2010–2019
Parime dhe Premtime
Tetor 2016


Parime dhe Premtime

U kujdesshim për trupin dhe mendjen tonë duke i zbatuar parimet që janë vendosur në Fjalën e Urtësisë, një plan i siguruar hyjnisht.

Sonte, vëllezër, unë lutem për udhërrëfimin e Atit tonë Qiellor teksa e ndaj mesazhin tim me ju.

Në vitin 1833 Zoti i zbuloi Profetit Jozef Smith një plan për të jetuar në mënyrë të shëndetshme. Ai plan gjendet në seksionin e 89-të të Doktrinës e Besëlidhjeve dhe njihet si Fjala e Urtësisë. Ai jep udhëzim specifik lidhur me ushqimin që hamë, dhe e ndalon përdorimin e substancave që janë të dëmshme për trupin tonë.

Atyre që janë të bindur ndaj urdhërimeve të Zotit dhe që e zbatojnë me besnikëri Fjalën e Urtësisë, u premtohen bekime të veçanta, midis të cilave janë shëndeti i mirë dhe fuqia e shtuar fizike.1

Kohët e fundit lexova rrëfimin e vërtetë të një shfaqjeje mbresëlënëse lidhur me këto premtime. Një anëtar besnik i Kishës, Xhon A. Larsen, shërbeu gjatë Luftës II Botërore në Rojet Bregdetare të Shteteve të Bashkuara, në anijen USS Cambria. Gjatë një beteje në Filipine, erdhi fjala se po afrohej një skuadrilje me avionë luftarakë bombardues e kamikazë. U dhanë urdhra për shpërngulje të menjëhershme. Meqenëse anija USS Cambria ishte larguar tashmë, Xhoni dhe tre shokë mblodhën pajisjet e tyre dhe nxituan për në breg, duke shpresuar që të hipnin në një prej anijeve gati për nisje. Për fat, një mjet zbarkimi i mori ata dhe shpejtoi drejt anijes së fundit që po largohej nga gjiri. Burrat në atë anije që po nisej, në përpjekje për t’u shpërngulur sa më shpejt që ishte e mundur, ishin të zënë në kuvertë dhe kishin kohë vetëm që t’u hidhnin litarët katër burrave, me shpresën që ato të mund të ishin në gjendje të ngjiteshin në kuvertë.

Xhoni, me një radio të rëndë të lidhur në shpinën e tij, e gjeti veten duke u lëkundur në fund të një litari 12 metrash, në anën e anijes që ishte drejtuar për në det të hapur. Ai filloi të ngjitej lart, pëllëmbë pas pëllëmbe, duke e ditur se, nëse nuk do të mbahej fort, ai me siguri do të vdiste. Pasi ishte ngjitur vetëm në një të tretën e lartësisë, ai ndjeu se krahët po i digjeshin nga dhembja. Atë e kishte lënë kaq shumë fuqia saqë ndjeu se nuk mund të mbahej më.

Duke iu sosur fuqia, teksa mendoi me zymti për fatin e tij, Xhoni iu përgjërua Perëndisë në heshtje, duke i thënë Atij se e kishte mbajtur gjithnjë Fjalën e Urtësisë dhe kishte jetuar një jetë të pastër – dhe që atij tani me dëshpërim i duheshin bekimet e premtuara.

Xhoni më vonë tha se, porsa ai e mbaroi lutjen, ndjeu një valë të madhe force. Filloi të kacavarej edhe një herë dhe me të shpejtë u ngjit lart me litar. Kur mbërriti te kuverta, frymëmarrja e tij ishte e zakonshme dhe nuk gulçonte aspak. Bekimet e shëndetit dhe fuqisë së shtuar të premtuara në Fjalën e Urtësisë, ishin bërë të tijat. Ai i dha falënderime Atit të tij Qiellor në atë kohë, si dhe gjatë gjithë pjesës tjetër të jetës, për përgjigjen ndaj lutjes së tij të dëshpëruar për ndihmë.2

Vëllezër, u kujdesshim për trupin dhe mendjen tonë duke i zbatuar parimet që janë vendosur në Fjalën e Urtësisë, një plan i siguruar hyjnisht. Me gjithë zemrën dhe shpirtin tim, unë dëshmoj për bekimet e lavdishme që na presin kur e bëjmë këtë. Unë lutem që të jetë kështu, në emrin e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Doktrina e Besëlidhje 89:18–21.

  2. Shih John A. Larsen, in Robert C. Freeman and Dennis A. Wright, përmb., Saints at War: Experiences of Latter-day Saints in World War II (2001), f. 350–351; përdoret me leje.