2010–2019
Te Libri Ka Fuqi
Tetor 2016


Te Libri Ka Fuqi

Fuqia më e madhe e Librit të Mormonit është ndikimi i tij për të na sjellë më afër Jezu Krishtit.

Më 14 qershor 1989, për shkak të disa keq informimeve rreth Kishës, qeveria e Ganës i ndaloi të gjitha veprimtaritë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në atë vend afrikan. Qeveria konfiskoi gjithë pronën e Kishës dhe gjithë veprimtaria misionare u ndërpre. Anëtarët e Kishës, që e quajnë këtë periudhë si “ngrica”, bënë më të mirën e tyre për ta jetuar ungjillin pa mbledhje dege apo mbështetje nga misionarët. Ka shumë histori frymëzuese rreth mënyrës se si anëtarët e mbajtën të ndezur dritën e ungjillit duke adhuruar në shtëpitë e tyre dhe duke u kujdesur për njëri-tjetrin si mësues shtëpie apo mësuese vizitore.

Më në fund keqkuptimi u zgjidh dhe më 30 nëntor 1990, ngrica mbaroi dhe veprimtaritë normale të Kishës rifilluan.1 Që atëherë ka pasur një marrëdhënie të shkëlqyer midis Kishës dhe qeverisë së Ganës.

Anëtarët që e jetuan ngricën shpejtojnë të theksojnë bekimet që erdhën nga ajo periudhë e pazakontë. Besimi i shumë prej tyre u forcua nëpër vështirësitë me të cilat u përballën. Por një bekim nga ngrica erdhi në një mënyrë të pazakontë.

Nikolas Ofosu-Hene ishte një polic i ri i caktuar të ruante shtëpinë e mbledhjeve të SHDM gjatë ngricës. Detyra e tij ishte të mbikëqyrte ndërtesën gjatë natës. Kur Nikolasi arriti për herë të parë te shtëpia e mbledhjeve, ai pa se gjërat ishin shpërndarë përreth, me letra, libra dhe mobilie në rrëmujë. Në mes të kësaj rrëmuje, ai pa një kopje të Librit të Mormonit. Ai u përpoq ta shpërfillë librin pasi i kishin thënë se ishte i lig. Por ai u ndje çuditërisht i tërhequr prej tij. Më në fund, Nikolasi nuk mund ta shpërfillte librin më tej. Ai e mori. Ai ndjeu nxitje të fillonte ta lexonte. Ai lexoi gjatë gjithë natës me lot që i rrëshqitnin mbi faqe ndërsa lexonte.

Herën e parë që e mori, ai e lexoi të gjithë 1 Nefin. Herën e dytë, ai lexoi të gjithë 2 Nefin. Kur arriti te 2 Nefi kapitulli 25, ai lexoi sa më poshtë: “Dhe, ne flasim për Krishtin, ne gëzohemi në Krishtin, ne predikojmë për Krishtin, ne profetizojmë mbi Krishtin dhe shkruajmë sipas profecive tona, që fëmijët tanë të mund të dinë se cilit burim t’i drejtohen për heqjen e mëkateve të tyre.”2

Në atë çast, Nikolasi e ndjeu aq fort Shpirtin saqë filloi të qante me dënesë. Ai kuptoi se ndërsa po lexonte ai kishte marrë disa shtysa shpirtërore që ky libër ishte shkrim i shenjtë, më i sakti që kishte lexuar ndonjëherë. Ai kuptoi se shenjtorët e ditëve të mëvonshme, në kundërshtim me atë që pati dëgjuar, besojnë fort në Jezu Krisht. Pasi ngrica mbaroi dhe misionarët u rikthyen në Ganë, Nikolasi, bashkëshortja dhe fëmijët e tij iu bashkuan Kishës. Kur e pashë vitin e kaluar, ai ishte komandant policie dhe shërbente si presidenti i Distriktit të Kishës në Tamale të Ganës. Ai thotë: “Kisha ka transformuar jetën time. … Unë falënderoj Perëndinë e Gjithëfuqishëm që më udhëhoqi në këtë ungjill.”3

Alibert Dejvis, një ganez tjetër, shoqëroi një mik te një nga shtëpitë tona të mbledhjeve, ku miku kishte një mbledhje të presidencës. Ndërkohë që priste për mikun e vet, Aliberti lexoi një libër që gjeti aty pranë. Kur mbledhja mbaroi, Aliberti donte ta merrte librin në shtëpi. Atij iu dha leje që të merrte jo vetëm atë libër por gjithashtu një kopje të Librit të Mormonit. Kur shkoi në shtëpi, ai filloi ta lexonte Librin e Mormonit. Ai nuk mund ta lëshonte. Ai lexoi me qiri deri në orën 03:00 të mëngjesit. Ai e bëri këtë disa net, i pushtuar nga ajo çka lexonte dhe çka ndjente. Aliberti tani është anëtar i Kishës.

Anxhelo Skarpula filloi studimet e veta teologjike në atdheun e tij Itali kur ishte 10 vjeç. Më në fund ai u bë prift dhe shërbeu në kishën e vet me përkushtim. Erdhi një kohë që besimi i tij filloi të lëkundet dhe ai kërkoi dhe iu krijua mundësi për studim të mëtejshëm. Sa më shumë që studionte, gjithsesi, aq më shumë i pasigurt bëhej. Ajo që lexonte dhe ndjente e bindi atë se kishte pasur një braktisje të përgjithshme nga doktrina e vërtetë e dhënë mësim nga Jezusi dhe Apostujt e hershëm. Anxhelo kërkoi për fenë e vërtetë të Perëndisë në besime të ndryshme por mbeti i pakënaqur për shumë vite.

Një ditë ai u ndesh me dy anëtarë të Kishës të cilët po ndihmonin misionarët të gjenin më shumë njerëz për t’u dhënë mësim. Ai ndjeu tërheqje ndaj tyre dhe e dëgjoi me gëzim mesazhin e tyre. Anxhelo e mori me gatishmëri një kopje të Librit të Mormonit.

Atë mbrëmje ai filloi leximin e librit. Ai u ndje i mbushur me gëzim. Nëpërmjet Shpirtit, Perëndia i dha Anxhelos një siguri të brendshme që te Libri i Mormonit ai do të gjente të vërtetën të cilën kishte qenë duke e kërkuar për shumë vite. Ndjesi të ëmbla e përshkuan. Ajo që lexoi dhe ajo që mësoi nga misionarët vërtetuan përfundimin e tij se kishte pasur një braktisje të përgjithshme, por ai mësoi gjithashtu se Kisha e vërtetë e Perëndisë qe rivendosur në tokë. Pak më vonë, Anxhelo u pagëzua në Kishë.4 Kur e takova për herë të parë, ai ishte presidenti i Degës së Kishës sonë në Rimini të Italisë.

Ajo që Nikolasi, Aliberti dhe Anxheloja përjetuan me Librin e Mormonit të kujton përjetimin e Parli P. Pratit:

“Unë e hapa [librin] me padurim. … Lexova gjithë ditën; të haja ishte një barrë, nuk kisha dëshirë për ushqim; kur erdhi nata, gjumi ishte një barrë …kur erdhi nata, sepse parapëlqeva të lexoja në vend që të flija.

Ndërsa lexoja, shpirti i Zotit ishte mbi mua dhe e dija dhe e kuptova se libri ishte i vërtetë, po aq qartë dhe haptazi sa një njeri kupton dhe e di se ai ekziston. Gëzimi im tani ishte i plotë, dhe ndjesia e tij kapërcente çdo shpërblim për të gjitha hidhërimet, sakrificat dhe mundimet e jetës sime”.5

Disa njerëz kanë një përjetim aq të fuqishëm me Librin e Mormonit sapo e hapin për herë të parë, ndërsa për të tjerë dëshmia e vërtetësisë vjen më gradualisht ndërsa lexojnë dhe luten rreth tij. Kështu ishte në rastin tim. Unë e lexova Librin e Mormonit për herë të parë si student adoleshent seminari. Kjo është kopja e Librit të Mormonit që lexova. Nuk mund t’jua them saktësisht kohën apo vendin kur ndodhi, por diku gjatë atij leximi, unë fillova të ndjej diçka. Ishte një ngrohtësi dhe shpirt që vinte sa herë që hapja librin. Ndjesia rritej ndërsa vazhdoja leximin. Ajo ndjesi vazhdon edhe sot. Sa herë që unë hap Librin e Mormonit, është si të ndezësh një çelës – Shpirti vërshon në zemrën dhe shpirtin tim.

Por prapë për të tjerë, dëshmia për Librin e Mormonit vjen më ngadalë, pas shumë studimi dhe lutjeje. Unë kam një mik që e lexonte Librin e Mormonit duke kërkuar të dinte nëse ishte i vërtetë. Ai zbatoi ftesën te Moroni për ta pyetur Perëndinë me zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë dhe besim në Krisht, nëse Libri i Mormonit është i vërtetë.6 Por ai nuk e mori menjëherë përgjigjen e premtuar. Sidoqoftë, një ditë, ndërsa ishte në mendime të thella, duke ngarë makinën në rrugë, Shpirti i dëshmoi për të vërtetën e Librit të Mormonit. Aq i lumtur dhe i trullosur ishte saqë uli xhamin e dritares së makinës dhe bërtiti, për askënd posaçërisht dhe prapë për gjithë botën: “Është i vërtetë!”

Qoftë kur dëshmia për Librin e Mormonit na vjen që në herën e parë kur e hapim apo pas një periudhe kohe, ai do të na ndikojë në gjithë ditët tona nëse vazhdojmë ta lexojmë dhe t’i zbatojmë mësimet e tij. Presidenti Ezra Taft Benson na mësoi: “Ekziston një fuqi brenda librit që do të fillojë të rrjedhë në jetën tuaj që në çastin kur filloni një studim serioz të librit. Ju do të gjeni fuqi më të madhe për t’i bërë ballë tundimit. Do të gjeni fuqinë për të shmangur mashtrimin. Do të gjeni fuqinë që të qëndroni në shtegun e ngushtë e të ngushtuar.7

Unë nxit secilin që e merr këtë mesazh, përfshirë mbajtësit e priftërisë Aarone të mbledhur në këtë mbledhje sonte, që të zbulojnë fuqinë e Librit të Mormonit. Sikurse Presidenti Tomas S. Monson na ka nxitur: “Lexoni Librin e Mormonit. Përsiatni mbi mësimet e tij. Kërkojini Atit Qiellor nëse është i vërtetë”.8 Gjatë atij procesi ju do të ndieni Shpirtin e Perëndisë në jetën tuaj. Ai Shpirt do të jetë pjesë e dëshmisë suaj që Libri i Mormonit është i vërtetë, që Jozef Smithi ishte një profet i Perëndisë dhe që Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është Kisha e vërtetë e Perëndisë mbi tokë sot. Ajo dëshmi do t’ju ndihmojë t’i rezistoni tundimit.9 Ajo do t’ju përgatisë për “thirrjen e madhe … që të jen[i] të zellshëm për të punuar në vreshtat e Zotit”.10 Ajo do të qëndrojë si një spirancë e sigurt kur akuzat apo deklaratat shpifëse përdoren për të sfiduar besimin tuaj dhe do të jetë një themel i fortë si shkëmb, kur të sfidoheni me pyetje që nuk mundeni t’u përgjigjeni, të paktën menjëherë. Ju do të jeni në gjendje të dalloni të vërtetën nga gabimi dhe do të ndieni sigurinë e Frymës së Shenjtë që vërteton dëshminë tuaj përsëri dhe përsëri ndërsa vijoni të lexoni Librin e Mormonit gjatë gjithë jetës suaj.

Unë nxit gjithashtu të gjithë prindërit që e dëgjojnë apo e lexojnë këtë mesazh që ta bëni Librin e Mormonit një pjesë të rëndësishme të shtëpisë suaj. Teksa fëmijët tanë po rriteshin, ne lexonim Librin e Mormonit ndërsa hanim mëngjesin. Ky është shënjuesi që përdornim. Në anën e përparme është një citat nga Presidenti Benson që premton se Perëndia do të derdhë një bekim mbi ne teksa lexojmë Librin e Mormonit.11 Në anën e prapme është ky premtim nga Presidenti Marion G. Romni, një ish këshilltar në Presidencën e Parë: “Ndihem i sigurt që, nëse në shtëpitë tona, prindërit do të lexojnë nga Libri i Mormonit plot lutje dhe rregullisht, si për vete ashtu edhe me fëmijët e tyre, shpirti i atij libri të madhërishëm do të arrijë t’i përshkojë shtëpitë tona dhe të gjithë ata që banojnë aty. … Shpirti i grindjes do të largohet. Prindërit do t’i këshillojnë fëmijët e tyre me dashuri e urtësi më të madhe. Fëmijët do t’i përgjigjen më mirë këshillës së prindërve të tyre dhe do të jenë më të bindur ndaj saj. Drejtësia do të rritet. Besimi, shpresa dhe dashuria hyjnore – dashuria e pastër e Krishtit – do të gëlojnë në shtëpitë dhe jetët tona, duke sjellë në zgjimin e tyre paqe, gëzim dhe lumturi”.12

Tani, shumë vite pasi fëmijët tanë janë larguar nga shtëpia dhe po ngrenë familjet e tyre, ne mund të shohim qartë plotësimin e premtimit të Presidentit Romni. Familja jonë është larg së qeni e përsosur, po ne mund të dëshmojmë fuqinë e Librit të Mormonit dhe bekimet që leximi i tij ka sjellë dhe vazhdon të sjellë në jetën e gjithë familjes sonë.

Fuqia më e madhe e Librit të Mormonit është ndikimi i tij për të na sjellë më afër Jezu Krishtit. Është një dëshmi e fortë për Të dhe misionin e Tij shëlbues.13 Nëpërmjet tij ne mund të arrijmë të kuptojmë madhështinë dhe fuqinë e Shlyerjes së Tij.14 Ai e jep mësim doktrinën e Tij qartësisht.15 Dhe për shkak të kapitujve të mrekullueshëm që përshkruajnë vizitën e Krishtit të ngritur te nefitët, ne e shohim dhe e përjetojmë Atë duke dashur, bekuar e mësuar ata njerëz dhe arrijmë të kuptojmë se Ai do të bëjë të njëjtën gjë për ne nëse vijmë tek Ai duke jetuar ungjillin e Tij.16

Vëllezër, unë dëshmoj për fuqinë e Librit të Mormonit. Qoftë duke e lexuar në anglisht, italisht apo frëngjisht, të shtypur apo në pajisje elektronike, unë kam gjetur të njëjtin shpirt të mrekullueshëm që rrjedh nga kapitujt dhe vargjet e tij në jetën time. Unë dëshmoj për aftësinë e tij për të na tërhequr më afër te Krishti. Unë lutem që secili prej nesh të përfitojë plotësisht nga fuqia që është në këtë libër të mrekullueshëm të shkrimeve të shenjta. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih “‘You Can’t Close My Heart’: Ghanaian Saints and the Freeze,” 6 janar 2016, history.lds.org.

  2. 2 Nefi 25:26.

  3. Email nga Nicholas Ofusu-Hene, 27 tetor 2015.

  4. Shih Angelo Scarpulla, “My Search for the Restoration,” Tambuli, qershor 1993, f. 16–20; email nga Ezio Caramia, 16 shtator 2016.

  5. Autobiography of Parley P. Pratt, botim i Parley P. Pratt Jr. (1938), f. 37.

  6. Shih Moroni 10:4–5.

  7. [Teachings of Presidents of the Church: Ezra Taft Benson (2014), f. 141.

  8. Thomas S. Monson, “Dare to Stand Alone,” Liahona, nëntor 2011, f. 62; shih edhe Thomas S. Monson, “Priesthood Power,” Liahona, maj 2011, f. 66; A Prophet’s Voice: Messages from Thomas S. Monson (2012), f. 490–494.

  9. Presidenti Tomas S. Monson ka dhënë mësim: “Çdo mbajtës i priftërisë duhet të marrë pjesë në studim të përditshëm të shkrimit të shenjtë. … Unë ju premtoj juve, qoftë nëse ju mbani priftërinë Aarone, apo atë Melkizedeke, se nëse ju do t’i studioni shkrimet e shenjta me zell, fuqia juaj për të shmangur tundimin dhe për të marrë udhëzim nga Fryma e Shenjtë do të rritet”.(ThomasS. Monson, “Be Your Best Self / Jini më e Mira e Vetes,” Liahona, maj 2009, f. 68).

  10. Alma 28:14.

  11. “Ju premtoj se nga ky çast e më tej, në qoftë se ne vërtet do të ushqehemi çdo ditë nga faqet e tij dhe do të jetojmë sipas porosive të tij, Perëndia do të derdhë mbi secilin fëmijë të Sionit dhe mbi Kishën një bekim të panjohur deri më sot.” (Mësime: Ezra Taft Benson, f. 127).

  12. Marion G. Romney, “The Book of Mormon,” Ensign, maj 1980, f. 67.

  13. Shih, për shembull, faqen e titullit të Librit të Mormonit; 1 Nefi 11; 2 Nefi 25; Mosia 16; 18; Alma 5; 12; Helamani 5; 3 Nefi 9; Mormoni 7.

  14. Shih, për shembull, 2 Nefi 2; 9; Mosia 3; Alma 7; 34.

  15. Shih, për shembull, 2 Nefi 31; 3 Nefi 11; 27.

  16. Shih 3 Nefi 11–28.