Doktrina e Besëlidhje 121:1–2).

Mendoni për një kohë kur u ndeshët me kundërshtim dhe i bëtë thirrje Perëndisë për ndihmë. Teksa studioni fjalët vijuese që Zoti ia tha Jozefit në burgun e Libertisë, përfytyroni se Zoti po jua thotë ato juve. Merreni parasysh t’i shenjoni frazat dhe parimet që ju bëjnë përshtypje.

Pamja
ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 121:7–10 dhe Doktrina e Besëlidhje 122:7–9.

Pamja
ikonë, shënoni

Shënojini Mendimet Tuaja

Në ditarin tuaj ose në hapësirën e dhënë, shënoni fjalët dhe parimet që ju lanë mbresa nga fragmentet e shkrimeve të shenjta më lart. Bëhuni gati të tregoni në orën mësimore atë që lexuat. A e keni përjetuar vetë vërtetësinë e parimeve të Zotit, të dhëna mësim Jozef Smithit në burgun e Libertisë?