2010–2019
“Një Shikues të Zgjedhur do të Ngre Unë”
Tetor 2016


“Një Shikues të Zgjedhur do të Ngre Unë”

Për shkak se Jozefi ishte një profet, ne kemi më shumë se një dritare në qiell – vetë dera për në përjetësi është hapur për ne.

Kur Moroni erdhi fillimisht tek Jozef Smithi, ai paralajmëroi se “emri [i Jozefit] do të mbahej për mirë e për keq mes të gjitha kombeve”.1 Ne e kemi parë përmbushjen e asaj profecie. Në luftën midis së mirës dhe së keqes, Rivendosja e ungjillit nëpërmjet Profetit Jozef Smith ka frymëzuar besimtarë që e ndjekin atë si edhe ka provokuar antagonistë që luftojnë me tërbim kundër kauzës së Sionit dhe kundër vetë Jozefit. Kjo betejë nuk është e re. Ajo nisi fill pasi i riu Jozef hyri në Korijen e Shenjtë dhe vazhdon ende sot me vëmendje të shtuar në internet.

Vetë Zoti i shpalli Jozef Smithit:

“Skajet e tokës do të pyesin për emrin tënd dhe të marrët do të të përqeshin e ferri do të tërbohet kundër teje;

Ndërsa të pastrit në zemër dhe të urtët, dhe fisnikët, dhe të virtytshmit do të kërkojnë këshillë dhe autoritet dhe bekime vazhdimisht prej dorës tënde.”2

Sot unë jap dëshminë time për të gjithë ata që kërkojnë ta kuptojnë më mirë misionin e shenjtë të Jozef Smith të Riut, Profetit të Rivendosjes.

Nuk kemi pse të jemi të ndrojtur për të dëshmuar për misionin e Jozefit si profet, shikues dhe zbulues, pasi Zoti gjithmonë ka vepruar nëpërmjet profetëve3. Për shkak të të vërtetave të rivendosura nëpërmjet Jozef Smithit, ne dimë shumë më tepër rreth Atit tonë Qiellor dhe Shpëtimtarit Jezu Krisht. Ne dimë për cilësitë e Tyre hyjnore, marrëdhënien e Tyre me njëri-tjetrin e me ne dhe, planin e madh të shëlbimit që na lejon të kthehemi në praninë e Tyre.

Për Jozefin, Presidenti Brigam Jang shpalli: “Ishte dekretuar në këshillat e përjetësisë, shumë kohë më parë se të hidheshin themelet e tokës, se ai duhej të ishte njeriu, në periudhën e fundit ungjillore të kësaj bote, që do t’ia sillte fjalën e Perëndisë njerëzve dhe do të merrte plotësinë e çelësave dhe të fuqisë së Priftërisë të Birit të Perëndisë. Zoti e kishte ruajtur atë … [pasi ai] qe parashuguruar në përjetësi për të kryesuar këtë periudhë të fundit ungjillore.”4

Në përgatitje për këtë punë të madhërishme, Jozef Smithi u lind në një familje të dashur, e cila provoi shumë nga barrët dhe sprovat e përditshme të jetës. Kur Jozefi filloi [të arrinte] pjekurinë, ndjenjat e tij kundrejt Perëndisë “ishin të thella dhe shpesh të fuqishme”,5 e prapëseprapë ai qe i pështjelluar nga idetë kontradiktore fetare që jepeshin mësim nga predikuesit në kohën e tij. Për fat, i riu Jozef nuk i la pyetjet e veta ta ndalnin besimin e tij. Ai kërkoi përgjigje në Bibël dhe gjeti këtë këshillë: “Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t’i jepet”6.

Jozefi kujtoi: “Kurrë ndonjë pjesë e shkrimit të shenjtë nuk erdhi më me fuqi në zemrën e një njeriu, sesa ky varg erdhi tek unë në këtë kohë. M’u duk se hyri me forcë të madhe në çdo ndjenjë të zemrës sime. Mendova për të herë pas here.”7

Me besim të thjeshtë, Jozefi veproi sipas këtyre ndjenjave shpirtërore. Ai gjeti një vend të veçuar, u gjunjëzua “dhe fillo[i] t’i[a] tregoj[ë] dëshirat e zemrës [së tij] Perëndisë”8. Ka një fuqi të madhe në përshkrimin e Jozefit për atë që ndodhi:

“Unë pashë një shtyllë drite tamam mbi kokën time, më e shkëlqyeshme se dielli, e cila zbriti gradualisht derisa ra mbi mua.

… Kur drita pushoi mbi mua, unë pashë dy Personazhe, shkëlqimi dhe lavdia e të cilëve i kapërcejnë të gjitha përshkrimet, duke qëndruar mbi mua në ajër. Një prej tyre më foli, duke më thirrur në emër dhe tha, duke treguar tjetrin: Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!9

Jozef Smithi pa Perëndinë, Atin e Amshuar dhe Jezu Krishtin, Shpëtimtarin dhe Shëlbuesin e botës. Ky ishte Vegimi i Parë i Jozefit. Gjatë viteve që pasuan, Jozefi përktheu Librin e Mormonit nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë. Shumë qenie të tjera qiellore e vizituan atë, duke rivendosur të vërtetat dhe autoritetin që kishin humbur prej shekujsh. Këto komunikime hyjnore me Jozef Smithin hapën pragjet e qiellit dhe lavditë e përjetësisë për këndvështrimin tonë. Jeta e Jozefit qëndron si dëshmi që nëse ndonjërit nga ne i mungon urtia, ne mund ta pyesim Perëndinë me besim dhe të marrim përgjigje – nganjëherë prej qenieve qiellore, por më shpesh me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë, i cili na flet nëpërmjet mendimeve dhe ndjenjave të frymëzuara.10 Është nëpërmjet Frymës së Shenjtë që ne mund të “di[më] të vërtetën e të gjitha gjërave”11.

Për shumë prej nesh, një dëshmi për Profetin Jozef Smith nis kur lexojmë Librin e Mormonit. E lexova për herë të parë Librin e Mormonit nga fillimi e gjer në fund kur isha një student i ri i seminarit herët në mëngjes. Me imagjinatën time të hovshme djaloshare, unë vendosa ta lexoja sikur të isha Jozef Smithi, duke i zbuluar të vërtetat në Librin e Mormonit për herë të parë. Kjo pati kaq ndikim në jetën time saqë unë vazhdoj ta lexoj Librin e Mormonit në po atë mënyrë. Shpesh vërej se ky veprim e thellon vlerësimin tim për Profetin Jozef dhe për të vërtetat e rivendosura në këtë libër të çmuar.

Për shembull, përfytyroni ndjenjat e Jozefit teksa përkthente fragmente rreth pagëzimit për heqjen e mëkateve. Jozefi, të cilit iu tha të mos bashkohej me asnjë nga kishat ekzistuese, natyrisht kishte pyetje për këtë ordinancë shpëtuese. Pyetjet e tij e bënë atë, edhe një herë, që të lutej, dhe ajo lutje bëri që ai të vizitohej nga Gjon Pagëzori, i cili rivendosi Priftërinë Aarone dhe autoritetin për të pagëzuar.12

Ose merrni parasysh se si mund të jetë ndier Jozefi kur mësoi për herë të parë se Jezu Krishti vizitoi njerëzit në hemisferën perëndimore – që Ai i mësoi ata, u lut për ta, i shëroi të sëmurët, i bekoi fëmijët e tyre, i dha autoritetin e priftërisë dhe administroi sakramentin për ta.13 Jozefi mund të mos e ketë kuptuar për momentin, por ajo që ai mësoi për ordinancat dhe organizimin e Kishës së Krishtit në lashtësi, e përgatiti atë që ta ndihmonte më pas Zotin në rivendosjen e po të njëjtës Kishë në tokë.

Gjatë përkthimit të Librit të Mormonit, Jozefi dhe bashkëshortja e tij, Ema, vajtuan vdekjen e birit të tyre foshnjë. Në ato ditë predikuesit jepnin mësim rëndom se fëmijët që vdisnin pa u pagëzuar do të dënoheshin përgjithnjë. Duke pasur këtë në mendje, përfytyroni se si mund të jetë ndier Jozefi kur përktheu këto fjalë nga profeti Mormon: “Fëmijët e vegjël nuk kanë nevojë për pendim, as për pagëzim. … [Sepse] fëmijët e vegjël janë gjallë në Krisht, madje që nga krijimi i botës”14.

Ndoshta fragmenti më magjepsës në Librin e Mormonit për të riun Jozef mund të ketë qenë kapitulli i tretë i 2 Nefit. Ky kapitull përmban një profeci të lashtë për një “shikues [të] zgjedhur”, të cilin Zoti do ta ngrinte në ditët e mëvonshme – një shikues që quhej Jozef, i quajtur sikurse ati i tij. Ky profet i ardhshëm do të “vlerësohe[j] shumë” dhe do të bënte një punë “me vlerë të madhe” për popullin e tij. Ai do të ishte i “madh si Moisiu” dhe do t’i jepej “fuqi që t[ë] s[illte] fjalën [e Perëndisë]”15. Merrni parasysh se si duhet të jetë ndier Jozef Smithi kur kuptoi se kjo profeci ishte për ! Ai nuk po përkthente thjesht histori; ai po përkthente një vegim të ditëve të fundit, të Rivendosjes së mrekullueshme të ungjillit të Jezu Krishtit – dhe vetë Jozefi do të ndihmonte në përmbushjen e tij!

Sot, pothuajse 200 vjet më vonë, është e lehtë të shohësh se si është realizuar kjo profeci. Ne dimë për gjërat e mëdha që kreu Jozefi si profet i Zotit. Por kujtoni se kur Jozefi e përktheu këtë profeci, ai kishte bërë pak nga gjërat që parashikuan profetët. Ai qe ende një djalosh te të 20-at. Kisha nuk ishte organizuar ende. Nuk kishte lagje apo degë, as misionarë dhe as tempuj. Pothuajse askush nuk kishte dëgjuar për Jozef Smithin, dhe disa nga ata që kishin dëgjuar për të, e kundërshtonin aktivisht. Tani shikojeni punën e madhërishme që Zoti ka kryer nëpërmjet dorës së shërbëtorit të Tij Jozef, me gjithë kundërshtimin ndaj tij. A nuk është përmbushja e kësaj profecie një provë bindëse e thirrjes profetike të Jozef Smithit?

Për këdo që mund të jetë duke vënë në pikëpyetje dëshminë e tij për Jozef Smithin ose që po has vështirësi me informacione të pasakta, përgënjeshtruese apo sipërfaqësore mbi jetën dhe shërbesën e tij, unë ju ftoj të merrni parasysh frytet – bekimet e shumta që na kanë ardhur nëpërmjet misionit mrekullibërës të Jozef Smithit, Profetit të Rivendosjes.

Për shkak se Jozefi ishte një profet, zbulesat dhe profetët nuk janë më diçka e së shkuarës. “Dita e mrekullive” – e vegimeve, shërimeve dhe shërbesës së engjëjve – nuk ka reshtur16.

Për shkak se Jozefi ishte një profet, secili prej nesh ka qasje në fuqinë dhe bekimet e priftërisë së shenjtë, përfshirë pagëzimin, dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe sakramentin.

Për shkak se Jozefi ishte një profet, ne kemi bekimet dhe ordinancat e tempullit që na lidhin me Perëndinë, na bëjnë popullin e Tij dhe na tregojnë “fuqi[në] e perëndishmërisë”, duke e bërë të mundur që një ditë ta “shoh[im] fytyrën e Perëndisë, madje Atit, dhe të jetoj[m]ë”.17

Për shkak se Jozefi ishte një profet, ne e dimë se martesa dhe familja janë një pjesë thelbësore e planit të Perëndisë për lumturinë tonë. Ne e dimë se nëpërmjet ordinancave dhe besëlidhjeve të tempullit, marrëdhëniet tona të dashura familjare mund të zgjasin përjetë.

Për shkak se Jozefi ishte një profet, ne kemi më shumë se një dritare në qiell – vetë dera për në përjetësi është hapur për ne. Ne mund ta njohim “të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që [Ai] ka dërguar”18. Jeta e përjetshme mund të jetë e jona.

Mbi të gjitha, për shkak se Jozefi ishte një profet, ne kemi dëshmim pas dëshmimi, dëshmi pas dëshmie se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe Shpëtimtari i botës. Ne kemi një zinxhir të pathyeshëm të dëshmitarëve të veçantë të Jezu Krishtit, përfshirë profetin tonë sot, Presidentin Tomas S. Monson; këshilltarët në Presidencën e Parë dhe anëtarët e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Dëshmisë së tyre, unë i shtoj edhe dëshminë time të përulur, por prapëseprapë të sigurt: Jezu Krishti jeton dhe e drejton Kishën e Tij. Jozef Smithi ishte dhe është Profeti i Rivendosjes. Priftëria dhe autoriteti i Perëndisë janë sërish mbi tokë. Shpallshim sypatrembur dëshminë dhe mirënjohjen tonë për këtë profet, shikues dhe zbulues të mrekullueshëm të Zotit është lutja ime, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.