Instituti
Mësimi 25 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Vijimësia në Presidencë dhe Rrugëtimi drejt Perëndimit


“Mësimi 25 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Vijimësia në Presidencë dhe Rrugëtimi drejt Perëndimit”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (2019)

“Mësimi 25 Materiali i Përgatitjes së Klasës”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes

Pamja
Të Çash Përpara, Gjithmonë Përpara, nga Glen S. Hopkinson

Brigam Jangu vështron shenjtorët teksa largohen nga Navuja.

Mësimi 25 Materiali i Përgatitjes së Klasës

Vijimësia në Presidencë dhe Rrugëtimi drejt Perëndimit

Pas shpalljes së vdekjes së Jozef dhe Hajrëm Smithit, një artikull gazete e mbylli me frazën: “Kështu mbaron mormonizmi” (Weekly Herald, 13 korrik 1844, f. 220). Me vdekjen e Profetit Jozef, shumë vëzhgues që nuk ishin anëtarë, besuan se Kisha do të shpërbëhej. Dhe anëtarët e Kishës vunë në pikëpyetje se kush do t’i udhëhiqte. Teksa e studioni këtë material mësimor, kërkoni mënyra se si Zoti vazhdon ta udhërrëfejë Kishën e Tij pas vdekjes së profetit.

Pjesa 1

Kush e udhëheq Kishën e Zotit kur vdes profeti?

Kryeni një nga mundësitë vijuese për këtë pjesë:

  1. Shihni materialin filmik “The Succession Crisis after Joseph Smith’s Murder” (08:03) dhe më pas përfundojeni veprimtarinë e përsiatjes në fund të kësaj pjese.

  2. Studiojeni materialin vijues dhe më pas përfundojeni veprimtarinë e përsiatjes.

Një ndjenjë zymtie ra mbi Navunë me vdekjen e Jozef dhe Hajrëm Smithit. Gjatë kësaj periudhe pështjellimi, disa njerëz pretendonin se kishin të drejtën ta udhëhiqnin Kishën. Një ndër këta njerëz ishte Sidni Rigdoni.

Në kohën e vdekjes së Jozefit, Brigam Jangu dhe Apostujt e tjerë po shërbenin në misione në lindje të Shteteve të Bashkuara. Vetëm më 16 korrik 1844 Brigam Jangu mori një letër e cila përshkruante vrasjen e Jozef dhe Hajrëm Smithit.

“Kur e lexoi letrën, Brigamit iu duk sikur iu shemb bota. Nuk kishte ndier kurrë dëshpërim të tillë.

Mendimi i shkoi menjëherë te priftëria. Jozefi i kishte mbajtur të gjithë çelësat e nevojshëm për t’u dhënë dhurime [indaumente] shenjtorëve dhe për t’i vulosur ata së bashku për përjetësinë. Pa ata çelësa, puna e Zotit nuk mund të shkonte përpara. Për një çast, Brigami pati frikë se Jozefi i kishte marrë çelësat me vete në varr.

Pastaj, me një vërshim zbulese, Brigami u kujtua se si Jozefi ua kishte dhënë çelësat Dymbëdhjetë Apostujve. Duke e përplasur fort dorën mbi gju, ai tha: ‘Çelësat e mbretërisë janë pikërisht këtu me kishënʼ.” (Saints: The Story of the Church of Jesus Christ in the Latter Days, vëll. 1, The Standard of Truth, 1815–1846 [2018], f. 559)

Më 7 gusht 1844, Të Dymbëdhjetët dhe udhëheqës të tjerë të Kishës u mblodhën në këshill. Gjatë kësaj mbledhjeje Sidni Rigdoni, i cili ndiente pakënaqësi ndaj Kishës, deklaroi që për shkak se më përpara ai ishte thirrur dhe shuguruar si zëdhënës për Jozef Smithin (shih Doktrina e Besëlidhje 100:9), ishte përgjegjësia e tij të “kujdesej që kisha të qeverisej në mënyrën e duhur” (në History, 1838–1856 [Manuscript History of the Church], vëllimi F-1, f. 295, josephsmithpapers.org).

Pasi Sidni mbaroi së foluri, Brigam Jangu shpalli:

Pamja
Presidenti Brigam Jang

“Jozefi dha mbi kokat [e Dymbëdhjetë Apostujve] të gjithë çelësat dhe fuqitë që i përkasin apostullimit, të cilat përpara se të vritej i mbante vetë ai”. (Brigham Young, në History, 1838–1856, vëllimi F-1, f. 296, josephsmithpapers.org)

Ditën tjetër, shenjtorët në Navu u mblodhën që të dëgjonin pretendimin e Sidni Rigdonit për të marrë udhëheqjen. Pas fjalimit të tij, Brigam Jangu foli shkurtimisht, duke mbështetur idenë që Kuorumi i Të Dymbëdhjetëve, i cili bashkërisht mbante të gjithë çelësat e priftërisë që iu rivendosën Profetit Jozef Smith, ta udhëhiqte Kishën në atë kohë.

“Ndërkohë që Emili [Hojti] e dëgjonte Brigamin të fliste, hodhi një vështrim të shpejtë drejt tij për t’u siguruar se nuk ishte Jozefi duke folur. Ai kishte shprehitë e Jozefit, mënyrën e tij të arsyetimit, madje edhe tingullin e zërit të tij. …

Shtatë vjet më vonë, Emilia e shënoi përvojën e saj për rastin kur e pa Brigamin t’u fliste shenjtorëve, duke dëshmuar se sa shumë ai ngjante dhe tingëllonte si Jozefi te foltorja. Vitet që pasuan, duzina shenjtorë do tʼia shtonin dëshmitë e tyre dëshmisë së saj, duke përshkruar se si atë ditë e panë mantelin profetik të Jozefit të binte mbi Brigamin.” (Saints, 1:565–566)

Uillford Udrafi shkroi: “Nëse nuk do ta kisha parë atë [Brigamin] me sytë e mi, askush nuk do të më bindte dot se ai nuk ishte Jozef Smithi” (në History of the Church, 7:236).

Me deklaratën e Brigam Jangut në lidhje me Jozefin që ua dorëzoi çelësat dhe fuqitë e apostullimit Të Dymbëdhjetëve dhe me dëshminë pohuese të Frymës së Shenjtë, shenjtorët e kuptuan vullnetin e Zotit dhe e mbështetën Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve si udhëheqësit e Kishës së rivendosur të Jezu Krishtit.

Pamja
ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Merreni parasysh se si Ati Qiellor i bëri të ditur vullnetin e Tij dhe dashurinë e Tij për shenjtorët duke u treguar se Brigam Jangu dhe Të Dymbëdhjetët do ta udhëhiqnin Kishën. Si keni arritur ta dini se ata që e udhëheqin sot Kishën, zgjidhen dhe thirren nga Perëndia?

Pjesa 2

Si mund të na udhërrëfejë Zoti kur e ardhmja duket e pasigurt?

Në janar të vitit 1846, mes përndjekjes së shtuar kundrejt shenjtorëve, Të Dymbëdhjetë Apostujt i përmbyllën planet për t’u larguar nga Navuja dhe për të shkuar në perëndim. Në vitin 1842 Jozef Smithi kishte profetizuar “se shenjtorët do të vazhdonin të vuanin shumë të këqija e do të detyroheshin të shkonin në Malet Shkëmbore, … [të ngrinin] koloni … dhe të ndërtoni[n] qytete dhe … të bëhe[shin] një popull i fuqishëm në mes të Maleve Shkëmbore” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2007], f. 552–553).

Pamja
Brigam Jangu vështron shenjtorët teksa largohen nga Navuja.

Brigam Jangu i udhëheq shenjtorët gjatë largimit nga Navuja.

Ndërkohë që shenjtorët po përgatiteshin për t’u larguar nga Navuja, ata gjithashtu punuan për të përfunduar tempullin e Navusë. Kur iu afrua përfundimit, mijëra shenjtorë u dyndën në tempull ditë e natë për të marrë dhurimin [indaumentin] dhe ordinancat vulosëse. Motra Sara Riçi vëzhgoi:

Pamja
Sara Riç

“Po të mos kishte qenë për besimin dhe njohurinë që na u dhurua në atë tempull me anë të ndikimit dhe ndihmës së Shpirtit të Zotit, udhëtimi ynë do të kishte qenë sikur të ecnim me sy mbyllur. … Por ne kishim besim tek Ati ynë Qiellor dhe e vumë mirëbesimin tonë tek Ai, duke e ndier se ishim populli i Tij i zgjedhur.” (Sarah Rich, në Daughters in My Kingdom: The History and Work of Relief Society [2011], f. 30)

Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, foli për shenjtorët që ishin në atë kohë në Navu:

Pamja
Plaku Robert D. Hejls

“Besëlidhjet e tyre me Zotin në Tempullin e Navusë ishin një mbrojtje për ta gjatë udhëtimit të tyre drejt perëndimit, sikurse është për secilin prej nesh sot dhe gjatë gjithë jetës sonë”. (Robert D. Hales, “Temple Blessings”, New Era, shkurt 2014, f. 4)

Teksa përndjekja shtohej, shenjtorët i përmbyllën planet e tyre dhe grupi i parë i madh i shenjtorëve e nisi udhëtimin përmes shtetit të Ajouës në shkurt të vitit 1846. Ata u përballën me mot të ashpër dimri, furnizime ushqimore të pamjaftueshme dhe çorganizim. Pranvera solli shi të vazhdueshëm, përrenj të fryrë nga uji dhe baltë, duke e kufizuar udhëtimin e shenjtorëve në vetëm 483 km për 131 ditë. Si rrjedhojë e këtyre vonesave dhe shterimit të burimeve, Brigam Jangu e ndërpreu udhëtimin dhe ngriti një stacion rrugor që e quajti Lagjet Dimërore. Deri nga vjeshta, popullsia në Lagjet Dimërore ishte shtuar në më shumë se 7 000 njerëz.

Pamja
Lagjet Dimërore, nga Greg Olsen

Shumë veta u sëmurën nga kequshqyerja dhe nga të ftohtit dhe disa njerëzve po u sfidohej besimi. Këto rrethana të vështira e bënë dimrin e vitit 1846–1847 ndër periudhat më të vështira të jetës së Brigam Jangut. Ai ndihej “si një atë me një familje të madhe me fëmijë rreth [tij]” dhe më vonë kujtoi se përgjegjësitë e tij rënduan mbi të sikur të ishin “një peshë prej njëzet e pesë tonësh” (“This Shall Be Our Covenant”, Revelations in Context [2016], f. 307–308; shih edhe Saints: The Story of the Church of Jesus Christ in the Latter Days, vëll. 2, No Unhallowed Hand, 1846–1893 [2020], f. 40–44, 46–51).

Me këtë peshë mbi vete, Brigam Jangu iu përgjërua Zotit për udhërrëfim dhe mori një zbulesë që përbënte “Fjal[ën] dhe Vullneti[n] e Zotit lidhur me Kampin e Izraelit në udhëtimet e tyre drejt Perëndimit” (Doktrina e Besëlidhje 136:1). Teksa studioni pjesët vijuese të kësaj zbulese, merreni parasysh t’i shenjoni udhëzimet e Zotit dhe premtimet e bëra shenjtorëve.

Pamja
ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 136:2, 8, 10–11, 21–22.

Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, dha një ide të rëndësishme për kohën se kur u dha zbulesa, e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 136. Ai tha:

Pamja
Presidenti Dallin H. Ouks

“Baza për çdo përpjekje për marrjen e zbulesës është një zotim që të bëjmë gjithçka mundemi me vetë përpjekjet dhe gjykimin tonë. Kjo do të thotë se ne kemi nevojë të shërbejmë dhe të punojmë.

Vazhdimi i mëtejshëm i shërbimit dhe i punës nga ana jonë është një mënyrë e rëndësishme që të kualifikohemi për zbulesë. Gjatë studimit tim të shkrimeve të shenjta kam vënë re se më së shumti zbulesa e dhënë fëmijëve të Perëndisë vjen kur ata janë në lëvizje, jo ndërkohë që janë të ulur në banesat e tyre duke pritur që Zoti t’u tregojë hapin e parë që duhet të ndërmarrin.

Për shembull, është e rëndësishme të theksosh se zbulesa e njohur si ‘Fjala dhe Vullneti i Zotit lidhur me Kampin e Izraelitʼ (DeB 136:1) nuk u dha në Navu ndërkohë që Kuorumi i Të Dymbëdhjetëve planifikonte eksodin nga Navuja; … as nuk u dha në brigjet perëndimore të lumit Misisipi. … Zbulesa për udhërrëfimin lidhur me lëvizjen e shenjtorëve përmes rrafshinave u dha më 14 janar 1847, kur shenjtorët kishin përshkuar tashmë një të tretën e rrugës drejt luginave midis maleve.” (Dallin H. Oaks, “In His Own Time, in His Own Way”, Ensign, gusht 2013, f. 22, 24)

Shqyrtojeni për një minutë se si kjo ide nga Presidenti Ouks mund të gjejë zbatim për pyetjet dhe vendimet tuaja vetjake që kanë ndikim në të ardhmen tuaj.

Pamja
Pionierët Hyjnë në Luginën e Solt-Lejkut, nga King Driggs

Nga fillimi i prillit të 1847-ës, Brigam Jangu u largua nga Lagjet Dimërore me kompaninë e parë të shenjtorëve. Ata udhëtuan 1 660 kilometra për katër muaj dhe mbërritën në luginën e Solt-Lejkut më 24 korrik 1847. Uillford Udrafi shënoi që kur Brigam Jangu e pa luginën, “ai u mbërthye në vegim për disa minuta. … Kur vegimi u mbyll, ai tha: ‘Mjafton. Ky është vendi i duhur. Vazhdoni përpara’” (në Teachings of Presidents of the Church: Wilford Woodruff [2004], f. 146). Deri në tetor, rreth 1 700 shenjtorë ishin vendosur në Jutë. Gjithsesi, rreth 10 000 njerëz të tjerë jetonin ende përgjatë lumit Misisipi në Ajoua dhe Nebraska dhe do të udhëtonin drejt perëndimit brenda pesë viteve të ardhshme (shih “Sustaining a New First Presidency in 1847”, ChurchofJesusChrist.org).

Për më shumë se tre vjet, Dymbëdhjetë Apostujt e kishin udhëhequr Kishën në mungesë të Presidencës së Parë. Në dhjetor të vitit 1847, Apostujt u takuan në Kansëll‑Bllëfs të Ajouas, ku ende jetonin shumë prej shenjtorëve. Ata u mblodhën në një shtëpi të vogël prej druri për të diskutuar rreth riorganizimit të Presidencës së Parë. “Një manifestim i madh i Shpirtit të Shenjtë u derdh mbi ata që ishin të pranishëm” dhe Të Dymbëdhjetët e mbështetën njëzëri Brigam Jangun, Apostullin më të vjetër në atë detyrë, si Presidentin e Kishës (Autobiography of Bathsheba W. Smith, f. 12, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti; germëzimi është standardizuar; shih edhe Saints, 2:87–89, f. 92–95).

Pamja
ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Mendoni se si Zoti i udhërrëfeu shenjtorët teksa udhëtonin drejt luginës së Solt-Lejkut. Si e keni ndier udhërrëfimin e Zotit në jetën tuaj? Ku mund të përqendroheni për të marrë udhërrëfim më të madh nga Zoti?