2010–2019
Perëndia Do Të Fshijë Të Gjithë Lotët
Tetor 2016


Perëndia Do Të Fshijë Të Gjithë Lotët

Ndërsa ushtrojmë besimin tonë te Shpëtimtari, Ai do të na ngrejë dhe do të na mbartë nëpër të gjitha sprovat tona dhe, përfundimisht, do të na shpëtojë në mbretërinë çelestiale.

Si pjesë e planit të Atit tonë Qiellor, Ai lejoi që pikëllimi të ndërthuret në përvojën tonë në vdekshmëri.1 Ndërkohë që duket se sprovat e dhimbshme bien mbi ne në mënyrë të pabarabartë, mund të jemi të sigurt se të gjithë vuajmë dhe mundohemi. Është lutja ime që Shpirti i Shenjtë të na drejtojë te një kuptueshmëri më e madhe përse duhet të jetë kështu.

Kur i shohim përvojat e vështira të jetës me thjerrën e besimit në Krisht, jemi në gjendje të shohim se mund të ketë qëllim të perëndishëm në vuajtjen tonë. Besnikët mund të përjetojnë të vërtetën e këshillës në dukje kontradiktore të Pjetrit. Ai shkroi: “sikur të vuani për drejtësinë, lum ju!”2 Ndërsa përdorim “zemrat [tona] që të kupto[jmë]”,3 neve mund të na rritet si aftësia për të duruar mirë sprovat tona – edhe aftësia për të mësuar – e për t’u përmirësuar prej - tyre. Një kuptim i tillë i jep përgjigje pyetjes së përjetshme: “Përse u ndodhin gjëra të këqija njerëzve të mirë?”

Secili që po dëgjon sot ka provuar një shkallë vetmie, dëshpërimi, brenge, dhimbje apo hidhërimi. Pa “syrin e besimit4 dhe një kuptim të së vërtetës së përjetshme, shpesh shohim se mjerimi dhe vuajtja në vdekshmëri mund të errësojnë apo mbulojnë gëzimin e përjetshëm të njohjes se plani i madh i Atit tonë në Qiell është vërtet plani i përjetshëm i lumturisë. Nuk ka mënyrë tjetër për të marrë plotësi gëzimi.5

Perëndia na fton të përgjigjemi me besim ndaj vuajtjeve tona të veçanta, me qëllim që të mund të marrim bekimet e të fitojmë njohurinë që nuk fitohet ndryshe. Ne udhëzohemi që të mbajmë urdhërimet në të gjitha kushtet e rrethanat, sepse “ai që është besnik në mundime, shpërblimi i po atij është më i madh në mbretërinë e qiellit”.6 Dhe siç lexojmë në shkrimin e shenjtë: “Në qoftë se je i hidhëruar, bëji thirrje Zotit, Perëndisë tënd, me përgjërim, që shpirtrat tuaj të mund të gëzohen”.7

Apostulli Pal, që pati vetë shumë vuajtje, përdori përvojën e vet për të dhënë mësim me thellësi dhe bukuri këndvështrimin e përjetshëm që vjen kur ne përballojmë mirë dhe me durim. Ai tha: “Sepse trishtimi ynë i lehtë që është vetëm për një moment, prodhon për ne, një peshë të pamasë e të pashoqe të amshueshme lavdie”.8 Me fjalë të tjera, ne mund të dimë në mes të mjerimeve tona se Perëndia ka siguruar një shpërblim shlyes të përjetshëm.

Aftësia e Palit për të folur për sprovat, përndjekjet dhe vuajtjet e jetës së tij si të qenë trishtime “të lehta” jep një ide të kundërt për vuajtjen e tij, që u gëlltit për të nga këndvështrimi i përjetshëm i ungjillit. Besimi i Palit në Jezu Krisht i bëri të gjitha gjërat të durueshme. Ai u rrah pesë herë me kamxhik, tre herë me shufra, një herë u godit me gurë; tre herë vuajti shkatërrimin e anijes; shpesh u vu në rrezik vdekje nga mbytja, nga grabitësit dhe madje nga vëllezër të rremë; ai vuajti lodhje dhe dhimbje, uri dhe etje dhe u burgos në të ftohtë dhe i zhveshur.9

Shumë nga ne i janë lutur Perëndisë që të heqë shkakun e vuajtjes sonë dhe kur lehtësimi që kërkojmë nuk vjen, ne jemi tunduar të mendojmë se Ai nuk po dëgjon. Unë dëshmoj se, edhe në ato çaste, Ai i dëgjon lutjet tona, ka një arsye për lejimin që vuajtjet tona të vazhdojnë,10 dhe do të na ndihmojë t’i durojmë ato.11

Në një fragment të brendshëm dhe të mendueshëm, Pali na tregon për një “gjemb” të papërcaktuar në mishin e tij, që i shkaktonte dhimbje të madhe dhe e kish gjunjëzuar tre herë për t’iu lutur Zotit që t’ia hiqte. Në përgjigje të lutjeve të Palit, Zoti nuk e hoqi gjembin, por i foli paqe dhe i dha kuptueshmëri zemrës së tij, duke i thënë: “Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi”. Me kuptueshmëri të re, Pali ishte në gjendje ta pranonte dhe të ishte mirënjohës për gjembin që i ishte dhënë. Ai tha:“Prandaj me kënaqësi të madhe do të … krenohem më tepër për dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të rrijë tek unë”.12

Kur arrijmë këtë këndvështrim të përjetshëm në jetën tonë, aftësia jonë për të duruar rritet, ne mësojmë si t’i ndihmojmë ata që kanë nevojë për ndihmë,13 dhe arrijmë të vlerësojmë madje të jemi mirënjohës për përvojat që Perëndia na lejon të na mësojnë në shtegun e jetës së përjetshme.

Kur e gjejmë veten duke u përpjekur nëpër fatkeqësi, mund të jetë e vështirë t’i shohim sprovat tona si pika orientimi në shtegun tonë vetjak të dishepullimit. Por qoftë kur ndonjëherë e gjejmë veten në luginën e errët të dëshpërimit apo në rrugën e epërme të lumturisë, të mësuarit nga vuajtjet e të tjerëve dhe të ndierit dhembshuri për ta mund të jetë bekim.

Gjatë një detyre në një konferencë kunji në Filipine në të cilën mora pjesë së fundmi, zemra m’u thye kur mësova për përvojën tragjike të vëllait Daniel Apilado. Vëllai Apilado dhe bashkëshortja e tij qenë pagëzuar në vitin 1974. Ata e përqafuan ungjillin e rivendosur dhe qenë vulosur në tempull. Qysh atëherë ata qenë bekuar me pesë fëmijë të mrekullueshëm. Më 7 korrik 1997, ndërsa vëllai Apilado po shërbente si president kunji, në shtëpinë e tyre të vogël shpërtheu një zjarr. Djali më i madh i vëllait Apilado, Majkëlli, e shpëtoi të atin, e nxori nga struktura që digjej dhe pastaj u kthye te shtëpia për të shpëtuar të tjerët. Ishte hera e fundit që vëllai Apilado e pa gjallë të birin e tij. Zjarri dogji bashkëshorten e Vëllait Apilado, Domingën, dhe të pesë fëmijët e tyre.

Fakti që vëllai Apilado jetonte një jetë që i pëlqente Perëndisë kur goditi tragjedia, nuk e ndaloi tragjedinë dhe as e bëri atë të mbrojtur nga hidhërimi që pasoi. Por besnikëria e tij në mbajtjen e besëlidhjeve të veta dhe ushtrimin e besimit të tij në Krisht, i dhanë siguri për premtimin se ai do të ribashkohej me bashkëshorten dhe familjen e tij. Kjo shpresë u bë një spirancë për shpirtin e tij.14

Gjatë vizitës sime, vëllai Apilado, tani patriarku i kunjit, më prezantoi me bashkëshorten e tij të re, Simonetën, dhe me dy bijtë e tyre, Rafaelin dhe Danielin. Vërtet, Jezu Krishti mund dhe do “të lidhë plagën e atyre që e kanë zemrën të thyer”.15

Në tregimin e historisë së vëllait Apilado, shqetësohem se përmasa e tmerrshme e humbjes së tij mund t’i bëjë shumë njerëz të mendojnë se hidhërimet dhe vuajtjet e vetë atyre janë krahasimisht të parëndësishme. Ju lutem mos krahasoni, por përpiquni të mësoni dhe të zbatoni parime të përjetshme ndërsa çani nëpër furrën e vrerosjeve tuaja.

Nëse mund t’ju flas juve personalisht – “o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar”16 – a mund t’ju sugjeroj se përpjekjet tuaja personale – brengat, dhimbjet, vuajtjet dhe dobësitë tuaja personale të çdo lloji – të gjitha janë të njohura për Atin tonë në Qiell dhe Birin e Tij. Merrni kurajë! Kini besim! Dhe besoni në premtimet e Perëndisë!

Qëllimi dhe misioni i Jezu Krishtit përfshinte që Ai do të “marrë përsipër dhembjet dhe sëmundjet e popullit të tij”, “do të marrë përsipër dobësitë e tyre” dhe do të “ndihmojë popullin e tij sipas dobësive të tyre”.17

Për t’i marrë plotësisht këto dhurata që Shpëtimtari ynë i ka ofruar kaq lirshëm, të gjithë duhet të mësojmë se vuajtja në vetvete nuk na jep mësim apo na dhuron ndonjë vlerë të përhershme nëse nuk përfshihemi me vetëdije në procesin e nxjerrjes mësim nga vuajtjet tona duke ushtruar besim.

Plaku Nil A. Maksuell dikur e tregoi atë çka pati mësuar nga të vuajturit e qëllimshëm me këto fjalë:

“Disa forma vuajtjeje, të duruara mirë, mund të jenë në të vërtetë fisnikëruese. …

“… Një pjesë e të duruarit mirë është të jemi mjaftueshëm të butë, mes vuajtjes sonë, që të mësojmë nga përvojat tona përkatëse. Në vend që thjesht t’i durojmë këto gjëra, ato duhet të na përshkojnë … në mënyra që na shenjtërojnë”.18

Unë kam vërejtur në jetën dhe shembujt e të tjerëve se ushtrimi i besimit të fortë dhe të qëndrueshëm në Jezu Krisht dhe në premtimet e Tij jep shpresën e sigurt për gjëra më të mira që do të vijnë. Kjo shpresë e sigurt na bën të qëndrueshëm, duke na sjellë forcën dhe fuqinë që na duhet për të duruar.19 Kur mund të bëjmë lidhjen e vuajtjes sonë te një siguri për qëllimin në vdekshmërinë tonë dhe më konkretisht me shpërblimin që na pret në vende qiellore, besimi ynë në Krisht rritet dhe ne marrim ngushëllim për shpirtrat tanë.

Atëherë ne mund të shohim dritën te fundi i tunelit. Plaku Xhefri R. Holland ka dhënë mësim: “Vërtet ka dritë te fundi i tunelit. Është Drita e Botës, Ylli i Shkëlqyer i Mëngjesit, ‘drita që është e pafund, që nuk mund të errësohet kurrë’ [Mosia 16:9]. Është pikërisht vetë Biri i Perëndisë”20

Ne mund të marrim forcë nga dituria se të gjitha përvojat e rënda në këtë jetë janë të përkohshme; edhe netët më të errëta kthehen në agim për besnikët.

Kur gjithçka të mbarojë dhe ne t’i kemi duruar të gjitha gjërat me besim në Jezu Krisht, ne kemi premtimin se“Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë [tanë]”21

Unë dëshmoj që Perëndia, Ati ynë dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, jetojnë dhe se Ata janë mbajtës të premtimeve. Unë dëshmoj se Shpëtimtari na fton të gjithëve të vijmë dhe të marrim Shlyerjen e Tij. Ndërsa ushtrojmë besimin tonë tek Ai, Ai do të na ngrejë dhe do të na mbartë nëpër të gjitha sprovat tona dhe, përfundimisht, do të na shpëtojë në mbretërinë çelestiale. Më lejoni t’ju ftoj të vini në Krisht, të duroni mirë në besim të përsoseni nëpërmjet Tij dhe të keni gëzim të përsosur në Të. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.