2010–2019
Mësuesi Shërues
Tetor 2016


Mësuesi Shërues

Ju nuk keni përse ta përjetoni hidhërimin që shkaktohet nga mëkati, dhembjen që shkaktohet nga veprimet e të tjerëve ose realitetin e dhembshëm në vdekshmëri – të vetme.

Një nga mundësitë e mia më shpërblyese është të udhëtoj – të mësoj nga motrat e mia anembanë botës. Nuk ka asgjë më të bukur sesa të jem krah për krah, ballë për ballë dhe zemër më zemër me ju.

Gjatë një përvoje të tillë, një udhëheqëse e Shoqatës së Ndihmës pyeti: “A ka diçka të caktuar tek e cila duhet të përqendrohen gratë?”

Unë u përgjigja: “Po!”, ndërsa biseda e Presidentit Rasëll M. Nelson “Një Lutje drejtuar Motrave të Mia”, hyri në mendjen time. Presidenti Nelson dha mësim: “Na duhen gra të cilat kanë një kuptueshmëri të patundur të doktrinës së Krishtit”1.

Nefi e përshkroi doktrinën e Krishtit në këtë mënyrë:

“Pasi porta nëpër të cilën ju duhet të hyni është pendimi dhe pagëzimi me anë të ujit; dhe pastaj vjen një heqje e mëkateve tuaja me anë të zjarrit dhe me anë të Frymës së Shenjtë. …

Dhe tani, … unë do t’ju pyesja nëse gjithçka është bërë? Vini re, unë ju them juve, Jo; pasi ju nuk keni arritur deri këtu përveçse me anë të fjalës së Krishtit, me besim të patundur në të, duke u mbështetur tërësisht në meritat e atij që është i fuqishëm të shpëtojë.

Kështu që, ju duhet të shkoni përpara me një vendosmëri në Krisht, duke pasur një ndriçim të përkryer të shpresës dhe një dashuri për Perëndinë dhe për gjithë njerëzit. Prandaj, në qoftë se ju do të shkoni përpara, duke u ushqyer me bollëk mbi fjalën e Krishtit dhe të duroni deri në fund, vini re, kështu thotë Ati: Ju do të keni jetën e përjetshme.

… Kjo është udha; dhe s’ka udhë tjetër dhe as emër të dhënë nën qiell, nëpërmjet të cilit njeriu mund të shpëtohet në mbretërinë e Perëndisë. Dhe tani, vini re, kjo është doktrina e Krishtit.2

Përse ne kemi nevojë për një kuptueshmëri të patundur për këto parime?

Shpesh takoj gra shenjtore të ditëve të mëvonshme, të cilat janë të dëshpëruara për ndihmë e prapëseprapë ato nuk drejtohen tek Ai i cili mund të sigurojë ndihmë të përhershme. Shumë shpesh ato kërkojnë kuptueshmëri duke e kërkuar “ndërtes[ën] e gjerë dhe [të] madhe”3.

Kur e rritim kuptueshmërinë tonë për doktrinën e Krishtit, ne shpejt zbulojmë se po zhvillojmë një kuptueshmëri më të thellë për “planin e madh të lumturisë”4. Ne gjithashtu pranojmë se Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, është pikërisht në zemër të planit.

Kur mësojmë se si ta zbatojmë doktrinën e Krishtit në rrethanat tona individuale, dashuria jonë për Shpëtimtarin tonë rritet. Dhe ne pranojmë “se, pavarësisht nga ndryshimet e dukshme, të gjithë ne kemi nevojë për të njëjtën Shlyerje të pafundme”5. Ne e pranojmë se Ai është themeli ynë – “shkëmbi [i] Shëlbuesit tonë, … një bazë e sigurt … mbi të cilën në qoftë se [ne] ndërtoj[m]ë, nuk mund të bie[m]”6.

Si mund të na bekojë kjo doktrinë ndërsa kërkojmë paqe e kuptueshmëri dhe mundohemi të durojmë me gëzim gjatë udhëtimeve tona të pashoqe në vdekshmëri?

Më lejoni të sugjeroj që t’ia fillojmë, sikurse tha Nefi: “Me besim të patundur në [Krisht], duke u mbështetur tërësisht në meritat e atij që është i fuqishëm të shpëtojë”7. Besimi ynë në Jezu Krisht na mundëson ta përballojmë çdo sfidë.

Ne, në fakt, shpesh zbulojmë se besimi ynë thellohet dhe marrëdhënia jonë me Atin Qiellor dhe Birin e Tij përmirësohet gjatë fatkeqësisë. Më lejoni të jap tre shembuj.

Së pari, Shpëtimtari, Mësuesi Shërues, ka fuqinë ta ndryshojë zemrën tonë dhe na jep lehtësim të qëndrueshëm nga hidhërimi që shkaktohet nga vetë mëkati ynë. Kur Shpëtimtari i dha mësim gruas samaritane në pus, Ai ishte në dijeni për mëkatet e saj të rënda. Megjithatë, “Zoti shikon zemrën”8 dhe Ai e dinte se ajo kishte një zemër të gatshme për të mësuar.

Kur gruaja erdhi te pusi, Jezusi – personifikimi i ujit të gjallë – i tha thjesht: “Më jep të pi”. Në mënyrë të ngjashme, Shpëtimtari ynë do të na flasë ne me një zë që e njohim kur të shkojmë tek Ai – sepse Ai na njeh. Ai kujdeset për ne sipas gjendjes sonë. Dhe për shkak të asaj që Ai është dhe asaj që Ai ka bërë për ne, Ai kupton. Për shkak se Ai e ka përjetuar dhembjen tonë, Ai mund të na japë ujë të gjallë kur ta kërkojmë. Ai i mësoi këtë gruas samaritane kur tha: “Po ta njihje ti dhuratën e Perëndisë dhe kush është ai që të thotë: ‘Më jep të pi!’, ti vetë do të kërkoje nga ai dhe ai do të të jepte ujë të gjallë”. Duke e kuptuar më në fund, gruaja iu përgjigj me besim dhe kërkoi: “Zot, më jep këtë ujë, që unë të mos kem më etje”.

Pasi gruaja samaritane e pati këtë përvojë me Shpëtimtarin, ajo “e la kovën e saj dhe u kthye në qytet dhe u tha njerëzve:

‘Ejani të shikoni një njeri që më ka thënë gjithçka kam bërë; vallë mos është ky Krishti?’”

Ajo kishte marrë një dëshmi – ajo kishte filluar të pinte ujin e gjallë – dhe ajo dëshironte t’u dëshmonte të tjerëve për hyjnueshmërinë e Tij.9

Kur vijmë tek Ai me zemër të përulur dhe të gatshme për të mësuar – edhe nëse zemra jonë është e rënduar me gabime, mëkate dhe shkelje – Ai mund të na ndryshojë “pasi ai është i fuqishëm të shpëtojë”10. Dhe me zemrën të ndryshuar, ne mundemi, sikurse gruaja samaritane, të shkojmë në vetë qytetet tona – shtëpitë, shkollat dhe vendet tona të punës – për të dëshmuar për Të.

Së dyti, Mësuesi Shërues mund të na ngushëllojë dhe forcojë kur përjetojmë dhembje për shkak të veprimeve të padrejta të të tjerëve. Kam pasur shumë bashkëbisedime me gra të stërmunduara nga barrë të rënda. Shtegu i mbajtjes së besëlidhjeve të bëra në tempull, është bërë një udhëtim i vështirë shërimi. Ato vuajnë prej besëlidhjeve të shkelura, zemrave të thyera dhe humbjes së vetëbesimit. Të shumta janë pretë e tradhtisë bashkëshortore dhe keqtrajtimit gojor, seksual e emocional, shpesh si rrjedhojë e varësive të njerëzve të tjerë.

Këto përvoja, ndonëse jo për fajin e tyre, kanë bërë që shumë njerëz të ndihen fajtorë dhe të turpëruar. Duke mos e kuptuar se si t’i zotërojnë emocionet e fuqishme që përjetojnë, shumë gra përpiqen t’i fshehin ato, duke i shtyrë më thellë brenda vetes.

Shpresa dhe shërimi nuk gjenden në humnerat e errëta të fshehtësisë, por në dritën dhe dashurinë e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit11. Plaku Riçard G. Skot këshilloi: “Nëse jeni vetë të lirë [nga] mëkati i rëndë, mos i vuani pa qenë nevoja pasojat e mëkateve të të tjerëve. … Ju mund të ndieni dhembshuri. … Prapëseprapë nuk duhet ta merrni mbi vete ndjenjën e përgjegjësisë. … Kur ju keni bërë atë që është e arsyeshme për të ndihmuar dikë që e doni, lëreni barrën në këmbët e Shpëtimtarit. … Ndërsa veproni në këtë mënyrë, jo vetëm që do të gjeni paqe, por do ta tregoni në praktikë besimin tuaj te fuqia e Shpëtimtarit për t’ia lehtësuar barrën e mëkatit një njeriu të dashur nëpërmjet pendimit dhe bindjes së tij.”

Ai vazhdoi: “Shërim i plotë do të vijë nëpërmjet besimit tuaj në Jezu Krisht dhe te fuqia e zotësia e Tij, nëpërmjet Shlyerjes së Tij, për të shëruar shenjat e asaj që është e padrejtë dhe e pamerituar”12.

Nëse e gjeni veten në këtë situatë, motra, shërimi mund të jetë një proces i gjatë. Ai do të kërkojë që ju ta kërkoni plot lutje udhërrëfimin dhe ndihmën e duhur, përfshirë këshillimin me mbajtësit e shuguruar siç duhet të priftërisë. Ndërsa mësoni të komunikoni hapur, vendosni kufijtë e duhur dhe ndoshta kërkoni këshillë profesionale. Ruajtja e shëndetit shpirtëror gjatë gjithë procesit është jetike! Mbajeni mend identitetin tuaj hyjnor: ju jeni një bijë e dashur e Prindërve Qiellorë. Mirëbesoni në planin e përjetshëm të Atit tuaj për ju. Vazhdoni çdo ditë që ta rritni kuptueshmërinë tuaj për doktrinën e Jezu Krishtit. Ushtroni besim çdo ditë për të pirë plotësisht nga pusi i ujit të gjallë të Shpëtimtarit. Mbështetuni në dhurimin [indaumentin] e fuqisë të vënë në dispozicion për secilin nga ne nëpërmjet ordinancave dhe besëlidhjeve. Dhe lejojeni fuqinë shëruese të Shpëtimtarit dhe Shlyerjen e Tij në jetën tuaj.

Së treti, Mësuesi Shërues mund të na ngushëllojë dhe përkrahë ndërsa përjetojmë “realitetin [e dhembshëm] në vdekshmëri”13 të tillë si fatkeqësia, sëmundja mendore, dobësia, dhembja kronike dhe vdekja. Kohët e fundit u njoha me një të re të mrekullueshme që quhej Xhosi, e cila vuan nga çrregullime bipolare. Ja tek është veçse një pjesëz nga udhëtimi i saj drejt shërimit ashtu siç ajo ma tregoi:

“Çastet më të këqija të zymtësisë ndodhin në ato ditë që unë dhe familja ime i quajmë ‘ditët përtokë’. Ajo fillon me mbingarkesë ndijore dhe ndjeshmëri e rezistencë therëse ndaj çdo lloj tingulli, prekjeje ose drite. Ky është kulmi i lëngatës mendore. Është një ditë në veçanti që nuk do ta harroj asnjëherë.

Ishte në fillimet e udhëtimit të sëmundjes, duke e bërë përvojën veçanërisht të frikshme. Mund të mbaj mend të qara me dënesë, lot që rridhnin në fytyrën time ndërsa hapja gojën për të marrë ajër. Por edhe një vuajtje e tillë e fortë u zbeh në krahasim me dhembjen që pasoi, ndërsa vërejta që paniku e mbërtheu nënën time, kaq e dëshpëruar për të më ndihmuar.

Bashkë me shkatërrimin e mendjes sime erdhi dhe thyerja e zemrës së saj. Por nuk e kuptonim se pavarësisht nga errësira që thellohej, ne ishim vetëm pak çaste larg nga përjetimi i një mrekullie madhështore.

Ndërsa vazhdonte kjo orë e gjatë, mamaja ime pëshpëriste vazhdimisht e vazhdimisht: ‘Do të bëja çdo gjë për ta larguar këtë nga ty’.

Ndërkohë, errësira shtohej, dhe kur isha e bindur se nuk mund të duroja më, pikërisht atëherë ndodhi diçka e mrekullueshme.

Një fuqi e jashtëzakonshme dhe e mahnitshme papritmas e pushtoi trupin tim. Atëherë, me një ‘forcë përtej vetvetes’14, unë i thashë nënës sime me bindje të madhe tetë fjalë që të ndryshojnë jetën, si përgjigje ndaj dëshirës së saj të përsëritur për ta mbartur dhembjen time. Unë thashë: ‘Nuk ke përse; Dikush e ka bërë tashmë’.”

Nga humnera e errët e sëmundjes mendore shkatërrimtare, Xhosi mblodhi forcat për të dëshmuar për Jezu Krishtin dhe për Shlyerjen e Tij.

Ajo nuk u shërua plotësisht atë ditë, por mori dritën e shpresës në një kohë errësire të fortë. Dhe sot, e mbështetur nga një kuptueshmëri e patundur për doktrinën e Krishtit dhe e rifreskuar përditë nga uji i gjallë i Shpëtimtarit, Xhosi e vazhdon udhëtimin e saj drejt shërimit dhe ushtron besim të palëkundur te Mësuesi Shërues. Ajo i ndihmon të tjerët përgjatë udhës. Dhe ajo thotë: “Kur errësira duket pa mbarim, unë mbështetem te kujtimi i mëshirave të Tij të dhembshura. Ato shërbejnë si një dritë udhërrëfyese ndërsa unë kaloj nëpër kohë të vështira.”15

Motra, unë dëshmoj se –

Ju nuk keni përse të vazhdoni ta mbani barrën e hidhërimit që shkaktohet nga mëkati – të vetme.

Ju nuk keni përse ta mbani dhembjen që shkaktohet nga veprimet e padrejta të të tjerëve – të vetme.

Ju nuk keni përse ta përjetoni realitetin e dhembshëm në vdekshmëri – të vetme.

Shpëtimtari lutet:

“A nuk do të ktheheni tani tek unë dhe të pendoheni për mëkatet tuaja dhe të ktheheni në besim, që të mund t’ju shëroj?

… Në qoftë se do të vini tek unë, ju do të keni jetën e përjetshme. Vini re, krahu im i mëshirës është shtrirë drejt jush dhe kushdo që do të vijë, unë do ta pranoj.”16

“[Ai] do të bë[nte] çdo gjë për ta larguar këtë nga [ju].” Në fakt, “[Ai] e ka bërë tashmë”. Në emrin e Jezu Krishtit, Mësuesit Shërues, amen.