2010–2019
Zoti Jezu Krisht na Mëson të Lutemi
Tetor 2016


Zoti Jezu Krisht na Mëson të Lutemi

Kur luteni, a po luteni vërtet apo thjesht po thoni lutje?

Në vitin 1977, unë po shërbeja si misionar kohëplotë në Kusko të Perusë. Shoku im i misionit dhe unë morëm leje për t’i çuar të gjithë misionarët në zonën e Kuskos, në gërmadhat madhështore të Maçu Piçut.

Nga fundi i vizitës sonë për te gërmadhat, disa nga misionarët deshën të shkonin në urën Inka, pjesë e një shtegu mali. Menjëherë, ndjeva në zemër Shpirtin që më përmbajti për të mos shkuar atje. Shtegu ishte në anë të malit me një greminë prej 610 metrash. Në disa zona shtegu ishte aq i gjerë sa për të kaluar njëri pas tjetrit. Shoku im i misionit dhe unë u thamë atyre se nuk duhej të shkonim në urën Inka.

Sidoqoftë, misionarët ngulën këmbë që të shkonim. Lutjet u bënë më kërkuese dhe pavarësisht nga ajo që më kishte treguar Shpirti, iu dorëzova presionit të shokëve të mi dhe u thashë atyre se do ta vizitonim urën por vetëm nëse do të bënim shumë kujdes.

Ne hymë te shtegu që të çon në urën Inka me mua në fund të grupit, dhe në fillim secili eci me ngadalë, siç ramë dakord. Më pas, misionarët filluan të ecnin shumë shpejt e madje vraponin. Ata i shpërfillën thirrjet e mia për të ngadalësuar. U ndjeva i detyruar të mbaja ritmin e tyre, për t’i thënë se duhej të ktheheshim prapa. Isha larg tyre dhe më duhej të vrapoja shpejt që të mbaja ritmin me ta.

Teksa mora një kthesë, në një kalim tepër të ngushtë për të ecur dy veta, ndesha një misionar që rrinte palëvizur me shpinë nga shkëmbinjtë. E pyeta atë se përse po qëndronte aty. Ai më tha se kishte marrë një mbresë për të qëndruar në atë vend për një çast dhe se unë duhej të vazhdoja.

Ndjeva ngutjen për t’i arritur ata përpara nesh, kështu që ai më ndihmoi ta kaloja atë dhe qeshë në gjendje të shkoja pak më përpara shtegut. Vërejta se toka ishte e mbushur plot gjelbërim. E vura me vendosmëri këmbën e djathtë në tokë, kur kuptova, teksa po bija, se nuk kishte tokë poshtë gjelbërimit. Me dëshpërim u kapa tek disa degë që ishin poshtë shtegut. Për një çast munda të shihja poshtë, afro 610 metra poshtë meje, lumin Urubamba, që kalon përgjatë Luginës së Shenjtë të inkasve. Ndjeva sikur po më linte fuqia dhe ishte thjesht çështje kohe përpara se të mos mundja më të mbahesha. Në atë çast, u luta shumë fort. Ishte një lutje shumë e shkurtër. Hapa gojën dhe thashë: “Atë, më ndihmo!”

Degët nuk ishin aq të forta sa ta mbanin peshën e trupit tim. E dija se fundi ishte afër. Pikërisht në çastin që isha gati për të rënë, ndjeva një dorë të fortë të më zinte për krahu dhe të më tërhiqte lart. Me atë ndihmë, unë isha në gjendje të vazhdoja të përpiqesha për të hipur sërish në shteg. Misionari që kishte qëndruar prapa ishte ai që më shpëtoi.

Por në të vërtetë Ati ynë në Qiell më shpëtoi. Ai e dëgjoi zërin tim. E kisha dëgjuar zërin e Shpirtit tri herë përpara, që më thoshte të mos shkonim në urën Inka, por nuk iu binda atij zëri. Isha i tronditur, isha i zbehtë dhe nuk dija ç’të thoja. Më pas m’u kujtua se misionarët e tjerë ishin përpara nesh dhe kështu që ne shkuam t’i kërkonim derisa i gjetëm dhe u thamë se ç’më kishte ndodhur.

Ne u kthyem në Maçu Piçu me shumë kujdes dhe në heshtje. Gjatë kthimit unë qëndrova i heshtur dhe më erdhi në mendje ideja se Ai i kishte kushtuar vëmendje zërit tim porse unë nuk i kushtova vëmendje zërit të Tij. Pata një dhembje të fortë në zemrën time ngaqë nuk iu binda zërit të Tij dhe në të njëjtën kohë një ndjenjë të thellë mirënjohjeje për mëshirën e Tij. Ai nuk e ushtroi drejtësinë e Tij mbi mua, por me mëshirën e Tij të madhe, Ai më shpëtoi jetën (shih Alma 26:20).

Në fund të ditës, kur ishte koha për lutjen time vetjake, iu luta me zemër “Ati[t e] të mëshirëve dhe Perëndi[së së] çdo ngushëllimi” (2 Korintasve 1:3). U luta “me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë duke pasur besim në Krisht” (Moroni 10:4).

Herët në mëngjesin e po asaj dite, unë isha lutur me buzë dhe kur isha gati të vdisja, iu luta Atij me zemër. Në këtë pikë unë meditova për jetën time. Zbulova se në shumë raste, Ati ynë në Qiell kishte qenë kaq i mëshirshëm me mua. Ai më kishte dhënë shumë mësime atë ditë në Maçu Piçu dhe në Kusko të Perusë. Një nga mësimet më madhështore ishte se unë duhet që gjithmonë, gjithmonë të lutem, “me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë duke [ushtruar] besim në Krisht”.

Në një rast Zoti Jezu Krisht “ndodhej në një vend dhe lutej” dhe “si mbaroi, një nga dishepujt e tij i tha: Zot na mëso të lutemi” (Lluka 11:1). Më pas, Ai u mësoi dishepujve të Tij si të luteshin. Dhe sot Ai ju mëson juve dhe mua që të lutemi teksa e shohim Atë në mendjen tonë duke u lutur në Gjetseman e duke thënë: “Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti” (Lluka 22:42). Kur luteni, a doni vërtet, me sinqeritet që “mos u bëftë vullneti im, por yti”?

Pali përshkruan se si Jezusi u lut “në ditët e mishit të tij”, veçanërisht në Gjetseman: “Me klithma të larta dhe me lot, i ofroi lutje dhe urata atij që mund ta shpëtonte nga vdekja, dhe u dëgjua për shkak të frikës së tij nga Perëndia” (Hebrenjve 5:7). Kur luteni, a po luteni vërtet apo thjesht po thoni lutje? A jeni sipërfaqësorë në lutjet tuaja?

Jezusi u lut fort dhe foli me Atin e Tij. “Edhe Jezusi u pagëzua; dhe ndërsa po lutej, qielli u hap” (Lluka 3:21). Kur ju luteni, a ndiheni sikur qielli është hapur? Kur ka qenë hera e fundit që e ndiet atë lidhje me qiellin?

Jezusi e përgatiti Veten për të marrë vendime të rëndësishme duke iu lutur Atit të Tij.

“Ai shkoi në mal për t’u lutur, dhe e kaloi natën duke iu lutur Perëndisë.

Dhe kur zbardhi dita, thirri pranë vetes dishepujt e vet dhe zgjodhi prej tyre dymbëdhjetë” (Lluka 6:12–13).

A e përgatitni ju veten për të marrë vendime të rëndësishme duke iu lutur Atit tuaj Qiellor? A e përgatitni veten tuaj për çastin e lutjes?

Kur Jezusi erdhi në kontinentin Amerikan, Ai u mësoi njerëzve të luteshin. “Dhe Jezusi u tha atyre: Vazhdoni të luteni; megjithëse ata nuk pushuan së luturi” (3 Nefi 19:26).

Jezusi na fton të “lut[emi] gjithmonë” (DeB 10:5). Jezusi e di se Ati ynë Qiellor dëgjon dhe na jep atë që është më e mira për ne. Përse vallë ndonjëherë ne nuk duam ta marrim? Përse?

Pikërisht në atë çast themi: “Atë në Qiell”, Ai i dëgjon lutjet tona dhe është i ndjeshëm ndaj nesh dhe nevojave tona. Dhe kështu që sytë e Tij dhe veshët e Tij tani janë të lidhura me ju. Ai e lexon mendjen tonë dhe e ndjen zemrën tonë. Ju nuk mund t’i fshihni asgjë Atij. Tani, gjëja e mrekullueshme është se Ai do t’ju shohë me sytë e dashurisë dhe mëshirës – dashuri dhe mëshirë që ne nuk mund ta kuptojmë plotësisht. Por dashuria dhe mëshira janë me Të pikërisht në çastin kur thoni: “Atë në Qiell”.

Kështu që çasti i lutjes është një çast shumë, shumë i shenjtë. Ai nuk është një njeri që të thotë: “Jo, nuk do të të dëgjoj tani, sepse ti vjen tek unë vetëm kur je në telashe”. Vetëm njeriu e bën këtë. Ai nuk është një njeri që të thotë: “Oh, ju nuk mund ta përfytyroni se sa i zënë jam tani”. Vetëm njeriu e thotë këtë.

Shpresa dhe lutja ime është që të gjithë ne të mund të lutemi sikurse Jezusi na ka mësuar të lutemi, në emrin e Zotit Jezu Krisht, amen.