2010–2019
Mësoni nga Alma dhe Amuleku
Tetor 2016


Mësoni nga Alma dhe Amuleku

Është shpresa ime se, ata që janë larguar nga shtegu i dishepullimit, do të shohin me zemrat e tyre dhe do të mësojnë nga Alma dhe Amuleku.

Alma i Riu

Midis personazheve më të paharrueshme në shkrimin e shenjtë është Alma i Riu. Megjithëse qe biri i një profeti të madh, ai e humbi rrugën për njëfarë kohe dhe u bë një “njeri shumë i keq dhe idhujtar”. Për arsye që vetëm mund t’i hamendësojmë, ai e kundërshtoi aktivisht të atin dhe kërkoi që ta shkatërronte Kishën. Dhe, për shkak të gojëtarisë dhe aftësisë së tij bindëse, ai përjetoi sukses të madh.1

Por jeta e Almës ndryshoi kur një engjëll i Zotit iu shfaq atij dhe i foli me zërin e një rrufeje. Për tri ditë e tri netë, Alma “u tortur[ua] nga një mundim i përjetshëm, … madje edhe me dhembjet e një shpirti të mallkuar”. Dhe më pas, në njëfarë mënyre, një kujtim i zbehtë solli dritë në errësirën e mendjes së tij – një e vërtetë e përjetshme, e dhënë mësim nga i ati: që Jezu Krishti do të vinte “të shlye[nte] mëkatet e botës”. Alma i kishte hedhur poshtë për një kohë të gjatë koncepte të tilla, por tani “mendja [e tij] po … përqendrohej në këtë mendim” dhe ai me përulësi e zell e vendosi mirëbesimin e tij në fuqinë shlyese të Krishtit.2

Kur Alma doli nga kjo përvojë, ai qe një njeri i ndryshuar. Që nga ai çast e më tej, ai ia përkushtoi jetën e tij zhbërjes së dëmit që kishte shkaktuar. Ai është një shembull i fuqishëm i pendimit, faljes dhe besnikërisë së qëndrueshme.

Alma përfundimisht u zgjodh të pasonte të atin si kreu i Kishës së Perëndisë.

Çdo qytetar i kombit nefit duhet ta ketë ditur historinë e Almës. Twitter-ët, Instagram-ët dhe Facebook-ët e kohës së tij do të ishin mbushur me pamje dhe histori rreth tij. Ai me shumë gjasë shfaqej rregullisht në kapakun e Zarahemla Weekly [Zarahemlës Javore] dhe ishte tema e kryeartikujve dhe programeve të veçanta televizive. Me pak fjalë, ai ndoshta qe njeriu më me famë i kohës së tij.

Por, kur Alma pa që populli i tij po e harronte Perëndinë dhe po ngrihej në krenari e grindje, ai zgjodhi të jepte dorëheqjen nga një detyrë publike dhe t’ia përkushtonte veten “tërësisht kryepriftërisë së urdhrit të shenjtë të Perëndisë”3, duke predikuar pendim midis nefitëve.

Në fillim, Alma pati sukses të madh – që do të thotë, derisa ai udhëtoi për në qytetin e Amonihës. Njerëzit e atij qyteti ishin më se të vetëdijshëm që Alma nuk ishte më udhëheqësi i tyre politik, dhe ata nuk kishin respekt për autoritetin e tij të priftërisë. Ata e shanë, e tallën dhe e dëbuan nga qyteti i tyre.

Zemërthyer, Alma ia ktheu shpinën qytetit të Amonihës.4

Por një engjëll i tha të kthehej.

Thjesht mendoni për këtë: atij iu tha të kthehej te njerëzit që e urrenin atë dhe ishin armiqësorë ndaj Kishës. Ishte një detyrë e rrezikshme, ndoshta kërcënuese për jetën. Por Alma nuk ngurroi. “Ai u kthye me të shpejtë.”5

Alma kishte agjëruar për shumë ditë kur hyri në qytet. Ai e pyeti njërin, të cilin nuk e njihte fare, nëse “do t’i j[epte] një shërbëtori të përulur të Perëndisë diçka për të ngrënë”6.

Amuleku

Emri i këtij burri qe Amulek.

Amuleku qe një qytetar i pasur, shumë i njohur i Amonihës. Megjithëse vinte nga një prejardhje e gjatë besimtarësh, vetë besimi i tij ishte ftohur. Më vonë ai rrëfeu: “Unë u thirra shumë herë por nuk doja të dëgjoja; prandaj unë dija në lidhje me këto gjëra, por nuk doja t’i dija; prandaj unë vazhdova në rebelim kundër Perëndisë”7.

Por Perëndia po e përgatiste Amulekun dhe, kur ai e takoi Almën, ai e mirëpriti shërbëtorin e Zotit në shtëpinë e tij, ku Alma qëndroi për shumë ditë.8 Gjatë asaj kohe, Amuleku ia hapi zemrën e tij mesazhit të Almës dhe një ndryshim i mrekullueshëm ndodhi tek ai. Që prej asaj kohe, Amuleku jo vetëm besoi, por u bë edhe një mbrojtës i së vërtetës.

Kur Alma shkoi sërish për të dhënë mësim midis popullit të Amonihës, ai pati një dëshmitar të dytë në krah të tij – Amulekun, një prej njerëzve të tyre.

Ngjarjet që vijuan, përbëjnë një prej tregimeve më të lumtura, por dhe të trishtueshme në gjithë shkrimin e shenjtë. Ju mund të lexoni rreth tij tek Alma kapitujt 8–16.

Sot, do të doja t’ju kërkoja që të shqyrtonit dy pyetje:

Së pari: “Çfarë mund të mësoj nga Alma?”

Së dyti: “Në ç’mënyrë jam unë si Amuleku?”

Çfarë Mund të Mësoj nga Alma?

Më lejoni të filloj duke i bërë pyetjen të gjithë udhëheqësve të kaluar, aktualë apo të ardhshëm në Kishën e Jezu Krishit: “Çfarë mund të mësoni nga Alma?”

Alma qe një burrë shumë i talentuar dhe i aftë. Ndoshta ishte e lehtë të mendoje se ai nuk kishte nevojë për ndihmën e askujt. Megjithatë, çfarë bëri Alma kur u kthye në Amoniha?

Alma gjeti Amulekun dhe i kërkoi ndihmë.

Dhe Alma mori ndihmë.

Për çfarëdo arsye, nganjëherë ne si udhëheqës ngurrojmë që t’i gjejmë amulekët tanë dhe t’i pyesim ata. Ndoshta ne mendojmë se mund ta bëjmë punën më mirë vetëm, ose mëdyshemi që t’i bezdisim të tjerët, apo hamendësojmë se të tjerët nuk do të duan të marrin pjesë. Shumë shpesh ne ngurrojmë t’i ftojmë njerëzit që t’i përdorin talentet e tyre të dhëna nga Perëndia dhe të përfshihen në punën e madhe të shpëtimit.

Mendoni për Shpëtimtarin – a filloi Ai ta themelonte Kishën e Tij i vetëm?

Jo.

Mesazhi i Tij nuk ishte: “Rri atje. Mund ta bëj vetë”. Përkundrazi, ai qe: “Eja e më ndiq”9. Ai i frymëzoi, i ftoi, i udhëzoi dhe më pas u mirëbesoi pasuesve të Tij që “të bëni[n] gjërat që [e] k[ishin] parë të bë[nte]”10. Në këtë mënyrë, Jezu Krishti ndërtoi jo vetëm Kishën e Tij, por edhe shërbëtorët e Tij.

Në çfarëdo pozicioni që ju shërbeni tashmë – nëse ju jeni një president i kuorumit të dhjakëve, një president kunji, apo një President Zone – për të qenë të suksesshëm, ju duhet të gjeni amulekët tuaj.

Mund të jetë dikush që është i përulur ose madje i padukshëm brenda bashkësisë suaj. Mund të jetë dikush që duket jo i gatshëm apo jo në gjendje të shërbejë. Amulekët tuaj mund të jenë të rinj apo të vjetër, burra ose gra, pa përvojë, të lodhur ose jo aktivë në Kishë. Por ajo që mund të mos shihet me shikim të parë është se ata po shpresojnë për të dëgjuar nga ju fjalët: “Zoti ka nevojë për ty! Unë kam nevojë për ty!”

Thellë-thellë, shumë njerëz duan t’i shërbejnë Perëndisë së tyre. Ata duan të jenë një mjet në duart e Tij. Ata duan ta shtyjnë draprin e tyre dhe të përpiqen me fuqinë e tyre që ta përgatitin tokën për kthimin e Shpëtimtarit tonë. Ata duan ta ndërtojnë Kishën e Tij. Por ata mëdyshen që të fillojnë. Shpesh ata presin që kjo t’iu kërkohet.

Ju ftoj të mendoni për ata njerëz në degët dhe lagjet tuaja, në misionet dhe kunjet tuaja, të cilët kanë nevojë ta dëgjojnë thirrjen për të vepruar. Zoti ka qenë duke punuar me ta – duke i përgatitur ata, duke e zbutur zemrën e tyre. Gjejini ata duke parë me zemrën tuaj.

Zgjatuni dorën atyre. Mësojini ata. Frymëzojini ata. Pyetini ata.

Ndajini me ta fjalët që engjëlli i tha Amulekut – se bekimi i Zotit do të qëndrojë mbi ta dhe shtëpinë e tyre.11 Ju mund të habiteni kur të zbuloni një shërbëtor të guximshëm të Zotit, i cili përndryshe do të kishte mbetur i fshehur.

Në Ç’Mënyrë Jam Unë si Amuleku?

Ndërkohë që disa prej nesh duhet të kërkojnë një Amulek, për të tjerët pyetja mund të jetë: “Në ç’mënyrë jam unë si Amuleku?”

Ndoshta, me kalimin e viteve, ju jeni bërë më pak i zotuar në dishepullimin tuaj. Ndoshta zjarri i dëshmisë suaj është zbehur. Ndoshta ju e keni larguar veten tuaj nga trupi i Krishtit. Ndoshta jeni zhgënjyer ose madje jeni zemëruar. Ashtu si disa njerëz nga Kisha e lashtë e Efesit, ju mund të jeni larguar nga “dashuri[a juaj e] parë”12 – të vërtetat sublime, të përjetshme të ungjillit të Jezu Krishtit.

Ndoshta, ashtu si Amuleku, ju e dini në zemrën tuaj se Zoti ju ka “thirr[ur juve] shumë herë”, por “nuk do[nit] të dëgjo[nit]”.

Megjithatë, Zoti shikon te ju atë që Ai pa tek Amuleku – potencialin e një shërbëtori të guximshëm me një punë të rëndësishme për të bërë dhe me një dëshmi për të treguar. Ka shërbim që askush tjetër nuk mund ta japë në të njëjtën mënyrë. Zoti ju ka mirëbesuar me priftërinë e Tij të shenjtë, e cila ka potencialin hyjnor për t’i bekuar dhe lartësuar të tjerët. Dëgjoni me zemrën tuaj dhe ndiqini nxitjet e Shpirtit.

Rrugëtimi i një Anëtari

U preka nga rrugëtimi i një vëllai që i bëri vetes pyetjen: “Kur Zoti të më thërrasë, a do ta dëgjoj?” Do ta quaj këtë vëlla të mirë, Dejvid.

Dejvidi u kthye në besim në Kishë rreth 30 vjet më parë. Ai shërbeu në një mision dhe më pas vazhdoi shkollën për drejtësi. Ndërsa studionte dhe punonte për të mbështetur një familje të re, ai gjeti disa informacione për Kishën që e pështjelluan atë. Sa më shumë i lexonte këto materiale negative, aq më nervoz ndihej. Përfundimisht ai kërkoi që emri i tij të hiqej nga dokumentet e Kishës.

Që prej asaj kohe, ashtu si Alma në ditët e tij të rebelimit, Dejvidi kaloi shumë kohë duke debatuar me anëtarë të Kishës, duke u përfshirë në biseda në internet me qëllimin që t’i sfidonte bindjet e tyre.

E bënte shumë mirë këtë gjë.

Njërin prej anëtarëve, me të cilin ai debatoi, unë do ta quaj Jakob. Jakobi ishte gjithmonë i dashur dhe i respektueshëm me Dejvidin, por ishte edhe i vendosur për ta mbrojtur Kishën.

Me kalimin e viteve, Dejvidi dhe Jakobi krijuan një respekt dhe miqësi të ndërsjelltë. Ajo çka Dejvidi nuk e dinte, është se Jakobi po lutej për Dejvidin dhe e bëri këtë gjë me besnikëri për më shumë se një dekadë. Ai madje e shkroi emrin e mikut të tij për lutje në tempujt e Zotit dhe shpresoi që zemra e Dejvidit do të zbutej.

Me kalimin e kohës, ngadalë, Dejvidi ndryshoi. Ai filloi të kujtonte me mall përvojat shpirtërore që kishte pasur dikur, dhe solli ndër mend lumturinë që kishte ndier kur ishte një anëtar i Kishës.

Ashtu si Alma, Dejvidi nuk i kishte harruar plotësisht të vërtetat e ungjillit që i kishte përqafuar dikur. Dhe ashtu si Amuleku, Dejvidi ndjeu që Zoti i zgjati dorën e ndihmës. Dejvidi tani ishte partner në një firmë ligjore – një punë prestigjioze. Ai kishte krijuar një emër si një kritik i Kishës dhe ishte së tepërmi krenar që të kërkonte të ripranohej.

Megjithatë, ai vazhdoi ta ndiente tërheqjen e Bariut.

Ai e mori seriozisht shkrimin e shenjtë: “Në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t’i jepet”13. Ai u lut: “I dashur Perëndi, dua të jem sërish një shenjtor i ditëve të mëvonshme, por kam pyetje që kanë nevojë të marrin përgjigje”.

Ai filloi t’i dëgjonte pëshpëritjet e Shpirtit dhe përgjigjet e frymëzuara të miqve si kurrë më parë. Një e nga një, dyshimet e tij u kthyen në besim, derisa më në fund ai kuptoi se, edhe një herë, ai mund të ndiente një dëshmi për Jezu Krishtin dhe Kishën e Tij të rivendosur.

Në atë pikë, ai e kuptoi se do të ishte i aftë ta mposhte krenarinë e tij dhe se do të bënte çfarëdo gjëje që nevojitej për t’u pranuar sërish në Kishë.

Përfundimisht, Dejvidi hyri në ujërat e pagëzimit dhe më pas filloi të numëronte së prapthi ditët derisa të mund t’i rivendoseshin bekimet.

Jam i lumtur t’ju njoftoj se, verën e kaluar, Dejvidit iu rivendosën bekimet e tij. Ai përsëri po merr pjesë plotësisht në Kishë dhe po shërben si një mësues i Doktrinës së Ungjillit në lagjen e tij. Ai shfrytëzon çdo mundësi për t’u folur të tjerëve rreth shndërrimit të tij, për të ndrequr dëmin e shkaktuar dhe për të dëshmuar për ungjillin dhe Kishën e Jezu Krishtit.

Përfundimi

Vëllezërit e mi të dashur, miqtë e mi të dashur, le të kërkojmë, gjejmë, frymëzojmë dhe mbështetemi tek amulekët në lagjet dhe kunjet tona. Ka shumë amulekë në Kishë sot.

Ndoshta ju njihni ndokënd. Ndoshta ju jeni njëri prej tyre.

Ndoshta Zoti ju ka pëshpëritur, duke ju shtyrë të ktheheni te dashuria juaj e parë, të jepni nga talentet tuaja, ta ushtroni denjësisht priftërinë dhe të shërbeni krah për krah me bashkëshenjtorët tuaj duke iu afruar më pranë Jezu Krishtit dhe duke e ndërtuar mbretërinë e Perëndisë këtu në tokë.

Shpëtimtari ynë i dashur e di se ku jeni. Ai e njeh zemrën tuaj. Ai do që t’ju shpëtojë. Ai do t’jua zgjasë dorën e ndihmës. Thjesht hapjani zemrën tuaj Atij. Është shpresa ime se, ata që janë larguar nga shtegu i dishepullimit – madje vetëm për pak fare – do të mendojnë për mirësinë dhe hirin e Perëndisë, do të shohin me zemrat e tyre, do të mësojnë nga Alma dhe Amuleku dhe do t’i dëgjojnë fjalët jetëndryshuese të Shpëtimtarit: “Eja e më ndiq”.

Ju nxis t’ia vini veshin thirrjes së Tij, sepse me siguri ju do të merrni të korrën e qiellit. Bekimet e Zotit do të qëndrojnë mbi ju dhe shtëpinë tuaj.14

Për këtë unë dëshmoj dhe ju lë bekimin tim si një Apostull i Zotit, në emrin e Jezu Krishtit, amen.