2010–2019
Për Zhvillimin dhe të Mësuarit Tonë Shpirtëror
Tetor 2016


Për Zhvillimin dhe të Mësuarit Tonë Shpirtëror

Misteret e Perëndisë na janë shpalosur neve vetëm sipas vullnetit të Tij dhe me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë.

Kur isha djalosh, prindërit e mi morën një dhuratë që na magjepsi mua dhe vëllanë tim më të vogël Davidin. Dhurata ishte një model i vogël i fletëve të arta që mori Profeti Jozef Smith nga engjëlli Moroni. Kur e kujtoj, mostra e fletëve kishte 10 a pak më shumë faqe prej metali me fjalë të shkruara në to. Sidoqoftë, nuk ishin ato faqe që na e tërhoqën vëmendjen.

Ne ishim rritur duke dëgjuar historitë e Rivendosjes. Ne kishim njohuri për fletët e arta që ishin fshehur thellë në një faqe mali dhe që iu dorëzuan Jozef Smithit nga engjëlli Moroni, dhe kishim kënduar për to në Fillore.1 Teksa mendjet tona rinore i brente kureshtja, në të vërtetë ne deshëm që të shihnim vetëm një gjë: çfarë qe shkruar në pjesën e vogël të modelit të fletëve, të mbyllur mirë me dy lidhëse të vogla prej metali?

Fletët qëndruan në një tavolinë të vogël për disa ditë përpara se kureshtja na shtyu që të bënim diçka. Ndonëse e kuptonim qartësisht se këto nuk ishin fletët e vërteta që kishte dorëzuar Moroni, ne deshëm të shihnim pjesën e vulosur. Kështu që disa herë, unë dhe im vëlla u përpoqëm që të përdornim thika gjalpi, lugë të vjetruara dhe çdo gjë tjetër që mund të na vinte ndër mend për ta hapur pjesën e vulosur të fletëve aq sa për të parë se çfarë përmbanin – por jo aq shumë sa t’i këputnim lidhëset e vogla. Të paktën ishim aq të zgjuar sa të mos linim asnjë gjurmë të kureshtjes sonë të mbrapshtë djaloshare. Për zhgënjimin dhe mërzinë tonë, këto përpjekje për t’i “hapur fletët” qenë gjithmonë të pasuksesshme.

Ende nuk e di se çfarë kishte – në kishte diçka – të fshehur nën atë pjesë të vulosur. Por ana e sikletshme në historinë tonë është që edhe sot e kësaj dite, as që e kam idenë se çfarë qe shkruar në pjesën e faqeve prej metali që kishte për synim të lexohej. Thjesht mund të përfytyroj se këto faqe përmbanin histori të Rivendosjes dhe dëshmi të Jozef Smithit dhe të Tre dhe Tetë Dëshmitarëve, të cilët i panë fletët e vërteta që u dorëzuan nga Moroni.

Që prej Krijimit të kësaj toke, Ati ynë i dashur në Qiell u ka dhënë drejtim, udhëheqje dhe udhëzim fëmijëve të Tij nëpërmjet profetëve. Fjalët e tij kanë kaluar nëpërmjet këtyre profetëve dhe janë ruajtur si shkrime të shenjta për zhvillimin dhe të mësuarin tonë. Nefi e përshkroi në këtë mënyrë:

“Sepse shpirti im kënaqet pa masë në shkrimet e shenjta dhe zemra ime i mediton ato dhe i shkruan ato për mësimin dhe përfitimin e fëmijëve të mi.

Vini re, shpirti im kënaqet pa masë në gjërat e Zotit; dhe zemra ime mediton vazhdimisht mbi gjërat që unë kam parë dhe dëgjuar.”2

Përveç kësaj, gjatë periudhave të mëparshme ungjillore dhe në periudhën e fundit ungjillore të plotësisë së kohërave, anëtarët e denjë të Kishës së Zotit janë bekuar me shoqërimin e vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë, i cili na ndihmon në zhvillimin dhe të mësuarin tonë shpirtëror.

Duke e njohur natyrën e zellshme të vëllait tim më të vogël, mendoj me shumë gjasa që ai i lexoi të gjitha fjalët e shkruara në modelin e fletëve në shtëpinë e prindërve tanë. Unë, sidoqoftë, i shpërfilla ato të vërteta të qarta dhe të çmueshme dhe në vend të kësaj i shtova përpjekjet e mia duke kërkuar ato gjëra që nuk kishin synim të zbuloheshin.

Trishtueshëm, zhvillimi dhe të mësuarit tonë nganjëherë mund të ngadalësohet apo madje të ndalet nga një dëshirë e pamatur për t’i “hapur fletët”. Këto veprime mund të na çojnë që të kërkojmë gjëra që nuk janë medoemos të thëna të kuptohen në këtë kohë, ndërkohë që në të njëjtën kohë shpërfillim të vërtetat e bukura që janë caktuar për ne dhe rrethanat tona – të vërtetat që Nefi i përshkroi se janë shkruar për mësimin dhe dobinë tonë.

Vëllai i Nefit, Jakobi, dha mësim: “Vini re, të mëdha dhe të mrekullueshme janë veprat e Zotit. Sa të pakërkueshme janë thellësitë e mistereve të tij; dhe është e pamundur që njeriu të mund të zbulojë të gjitha udhët e tij”.3

Fjalët e Jakobit na mësojnë se ne nuk mund t’i “hapim fletët” me sukses apo të ngulmojmë që misteret e Perëndisë të na zbulohen. Përkundrazi, misteret e Perëndisë na janë shpalosur neve vetëm sipas vullnetit të Tij dhe me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë.4

Jakobi vijon:

“Dhe asnjë njeri nuk di për udhët e tij, veçse në qoftë se i zbulohen atij; prandaj, vëllezër, mos i përbuzni zbulesat e Perëndisë.

Pasi, vini re, nga fuqia e fjalës së tij njeriu erdhi mbi faqen e tokës. … O atëherë, pse jo në gjendje të urdhërojë tokën ose veprën e duarve të tij mbi faqen e saj, sipas vullnetit dhe dëshirës së tij?

Prandaj, vëllezër, mos kërkoni të këshilloni Zotin, por merrni këshilla nga dora e tij.”5

Me qëllim që t’i kuptojmë misteret e Perëndisë ose ato gjëra që mund të kuptohen vetëm nëpërmjet zbulesës, ne duhet të ndjekim shembullin e Nefit, i cili tha: “Duke qenë shumë i ri, megjithatë duke qenë i madh në shtat dhe gjithashtu duke pasur dëshira të mëdha për të ditur misteret e Perëndisë, prandaj i thirra Zotit dhe vini re, ai më vizitoi dhe ma zbuti zemrën, saqë unë besova të gjitha fjalët që ishin thënë nga ati im”6. Vetë Zoti shpjegoi më tej se Nefi kishte ushtruar besim, kishte kërkuar me zell me përulësi të zemrës dhe i kishte zbatuar urdhërimet e Tij.7

Shembulli i Nefit i të kërkuarit të njohurisë, përfshiu 1) një dëshirë të sinqertë, 2) përulësi, 3) lutje, 4) mirëbesim te profeti dhe një ushtrim të 5) besimit, 6) zellit dhe 7) bindjes. Kjo mënyrë e të kërkuarit ka një dallim të theksuar me përpjekjen time për të “hapur fletët” ose me ngulmin që të kuptoja gjërat që nuk kishin për synim të zbuloheshin sipas kohës së Zotit dhe nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë.

Në këtë epokë moderne, ne kemi arritur të pretendojmë se njohuria mund dhe duhet të merret menjëherë; kur informacioni nuk bëhet i ditur lirshëm ose nuk është lehtësisht i arritshëm, shpesh shpërfillet ose nuk i zihet besë. Për shkak të mbushullisë së informacionit, disa njerëz padashur i quajnë më të besueshme burimet që janë në dispozicion, [por] me origjinë të panjohur sesa mbështeten në modelin e krijuar të Zotit për marrjen e zbulesës vetjake. Jakobi mund të ketë qenë duke përshkruar kohën tonë kur tha: “Por vini re, [ata] ishin një popull kokëfortë; dhe ata përçmonin fjalët e qartësisë … dhe kërkuan gjëra që ata nuk mund t’i kuptonin. Prandaj, për shkak të verbërisë së tyre, verbëri e cila erdhi duke parë përtej shenjës, ata duhet të bien; pasi, Perëndia ka hequr qartësinë e tij nga ata dhe u ka dhënë atyre shumë gjëra që nuk mund t’i kuptojnë, sepse ata e dëshironin atë.”8

Në dallim me këtë është këshilla e Presidentit Diter F. Uhtdorf. Ai foli për misionarët por fjalët e tij janë njëlloj të zbatueshme për të gjithë kërkuesit e të vërtetës shpirtërore. “Kur … misionarët kanë besim te Jezu Krishti”, tha ai, “ata do të mirëbesojnë në Zot mjaftueshëm sa për t’i ndjekur urdhërimet e Tij – edhe kur nuk i kuptojnë tërësisht arsyet lidhur me to. Besimi i tyre do të tregohet nëpërmjet zellit dhe nëpërmjet veprave.”9

Gjatë konferencës së fundit të prillit, Plaku Dallin H. Ouks, shpjegoi: “Kisha po bën përpjekje të mëdha për të qenë e hapur me analet që kemi, por pas gjithçkaje që mund të botojmë, anëtarët tanë ndonjëherë lihen me pyetje bazë që nuk mund të zgjidhen me anë të studimit. … Disa gjëra mund të mësohen vetëm me anë të besimit.”10

Profetët e lashtë e dhanë mësim po këtë parim, duke treguar se me kalimin e kohës natyra njerëzore nuk ka ndryshuar dhe se modeli i Zotit për të mësuarit është i pakufishëm. Merrni parasysh këtë fjalë të urtë në Dhiatën e Vjetër: “Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd.”11

Isaia shpjegoi, teksa fliste për Zotin: “Ashtu si qiejtë janë më të lartë se toka, kështu edhe rrugët e mia janë më të larta se rrugët tuaja dhe mendimet e mia janë më të larta se mendimet tuaja”12.

Nefi shtoi një dëshmi tjetër kur shpalli: “O Zot, unë kam besuar te ti dhe unë do të besoj te ti përgjithmonë”13.

Besimi dhe mirëbesimi në Zot kërkon që ne të pranojmë se dituria e Tij është shumë më e madhe se e jona. Ne duhet të pranojmë edhe se plani i Tij na jep mundësinë më të madhe për zhvillimin dhe të mësuarin shpirtëror.

Nga ne nuk pritej kurrë “të k[ishim] një njohuri të përsosur të gjërave” gjatë kësaj ekzistence në vdekshmëri. Përkundrazi, nga ne pritet që të “shpreso[jmë] për gjëra që nuk shihen, të cilat janë të vërteta”14.

Edhe me besimin e tij të madh, Nefi e pranoi kuptueshmërinë e tij të kufizuar kur ai iu përgjigj engjëllit, i cili e pyeti atë: “A e di ti denjimin e Perëndisë?” Nefi iu përgjigj: “Unë e di se ai i do fëmijët e tij; megjithatë, unë nuk e di kuptimin e të gjitha gjërave15.

Në mënyrë të ngjashme, Alma i shprehu birit të tij Helamanit: “Tani, këto mistere nuk më janë bërë krejtësisht të ditura; prandaj nuk do të hyj në hollësi”16.

Unë shpreh dëshminë time se Ati ynë në Qiell i do fëmijët e Tij dhe prapëseprapë, sikurse Nefi dhe Alma, unë nuk e di kuptimin e të gjitha gjërave. As nuk më duhet t’i di të gjitha gjërat; edhe unë do të rezistoj dhe do të pres me durim për Zotin, duke e ditur se “unë kam të gjitha gjërat si dëshmi se këto gjëra janë të vërteta; dhe ti gjithashtu ke të gjitha gjërat si dëshmi ndaj teje, se janë të vërteta. …

… Shkrimet e Shenjta i ke para teje, po, dhe të gjitha gjërat tregojnë se ka një Perëndi; po, madje edhe toka e të gjitha gjërat që gjenden mbi faqe të saj, po edhe lëvizja e saj, po, dhe gjithashtu të gjithë planetët të cilët lëvizin në mënyrën e tyre të rregullt, dëshmojnë se ka një Krijues Suprem.”17

Ndërsa e pranojmë se jemi vepër e duarve të një Ati të urtë dhe të përkushtuar në Qiell, “O atëherë”, përse të mos e lejojmë atë që të na udhërrëfejë në zhvillimin dhe të mësuarin tonë shpirtëror “sipas vullnetit dhe dëshirës së tij” sesa sipas vullnetit dhe dëshirës sonë18?

Ai jeton. Jezu Krishti është Biri i Tij i Vetëmlindur dhe Shëlbuesi i njerëzimit. Për shkak të Shlyerjes së pafundme të Krishtit, Ai ka diturinë dhe largpamësinë për të na udhërrëfyer në këto ditë të mëvonshme. Jozef Smithi është profeti i Tij, i zgjedhur për të rivendosur mbretërinë e Tij në tokë, në plotësinë e saj. Tomas S. Monsoni është profeti dhe zëdhënësi i Tij i gjallë sot. Për këtë jap dëshminë time të sinqertë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.