2010–2019
“Po Të Më Kishit Njohur”
Tetor 2016


“Po Të Më Kishit Njohur”

Vetëm dimë rreth Shpëtimtarit, ose po arrijmë ta njohim gjithnjë e më shumë Atë? Si arrijmë ta njohim Zotin?

Kur Shpëtimtari e përfundoi Ligjëratën në Mal, Ai theksoi të vërtetën e përjetshme se “vetëm nga bërja e vullnetit të Atit, mund të merret hiri shpëtues i Birit”1.

Ai shpalli:

“Jo çdo njeri që më thotë: ‘Zot, Zot’ do të hyjë në mbretërinë e qieve; por do të hyjë ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej.

Shumë do të më thonë atë ditë: ‘O Zot, o Zot, a nuk profetizuam ne në emrin tënd, a nuk i dëbuam demonët në emrin tënd, a nuk kemi bërë shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?’

Dhe atëherë unë do t’u sqaroj atyre: ‘Unë s’ju kam njohur kurrë; largohuni nga unë, ju të gjithë, që keni bërë paudhësi.’”2

Kuptueshmëria jonë për këtë ngjarje zgjerohet teksa reflektojmë mbi një rishikim të frymëzuar të tekstit. Në mënyrë domethënëse, fraza e Zotit e thënë në variantin e mbretit Jakob të Biblës, “Unë s’ju kam njohur kurrë”, u ndryshua në Përkthimin prej Joseph Smithi-it në “Ju s’më njohët kurrë”3.

Merreni në shqyrtim edhe shëmbëlltyrën e dhjetë virgjëreshave. Kujtoni se pesë virgjëreshat mendjelehta dhe të papërgatitura shkuan të merrnin vaj për llambat e tyre pasi dëgjuan britmën që të shkonin për të takuar dhëndrin.

“Tani kur ato shkuan ta blejnë, erdhi dhëndri; virgjëreshat që ishin gati, hynë bashkë me të në dasmë; dhe dera u mbyll.

Më pas erdhën edhe [pesë] virgjëreshat e tjera [mendjelehta], duke thënë: ‘Zot, zot, hapna’.

Por ai, duke u përgjigjur, tha: ‘Në të vërtetë po ju them se nuk ju njoh’”4.

Nënkuptimet e kësaj shëmbëlltyre për secilin prej nesh zgjerohen nga një tjetër rishikim i frymëzuar. Më e rëndësishmja, fraza “Nuk ju njoh” siç thuhet në variantin e mbretit Jakob të Biblës, u qartësua në Përkthimin prej Joseph Smith-it me “Ju nuk më njihni mua”5.

Frazat “Ju s’më njohët kurrë” dhe “Ju nuk më njihni mua” duhet të jenë shkak për vetëshqyrtim shpirtëror për secilin prej nesh. Vetëm dimë rreth Shpëtimtarit, ose po arrijmë ta njohim gjithnjë e më shumë Atë? Si arrijmë ta njohim Zotin? Këto pyetje të shpirtit janë qendra e mesazhit tim. E ftoj me zell ndihmën e Frymës së Shenjtë ndërsa e shqyrtojmë së bashku këtë temë jetike.

Të Arrijmë ta Njohim

Jezusi tha:

“Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje.

Po të më kishit njohur, do të kishit njohur edhe Atin tim.”6

Ne arrijmë ta njohim Atin kur arrijmë ta njohim Birin e Tij të Dashur.

Një synim i madh i vdekshmërisë nuk është thjesht të mësojmë për të Vetëmlindurin e Atit, por edhe të përpiqemi ta njohim Atë. Katër hapa themelorë që mund të na ndihmojnë të arrijmë ta njohim Zotin janë: ushtrimi i besimit në Të, ndjekja e Tij, shërbimi ndaj Tij dhe besimi në Të.

Ushtrimi i Besimit në Të

Të ushtrosh besim në Jezu Krisht do të thotë të mbështetesh në meritat, mëshirën dhe hirin e Tij.7 Ne fillojmë ta njohim Shpëtimtarin kur i zgjojmë aftësitë tona shpirtërore dhe bëjmë një provë mbi mësimet e Tij, derisa të mund të bëjmë vend në shpirtrat tanë për një pjesë të fjalëve të Tij.8 Ndërsa besimi ynë në Zot rritet, ne i mirëbesojmë Atij dhe kemi siguri në fuqinë e Tij për të na shëlbuar, shëruar e forcuar.

Besimi i vërtetë përqendrohet në dhe te Zoti dhe gjithnjë të çon në veprim të drejtë. “Besimi [në Krisht është] parimi i parë i fesë së zbuluar, … themeli i gjithë drejtësisë … dhe parimi i veprimit në të gjitha qeniet inteligjente.”9 Për shkak se të vepruarit në përputhje me parimet e sakta që ka shpallur Shëlbuesi është thelbësor për marrjen dhe ushtrimin e besimit të vërtetë, “besimi pa vepra është i vdekur”10. Ne duhet të jemi “bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues”11.

Dëgjimi i fjalës së Perëndisë dhe marrja e dhuratës shpirtërore të besimit te Shpëtimtari janë të lidhura ngushtë sepse “besimi, pra, vjen nga dëgjimi, dhe dëgjimi vjen nga fjala e Perëndisë”12. Ne njihemi me Të dhe zërin e Tij ndërsa e studiojmë dhe ushqehemi me fjalën e Tij në shkrimet e shenjta,13 i lutemi Atit në emrin e Tij me qëllim të vërtetë14 dhe kërkojmë shoqërinë e vazhdueshme të Frymës së Shenjtë.15 Mësimi i doktrinës së Krishtit dhe zbatimi i saj në jetën tonë janë një parakusht për marrjen e dhuratës së besimit në Të.16

Ushtrimi i besimit në Zot është një përgatitje e nevojshme për ta ndjekur Atë.

Ndjekja e Tij

“Duke ecur gjatë bregut të detit të Galilesë, Jezusi pa dy vëllezër: Simonin, të quajtur Pjetër, dhe Andrean, të vëllanë, të cilët po hidhnin rrjetën në det, sepse ishin peshkatarë;

dhe u tha atyre: ‘Ndiqmëni dhe unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish’.

Dhe ata i lanë menjëherë rrjetat dhe e ndoqën.”17

Pjetri dhe Andrea janë shembuj të fuqishëm të dëgjimit dhe ndjekjes së Mësuesit.

Shpëtimtari po ashtu na udhëzon mua dhe juve: “Në qoftë se dikush don të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë.”18 Ta marrësh kryqin e Tij do të thotë t’i mohosh vetes çdo ligësi dhe çdo epsh tokësor dhe t’i zbatosh urdhërimet e Zotit.19

Shpëtimtari na ka këshilluar që të bëhemi ashtu siç është Ai.20 Pra, ndjekja e Zotit përfshin përngjasimin me Të. Ne vazhdojmë që të arrijmë ta njohim Zotin kur kërkojmë nëpërmjet fuqisë së Shlyerjes së Tij që të bëhemi si Ai.

Në shërbesën e Tij në vdekshmëri, Jezusi shenjoi shtegun, hapi udhën dhe dha shembullin e përsosur. “Një ide e saktë e karakterit, përsosurive dhe cilësive të Tij”,21 na jep një synim të qëndrueshëm dhe një drejtim të qartë ndërsa e ndjekim Atë në udhën e dishepullimit të përkushtuar.

Ndjekja e Shpëtimtarit na aftëson gjithashtu që të marrim “një njohuri të njëmendtë se drejtimi i jetës që po ndjekim”22 është në përputhje me vullnetin e Perëndisë. Një njohuri e tillë nuk është një mister i panjohur dhe nuk përqendrohet kryesisht te veprimtaritë e përkohshme apo shqetësimet e zakonshme të vdekshmërisë. Përkundrazi, përparimi i qëndrueshëm dhe i vazhdueshëm përgjatë shtegut të besëlidhjes është drejtimi i jetës që është i kënaqshëm për Të.

Ëndrra e Lehit në Librin e Mormonit përcakton shtegun që duhet të ndjekim, sfidat që do të ndeshim dhe burimet shpirtërore që janë në dispozicion për të na ndihmuar për ndjekjen dhe ardhjen te Shpëtimtari. Shkuarja përpara në shtegun e ngushtë e të ngushtuar është ajo që Ai do të donte që ne të bënim. Shijimi i frutit të pemës dhe të “kth[imit thellësisht] në besim te Zoti”23 janë bekime që Ai është i etur të na i japë. Si rrjedhojë, ai na bën me shenjë: “Eja e më ndiq”24.

Si ushtrimi i besimit, ashtu edhe ndjekja e Jezu Krishtit janë përgatitje të nevojshme për t’i shërbyer Atij.

Shërbimi ndaj Tij

“Pasi, si do ta njohë një njeri zotëruesin, të cilit nuk i ka shërbyer dhe që është i huaj për të, dhe është larg nga mendimet dhe qëllimet e zemrës së tij?”25

Ne arrijmë ta njohim më plotësisht Zotin ndërsa i shërbejmë Atij dhe punojmë në mbretërinë e Tij. Kur e bëjmë këtë, Ai na bekon bujarisht me ndihmë qiellore, dhurata shpirtërore dhe aftësi më të madhe. Ne nuk lihemi kurrë vetëm ndërsa punojmë në vreshtin e Tij.

Ai shpalli: “Unë do të shkoj përpara fytyrës suaj. Unë do të jem në të djathtën e në të majtën tuaj dhe Shpirti im do të jetë në zemrat tuaja e engjëjt e mi përreth jush, për t’ju ngritur lart.”26

Ne arrijmë ta njohim Shpëtimtarin kur bëjmë më të mirën tonë për të shkuar atje ku Ai do që ne të shkojmë, kur përpiqemi të themi atë që Ai do që ne të themi, dhe kur bëhemi ajo që Ai do që ne të bëhemi.27 Kur e pranojmë me bindje varësinë tonë të plotë prej Tij, Ai e shton aftësinë tonë për të shërbyer edhe me më shumë efektshmëri. Pak nga pak, dëshirat tona përputhen në mënyrë më të plotë me dëshirat e Tij, dhe qëllimet e Tij bëhen qëllimet tona, pasi ne nuk “do të kërko[jmë] atë që është në kundërshtim me vullnetin [e Tij]”28.

Shërbimi ndaj Tij kërkon gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën tonë.29 Si pasojë, shërbimi vetëmohues ndaj të tjerëve i asnjanëson prirjet përqendruese te vetja dhe egoiste të njeriut natyror. Neve na shtohet dashuria ndaj atyre të cilëve i shërbejmë. Dhe për shkak se shërbimi ndaj të tjerëve është shërbim ndaj Perëndisë, ne arrijmë ta duam më thellësisht Atë dhe vëllezërit e motrat tona. Një dashuri e tillë është tregues i dhuratës shpirtërore të dashurisë hyjnore, madje dashurisë së pastër të Krishtit.30

“Lutiuni Atit me gjithë fuqinë e zemrës suaj, që të mbusheni me këtë dashuri që ai ua jep të gjithë atyre që janë pasues të vërtetë të Birit të tij Jezu Krisht; që ju të mund të bëheni bijtë e Perëndisë; që kur ai të shfaqet, ne të jemi si ai, pasi ne do ta shohim atë ashtu sikurse është; që të mund të kemi këtë shpresë; që ne të mund të pastrohemi, madje ashtu si ai është i pastër.”31

Ne arrijmë ta njohim Zotin kur mbushemi me dashurinë e Tij.

Besimi në Të

A është e mundur të ushtrosh besim në Të, ta ndjekësh Atë, t’i shërbesh Atij, por të mos i besosh Atij?

Jam njohur me anëtarë të Kishës që i pranojnë si të vërteta doktrinën dhe parimet që përmbahen në shkrimet e shenjta dhe që shpallen nga kjo foltore. Dhe prapëseprapë, ata e kanë të vështirë të besojnë se ato të vërteta të ungjillit gjejnë zbatim posaçërisht për jetën e tyre dhe rrethanat e tyre. Ata duket sikur kanë besim te Shpëtimtari, por nuk e besojnë se bekimet e premtuara prej Tij janë në dispozicion për ta apo mund të veprojnë në jetën e tyre. Unë gjithashtu has vëllezër e motra që i përmbushin thirrjet e tyre me bindje, por për të cilët ungjilli i rivendosur nuk është bërë ende një realitet i gjallë, shndërrues në jetën e tyre. Ne arrijmë ta njohim Zotin kur jo vetëm besojmë në Të, por gjithashtu i besojmë Atij dhe sigurisë së Tij.

Në Dhiatën e Re, një baba i kërkoi Shpëtimtarit që ta shëronte fëmijën e tij. Jezusi u përgjigj:

“Nëse ti mund të besosh, çdo gjë është e mundshme për atë që beson.

Menjëherë babai i fëmijës, duke bërtitur me lot, tha: ‘Unë besoj, o Zot, ndihmo mosbesimin tim’.”32

Kam menduar shumë herë për kërkesën e këtij babai: “Ndihmo mosbesimin tim”. Pyes veten nëse qëllimi i përgjërimit të burrit ishte kryesisht që ta ndihmonte atë të besonte te Jezusi si Shëlbuesi ynë dhe te fuqia e Tij shëruese. Ai mund ta ketë pranuar tashmë Krishtin si Birin e Perëndisë. Por ndoshta atij i nevojitej ndihmë që të besonte se fuqia shëruese e Mësuesit mund të ishte me të vërtetë kaq individuale dhe vetjake sa ta bekonte vetë djalin e tij të dashur. Ai mund të ketë besuar në Krisht përgjithësisht, por nuk i ka besuar Krishtit posaçërisht dhe personalisht.

Ne shpesh dëshmojmë për atë që e dimë se është e vërtetë, por ndoshta pyetja më e përshtatshme për secilin prej nesh është se a i besojmë asaj që dimë.

Ordinancat e shenjta të kryera me anë të autoritetit të duhur të priftërisë janë thelbësore që të besojmë te Shpëtimtari, të arrijmë ta njohim Atë, dhe përfundimisht, t’i besojmë asaj që dimë.

“Dhe kjo priftëri [Melkizedeke] administron ungjillin dhe mban çelësin e mistereve të mbretërisë, madje çelësin e diturisë së Perëndisë.

Si rrjedhim, në ordinancat e saj, fuqia e perëndishmërisë manifestohet.”33

Ne i besojmë Zotit dhe arrijmë ta njohim Atë, kur çelësi i njohurisë së Perëndisë i administruar nëpërmjet Priftërisë Melkizedeke e hap portën dhe bën të mundur që secili prej nesh të marrë fuqinë e perëndishmërisë në jetën e tij. Ne i besojmë Shpëtimtarit dhe arrijmë ta njohim Atë kur e ndjekim Atë me anë të marrjes dhe nderimit plot besnikëri të ordinancave të shenjta dhe duke e treguar gjithnjë e më shumë shëmbëlltyrën e Tij në pamjen tonë.34 Ne i besojmë Krishtit dhe arrijmë ta njohim Atë kur e përjetojmë vetë fuqinë shndërruese, shëruese, forcuese dhe shenjtëruese të Shlyerjes së Tij. Ne e besojmë dhe arrijmë ta njohim Mësuesin kur “fuqi[a e] fjalës së tij [zë rrënjë] te ne”,35 shkruhet në mendjen dhe zemrën tonë36 dhe kur i “braktis[im] të gjitha mëkatet [tona] për t[a] … njohur [Atë]”37.

T’i besojmë Atij do të thotë të mirëbesojmë se bekimet e Tij bujare janë në dispozicion dhe gjejnë zbatim në jetën tonë vetjake dhe familjare. Besimi ndaj Tij me gjithë shpirtin tonë38 vjen kur ne shkojmë përpara përgjatë shtegut të besëlidhjes, ia dorëzojmë vullnetin tonë vullnetit të Tij, dhe i nënshtrohemi përparësive të Tij dhe kohës së caktuar për ne. Besimi ndaj Tij – duke i pranuar si të vërteta fuqinë dhe premtimet e Tij – i fton largpamësinë, paqen dhe gëzimin në jetën tonë.

Premtim dhe Dëshmi

Në një ditë të ardhshme, “çdo gju do të gjunjëzohet dhe çdo gjuhë do të pohojë”39 se Jezusi është Krishti. Në atë ditë të bekuar, ne do ta dimë se Ai e njeh secilin prej nesh me emër. Dhe unë ju dëshmoj e premtoj se ne jo vetëm që mund të dimë rreth Zotit, por gjithashtu mund të arrijmë ta njohim Atë, kur ushtrojmë besim në Të, e ndjekim, i shërbejmë dhe i besojmë Atij. Unë dëshmoj kështu, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.